A do të na zëvendësojnë robotët së shpejti?

Robotët e pajisur me inteligjencë artificiale (AI) po marrin përsipër gjithnjë e më shumë detyra nga njerëzit. Për çfarë janë të afta makinat njerëzore dhe a do të na zëvendësojnë së shpejti?

Kompania Hanson Robotics me bazë në Hong Kong zhvillon robotë të ngjashëm me njeriun dhe është e njohur për robotikën dhe teknologjinë e AI. Një nga makinat quhet “Profesori Ajnshtajn”, i quajtur sipas fizikantit të famshëm.

Ai synon t’i bëjë njohuritë dhe humorin e Ajnshtajnit të arritshëm për një brez të ri.

Sa më të ngjashëm me njeriun

Për t’i bërë robotët sa më të ngjashëm me njeriun, në procesin e prodhimit përdoret edhe një lëkurë nanoteknologjike e quajtur “frubber”. Kjo synon të krijojë androidë që shfaqin shprehje reale të fytyrës. Në të ardhmen, kompania gjithashtu dëshiron t’u japë robotëve të saj aftësi njerëzore si dashuria dhe dhembshuria.

“Sophia” – Qytetare dhe ambasadore

Kompania ndërton robotë humanoidë që nga viti 2007 dhe pas 10 vitesh bëri një revolucion teknologjik me modelin e saj “Sophia”. “Sophia” është roboti i parë dhe deri tani i vetmi që ka shtetësinë e saj.

Pas prezantimit të saj, Arabia Saudite e bëri androidin qytetar të saj. “Sophia” punon edhe për Kombet e Bashkuara si “Ambasadore e inovacionit”.

Nga pjatalarëse tek udhëtar në hapësirë

Roboti “Beomni” është një robot për të gjitha qëllimet që, sipas prodhuesit të tij në SHBA, Beyond Imagination, mund të përdoret në mënyra të ndryshme: “Beomni” është në gjendje të hapë shishe si dhe të bëjë injeksione dhe prandaj mund të përdoret si në gastronomi edhe në sektorët e mjekësisë.

Madje supozohet se mund të udhëtojë edhe në hapësirë për të ndihmuar për ndërtimin e objekteve hapësinore.

Të fuqizuar nga AI

Robotët humanoidë po zhvillohen edhe në Gjermani: Në vjeshtën e vitit 2022, “Lena” përfundoi një provë në zyrë. Zonja robotike e pajisur me inteligjencë artificiale nga laboratori kërkimor Leap in Time Lab punoi së bashku me kolegët e saj njerëz për tetë javë.

Në fund të fazës së testimit, Lena e kishte zgjeruar fjalorin e saj deri në atë masë sa ishte në gjendje të bënte prezantime.

‘Kumbari i Al’ paralajmëron për rreziqe

Sa më shumë detyra po merr përsipër inteligjenca artificiale, aq më i madh është diskutimi për dimensionin etik të këtij zhvillimi. Geoffrey Hinton, i njohur si “kumbari i AI”, ka frikë nga humbja e kontrollit mbi inteligjencën artificiale dhe paralajmëron për “rreziqe serioze për njerëzimin”.

Shumë shpejt mund të “mos e njohim më atë që është e vërtetë”, thotë ai. Hinton sapo ka dhënë dorëheqjen nga Google për të paralajmëruar përmes leksioneve dhe paraqitjeve në media për rreziqet e AI./DW / KultPlus.com

India fut robotët në ‘lojë’ për të luftuar COVID-19

India, vendi i dytë me më shumë raste nga COVID-19 në gjithë po bën pjesë të luftës ndaj COVID-19 edhe robotët, transmeton KJ. Invento Robotics janë lloji i robotëve që po futin autoritetet indiane brenda spitaleve.

Lloji më i famshëm është roboti ‘Mitra’ që ndihmon pacientët, mjekët dhe familjarët të lidhen me njëri-tjetrin. Ata kanë një ekran në gjoks dhe arrijnë të bëjnë të mundur një lidhje me audio dhe video.

Po ashtu ata kujtojnë mjekët dhe pacientët për ilaçet apo trajtime të ndryshme. Një prej robotëve kushton 10 mijë dollarë dhe ata mund të jenë një armë shtesë në Indi teksa spitalet janë tejmbushur me pacientë me COVID-19, kurse vendi po vuan një krizë të thellë nga pandemia. / KultPlus.com

Robotët, ”shokët” e rinj të njeriut

Robotët po përgatiten të bëhen ”shokë” të njeriut dhe të ndikojnë në jetën e tij, me revolucionin e katërt industrial që po vjen.

Kjo epokë e re është në qendër të librit ”Roboti e noi” (”Robotët dhe ne”) i Maria Chiara Carrozzas, ish-ministrja italiane e Arsimit, e cila jep leksione në biorobotikë në universitetin ”Sant’Anna” të Pizës.

Libri është gjithashtu “një lloj fletoreje udhëtimi në botën e robotikës, nga revolucioni industrial deri në të tashmen”, thotë Carrozza.

”Askush nuk mund të blejë ende një kompani që përgatit robotë, pasi për të arritur këtë duhet të kalohen shumë sfida. Që nga siguria deri te marrja e të dhënave të njerëzve. Ne duhet t’i stërvitim robotët për të bashkëvepruar me njeriun”, shtoi ajo.

”Nuk ka më fantashkencë, por ka shumë aplikime në mjekësi. Nga karrigia robotike që lejon paraplegjikët të ngrihen deri te dora e njeriut”, thekson Carrozza.

Këto aplikacione janë vetëm një anë e shijes se si do të ndryshojë jeta e njeriut me revolucionin e katërt industrial që, sipas ekspertes, është duke u përgatitur për të transformuar njerëzimin./ATSH/KultPlus.com