Aktori i famshëm sulmohet në mes të rrugës

Aktori, Rick Moranis, i njohur për rolet e famshme në “Ghostbusters” dhe “Honey, I Shrunk the Kids”, u sulmua nga një i panjohur, ndërsa po shëtiste në Upper West Side të New York City.

Sulmi ndodhi pak para orës 7:30 të mëngjesit të së premtes në Central Park West, njoftoi Departamenti i Policisë i New-Yorkut, shkruan A2News të shtunën.

Videoja e marrë nga kamerat e sigurisë përreth tregon të dyshuarin duke ecur drejt aktorit 67-vjeçar, dhe duke e goditur atë në kokë, derisa ai u rrëzua.

Avokatët e aktorit konfirmuan sulmin, por thanë se gjendja shëndetësore e Moranisit është e mirë.

“Ai është mirë dhe mirënjohës për mendimet dhe urimet e të gjithëve”, u shprehën ata.

Sipas raportit të Policisë, Moranisi kishte dhimbje në kokë dhe në shpinë, ndërsa i dyshuari që u largua duke ecur krejt i qetë në këmbë nuk është identifikuar ende. / KultPlus.com