“Fiala dhe t’in’Zoti”, 109 vite nga revista e të dielës arbëreshe

Shënohet 109-vjetori i gazetës “Fiala dhe t’in’Zoti” (“Fjala e Zotit”), një revistë fetare e së dielës, por edhe një shkollë dhe një vatër patriotizmi, në të cilën bënin pjesë shumë të rinj arbëreshë.

Përmes kësaj gazete, në kishat arbëreshe të Sicilisë jehonte gjuha e ëmbël shqipe.

“Fiala e T’in’Zoti” u themelua në shkurt të vitit 1912 nga studiuesi Pal Skiroi (Paolo Skiroi) dhe shërbeu si një dritare informimi për arbëreshët e Sicilisë.

“Fiala e T’in’Zoti” nuk qe vetëm një revistë fetare e së dielës, por edhe një shkollë dhe vatër identiteti e patriotizmi, ku bënin pjesë shumë të rinj. “Fiala e T’in’Zoti” qe një vatër studimi pët arbëreshët. Përmes saj, në Kishat arbëreshe tё Sicilisë jehonte përsëri gjuha e ëmbël arbërore.

Albanologët më të mëdhenj të kohës, qenë të parët që e përshëndeten dhe pritën me interes shkencor botimin e “Fiala e T’in’Zoti”, kështu Nobert Jokl, Geitle, Gusy Holger Pedersen. Falë botimit të “Fiala e T’in’Zoti” imzot Paolo Schirò zhvilloi një letërkëmbim me studiuesin dhe atdhetarët e kohës, Kristo Luarasi, Lumo Skendo, Lef Nosi, at Shtjefën Gjeçovi, at Gjergj Fishta, dom Lazër Mjedja e shumë të tjerë, të cilët e admironin doktrinën dhe patriotizmin e imzot Paolo Schiròs.

Revista “Fiala e T’in’ Zot”, pra, qe një ndihmë e çmueshme për besimtarët arbëreshë që merrnin pjesë në kremtimin e Liturgjisë së Fjalës së Hyjit, e ka meritë të jashtëzakonshme, sepse me të nis përpjekja për t’i pajisur të arbëreshët e krishterët me fletën e përjavshme të së dielës, qe të merrnin pjesë gjallërisht, pra në mënyrë aktive në kremtimin e Liturgjisë së Fjalës së Hyjit, të Eukaristisë Shenjte dhe në kremtimin e Sakramenteve.

Krahas kësaj, “Fiala e T’in’ Zoti” ishte edhe një nxitje, një ndihmë e një mënyrë për përtëritjen dhe përforcimin e përdorimit të gjuhës së lashtë e të bukur shqipe, larg atdheut, këndej për rizbulimin e përforcimin e identitetit edhe kombëtar.

Natyrisht, ishte tepër shpejt të pretendohej shumë për një fletë me leximet biblike: fletëpalosja e parë, që nisi të dilte në fshatin e Arbëreshëve mbi Palermo, tek Hora e Arbëreshëve, më datën 25 shkurt të vitit 1912, përmbante pra pjesën e Ungjillit të së dielës së parë të Krezhmëve (Jani -Gjoni) 1,44-52), komentin e kësaj pjese ungjillore dhe një fragment nga letra drejtuar Hebrenjve (Hb 11,24-26;32-49).

Si fletëpalosje e sotme, kishte dy fletë, katër faqe. Kryeredaktori i fletëpalosjes ishte ipeshkvi arbëresh Imzot Pal Schirò me bashkëpunëtorët e ngushtë si papas Gaetano Petrota, papas Gjergj Dorangrikja e tё tjerё. E kujtojmë se imzot Paolo Schirò qe jo vetëm një apostull i zellshëm, por edhe një albanolog i madh, që la punime të rëndësishme gjuhësore, qё u mor edhe me Mesharin e dom Gjon Buzukut. /dp/ KultPlus.com

“Lidhja”, 40 vjet revistë arbëreshe për ruajtjen e trashëgimisë

Revista arbëreshe “Lidhja” shënon 40-vjetorin e publikimit të saj të parë, si një nga revistat më të rëndësishme të kulturës shpirtërore shqiptare.

Kjo revistë përbën një kontribut të çmuar kombëtar për ruajtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë arbëreshe. Revista është themeluar nga At Antonio Bellusci dhe botohet çdo gjashtë muaj në Frascineto-Frasnita të Kozencës.

Revista “Lidhja” përgjatë këtyre 40 vjetëve ka përcjellë materiale në fushën e etnologjisë, folklorit, letërsisë, gjuhës dhe traditave arbëreshe. Revista ka dokumentuar edhe zhvillimet kryesore në botën arbëreshe përgjatë dekadave të fundit.

Shkrimtarë dhe poetë kanë gjetur një hapësirë specifike gjithashtu në revistën “Lidhja” prej vitesh, një revistë proaktive, inovative dhe konkurruese. / Diaspora shqiptare/ KultPlus.com