Dua Lipa viziton muzeun “Reporting House” në Prishtinë: ‘Një punë e mrekullueshme për historinë e Kosovës’

Pas koncertit spektakolar në festivalin “Sunny Hill”, këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa ka gjetur kohë për të vizituar muzeun “Reporting House” në Prishtinë. Ajo ishte e shoqëruar nga babai i saj, Dukagjin Lipa, i cili është edhe themelues i festivalit, i fejuari Callum Turner, vëllai i saj Gjin Lipa dhe pjesëtarë të tjerë të afërt.

Gjatë vizitës, ajo u prit nga producentja e muzeut Jeta Xharra, kuratori Gazmend Ejupi, gazetarja Donika Shahini dhe stafi e vullnetarët e “Reporting House”. Këngëtarja e shprehu mirënjohjen për këtë iniciativë kulturore, duke thënë: “Keni bërë një punë të mrekullueshme për të treguar historinë e Kosovës në këtë muze”.

Dukagjin Lipa falënderoi organizatorët që mundësuan hapjen e muzeut përtej orarit të zakonshëm, duke theksuar se kjo vizitë u bë për të treguar respekt për punën që është bërë në ndërtimin e këtij institucioni të rëndësishëm.

Ndërkohë, aktori Callum Turner tregoi interes të veçantë për dokumentimet filmike të trupave britanike në Kosovë gjatë ditëve të para pas hyrjes së NATO-s, kur ato kryenin kontrollin për mina nëpër rrugët e Prishtinës. Gjatë vizitës, Dua e orientonte Callumin për lagjet që shfaqeshin në pamjet e vitit 1999 të regjistruara nga BBC.

Gazetarja Donika Shahini ndau një moment të veçantë emocional, duke treguar për fletoren e ruajtur të fëmijëve të familjes Jashari, të cilën ajo e kishte shpëtuar nga rrënojat dhe e kishte ruajtur për muzeun. “Ishte mbresëlënëse se me sa interes dhe respekt Dua dhe Callum dëgjuan historinë time. Madje Callum më pyeti në detaje për rezistencën e familjes Jashari dhe për fëmijët që humbën jetën atë ditë,” tha Shahini. Ajo shtoi se e vlerëson shumë faktin që një çift kaq i njohur, pas angazhimeve me festivalin, gjeti kohë të ndalet dhe të interesohet për punën e këtij muzeu.

Jeta Xharra, bashkëthemeluese e “Reporting House”, theksoi ndikimin që festivali “Sunny Hill” ka pasur në rritjen e numrit të vizitorëve në muze. “Ka pasur një fluks të madh të njerëzve që kanë ardhur për festivalin dhe kanë vizituar muzeun. Kjo ka qenë një mundësi unike për t’u treguar historinë e Kosovës vizitorëve që ndoshta nuk do të kishin ardhur ndryshe,” u shpreh ajo.

Xharra gjithashtu vlerësoi kontributin e familjes Lipa, duke theksuar se angazhimi i tyre shkon përtej muzikës dhe argëtimit. “Ata po promovojnë një imazh të Kosovës moderne, me të rinj që janë të lidhur me rrënjët dhe historinë e tyre. Për mua ishte veçanërisht prekëse që, pavarësisht lodhjes nga festivali, gjetën kohë për të qëndruar disa orë në muze pak para nisjes së udhëtimit të tyre”, shtoi ajo.

Gjatë vizitës, Dua dhe të tjerët panë edhe ekspozitën “Fragmente të mbijetesës” të artistit 18-vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjaëi, e cila aktualisht po shfaqet në galerinë e muzeut.

“Reporting House”, i hapur më 10 qershor 2024 në ish-ndërtesën e “Gërmisë” në Prishtinë, është një projekt i dedikuar për dokumentimin e punës së gazetarëve vendorë dhe ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë. Gjatë muajit gusht, muzeu është i hapur për vizitorë nga e marta deri të premten prej orës 10:00 deri në 20:00, ndërsa të shtunën nga ora 10:00 deri në 18:00./KultPlus.com

‘Reporting House’ prezanton instalacionin që shënon 100 vjetorin e minierave të Trepçës

Në përvjetorin e parë të inaugurimit të muzeut “Reporting House” është prezantuar instalacioni artistik “100”, që shënon 100 vjetorin e minierave të Trepçës, i kuruar nga Gazmend Ejupi.

Pjesë e instalacionit janë 500 gurë dhe minerale të nxjerra nga miniera e Stantërgut, e cila konsiderohet si miniera më e vjetër e kompleksit gjigand të Trepçës.

“Këto minerale janë nxjerrë nga 750 metra thellësi nëntokësore, nga minatorë të cilët ende punojnë në kushte të vështira, në temperatura deri në 50 gradë Celsius, në lagështi, papastërti, pluhur dhe pa pajisje mbrojtëse. Këto kristale, të papërpunuara dhe ndriçuese e shumë mbresëlënëse janë më shumë se një mrekulli gjeologjike. Ato janë kalendar i historisë, dëshmitare të pafolura të mundit, rrjedha e moçme kohore e të cilave tashmë është ndërthurur me dekadat e fundit të rezistencës dhe çlirimit tonë”, thuhet në komunikatën e Reporting House.

Mineralet e instalacionit “100” që qëndrojnë pezull në hapësirën ekspozuese, duke dhënë ndjesinë e një Shpërthimi të Madh Universal, janë dhuratë të cilat Trepça  i ka dhuruar për Reporting House.

Ky Instalacion që shpërfaqë rëndësinë e Minierëve të Trepçës edhe në aspektin historik të Kosovës vjen si bashkëpunim i Reporting House, kompanisë Trepça Sh.A, dhe Open Art Gallery, me hulumtime të mbështetura nga ESI, BIRN dhe Bridget Storrie.

“Minierën e ka zhvilluar një ndërmarrje britanike minierash në vitet e 1920-ta, pak vite pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, mirëpo gjatë Luftës së Dytë Botërore kontrollin e Trepçës e mori Gjermania Naziste, e cila e mbajti kontrollin e minierës deri në 1944. Gjatë periudhës që njihet si epoka e artë e Trepçës, nga viti 1960 deri më 1981, punësimi u rrit nga 8,000 në 22,885 punëtorë në vitin 1988. Kur Millosheviqi filloi suprimimin e autonomisë së Kosovës brenda Jugosllavisë, Trepça u bë kryeqendër e demonstratave. Në vitin 1989, në nëntokën e minierës, 1200 minatorë organizuan grevë urie tetëditore, qëllimi i së cilës ishte mbrojtja e Kushtetutës së Jugosllavisë, e vitit 1974. Ndonëse greva mori përmasa epike, ajo nuk arriti të ndalë shtypjen e paligjshmedhe u shnëndrrua në paralajmërim për shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë”, thuhet në komunikatë.

Muzeu “Reporting House” është themeluar më 10.06.2024 në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë. Ky muze që pasqyron rolin dhe punën e gazetarëve vendorë dhe të huaj gjatë luftës në Kosovë, tashmë është shëndrruar në një qendër të rëndësishme për vizitorë, duke kthyer fokusin te ngjarjet sfiduese të vendit, në vitet ’80-’99./ KultPlus.com

Foto: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

Foto: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

Foto: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

Foto: Denis Sllovinja/ Kallxo.com