Rajner Maria Rilke – Këngë Dashurie

Përkthyer nga Petraq Kolevica

Përzgjedhur nga Bujar Meholli

Si mund ta mbaj, pra, shpirtin tim

që mos e prekë tëndin? Vallë si

ta ngre mbi ty të gjej gjë më të mirë?

Ah, do ta fshija shpirtin pa ngurrim

Pranë diçkaje të humbur në errësirë,

a në vend të huaj në qetësi,

që të mos dridhet, kur ti dridhesh në thellësirë.

Porse gjithçka që ne na prek, mua dhe ty,

si ndonjë hark lodron me ne të dy

dhe nga dy tela nxjerr një zë ai.

Në ç’instrument jemi tendosur ne?

Ç’artist na mban në dorë dhe i bje?

O këngë e ëmbël, ti. / KultPlus.com