Lulëzimi i hershëm i qershisë në Japoni konsiderohet shenjë e krizës globale

Mendoni për Japoninë në pranverë, dhe imazhi që ju vjen në mendje ka të ngjarë tw jenw lulet e famshme të qershisë, të njohura gjithashtu si “sakura” – lule të bardha dhe rozë, që shpërthejnë nëpër qytete dhe male, petale që mbulojnë tokën.

Lule, të cilat përjetojnë një “lulëzim kulmi” që zgjat vetëm disa ditë, janë nderuar në Japoni për më shumë se një mijë vjet. Turmat festojnë me ahengje vrojtimi, duke u dyndur në vendet më të njohura për të bërë foto dhe për të bërë piknikë poshtë degëve.

Por këtë vit, sezoni i lulëzimit të qershisë ka ardhur dhe zhdukur sa hap e mbyll sytë, në një nga lulëzimet më të hershme të regjistruara – dhe shkencëtarët paralajmërojnë se është një simptomë e krizës më të madhe të klimës që kërcënon ekosistemet kudo që ndodhen, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Yasuyuki Aono, një studiues në Universitetin e Prefekturës Osaka, ka mbledhur të dhëna nga Kioto qw datojnw nga vitit 812 pas Krishtit nga dokumentet historike dhe ditarët.

Në qytetin qendror të Kiotos, lulet e qershisë arritën kulmin në 26 mars, më e hershmja në më shumë se 1,200 vjet, tha Aono.

Stinët e këtij viti në veçanti ndikuan në datat e lulëzimit, shtoi ai. Dimri ishte shumë i ftohtë, por pranvera erdhi e shpejtë dhe jashtëzakonisht e ngrohtë, kështu që “sythat janë plotësisht të zgjuar pas pushimit të mjaftueshëm”.

Lulëzimi i tyre i hershëm, megjithatë, është vetëm maja e ajsbergut të një fenomeni mbarë botëror që mund të destabilizojë sistemet natyrore dhe ekonomitë e vendeve, tha Amos Tai, asistent profesor i shkencës së tokës në Universitetin Kinez të Hong Kong.

Ekzistojnë dy burime të nxehtësisë së rritur, e cila është faktori kryesor që i bën lulet të çelin më herët: urbanizimi dhe ndryshimi i klimës. Me rritjen e urbanizimit, qytetet priren të bëhen më të ngrohta se zona rurale përreth, në atë që quhet efekti i ishullit të nxehtësisë.

Por një arsye më e madhe është ndryshimi i klimës, i cili ka shkaktuar rritjen e temperaturave në të gjithë rajonin dhe botën. / KultPlus.com