Më 19 korrik Armend Rexhepagiqi me koncert të veçantë, promovon albumin ‘Dashni e Vjetër’

Në kuadër të 15-vjetorit të saj, RAVE sjell një nga ngjarjet më të bukura dhe më të shumëpritura të këtij sezoni: koncertin e Armend Rexhepagiqit më 19 korrik në Pallatin e Rinisë. Ky është vetëm njëri nga një sërë eventesh të kuruara me kujdes që po organizohen përgjatë gjithë vitit jubilar të RAVE.

Për herë të parë në këtë skenë ikonike të Prishtinës, Armend Rexhepagiqi do të performojë live, duke sjellë jo vetëm këngët që kanë shënuar historinë e muzikës shqiptare, por edhe krijimet më të reja nga albumi i tij më i fundit Dashni e Vjetër. Një zë që për vite me radhë ka qenë pjesë e ndjenjave, kujtimeve dhe realitetit tonë kulturor, do të na shoqërojë në një natë që premton emocion të thellë dhe lidhje të sinqertë me publikun.

Ky koncert është pjesë e një kalendari të gjerë aktivitetesh që RAVE ka nisur për të shënuar 15 vite të suksesshme në skenën muzikore dhe kulturore të Kosovës. Si organizator i disa prej eventeve më të mëdha dhe më inovative në rajon, RAVE është sot një nga emrat më të besueshëm në industrinë e eventeve, një ekip që çdo natë e kthen në përvojë të vërtetë.

“Ky edicion i 15-vjetorit është një reflektim i gjithë rrugëtimit tonë, por edhe një premtim për të ardhmen: të vazhdojmë të sjellim përvoja që e ngrenë kulturën dhe e lidhin publikun me artin në mënyrë të drejtpërdrejtë,” – shprehen organizatorët. 🎟 Biletat janë në shitje në www.rave-travel.com – https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=3907/ KultPlus.com

‘Romantika’, kënga që nuk harrohet nga artistja Violeta Rexhepagiqi (VIDEO)

Violeta Rexhepagiqi ka qenë kompozitore, këngëtare dhe gazetare e njohur.

Violeta Rexhepagiqi, si spikere e programeve për fëmijë në “Radio Prishtinë” filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ulët të muzikës. Si rrjedhë e angazhimit të saj pasojnë edhe mirënjohjet në festivalin e fëmijëve “Akordet e Kosovës”. Njëkohësisht, Violeta interpretoi më se 40 këngë për fëmijë, dhe luajti zërin e personazheve në radio-dramat për fëmijë. Violeta shquhej për avangardë që në vitet e ’80, si në muzikë e poashtu edhe në modë. Në vitin 1984 Violeta për publikun e gjerë shqiptar u bë e njohur me paraqitjet e saja në grupin e muzikës “Vivienne”. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”. Ajo ishte e angazhuar në Radio Televizionin e Prishtinës dhe aty punoi deri në uzurpimin e kësaj qendre nga forcat serbe. Pas okupimit të RTP-së punoi si reportere lufte për agjensitë e huaja: “News Network”, “WTN”, “Sky NEWS” etj. Nga viti 2010, Violeta punoi për “RTK”, shkruajti tekste këngësh dhe bëri komponime për këngëtarë të ndryshëm.

Më 16 prill 2020, në orët e hershme Violeta Rexhepagiqi u gjet e vdekur në banesën e saj. Në pamundësi për të organizuar mbledhje komemorative dhe pjesëmarrje në varrim për shkak të gjendjes së karantinës nga virusi COVID 19, kryetari i qytetit të Prishtinës, Shpend Ahmeti njoftoi publikun se në shenjë respekti për kontributin e saj për kulturën shqiptare, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet do të lëshohen këngët e saj.

KultPlus ju sjell sot një ndër këngët më të mira të Violetës, “Romantika”, këngë kjo që nuk harrohet lehtë. / KultPlus.com

‘Edhe një herë’, hiti i pavdekshëm i Armend Rexhepagiqit (VIDEO)

Këngëtari i mirënjohur, Armend Rexhepagiqi, edhe pse tash nuk është më aktiv në skenën muzikore ai veçse ka krijuar një bagazh të madh muzikor i cili do të jetojë gjatë në historinë e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.

Armend Rexhepagiqi njihet si legjenda e muzikës shqiptare, i cili ka shkruar dhe kompozuar shumë këngë siç janë : Qaforja, Edhe një herë, Ajo, Dashurine ku e kam, Nasht, Ne radio, Kaqurrele, Te furra e Qerimit, Kuj do t’ia shpreh pikellimin tim, Dude dudie, Ti nuk me meriton, Dugi, Dam dam dam, Harrova, Betohem me këngë, Shko, Qendresa, e shumë e shumë këngë të tjera.

KultPlus ju risjell një nga baladat e tij më famshme “Edhe një herë”:

Ka shumë ditë që pikëllimi më mban
si një sëmundje e rëndë
që bar nuk ka e s`më le të jetoj
ka shumë ditë që rrugët përherë na janë nda
e ditët e mija netët e mija kot unë i harxhoj

A ka në botë kudo arsye për këtë vuajtje
o më beso se faj nuk kam që forca po më le
se çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime
dhe mundi im dhe ëndrrat për dashuri

Edhe një herë o veç edhe një herë
këngët që i këndoj të kam o kujt të ja dhuroj
edhe një herë o veç edhe një herë
gjakun o prapë ta ndez
veç një mëngjes me ty ta pres

Edhe një herë o veç edhe një herë
të të takoj e veç një çast
gëzimi ta jetoj me ty
edhe përherë ti mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri
edhe një herë o mos të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë
vetëm edhe një herë

Diçka e rëndë sikur hyri në mua
më shtrëngon e po dhemb
ma mori sigurinë nuk jam i njëjti ai njeri
dhe çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime
dhe mundi im dhe ëndrrat për dashurinë

Edhe një herë o veç edhe një herë
të të takoj e veç një çast
gëzimi ta jetoj me ty
edhe përherë ti mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri
edhe një herë o mos të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë
vetëm edhe një herë

Se ka shumë ditë që pikëllimi më mban
si një sëmundje e rëndë që bar nuk ka e s`më le të jetoj
faj unë nuk kam që forca mua më le
e s’mund të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë
edhe një herë, edhe një herë
./KultPlus.com

Tri këngë më pak të dëgjuara nga Armend Rexhepagiqi (VIDEO)

Ndoshta secila këngë e Armend Rexhepagiqit është e njohur dhe e kënduar, edhe pse një pjesë e tyre tanimë të shkruara, kompozuara e kënduara në një kohë tjetër, shkruan KultPlus.

E duke marrë parasysh se këto këngë ka disa vite e dekada që janë krijuar, sot ato i përkasin këngëve që nuk i fshin historia dhe as ardhja e trendeve të reja muzikore.
Armendi ka krijuar shumë edhe për këngëtarët tjerë, por kryeveprat i ka lënë për veten e tij. Sot i zgjodhëm tri këngë të cilat i këndon Armendi dhe të cilat nuk janë në mesin e atyre këngëve që secilit na kujtohen kur përmendet ky kantautor dhe një zë i kristaltë i estradës shqiptare.

QAFORJA –

Këngës “Qaforja” nuk i është realizuar asnjëherë një videoklip dhe kjo ndoshta ka bërë që kënga të ketë më pak jehonë. Kënga e ka një tekst që mund të jetë lexuar me plot shpirt edhe vetëm si poezi, nën vargjet e një kitare e cila e hapë sekondën e parë të këngës. “Qaforja” është poashtu një ndër këngët që Armendi i ka realizuar më vonë në karrierën e tij.

ÇKA DO TË NDODHË ME NE –

Balada “Çka do të ndodhë me ne” dikur është dëgjuar shumë, në kohën e produksioneve dhe kasetave të formatit televiziv, ndërsa me kalimin e kohës ka mbetur në mendjen e vetëm atyre të cilët u lidhën emocionalisht me këngën. Një tekst për ndarjen, një tekst për të mos u ndarë e për të mos vazhduar si të tillë, kuptohet, për dy të dashuruar, e bën këtë këngë të veçantë dhe aspak më pak të rëndësishme nga karriera e Armend Rexhepagiqit.

I VETMUAR SONTE –

Kënga është e mishëruar me zërin e Armendit dhe me një tekst të dhimbshëm për atë në cka kalon ndoshta secili prej nesh në një periudhë a tjetër të jetës. Vetmia, shpesh di të jetë vrastare dhe e dhimbshme. “Nuk është kjo jetë, por hall i madh” dëgjohet diku në refrenin e këngës e cila flet për dhimbje, transmeton dhimbje, që tek e fundit është ndjenjë njerëzore. / KultPlus.com