Fotografitë që dëshmojnë lidhjen e Kosovës me Amerikën (FOTO)

Kosova vazhdon të ketë lidhje emocionale, politike dhe ekonomike me vendin që 20 vjet më parë bëri një ndërhyrje perëndimore në luftën e saj me Republikën Federale të Jugosllavisë, duke çuar përfundimisht në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, shkruan “The Guardian”, përcjellë KultPlus.

Në vitet 1990 Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, çdo të premte mbyllte konferencën për media me fjalët “Zoti bekoftë Amerikën dhe miqtë tanë perëndimorë”. Kjo frazë u mishëruar me popullin dhe lidhshmëria vetëm u forcua kur Bill Klinton urdhëroi NATO-n që të bombardojë objektet serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Në ditët e sotme është vështirë të gjendet ndonjë gjurmë fizike e luftës. Një brez tashmë është rritur në një ambient paqeje dhe stabiliteti relativ. Megjithatë, ndjenja pro-SHB-së është ende e pranishme, përcjellë KultPlus.

Një nga rrugët kryesore në Prishtinë, quhet Bulevardi Bill Klinton, në emër të presidentin amerikan në kohën e luftës së Kosovës. Rrugë të tjera, shkolla dhe qendra sportive, janë emëruar me emrin e ish-sekretares së shtetit, Madeleine Albright, po ashtu dhe me emrin e kongresmenit amerikan Eliot Engel, ish-presidentit George Bush dhe udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s përfshirë Tony Blairin e Britanisë së Madhe, për të cilët Kosova është shumë e dashur.

Çdo 4 korrik, Dita e Pavarësisë së SHBA, festohet edhe në Prishtinë. Zjarrfikësit në Prishtinë pastrojnë statujën e Bill Klintonit në një shesh qendror dhe zëvendësojnë flamurin amerikan që fluturon aty pranë. Ceremonia organizohet nga Shoqata e Miqve të Amerikës në Kosovë dhe në të marrin pjesë zyrtarë publikë dhe ushtarakë si dhe përfaqësues të ambasadës amerikane./ KultPlus.com