Deklarata e presidentit Bush për Pavarësinë e Kosovës vendoset në Tiranë

Në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklarata e presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës është përkujtuar përmes një instalacioni në kryeqytet.

“Enough is Enough” është një vepër arti publik e artistit Alban Muja, e cila lind prej deklaratës së bërë prej presidentit George W. Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.

E para e këtij lloji për artistin bashkëkohor Alban Muja, kjo vepër është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit. Vepra, që më shumë se një instalacion është mirëfilli një skulpturë, e përbërë prej gërmave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është rreth 17.5 metra e gjatë dhe secila gërmë 1,8 metra e lartë. Pavarësisht kësaj, ajo mbart një monumentalitet diskret, pasi nuk është e dukshme prej rrugëve në të dy anët e lumit që lidh, por mund të shihet veçse prej kalimtarëve në urat që ka pranë, ose prej atyre që kërkojnë ta shohin mes bimësisë që e rrethon. Kjo vendosje është sigurisht e qëllimtë: bashkimi i dy brigjeve është një gjest retorik, por një paralelizëm që i përgjigjet të vërtetës së dy vendeve të lidhur prej gjithnjë e përgjithmonë; nga ana tjetër, vendosja thuajse e fshehur e një monumenti me përmasa kaq të mëdha, thërret sërish një tjetër të vërtetë të madhe: atë të mikpritjes shqiptare të eksodit të Kosovës gjatë luftës, e madhe por pa zhurmë.

Temat e kujtesës, luftës së Kosovës dhe përfaqësimit material të dhimbjes janë tema të vazhdueshme të hulumtimit artistik të Alban Mujës. “Enough is Enough” është një vazhdimësi e diskursit që ngre Muja në punën e tij, duke e vendosur publikun përballë çështjeve të mëdha të luftës, emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humaniste, si ndihmesa kolektive, gjendja e njeriut për njeriun.

Vendlindja është pikënisja e sigurtë e punës së Mujës, sikurse është dhe lufta, si një e vërtetë e jetuar e tij, por “Enough is Enough” nuk është vetëm një monument i lidhjes së Kosovës me Shqipërinë, por edhe një eko e situatës së çdo refugjati sot në botë. Në këtë kondvështrim, “Enough is Enough” është edhe një akt politik universal që tejkalon territorin ku lind, një kundërvënie ndaj modeleve të sotme socio-politike që vendosin kufirin (territorial) përpara jetës së njeriut dhe të drejtës së tij për siguri dhe stabilitet. Synimi i veprës nuk është rikujtesa e luftës, por përqasja me pasojat e saj tek popujt e prekur dhe problematizimi i pushtetit si qëllim.

“Enough is Enough” vjen si kujtesë historike pas dy dekadash, e si e tillë mund të duket e vonuar, por ajo është pikërisht dëshmi e një bote që ndryshon pak, një thuajse artefakt i krizës së madhe refugjate që përjetoi Ballkani e që me sa duket pati pak impakt mbi sjelljen politike ndërkombëtare, duke qenë se bota sheh vazhdimisht lindjen dhe zgjerimin e zonave akute të krizave humanitare. Në këtë kontekst, “Enough is Enough” nuk vjen vetëm si përgjigjja që presidenti amerikan i dha statusit të pavarësisë së Kosovës, por edhe si vënie në pyetje e marrëdhënies afatgjatë mes pushtetit dhe lirisë së njeriut.

Më 15 Mars 1991 Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA. 100 ditë më pas Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën ku ju rezervua një pritje e shprehjes kuptimplotë të respektit dhe aleancës me SHBA, të cilën Sekretari Baker e përkufizoi: “Ne jemi me ju, ju jeni me ne”. /atsh/ KultPlus.com

Dyer dhe dritare antike të Prizrenit u shfaqën në instalacionin artistik të Valtida Shukriut

Qytetin antik të Prizrenit së fundmi e ka zbukuruar instalacioni artistik në hapësirë publike ‘’T’pres n’derë-dritare’’ nga Valtida Shukriu, shkruan KultPlus.

Shukriu e cila vie nga një familje e Prizrenit, përtej studimeve të saj për drejtësi, merret aktivisht edhe me krijimtari. Rrugëtimi i saj me artin kishte nisur në vitin 2017, e cila nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë krijimin e profilit për dyert dhe dritaret e shtëpive të vjetra të Prizrenit.

Tanimë, kjo vlerë e trashëgimisë kulturore ka ardhur në formën e një instalacioni artistik në shëtitoren e lumit Lumbardh në Shadërvan të Prizrenit.

‘’T’Pres N’Derë-Dritare’’ përfshinë 8 dyer dhe 4 dritare që kryesisht i përkasin stilit otoman, nga shekulli XIX. Ndërsa përbrenda këtij instalacioni për të shikuar fotografitë e prezentuara të dyerve dhe dritareve ekzistuese është hyrë përmes dyerve të vjetra, që vizitorët të mësohen se si hapet dera e Prizrenit dhe të dilet nga po ajo derë.

Ky instalacion artistik vazhdon ende të jetë i ekspozuar në qytetin e bukur e antik, teksa prezantimi i 415 fotografi të dyerve, dritareve dhe aksesorëve të këtyre objekteve nga qyteti i Prizrenit është duke u bërë në profilin: https://www.facebook.com/prizrendoorsandwindows/ ./ KultPlus.com

Alketa Xhafa në Bruksel do të shpalosë rrëfimin për fëmijërinë e saj nën regjimin serb

Sot artistja Alketa Xhafa Mripa, është mirëpritur si mysafire në Université Libre në Belgjikë në javën e artit “Një javë të luftojmë dhunimin”, ku është e ftuar që sonte të mbaj edhe një fjalim lidhur me përvojën e saj artistike të inspiruar nga përjetimet e saj personale gjatë viteve të 90’ta, shkruan KultPlus.

Organizimi i kësaj jave ka nisur nga organizata e studentëve shqiptarë në Bruksel- Grr-Rape Project dhe VLERA , ndërsa do të zgjas gjatë gjithë javës në kampusin e Université Libre në Belgjikë. Përgjatë dy muajve organizatorët kanë mbledhur fustane në Bruksel duke mundësuar kështu krijimin e një instalacioni gati të njëjtë me “Thinking of You” që është organizuar më parë në Stadiumin e qytetit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Artistja Alketa Xhafa sonte nga ora 19:00 në kuadër të këtij organizimi është e ftuar të mbaj një fjalim të cilin ajo e ka bazuar në rrugëtimin e saj personal, i cili e ka inspiruar atë në krijimin e instilacionit “Thinking of You”.

“Arti sot më shumë se kurrë duhet të ngritë çështje, duhet të bëj të mendosh , të shprehesh të vërtetën”, është fjalia me të cilën do të nis fuqishëm fjalimin e saj Alketa Xhafa.

Ajo gjatë fjalimit të saj po ashtu do të rrëfej për rëndësinë e artit në shoqëri ku në kuadër të kësaj do të theksoi fëmijërinë e saj në vitet e 90’ta, nën regjimin serb dhe diskriminimin që kishin përjetuar shqiptarët në atë kohe.
Ky organizim ka për qëllim mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale në konflikte të ndryshme. Arti mund të shërbejë si përgjigje ndaj dhunës seksuale në kohë lufte, dhe kjo Javë synon të flasë pikërisht mbi këtë, mbi dhunimin si një metodë e cila përdoret në luftë por edhe dëmtohet prej stigmës shoqërore që i është vënë mbi.

Xhafa është artiste e disa mediumeve artistike, përfshirë instalacionin, performancën, fotografinë, vizatimet dhe videon. Puna e saj është ekspozuar në Firence, Lisbonë, Berlin, Londër e Prishtinë. /KultPlus.com

Largohet nga Pallati i Rinisë në Prishtinë instalacioni i Alketa Xhafës (FOTO)

Instalacioni i artistes Alketa Xhafa, i cili ishte vendosur në hapësirat poshtë pallatit të rinisë, e i cili ishte një ndër instilacionet më të veçanta që është parë në Kosovë, është larguar nga vendi ku ishte, shkruan KultPlus.

Këtë gjë, e ka bërë të ditur përmes rrjetit social Facebook, kritiku i artit Ilir Muharremi, i cili postimin e tij e ka shoqëruar më fotografinë e instilacionit të artistes shqiptare e cila lë gjurmë me punën e saj të veçantë.

“Ky instalacion i artistes Alketa Xhafa eshte hequr nga hapesira poshte pallatit te rinise. Arsyeja e heqjes eshte se Termokosi ka punuar ne kete ambient. Pasi eshte rregulluar hapesira nuk eshte kthyer instalacioni. Mendoj se duhet te kthehet ngaqe eshte krejt ndryshe me ato skulptura cfare jemi mesuar ti shohim ne kryeqytet”, ka shkruar Ilir Muharremi./ KultPlus.com