Nënshkruhet projekti i restaurimit të shtëpive monument kulture në Gjirokastër e Berat

Kryeministri Edi Rama priti sot në Gjirokastër, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, me të cilin u nënshkrua projekti i përbashkët i restaurimit të shtëpive monument kulture në Gjirokastër e Berat.

Kryeministri theksoi se në kuadër të kësaj vizite “u nënshkruan edhe marrëveshjet që synojnë forcimin dhe nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e turizmit, artit, arkeologjisë, muzeologjisë, luftën kundër trafikut të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit”.

Kryeministri e priti ministrin turk në një godinë karakteristike gjirokastrite, e restauruar së fundmi dhe e çelur dy ditë më parë.

Marrëveshje të veçanta u nënshkruan mes ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy dhe Ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. /atsh /KultPlus.com