Thënie mbi madhështinë: Nga e madhërishmja te qesharakja është vetëm një hap

Për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi sjellë sot një koleksion me brilantë të ndritshëm prej mençurive të thëna për madhështinë e njeriut.

Tipari dallues i njerëzve të mëdhenj shfaqet në faktin se të tjerëve ato u venë kërkesa shumë më të vogla se vetes.

Me të hipur në supet e viganit dhe shkurtabiqi nis të lëvdohet se është më i madh se vigani

Miniatura është një nga format e fshehta të madhështisë.

Zemra, kjo është leva e vërtetë e çdo vepre të madhe.

Në qoftëse dëshironi që bashkohasit t’ju njohin për të madh, përpiquni të jeni pak më të mëdhenj nga ata.

Njeri me të vërtetë i shquar mund të jetë vetëm ai që është i aftë të mbetet i zakonshëm edhe në punët e përditshme.

Njerëzit e mëdhenj vdesin dy herë: së pari si të gjithë njerëzit, së dyti si njerëz të mëdhenj.

Njerëzit e mëdhenj nuk bëjnë asgjë përgjysmë.

Njerëzit janë si lumenjetë: me më të madhin prej tyre nuk është gjithmonë e këndshme dhe as gjithmonë e lehtë të rrosh në fqinjësi.

Madhështia e një vendi përcaktohet nga madhështia e qytetarëve të tij të thjeshtë.

Herë-herë njerëzit e mëdhenj janë të mëdhenj në gjëra të vogla.

Kush nuk dashuron lirinë dhe të vërtetën, mund të bëhet njeri i fuqishëm, por i madh nuk do të bëhet kurrë.

Serioziteti i vazhdueshëm s’është veçse maska e rëndomësisë.

Epoka e madhe ka nevojë për njerëz të mëdhenj.

Njerëzit e mëdhenj janë titujt e librave të njerëzimit.

Kur je nisur në një rrugë të madhe, largoju sa të mundësh pengesave të vogla.

Madhështia e vërtetë ngrihet mbi njohjen e forcave të tua, e gënjshtra mbi njohjen e dobësive të të tjerëve.

Ai që nuk është i aftë të sfidojë urrejtjen dhe të ngrihet mbi përtalljet nuk do të kryejë kurrë ndonjë vepër të madhe.

Madhështia i ngjet malit: për të arritur aty duhet t’i ngjitesh një të përpjetë të rrëpirtë e të vështirë.

Shkrimtarët me të vërtetë të mëdhenj janë ata, mendimi i të cilëve depërton në të gjitha kthesat e stilit të tyre.

Egziston një pamje më madhështorë se qielli: kjo pamje është thellësia e shpirtit.

Madhështia e një populli nuk matet aspak me numrin e tyre, sikundër edhe madhështia e njeriut nuk matet me shtatin.

Për të qenë njeri i madh duhet të kryesh vepra të mëdha, por nuk mjafton të kryesh punë të mëdha për t’u bërë njeri i madh.

Rrallë bëhet i madh ai që nuk gjeti forca në vetvete të përbuzë njohjen e shumë gjërave të panevojshme.

Të madhin e presin edhe sprova të mëdha.

Kush poshtëron njerëzit që ka përreth, nuk do të bëhet kurrë i madh vetë.

Askush nuk është i detyruar të jetë njeri i madh. Mjafton plotësisht të jesh thjeshtë njeri.

Njerëzit me të vërtetë të mëdhenj janë të thjeshtë: sjellja e tyre është e natyrshme dhe e çiltër.

Madhështia e rreme është një hiçësi, siç është virtyti i rremë- shtirësi.

Vetëm njerëzit e mëdhenj mund të kenë të meta të mëdha.

Për punë të mëdha nuk ka aq rëndësi krijimi i rrethanave se sa zotësia për të shfrytëzuar ato që tashmë egzistojnë.

Të gjithë njerëzit e mëdhenj janë të thjeshtë.

Hegeli ka thënë diku se të gjithë ngjarjet dhe individët e mëdhenj me rëndësi historike botërore shfaqen, si të thuash dy herë. Ai ka harruar të shtojë; herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë.

Të ngrihesh lart nuk është e vështirë, vështirë është që me këtë rast të mbetesh vetvetja.

Për të kryer punë të mëdha, nuk duhet të jesh gjeni i pakapërcyeshëm, nuk duhet të jesh mbi njerëzit, duhet të jesh bashkë, me ta.

Nuk janë të gjithë të aftë të kryejnë gjëra të mëdha, por t’i ndjejnë ato munden të gjithë.

Kush qëndron lart dhe në sy të të gjithëve, nuk duhet t’i lejojë vetes lëvizje të pastudiuara.

Nga madhërishmja te qesharakja është vetëm një hap.

Cezarit nuk i lejohen shumë gjëra, pikërisht sepse atij i janë lejuar të gjitha.

Kujtimi i njerëzve të mëdhenj nuk ka më pak rëndësi për ne nga prania e tyre e gjallë.

Shumë gjëra të mëdha ka në botë, por më të madh se njeriu nuk ka.

Punët e mëdha nuk bëhen menjëherë.

Është i madh ai qytet ku jeton një njeri i madh. Le të ketë ai vetëm disa pak kasolle të vjetra, megjithatë ai është qyteti më i madh i botës.

Nuk mund të perceptojmë madhështinë e njerëzve të tjerë në qotë se ne vetë nuk kemi diçka të ngjashme me ta.

Asgjë më tepër se madhështia nuk shquhet për thjeshtësi; të jesh i thjeshtë do të thotë të jesh i madh.

…individualiteti karakterizohet jo vetëm me atë çfarë bën, por edhe si e bën.

Të bësh me lehtësi atë që për të tjerët është e vështirë, kësaj i thonë talent; të bësh atë që s’e bën dot talenti – është gjenialitet.

Gjenialiteti varet para së gjithash nga energjia.

Gjenitë nuk bien nga qielli, ato duhet të kenë mundësintë për t’u formuar e për t’u zhvilluar.

Gjenialiteti nuk është gjë tjetër, veçse dhuntia e durimit shumë të madh.

Për të rëndomtin nuk ka ngushëllim më të madh se edhe për gjeniun ka vdekje.

Kush e quan përpara kohës veten gjeni, është njeri i humbur.

Gjenitë gëzojnë një privilegj, për ata jeta nuk është kurrë e mërzitshme, siç mund të jetë për të gjithë ne.

Personalitetet e shquara formohen jo me anë fjalimesh të bukura., por me vetë punën e tyre e rezultatet e tyre.

Në çdo vepër gjeniale ne gjejmë mendimet tona të braktisura.

Gjeninë e vërtetë mund ta njihni nga fakti, se me t’u shfaqur ai të gjithë trutharët bashkohen në komplot kundër tij.

Vlera e shumë individëve të rëndësishëm përcaktohet nga shumëllojshmëria e atyre roleve ku ata e ndjenjë veten të aftë./shkollaesuksesit/KultPlus.com

“Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve, para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë”

Immanuel Kant është filozof i njohur gjerman dhe një nga më të shquarit e të gjitha kohërave. Kant-i ka lindur më 1724, dhe veprimtaria e tij  i përketë filozofisë klasike gjermane, shkruan KultPlus.

 “Grounding for the Metaphysics”, “Kritika e Arsyes së Kulluar” e botuar më 1781, “Kritika e arsyes Praktike” e botuar më 1788, “Groundëork of the Metaphysic of Moral”, janë disa nga veprat e tij me të cilat ai e arriti kulminacionin në karrierë.

Këto janë disa nga thëniet më të famshme të Kantit:

“Yjet e qiellit përmbi mua, ligji moral në mua”.

“Çdo gjë që është shkruar nga meshkujt në lidhje me femrat duhet të mbesë e dyshimtë, duke qenë se ata janë në të njëjtën kohë edhe gjykatës edhe pjesë e çështjes”.

“Më është dashur ta refuzoj njohjen, për të t’i bërë vend besimit”.

“Njeriu duhet të jetë i disiplinuar, sepse për nga natyra ai është i papërpunuar dhe i egër”.

“Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve”.

“Vepro duke e konsideruar njerëzimin, si tek vetja si tek të tjerët, gjithmonë si qëllim, kurrë thjesht si mjet”.

“Nuk ka virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit”.

“Ata që thonë se bota do të shkojë gjithnjë siç ka shkuar deri sot, kontribuojnë që parashikimi i tyre të dalë i vërtetë”.

“Vepro në atë mënyrë që, parimi juaj i veprimit të bëhet vetvetiu një ligj për të gjithë botën”.

“E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se arsyen”.

“Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë”.

“Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1. Çfarë duhet të di? 2. Çfarë duhet të bëj? 3. Çfarë mund të shpresoj”?

“Përvoja pa teorinë është e verbër, por teoria pa përvojë është një lojë intelektuale e mirëfilltë”.

“Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por e përfytyrimit”.

“Shkenca është dije e organizuar. Mençuria është jetë e organizuar”.

“Papjekuria është paaftësia që dikush të përdorë inteligjencën e vet, pa u udhëhequr nga dikush tjetër”.

“Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve. Para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë”.

“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”.

“Përtej çdo dyshimi, çdo dije fillon me përvojën”.

“Nuk është vetëm vullneti i Zotit që na bën të lumtur, por ne duhet ta bëjmë veten tonë të lumtur”.

“Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder”./KultPlus.com

‘Pa pasur dituri, njeriu nuk quhet njeri’

Naim Frashëri ka qenë poet dhe shkrimtar shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe figura qendrore e letërsisë së Rilindjes. Për së gjalli u pagëzua “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”.

Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare.

Në anën tjetër, njëra prej thënieve më të njohura që Naim Frashëri ka lënë pas është ajo me diturinë dhe njeriun.

“‘Pa pasur dituri, njeriu nuk quhet njeri”. /KultPlus.com

Komunikimi i Petro Markos me jetën, historinë dhe njeriun

Autori dhe publicisti i mirënjohur shqiptar Petro Marko do të bëhet simbol i kujtesës personale në romanin “Retë dhe gurët” – intervistë me vetveten, përmes të cilës ai do të kumunikojë me lexuesin që veçse e njihte përmes krijimtarisë së pasur letrare, në formën të një rrëfimi që buron nga shpirti i krijuesit e mbi të gjitha i njeriut që ka kaluar në një kalvar të mundimshëm jetësor.

Mbi intervistën

Intervista me vetveten, kalon suazat e intervistës, për t’u bërë komunikim me kujtesën dhe jetën, komunikim që do të paraqitet në formë të një vetë-rrëfimi mbi atë që autori e quan odiseada ime. Intervista do të zhvillohet në dy plane në kohë të ndryshme por mbi të njejtën lëndë – jetën e jetuar, do të jetë Petro Marko plak ai që do të intervistojë veten në dy mosha të ndryshme, Petron e ri dhe atë të vjetër/plak, por që përkundër moshës, nuk vërehet asnjë ndryshim në personalitetin e tij sidomos për nga optimizmi dhe entuziazmi që ka për jetën, ndonëse në intervistën e dytë ai do të jetë duke lënguar nga sëmundja. Përgjatë intervistës do njihemi jo vetëm me përjetimet e autorit, me veprimtarinë e tij si poet e gazetar por edhe me qëndrimet dhe me botëkuptimin e tij në raport me jetën dhe njeriun shqiptar. Toponimet si Tirana, Himara, Greqia, Parisi, Spanja, Grënobëli, Ustika, Italia do të shërbejnë si pika referimi për rrëfimin e ngjarjeve që i kanë ndodhur poetit në kohë të ndryshme, ato hapësira që do të mund të specifikohen si kombëtare dhe internacionale, përkatësisht brenda dhe jashtë Shqipërisë do të lidhen me gëzimin, vuajtjen, mundimin e përpjekjen e vazhdueshme të autorit për të një jetë të lirë e mbi të gjitha të drejtë. Në përgjigjet e autorit do të shohim luftën e tij përballë padrejtësive të kohës, regjimit dhe njerëzve përfitues. Në luftën e tij për liri shpesh autori do ta pyesë veten: Ku kam gabuar?, gjë që lidhet me faktin se veprimet e tij gjithmonë kanë si ideal vetëm të mirën e përbashkët dhe asnjëherë atë personale që do të cenonte tjetrin ose atdheun sepse shpesh pasojat do të jenë negative për jetën e autorit.

Ndonëse intervistohet nga vetja, Marko në këtë vepër postmortum, ka arritur të krijojë njëfarë objektiviteti në procesin e parashtrimit të pyetjeve. Petro Marko plak i vetëdijshëm për tanësinë e realitetit, për jetën e jetuar bën pyetje nga një distancë objektive mbi ngjarje, personalitete të caktuara, raporte me individ të caktuar, ndjesi dhe përjetime gjatë fëmijërisë, udhëtimeve, luftës, arrestimeve e burgosjes. Ndonjëherë pyetjes iu shtohet edhe sugjerimi i autorit mbi rrëfimin e një ngjarje ose edhe mbi klasifikimin e ngjarjeve. Pyetjet shpesh do të shërbejnë si drejtuese të rrëfimit, përmes tyre ndërprehet ndonjë ngjarje e caktuar për të filluar një tjetër. Interesimi për ndonjë informacion të caktuar, ngjarje, apo personalitet, e shkëputë përgjigjen, rrëfimin e ngjarjes që rrëfehet, për të filluar më pas një ngjarje tjetër apo një përshtypje. Në pyetjet e parashtruara shpesh do përdoren fraza si a ke mundësi, më fal por, a mund të na flasësh, ato realizohen  shumë natyrshëm, sikur të jenë të ngulitura në nënvetëdijën e individit  që ka nevojë të rrëfehet. Procesi i përgjigjes nënkupton procesin e rrëfimit i cili krijohet përmes analepsave dhe prolepsave të shumta të cilat kanë mundësuar që historia e Petro Markos të rrëfehet në tanësi përkrah asaj të Shqipërisë dhe të botës që nga regjimi zogist e deri tek ai komunist. Ai shpesh iu kthehet ngjarjeve i përplotëson me informacione, krijon paranteza, shënime sqaruese jep fakte të reja, e disa çështje vetëm i përmendë në mënyrë që lexuesi të krijojë njëfarë imazhi për ngjarjet që do rrëfehen më vonë. Ai do të rrëfejë ngjarjet në tërësinë e tyre, pa fshehur asnjë detaj, ndonëse me një vetëkontrollë si pasojë e regjimit (Arianita Marko, në parathënie), këtë ia ka mundësuar modeli i intervistës me vetveten, ku autori shpalosë shpirtin e tij dhe përjetimet pa konsensus gjë që do të ishte e pamundur në intervistën tipike, qoftë si pasojë e kohës apo edhe e rezervave në të shprehur.

E gjithë kjo teknikë e krijimit të narracionit e afron këtë tekst jetëshkrues me romanin që Petro e kishte ëndërruar që në momentin kur gjyshja Mille do t’i rrëfente për të vdekurit brenda atdheut, gurët dhe për ata jashtë atdheut, retë.

Petro Marko: mes reve dhe gurëve

Karshi parabolës së nënës Mille për retë dhe gurët (rrëfimit simbolik), ku Petro Marko me jetën dhe këmbënguljen e tij me dashurinë dhe shërbimin ndaj atdheut do të identifikohej me gurët, nga kjo vepër e shohim një Petro Marko që jeton, vepron dhe pëson midis qiellit dhe tokës, shumë më afër kësaj të dytës. Ai vetëm gjatë shkollimit të Ujët e ftoftë, do të jetë afër parajsës qiellore, në të gjitha rastet e tjera do të zvarritet për të mbijetuar. Fëmijëria e Petros mbetet e pazhvilluar si pasojë e vdekjes së prindërve, e të atit të internuar nga pushteti dhe e të ëmës si pasojë e sëmundjes. Nga ai moment Petro zgjedhë të shndërrohet në një misionar për një jetë më të mirë, kontakti i parë me literaturën e ndaluar në shkollë në njerën anë dhe gjendja tmerruese si pasojë e regjimit në anën tjetër do ta afrojë atë me ideologjinë e vllazërimit, me atë komuniste, që do të sjellë më pas jetën plot mundime, arratisje, dështime e në fund edhe zhgënjimin. Si pasojë e regjimit zogist vjen ndarja së pari politike më pas fetare e deri te ndarja atdhetare. Petro, nuk do të gjejë vend për veten as gjatë kohës së regjimit zogist e as më pas gjatë atij komunist, gjithmonë do të jenë të tjerët që vendosin fatin e tij, mospranimi në punë përkundër aftësisë profesionale, mosdhënia e pagës përkundër punës, arrestimet e vazhdueshme si pasojë e shprehjes së revoltës kundër pushtetit do të jenë vetëm disa nga vështirësitë në jetën plotë mundime të Petro Markos. Në Shqipëri gjatë gjithë jetës së autorit ishte i pranishëm rendi shtypës – i shtypur, ky ishte gjithmonë në pozitën e të shtypurit nga autoritetet së bashku më të gjithë miqtë e tij që kishin ide të përafërta mbi të ardhmen. Përballë pushtetit dhe strategjive të regjimit grupi i idealistave ashtu siç quheshin nga pushteti duhet të ishin gjithmonë në pozicion mbrojtje, prandaj autori rrëfen edhe vështirësitë e organizimit të veprimeve përparimtare. Përkundër përcaktimit dhe kontrollit total që kushtëzohej nga regjimi në atdheun e tij, ai kurrë nuk do frikësohet t’i shfaqë mendimet dhe qëndrimet e veta në raport me pushtetin prandaj në shumë raste pëson, në fillim me heqjen e  lejes së botimit (kushtëzimit nga fjala e lirë), e më pas me internim  sidomos  kur publikon artikuj në gazeta kundër regjimit si në raste kur përballet dhe i kundërshton autoritetet e caktuara, në raste të rralla në jetën e mundimshme të tij guximi i ka vlejtur për shpëtim të përkohshëm si në rastin kur përballë Hilë Mosit (ministrit të arsimit në atë kohë),  shfaqë indinjatën për mospranimin në punë me ç’rast emërohet nga ai si mësues në Himarë dhe në rastin tjetër në të gjitha përballjet me Musa Jukën ku del gjithmonë i fituar Marko si në rastin kur e thoshte të vërtetën (rasti i ndërhyrjes në artikull nga ana e korrektuesit zogist) ashtu edhe në rastin kur gënjen (rasti i marrjes së pasaportës për të shkuar në Spanjë.) Fati tragjik i Petros vazhdon edhe pas luftës në Spanjë, këtu si pasojë e tradhtisë së Francës fronti i tij i luftës shkatërrohet dhe për Markon fillon jeta në arrati, më pas vuajtjet në Francën që nuk pranonte komunistët e as nuk njihte luftëtarët e lirisë, kthimi në Shqipërinë fashiste, arrestimi i sërishëm, burgosja, kërcënimet, rrugëtimi si i prangosur, vuajtja shpirtërore si pasojë e internimit në Ustikë (vendi ku ishte internuar i ati shumë kohë më parë), shëtitja nëpër Itali, kidnapimi nga gjermanët, rreziku për jetën, izolimi shpirtëror në Shqipërinë komuniste, vrasja e shokëve nga ana e pushtetit të Enver Hoxhës, cenzurimi i veprave letrare,  arrestimi absurd dhe shpallja si “armik i popullit” që pason me ndalimin si autor e në fund fatkeqësia familjare arrestimi i të birit që shkatërron shpirtërisht autorin, të gjitha këto e shndërrojnë jetën e Petro Markos në një zingjir fatkeqësie. Ky fat tragjik do të pasqyrohet edhe në krijimtarinë artistike, autori në vepër inkuadron disa vargje ku shprehet vetëdija mbi gjendjen e tmerrshme që kishte shkaktuar regjimi ideologjik, gjendje kjo që ndikon në fatin personal të autorit:

                                             “Ditën që linda unë,

                                            planeti ish në furtunë!

                                           Ditën që rrojta unë,

                                          planeti ish në furtunë!

                                         Ditën që vdiqa unë,

                                        planetin e lashë në furtunë!”

Paralel me gjendjen e autorit del të jetë edhe gjendja e Shqipërisë dhe shqiptarëve, sidomos e atyre që kundërshtonin pushtetin, pushteti merr vendime për masën duke iu mohuar atyre lirinë e tregtisë dhe të fjalës së lirë. Pushtetin e Zogut autori e konsideron si pushtet të autoritetit, autoriteti kishte të gjithë fuqinë për të sunduar mbi masën dhe për të jetuar jetën luksoze. Ai shqiptarët i paraqet totalisht të nënshtruar ndaj pushtetit të tij: e deshëm Zogun, pa ditur se ç’ishte ai. Ai për ne ishte Shqipëria. Nënshtrimin e plotë të masës e paraqet edhe në rastin tjetër: Ne more vëlla, rroftë mbreti jemi mësuar të themi gjithë jetën (në momentin kur tentohet të kundërshtohet regjimi zogist). Ai flet edhe për hipokrizinë e pushtetit, mashtrimet, ambalazhin e pushtetit para shteteve të botës, sidomos për manipulimin e ngjarjeve dhe të fakteve duke paraqitur para shtypit një gjendje perfekte të burgjeve në Shqipëri e që në të vërtetë realitetit është tërësisht e kundërta sepse të burgosurit politik përveq se iu mungon procesi i rregullt i ushqyerjes torturohen me mënyrat më të tmerrshme të dhunës. Në kohën e mbretit Zog pushtetarët nuk interesohen për jetesën e popullit sidomos nëse nuk kishe miq në pushtet, ata madje dalin si zhvatës të popullit, janë italianët ata që ndihmojë shqiptarët e robëruar nga pushteti-ironia e shqiptarëve, të njëjtën gjendje madje më të rëndë e shohim në kohën kur bie Muso lini, me ç’rast pushteti pasfashist shqiptar do të vjedhë rezervat e vendit të vet madje edhe ndihmat e Amerikës duke i përvetësuar për t’i shitur me çmime të larta ndër popull apo edhe për t’i transportuar në Bashkimin Sovjetik.

      Autori do të shprehë vetëdijen mbi gjendjen e tmerrshme të atdheut:

“Një gjëmë e madhe kishte pllakosur Shqipërinë -frika, padrejtësia, shtypja, mosbesimi, lufta e klasave izolimi, që ishte vdekja, regresi”.

Përshkruan vazhdimisht rënien e tërësishme të Shqipërisë si në aspektin politik, social e ekonomik që e dërgon shtetin drejt shpërbërjes nacionale.

Raporti i misionarit me femrat

Petro Marko jetën e sheh me syrin e misionarit të idesë për një të ardhme të ndritur, ide që fillimisht e gjen në ideologjinë komuniste. Misioni për të del mbi të gjitha madje edhe mbi relacionet e mundshme të dashurisë. Ai refuzon ofertat për një jetë të qetë si njeri e si shkrimtar. Misioni i tij ideologjik kapërcen kufinjt e ideologjisë për tu lidhur me shërbimin ndaj atdheut. Këtë e shohim në pjesën Dy propozime në distancë kohe, ku autori refuzon ofertën e gazetarit anglez për të punuar në Angli e më pas refuzon jetën e qetë e pa halle me gruan në Greqi:

“Unë kam hequr të zitë e ullirit për këtë vend…Por une kam ardhur në vendin tim dhe këtu do vdes. (përgjigjja e Markos)”

Të gjitha femrat me të cilat takohet Petro Marko sidomos jashtë Shqipërisë shprehin një interes jashtëzakonisht të madh për të madje disa edhe i propozojnë martesë, por ky asnjëherë nuk përfshihet shpirtërisht me to për shkak të idealeve të veta.

Madje ai pranon edhe bastin që krijohet mes meshkujve, student në Grënobël për joshjen e femrës më të bukur në universitet, vetëm që parat e fituara nga basti t’ia dërgonte shokëve në Spanjë. Ndonëse për qëndrimin larg femrave e kishin porositur edhe shokët, sepse sipas tyre fashistët përdornin ato për t’i devijuar revolucionarët nga ideali dhe për zbulimin e sekreteve të partisë, shohim se Petro është aq i fokusuar në misionin si apostull i revolucionizmit sa nuk kishte synime për relacione të tilla e as nuk linte hapësirë që të krijoheshin, madje nervozohej nga biseda mbi dashurinë që zhvillohej mes femrave ne kohën kur në Spanjë luftohej me vdekjen. Këmbëngulja në misionin e tij do ta largojë autorin tërësisht nga femrat, përkatësisht nga dashuria shpirtërore apo nga kënaqësia trupore. Këtë qëndim e bën të qartë vet autori, i cili në një moment të caktuar do shprehet: “Nuk me dukej vajzë e keqe. Por gjendja ime, qëllimi im, rruga ime nuk më lejonin”.

Krijimtaria letrare paralel me jetën personale

Nga leximi i këtij teksti shohim që ekziston një ndërlidhje shumë e ngushtë mes ngjarjeve që i kanë ndodhur autorit dhe veprave fiksionale që ai krijon. Kjo paralele vërehet sidomos në personazhet fiksionale të cilat i krijon autori në krijimtarinë prozaike. Personazhet fiksionale përcjellin fatin e Petros dhe karakterizohen me po të njejtin qëndrim, me po të njejtat vuajtje e me po të njejtat përjetime. Autori rrëfen se masën më të madhe të episodeve në romanin Hasta la vista i ka perjetuar në luftën në Spanjë, sesi lindi titulli i veprës nga përshëndetja plot respekt e popullit spanjoll, i cili respektonte me përultësi ushtarët internacional. I njejti optimizëm që i karakterizon personazhet në këtë vepër e karakterizon poetin përgjatë gjithë luftës dhe jetës së tij. Edhe në romanin tjetër Një natë me dy agime që pasi të botohet del me titullin Nata e Ustikës autori do të ndikohet nga përjetimet në burgjet e Italisë, personazhi Andrea protagonist i veprës përveç që mban emrin e xhaxhait të vrarë të Petros, bëhet alterego e autorit, të gjitha ndjesitë dhe përjetimet përveç linjës së dashurisë me Sonjën i kanë ndodhur në realitet atij, udhëtimi për në burg është po ai, transferimet e shpeshta, përjetimet në burgun e Tiranës, takimi me arbëreshin në Itali, qëndrimet e popullit Italian karshi të internuarve komunist, takimi me doktorin i cili i shpëton jetën, e deri tek personazhet që kanë pothuajse emrat e njejtë me të internuarit në realitet, shokët e Petros, i ngjashëm është edhe episodi kur ai viziton qelinë ku ka qëndruar i ati, e identik ai i vrasjes së qenit profetizues. Ustika si në realitet përfaqëson vuajtjen e madhe të poetit i cili e ka fiksuar si pasojë e tramuës së humbjes të të atit prandaj edhe personazhi reagon njejtë sikurse poeti.

Autori në vepër na jep listën e detajizuar të krijimeve që kishte botuar në gazetat e revistat shqiptare, ai flet mbi dorëshkrimet që i kishin humbur gjatë jetës dhe për veprat e cunguara nga pushteti. Ai shprehë vështirësinë e krijimit të veprave nën ndikimin e diktaturës, del se izolimi e ka izoluar edhe shprehjen artistike të poetit, cenzura ka sakrifikuar pjesët më artistike të veprës duke i quajtur natyraliste (në romanin Hasta la vista, pjesët e luftës). Në rastet kur vepra botohej fillonte ‘gjyqi i autorit’ mbi krijimin e personazheve, të ngjarjeve dhe mbi gjendjen që përshkruhet në tekst. Madje arrijnë deri në atë pikë që kërkojnë nga Petro Marko shkrimin e një romani autokritik mbi qëndrimet e tij.

Arti i tij brenda veprës do të vlerësohet nga shkrimtari i mirënjohur shqiptar Migjeni, i cili e kritikon duke i bërë të qartë dallimin midis artit dhe publicistikës. Në një takim tjetër ai do ti thotë: “Ti ke shkruar vargje të mira dhe të dobëta, ke shkruar shumë, po nisja jote për në Spanjë është poema më e bukur që po shkruen”.

Një ngjarje intersante është edhe pjesëmarrja në Konferencën e Shkrimtarëve Antifashistë ku autori do të recitojë prologun e një poeme të tij, por që kritikohet nga shkrimtarët e tjerë për mungesën e frymës së shqiptarisë.

E vërteta mbi komunizmin

Petro Marko është përkrahës i të majtës dhe ideologjisë komuniste, ideologjia për autorin del si mundësi për të arritur idealet personale në një anë dhe del si pengesë në jetën personale në anën tjetër. Idealet e tij do ta kushtëzojnë atë nga krijimi i një jete intime deri në momentin kur do të mbizotërojë një qetësi e përkohshme para diktaturës. Ai vlerëson komunistët e vërtetë ata që kishte njohur gjatë udhëtimeve nëpër botë, ata që luftonin për demokraci, barazi, mirëqenien popullore dhe përgatitjen intelektuale.

Dyshimet e para mbi komunizmin si ideologji në tekst pasqyrohen tek personalitetet shqiptare të cilat ishin shkolluar në Bashkimin Sovjetik (Tajar Zavalani, Reshat Këlliçi, Ali Kelmendi e të tjerë), refuzimi dhe shmangia e rrëfimit mbi mënyrën e jetesës në vatrën e komunizmit, e më pas përmes figurës së Mithat Frashërit i cili refuzon të jetë pjesë e ideologjisë si pasojë e përjashtimit të Kosovës nga themeluesit e Partisë në Shqipëri që ai këmbëngulë se janë sllavë. Pjesëtarët e partisë komuniste, sidomos ata që vepronin në mënyrë aktive për të ardhmen e partisë nuk ishin në dijeni për kryesinë e partisë dhe as për marrëveshjen e fshehtë mes Enver Hoxhës (emërimi i të cilit erdhi nga qielli, pasi që nuk njihej për ndonjë veprim në të mirën e partisë) dhe Titos. Perdja e fshehtësisë ngrihet në momentin kur Partia me të gjithë organet përkatëse fillon të veprojë në Shqipëri, kemi një përsëritje të realitetit fashist, teknikat e kontrollit, mënyrat e qeverisjes dhe fshehtësia karakterizuese është po ajo. Fillojnë dënimet me vdekje, akuzat dhe dëshmitë absurde, madje shumëfish më të rënda sesa në kohën e pushtetit zogist dhe atë fashist sidomos ndaj intelektualëve të dijës. Nën diktaturën komuniste Petro Marko vuan dënimin e dyfishtë: burgosjen e torturën e vet, i lidhur me zingjirë duke duruar lajmet mbi vrasjet dhe internimet e shokëve pa arsye dhe burgosjen e djalit Jamarbër, që akuzohet nga Partia për agjitacion e propagandë. Petro Marko pëson nga ideali pas të cilit vrapoi gjithë jetën dhe pikërisht në vendin për të cilin dhurojë gjithçka.

Refleksione

Shohim se Petro Marko është i lidhur ngushtë me fëmijërinë, me kafshët që nënkuptonin mbijetesën familjare si dhe me njerëzit që ka takuar gjatë gjithë jetës së tij. Shumë personalitete, që nga fëmijëria e më pas edhe në ngjarjet e jetuara, sidomos ato të Luftës së Spanjës kanë krijuar bazën e personalitetit të tij, që përcjellet në vargjet e këtij teksti me një gjuhë që rrjedh nga shpirti. Raportin autor-vepër ai do ta shkrijë në një raport të përbashkët ku vepra njësohet me autorin, e identifikon atë dhe përjetimet e tij. Nuk dihet qartë kufiri midis fiksionit dhe realitetit, ai e lidhë origjinën me dinastinë e Gjin Bua Shpatës, duke vendosur familjen e tij përkrah Buave si krijues të fshatit, përshkruan ditën e parë të shkollës në një shpellë që do të vlejë si fillim i fillimit të gjithçkaje në jetën e tij, inkuadron vargje të poezive popullore dhe rrëfen ngjarje mitike që lidhen me origjinën e hershme të popullit tonë. Në mënyrë të vazhdueshme paraqet raportin e ngushtë me gjyshen Mille e cila përfaqëson figurën e nënës në jetën e autorit dhe burimin e frymëzimit në jetë e në art, krijon situatat tipike dhe jep raportet e veçanta me shokët e ideologjisë më të cilët ndan varfërinë, dështimin, zhgënjimin dhe vuajtjen, të cilat ndikojnë në botëperceptimin dhe mënyrën e jetesës së autorit. Rrëfen ngjarje mbi persona të caktuar, inkuadron biseda dhe letërkëmbime me individë të pushtetit, miq dhe anëtarë të partisë të cilat vlejnë si detaje (qofshin reale apo të hamendësuara) që japin një pasqyrë të jetës së tij, të cilën autori ka zgjedhur t’ia rrëfejë historisë përkatësisht lexuesit.

Ai do të zgjedhë ngjarje që e kanë krijuar atë si poet e si njeri, ndjesi të veçanta në momentet kur ndjen dashurinë dhe respektin e të tjerëve veçon këtu spanjollët dhe kosovarët, si dhe përmend të gjitha dëshirat që donte t’i realizonte në pamundësi.

Mes vargjesh njihemi me autorin që lufton për lirinë në kuptimin universal, për dashurinë dhe harmoninë e plotë. Këto elemente do të bëhen simbole të artit të tij human, që kapërcen çdo hapësirë përcaktuese për tu bërë shprehje e shpirtit që mbi të gjitha e do jetën.   

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Publicistikë letrare”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Albenitë Xhemajli / KultPlus.com

Të lindet njeriu

Poezi nga Migjeni

Të lindet një njeri
nga gjin’ i dheut tonë të rim me lot të vakët,
nga thalb’ i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët
për një gen të ri, –
Të lindet një njeri!
Pa hyll në ball – por që me fjalë të pushton,
që të rrëmben qetsin e ban gjaku të të vlojë
rrkajë, e ban synin ligshtin ta zhgjetojë,
që nëpër shekuj ndërgjegjen na tradhton.
Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Re!
Të krijojë një Epope!
Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re…
– Të gjithë kombet po dehen n’epopea të veta,
flakë e zjarrmit të tyne na i përzhiti ftyrat
dhe nëpër to një nga një po shtohen rrudhat,
e nën kambë e mbi krye tinzë po na ikjeta.
(Liri! – Po, liri dhe gaforrja gëzon,
porgaforre asht…
Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
jo, liri nuk asht!),
Të lindet një njeri
i madh si madhni
dhe ndërgjegjet tona t’i ndezi në dashni
për një ide të re, ideal bujar,
për një agim të lum e të drejtë kombtar.

26 fakte psikologjike për njerëzit, të cilat nuk i keni ditur

26 fakte psikologjike për njerëzit, të cilat nuk i keni ditur.

Marrëdhëniet

1. Miqësitë e lindura në periudhën ndërmjet 16 dhe 18 vjeç kanë një potencial më të madh për të qenë të forta dhe të përhershme.

2. Martesa me shokun tuaj më të mirë eliminon rrezikun e divorcit me mbi 70%, dhe kjo martesë ka më shumë gjasa të zgjasë një jetë.

3. Mbajtja e dorës së të dashurës ju ndihmon të shqetësoheni më pak dhe të ndjeni më pak dhimbjen.

4. Gratë në përgjithësi preferojnë meshkujt me zëra të fortë, sepse jo vetëm që tingëllojnë mënyrë agresive, por gjithashtu duken më me vetëbesim.

Burrat dhe Gratë

5. Burrat nuk janë më zbavitës se gratë. Burrat kanë tendencë për të thënë më shumë shaka e barcaleta, vetëm për shkak se atyre nuk u bëhet vonë, nëse njerëzit pëlqejnë sensin e tyre të humorit apo jo.

6. Gratë kanë dy herë më shumë receptorë dhimbjeje në trupin e tyre se sa meshkujt, pavarësisht këtij fakti, ato mund të tolerojnë dhimbjet në një nivel më të lartë sesa meshkujt.

7. Një grua mund të mbajë një sekret për një kohë mesatare prej 47 orësh dhe 15 minutash.

8. Ato gra që kanë më shumë miq meshkuj shpesh janë në humor të mirë.

Inteligjenca dhe Këshillat

9. Ata njerëz që kanë tendencë për të dhënë më shumë këshilla, janë me gjasë ata që përballen me problemet më të mëdha.

10. Sa më i zgjuar të jetë një njeri, aq më i shpejtë është treni i tij i mendimit dhe më i avashtë dorëshkrimi i tij.

11. Njerëzit me ndjenjë të fortë faji dhe ndërgjegje, janë më të zotë për të kuptuar mendimet dhe ndjenjat e njerëzve të tjerë.

12. Njerëzit inteligjentë zakonisht kanë më pak miq se sa personi mesatar. Ndërsa një person bëhet më i zgjuar, ai bëhet më selektiv në zgjedhjen e miqve.

Lumturia

13. Midis fakteve të mahnitshme të psikologjisë, dhënia dhe marrja e mesazheve Mirëmëngjes dhe Natën e Mirë aktivizon pjesën e trurit përgjegjëse për lumturinë. Pra, tani e dini çfarë të bëni me telefonin tuaj celular.

14. Nëse bëni gjëra që ju trembin, kjo do t’ju bëjë më të lumtur. Sado e çuditshme që tingëllon, është e vërtetë. Ndoshta kjo rrit besimin dhe ju bën të ndiheni mirë me veten tuaj.

15. Nëse përpiqeni t’i bëni të gjithë të lumtur, shpesh përfundoni duke ndierë të vetmuar. E vërtetë ajo që thonë, pra, nuk mund t’i kënaqni të gjithë.

16. Njerëzit më të lumtur kanë nevojë për më pak gjumë.

17. Nëse dëgjoni muzikë me frekuencë të lartë, mund t’ju bëjë të ndiheni të qetë, të relaksuar dhe të lumtur.

Karakteri

18. Mënyra e trajtimit të stafit në një restorant, zbulon shumë për karakterin tuaj.

19. Emocionet tona nuk ndikojnë në mënyrën se si komunikojmë. Në të vërtetë, e kundërta është e vërtetë: mënyra se si komunikojmë ka një ndikim në humorin tonë.

20. Njerëzit e turpshëm nuk flasin shumë për veten e tyre. Megjithatë, e bëjnë këtë në mënyrë të tillë, që t’i bëjnë njerëzit e tjerë të ndiejnë se i njohin shumë mirë.

21. Nëse dy persona kanë një bisedë dhe njëri kthen këmbët në tjetër drejtim, ose vazhdon të lëvizë një këmbë së jashtmi, kjo nënkupton mosmarrëveshje të forta dhe është një shenjë që personi dëshiron të largohet.

Njerëz dhe Probleme

22. Nëse përjeton një vërshim të mendimeve gjatë natës dhe nuk mund ta ndalosh, atëherë shkruaje. Kjo do të lehtësojë mendjen dhe do t’ju ndihmojë të flini.

23. Të qenit i vetmuar për një kohë të gjatë është po aq e pashëndetshme, sa pirja e 15 cigareve në ditë. E pra ky është një fakt i rëndësishëm psikologjik të cilin duhet ta mësojmë.

24. Një person që flet dy gjuhë mund të ndryshojë në mënyrë të pandërgjegjshme personalitet, teksa kalon nga një gjuhë në tjetrën.

25. Udhëtimi mund të forcojë shëndetin e trurit dhe të ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe depresionit.

26. Kur njerëzit flasin për gjërat që janë të pasionuar dhe më të interesuar, kjo është koha kur ata duken më tërheqës. /Bota.al / KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Privatësisë

28 janari shënon Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, njohur si Dita Ndërkombëtare e Privatësisë.

Kjo ditë është pjesë e së drejtës në privatësi, si një nga të drejtat dhe liritë elementare të njeriut.

28 janar 1981 është data e nënshkrimit të Konventës për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale.

25 vjet më vonë, në vitin 2006, kjo datë në mënyrë simbolike është zgjedhur Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Të dhënat personale përpunohen në shume aspekte të jetës së përditshme, si shembull, hapja e një llogarie bankare, rezervimi online i një bilete, udhëtimi, blerja e një SIM kartele etj.

Mbrojtja e të drejtës në privatësi është e garantuar me Konventën Evropiane për të Drejtat të Njeriut. / KultPlus.com

Robotët, ”shokët” e rinj të njeriut

Robotët po përgatiten të bëhen ”shokë” të njeriut dhe të ndikojnë në jetën e tij, me revolucionin e katërt industrial që po vjen.

Kjo epokë e re është në qendër të librit ”Roboti e noi” (”Robotët dhe ne”) i Maria Chiara Carrozzas, ish-ministrja italiane e Arsimit, e cila jep leksione në biorobotikë në universitetin ”Sant’Anna” të Pizës.

Libri është gjithashtu “një lloj fletoreje udhëtimi në botën e robotikës, nga revolucioni industrial deri në të tashmen”, thotë Carrozza.

”Askush nuk mund të blejë ende një kompani që përgatit robotë, pasi për të arritur këtë duhet të kalohen shumë sfida. Që nga siguria deri te marrja e të dhënave të njerëzve. Ne duhet t’i stërvitim robotët për të bashkëvepruar me njeriun”, shtoi ajo.

”Nuk ka më fantashkencë, por ka shumë aplikime në mjekësi. Nga karrigia robotike që lejon paraplegjikët të ngrihen deri te dora e njeriut”, thekson Carrozza.

Këto aplikacione janë vetëm një anë e shijes se si do të ndryshojë jeta e njeriut me revolucionin e katërt industrial që, sipas ekspertes, është duke u përgatitur për të transformuar njerëzimin./ATSH/KultPlus.com

“Koncentrat” fjalësh të mençura nga Kryevepra e Niçes

“Sa më lart që ngjitemi, aq më të vegjël u dukemi atyre që nuk mund të fluturojnë”.

“Unë jam një pyll dhe një natë pemësh të errëta: por ai që nuk ka frikë nga errësira ime, do të gjejë grumbuj me trëndafila nën selvitë e mia”.

“Duhet të jesh gati që të digjesh në flakën tënde; si mund të ringrihesh, nëse nuk je bërë më parë hi”?

“Heshtja është më keq, të gjithë të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese”.

“Njeriu i vetmuar ia shtrin dorën shumë shpejt, kujtdo që takon”.

“Ti e shpërblen mësuesin shumë keq, nëse mbetesh përjetë një nxënës”.

“Ka më shumë urtësi në trupin tënd, se sa në filozofinë tënde më të thellë”.

“Dhe një herë që zgjohesh, do të mbetesh zgjuar përjetësisht”.

“Por armiku më i keq që mund të takosh do të jetë gjithmonë vetja jote; ti rri në pritje për veten tënde, në shpella dhe pyje. I vetmuar, ti do të shkosh rrugës drejt vetes tënde! dhe rruga jote kalon nga vetja jote, dhe përtej shtatë djajve të tu! Ti do të jesh një heretik për veten tënde dhe shtrigan dhe fallxhor dhe budalla dhe dyshues dhe mëkatar dhe i lig. Duhet të jesh gati të djegësh veten tënde në flakën tënde: si mund të bëhesh i ri, nëse nuk bëhesh më parë hi?”

“Por me njeriun është njësoj si me pemën. Sa më shumë që kërkon të ngrihet lart dhe drejt dritës, aq më shumë rrënjët e tij e tërheqin poshtë, në tokë, drejt errësirës, thellësisë – të keqes”.

“Duhet të jesh një det, që të presësh një rrëke të ndotur e të mos bëhesh pis”.

“Ai që ngjitet në malet më të larta, qesh me të gjithë tragjeditë, të vërteta dhe të pavërteta”.

“Nga të gjithë gjërat që janë shkruar, më pëlqejnë ato që njeriu i ka shkruar me gjakun e vet”./KultPlus.com