“Njëqind poezi dashurie”, një antologji e poezisë suedeze nga Qerim Raqi

“Njëqind poezi dashurie” titullohet libri më i ri i poetit dhe përkthyesit Qerim Raqi, të cilin e botoi këto ditë shtëpia botuese “Magjia e librit” në Prishtinë.

Në këtë libër përkthyesi dhe poeti Qerim Raqi ka përzgjedhur njëqind perla të lirikës suedeze, klasike dhe moderne, duke hartuar kështu një antologji tematike, ku prezentohet lirika suedeze në një hark kohor prej dy shekujsh, nga Erik Johan Stagnelius, (1793 -1823) deri te poetesha e ditëve tona Anna Axfors ( l.1990 ). / KultPlus.com

Vjen në shqip “Asgjë nuk dhemb më shumë se ti” i poetes Karin Boye

Këto ditë doli nga shtypi libri me titull “Asgjë nuk dhemb më shumë se ti”, zgjedhje poezish të poetes klasike suedeze Karin Boye, nën përzgjedhjen, përkthimin dhe parathënien e Qerim Raqit, me banim në Suedi.

***

Njëqind vite më parë, poetja Karin Boye, u paraqit para lexuesit suedez me përmbledhjen e saj të parë me poezi ”Retë”, ( suedisht ”Moln”, 1922 ), në moshën 22 vjeçare.

Dy dekada më vonë, pa i mbushur as të dyzetat, ajo i dha fund jetës , përkatësisht me datën 23 prill 1941, nga mbidoza e tabletave të gjumit. Trupi i saj i pajetë u gjet pas katër ditësh nga një kalimtar,  në një mal, pranë një guri të madh, në periferi të Göteborgut, vend ky të cilin ajo e vizitonte shpesh me miken (të dashuren) e saj Anita Nathorsts. Vdekja tragjike e saj dëshmon për një personalitet tejet të ndjeshëm, me një botë të shqetësuar emocionale, që lexuesi i vëmendëshëm mund ta njoh më thellë përmes poezisë së saj.

Karin Boye ishte poete, prozatore dhe përkthyese, një ndër zërat fillestarë të modernizmit në poezinë suedeze, bashkë me poeten findlandezo-suedeze Edith Södergran.

Ajo lindi në Goteborg, më 26 tetor 1900, në një familje të pasur. Babai i saj, Fritz Boye, ishte inxhinier ndërtimi kurse e ëma, Signe Boye, aktiviste politike, ndër të tjera, asamblistja e parë grua në Huddinge të Stokholmit.

Herët mësoi shkrim-leximin. Për dy vite i ndoqi mësimet në shkollën e vajzave “Mathilda Hall” në Goteborg, pastaj bashkë me familjen e saj u transferua në Stokholm më 1909,  ku vijoi shkollën në Åhlinska dhe më pas seminarin në Södra të Stokholmit për t’u trajnuar për mësuese.

Gjatë viteve studentore atë e kaploi një krizë, duke ia lëkundur besimin e krishterë dhe konceptin heteroseksual të dashurisë, i cili ishte i vetmi ligj i miratuar në atë kohë. Ajo u regjistrua në Universitetin Uppsalës dhe mësoi greqisht, gjuhët nordike dhe historinë e letërsisë. Mori pjesë aktive në jetën studentore , u zgjodh kryetare e Shoqatës së studenteve dhe në vitin 1925 u bë anëtare e seksionit të Shoqatës Suedeze Clarté  në Uppsala, dhe më vonë edhe anëtare e redaksisë së gazetës së kësaj shoqate.

Në vitin 1931  bashk me Josef Riwkinin dhe Erik Mestertonin, formojnë revistën letrare “Spektrum”, ku do të publikojë një varg esesh dhe përkthimesh, ndër të tjera, përkthen në suedisht edhe T.S.Eliotin.

Përfshirja e saj në lëvizjen radikale letrare dhe artistike Clarte gjatë viteve 1920 ia zgjoi interesimin për psikanalizën, gjë që ndikoi në punën e saj letrare si dhe në zhvillimin e personalitetit të saj gjatë viteve të fundit të jetës.

Në vitin 1926, ajo i vijoi studimet në Universitetin e Stokholmit, ku studioi historinë. Pas diplomimit në master në vitin 1928, ajo ushtroi poste të ndryshme mësuesie, si dhe vazhdoi punën si përkthyese në revistën Clarté, Karin Boye punoi edhe si kritike letrare në gazetën “Arbetet” dhe më vonë në “Social-Demokraten”. Gjatë viteve 1936 – 1938 ajo punoi në shkollën e Viggbyholmit.

Midis viteve 1929 dhe 1932, Boye ishte martuar me një tjetër anëtar të Clarté-së, Leif Björk. Në vitin 1932, pasi u nda nga i shoqi, ajo pati një lidhje lezbike me Gunnel Bergströmin, e cila la burrin e saj, poetin Gunnar Ekelöf, për Boyen.

Pas një depresioni të thellë, Karin Boye u largua nga Stokholmi për të shkuar në Berlin më 1931, ku iu nënshtrua psikoanalizës dhe definitivisht – sipas deklaratës së saj – vendosi të mbante anën e “të mallkuarve”. Ajo ndryshoi stilin e jetës dhe të veshjes, vendosi të jetonte hapur si lezbike. Gjatë  qëndrimit në Berlin 1932-1933, ajo u takua me Margot Hanel, me prejardhje hebreje,  me të cilën jetoi deri në fund të jetës së saj .

Opusi e saj krijues është i gjerë; ka botuar përmbledhjet me poezi: “Retë”, 1922, ”Vendi i fshehur”, 1924, ”Vatrat” 1927, ”Për hir të pemës”, 1935, dhe ”Shtatë mëkatet e vdekjes” 1941 (post mortum,  përgatitur nga poeti Hjallmar Gullberg ). Veprat në prozë, përkatësisht romanet: ”Astarte”, 1931, Merita zgjohet , 1933, ”Kriza”, 1934, ”Shumë pak”, 1936, dhe ” Kollacain” 1940, një roman ky distopik, profetik, vepra e saj më e njohur jashtë Suedisë, frymëzuar nga vizita e saj në Gjermani gjatë ngritjes së nazizmit, një përshkrim ky i një shoqërie distopike në stilin e George Orwellit. Romani tjetër “Kriza” përshkruan krizën e saj fetare dhe lezbike.

Në përmbledhjen e parë Retë, vërehet dukshëm frymëzimi i Niçes. Karin Boye përshkruan përmes imazheve poetike të krijuara lirishëm e të marra nga natyra mrekullinë e përpjekjeve për një jetë dhe moral më të mirë njerëzor. Seksualiteti transgjinor është ende një motiv periferik tek autorja, sekreti i saj është akoma i fshehtë.

Në përmbledhjen Vendi i Fshehur  botuar dy vite më vonë, Karin Boye braktis individualizmin ekstrem të Niçes, kurse në përmbledhjen e tretë me poezi me titull, Vatrat, 1927, vërehet një konsolidim më i mirë i shprehjes së saj poetike, gjuha është më simbolike, ndër të tjera simboli qendror është zjarri.

Karin Boye krijoi imazhe të reja, hedh mënjanë turpin dhe frikën dhe është e gatshme të përballet me fuqitë e jetës “e paarmatosur”.

Në përmbledhjen Për hir të pemës  Boye ka arritur të kristalizojë shprehjen poetike, të krijoj imazhe poetike të befasishme, dhe pjekurin e plotë artisike, Ky cilësohet libri i saj më i suksessëm dhe më modern. Derisa në përmbledhjen paraprake ishte zjarri simbol qendror, këtu është simbolika e pemës në qendër. Botëperceptimi dhe vrojtimi i poetes këtu ëshë ndryshe, por edhe gjuha poetike; tani poetja dëshiron të përdor “një gjuhë përtej logjikës”, për të shprehur edhe shtresat më të pavetëdijshe, Libri në fjalë është kritikuart në kohën kur u botua, për mënyrën e trajtimit të temave dhe motiveve, por më vonë u cilësu si vepra më moderne , një nga veprat më të arrira të saj. Këtu kemi ndoshta poezitë më të njohura të kësja krijueseje, “Po, me siguri që dhemb kur gonxheja blëzon”, ku shtysa për të renë, dëshira, forca për të shpërthyer në jetë, është baraz me forcën e bulëzimit, gjethimit, por edhe si një dhembje e pasiguri për të renë dhe për të panjohurën:

Po, sigurisht që dhemb kur gonxheja bulëzon
përndryshe pse pranvera tani heziton?
Përse i gjithë malli ynë i zjarrtë
të varet nga një bulë që hidhur mugullon
Ç’është kjo gjë e re që shpërthen dhe dërrmon?
Po, sigurisht që dhemb kur gonxheja bulëzon
dhembje për atë që rritet
dhe për atë që mbyllur qëndron.

Përgjithësisht në poezinë e Karin Boye-s natyra zë një vend qendror dhe është një simbol apo shfaqet në ndërlidhje me gjendjen shpirtërore të subjektit lirik. Ajo që është karakteristikë e stilit të poetes është thyerja e normave dhe konvencioneve në trajtimin e ndjenjës së dashurisë. Sikundër kanë vërejtur studjuesit e poezisë së saj, ajo ka thyer normat edhe në mënyrën e shrehjes poetike;

Kështu fjala vjen Johan Svenedal thekson se në poezitë dashurisë tek kjo krijuese, rrëfimi poetik është i mëvetësishëm dhe nuk i drejtohet një gjinie të caktuar.

Kultura në gjysmën e parë të shek 19- të karakterizohej nga një heteronormativitet; homoseksualizmi ishte i ndaluar me ligj, Karin Boye ishte kundër normave dhe konvencioneve, duke i thyer ato edhe në mënyrën e shprehjes poetike.

Në poezinë e saj Karin Boye përdor një unë poetik  që në të shumtën i flet një personi të pacaktuar në përkatësi gjinore, duke e lënë lexuesin të reflektojë rreth objektit të cilit i drejtohet. Rrëfimi poetik është i papërcaktuar, duke lënë mundësinë e leximit tejgjinor, dy gjinor apo është thjeshtë një papërcaktueshmëri gjinore, një unë poetik me përkatësi të padefinuar gjinore, gjë që tregon për shmangien e qëllimshme nga konvencat poetike. Madje hulumtuesja Ellen Mortensen gjurmon tendencat lesbike në poezinë e saj, duke i nxjerr të gjithë figurat (subjektet) femra.

Në poezitë me motive të dashurisë, shprehet një tundimim i vazhdueshëm, por i mveshur me natyrën.

Nata është një motiv që e  përshkon gjithë poezinë e saj, me sinjifikantët retë, hijet, mjegullën, etj. Nata lidhet me ndjesitë, botën e brendshme specifike të subjektit lirik; kur bie nata dhe mbretëron heshtja, atëherë zgjohet dëshira, malli, nepci, vuajtja e subjektit lirik për personin e dashur. Subjekti poetik qëndron zgjuar natën, dhe kjo është koha e shqetësimeve të brendshme, mallëngjimit, kohë e pagjumësisë. Në poezinë e gjatë, me pesëmbëdhjetë njësi poetike, të titulluar ”Përkushtim”, uni poetik shtegton natën në të ftohtë: / Nata është e pafund dhe toka flakë / Më jep dorën / Ne jemi fëmijë vatrash /

Zgjimi i papritur natën dhe shtegtimi ka një qëllim dhe destinacion, është malli për  të vrojtuar ”dy dritare që driçojnë” rrugës, se në atë rrugë është dikush shumë i dashur për të . Në njësinë e gjashtë të këtij cikli të gjatë poetik të titulluar ”Përkushtimi”, shprehet forca e papërmbajtur e dashurisë së subjektit lirik për personin që do, si një kuptim i krejt jetës dhe ekzistencës:

E pajetë është jeta
kur ty më s’ të kamë
Bota një gëzhojë e madhe
pa bërthamë

Nganjëherë nata është sinonim me ëndrrën e thellë, si në poezinë ”Zgjimi” ku uni poetik i sapodashuruar ka kaluar një natë të gjatë mallëngjimi:

I afërt në ide dhe funksion është motivi i vdekjes, që tek Boye konceptohet si një vazhdim i gjumit, Vdekja bëhet një mënyrë e fundit për të braktisur trupin fizik dhe për t’ ju afruar largësisë së pakuptimtë që e dëshiron uni poetik, larg përditshmëdisë. Vdekja si motiv shpesh ka funksionin e një forme të zgjatuar të gjumit që fshin kufirin midis unit poetik dhe objektit të rrëfimit poetik.

Qerim Raqi – Suedi / KultPlus.com

Përkthyesi shqiptar sjell veprën e fituesit të çmimit “Nobel”

Përkthyesi shqiptar me banim në Suedi, Qerim Raqi, sjell në gjuhën shqipe veprën e plotë të fituesit të çmimit “Nobel” për letërsi në vitin 2011, Tomas Tranströmer-it.

Vepra që mban titullin “Enigma e madhe” përfshin poezinë dhe prozën e Tranströmer-it, gjatë viteve 1954-2004 (të gjitha përmbledhjet me poezi dhe libri në prozë “ Kujtimet më shohin”), si dhe një ese të shkruar nga poeti i njohur amerikan Robert Hass.

Hyrja e librit është shkruar nga shkrimtari, kritiku dhe anëtari i Akademisë Suedeze, Kjell Espmark.

Qerim Raqi i lindur në fshatin Dardhishtë të Kastriotit (ish Obiliq) ka studiuar në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin filologjik në Prishtinë.

Në Halmstad të Suedisë ka studiuar programin studimor Kultura dhe Komunikimi , me orientim të ngushtë Letërsi krahasuese. Ka botuar librin me poezi ”Gjak në mallin tim”, ”Era”.

Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shkruar:

Kam kënaqësinë të prezentoj përkthimin tim të shumëpritur, veprën e plotë të Tomas Tranströmer-it, me titull “ Enigma e madhe” , poezia dhe proza 1954-2004 , fituesit të çmimit Nobel për letërsi më 2011.

Këtu janë të gjitha përmbledhjet me poezi dhe libri në prozë “ Kujtimet më shohin”. Hyrjen e ka shkruar Kjell Espmark, shkrimtar, kritik dhe anëtar i Akademisë suedeze, kurse një ese e ka shkruar poeti i njohur amerikan Robert Hass.
Botoi “ Aleph” , Tiranë, 2020./diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Gjithçka, gjithçka që kisha

Karin Boye
Përktheu Qerim Raqi

Gjithçka, gjithçka që posedoja

e jotja ishte më shumë se imja

çdo gjë të bukur që dëshiroja

e jotja ishte, e jotja, e jotja

Me zë të lartë me ty flisja

sa ashkush në botë s’e di

Në rrugët e pafund

ti më ishe imja vetmi

Natën kur rrija zgjuar

dhe nuk mendoja asgjë

merrja frymë, ty të ndjeja, ty

Ti më ishe çdo gjë

E pajetë është jeta

kur ty më s’ të kamë

Bota një gëzhojë e madhe

pa bërthamë.