‘Dao Mau’, religjioni i pazakontë që nderon vetëm gratë

Për shekuj me radhë në Vietnam, kremtohej “Dao Mau”, ose adhurimi i Nënës Perëndeshë, që konsiderohej një burim force dhe frymëzimi shpirtëror.

Përgjatë viteve, feja është zbehur, por praktikat e saj, kohët e fundit, kanë parë një ringjallje pas shpalljes nga UNESCO në 2016, si trashëgimi kulturore jomateriale.

Në Hanoi, udhëtarët mund të ndjekin një pjesë të këtyre shfaqjeve të ritualeve, që portretizojnë një praktikë të quajtur “hau dong”, një lloj rituali i posedimit të shpirtit. “Adhurimi i perëndeshave nëna është një besim popullor në Vietnam. Ka kohë që ekziston. Vietnami është një vend bujqësor, kështu që adhurimi i perëndeshave të bujqësisë është i zakonshëm”, tha për CNN Travel kreu i studimeve fetare të Vietnamit, transmeton KultPlus.

Përkushtuar ndaj hyjnive femra, adhurimi i Nënës Hyjneshë nisi në shekullin e 16-të si kundërshtim ndaj ideve dhe lëvizjeve që i shihnin gratë të nënshtruara dhe pasive në shoqëri.

Gjatë këtyre ceremonive, gratë vishen me kostume shumëngjyrëshe, i bëjnë dhurata Budës, interpretojnë valle popullore dhe i bëjnë lutje perëndeshave të zbresin dhe të zotërojnë trupat e tyre. Kur shpirtrat besohet se kanë hyrë në trupat e tyre, ata thonë se ndryshojnë personalitet dhe të gjitha veprimet dhe fjalët thuhet se janë ato të shpirtit. Në këtë mënyrë, sipas kësaj besëtytnie këto shpirtra do t’i bekojnë ata me shëndet, shpresë, lumturi dhe fat të mirë.

Konsideruar një ceremoni supersticioni gjatë sundimit komunist, “hau dong” ishte i ndaluar deri në 1987. Me kalimin e viteve, rituali është modernizuar me një fluks praktikuesish të rinj, të cilët jo gjithmonë ndjekin zakonet e lashta. / KultPlus.com

Kadare: Shqiptarët gjithmonë i kanë pranuar të gjitha fetë

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është aktivizuar së fundmi me intervistat e ndryshme dhe me deklarata mbi zhvillime të ndryshme në Shqipëri e Kosovë.

WELT-i gjerman e ka intervistuar shkrimtarin shqiptar rreth çështjeve të ndryshme, përfshirë këtu edhe tolerancën fetare e cila tek shqiptarët gjithmonë është shumë e pranishme.

“Po, harmonia fetare ndër shqiptarë ka ekzistuar gjithmonë. Gjatë periudhave të ndryshme historike: në sundimin osman, në fashizëm, në mbretëri, në komunizëm madje, kur toleranca fetare dukej e largët, në Shqipëri gjithmonë ka qenë e pranishme. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, hebrenjtë gjetën tek ne strehimin dhe shpëtimin” tregon mes tjerash në këtë intervistë shkrimtari Kadare.

Kur është pyetur se pse iku në Francë, ai tha se nuk mund ta duronte regjimin e Ramiz Alisë dhe se asokohe ka pasur njerëz që mendonin se Ramiz Alia ishe një Gorbachev shqiptar.

“Në regjime totalitare, letërsia lulëzon dhe merr formë. Njëjtë ka ndodhur edhe me mua. Sa i përket çmimit Nobel, unë nuk ndihem keq. Bota letrare merret me kritikën dhe me vëmendjen ndaj autorëve në çdo periudhë të vitit kur ndahet çmimi. Më duket si kohë e Krishtlindjeve” tregon Kadare kur pyetet për Nobelin dhe kur intervistuesi aludon se ai nuk e ka marrë Nobelin për Letërsi për faktin se nuk e ka kundërshtuar aq sa duhet sistemin komunist.

Helena Kadare, gruaja e tij, për të ka qenë shoqëruesja më e mirë.

“Pa ndihmën e saj, cdo ditë e jetës sime do të ishte e vështirë. Ajo gjithmonë është lexuesja ime e parë dhe kjo ka rëndësi të madhe për shkrimtarin. Ajo më ka ndihmuar edhe në draftet finale të veprave të mia” tregon Kadare për WELT, në një intervistë voluminoze ku ai flet edhe për dosjet që kërkoi të hapeshin pas komunizmit por edhe ku flet mbi Erdoganin dhe deklaratën e tij se Kosova është Turqi.
“Nuk i kam besuar vetes dhe as syve të mi kur lexova se ai ka thënë diçka të tillë” shton Kadare për fund. / KultPlus.com