Rudina Xhunga: Ju lutem, pash Zotin rregullojeni këtë shtëpi të Migjenit

Millosh Gjergj Nikolla që të gjithë e njohim me nofkën e tij prej shkrimtari, Migjeni, sot ka ditëlindjen.

Pikërisht sot, moderatorja dhe gazetarja Rudina Xhunga, vizitoi shtëpinë  e tij, tashmë muzë, në Pukë. Në këtë shtëpi ku ai dha mësim 84 vjet më parë, Xhunga kërkon të mos harrohet, nga populli dhe nga shteti. Sipas saj, kjo shtëpi që mbart një vlerë të madhe historike për gjithë shqiptarët, duhet rinovuar.

“84 vjet më parë, në Pukë erdhi Migjeni, jepte mësim në këtë klasë. 84 vjet më parë, ai qëndronte këtu, para kësaj banke, ku mbase ishte ulur Luli i vocërr… dhe profesori i ri ia shikonte këpucët e shqyera … Dhe bëri një nga poezitë më të bukura të shqipes e bashkë me të shumë poezi e shumë vargje të tjera morën krahë në Pukë. Këtu nisën udhëtimin e parë. Kjo është shtëpia muze e Migjenit në Pukë. Është një shtëpi e shpëtuar nga shkatërrimi, por jo ashtu siç meriton të jetë shtëpia e vërtetë ku dha mësim Migjeni. Ju lutem, pash Zotin, rregullojeni këtë shtëpi! Bëjeni nga e para, bëjeni mirë!”, -shprehet Xhunga, në një video që ndau në llogarinë e saj në Instagram.

Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Të paharruara do të mbesim krijimet e tij letrare si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, ku fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit. / KultPlus.com

Fjalimi i Grossman për të birin: Nuk do them asgjë për luftën ku mbete i vrarë, ne familja jonë, e humbëm tashmë

David Grossman nuk është vetëm shkrimtari imponues i letërsisë bashkëkohore. Është izraelit, kandidat për Nobel, aktivist shquar i paqes në vendin e tij, babai i një djali të vrarë në luftën me Libanin. Ditën e varrimit të Urit, 20 vjeçar, Grossman shkroi këtë letër për të birin: Uri, ti ishe izraeliti ideal!

Uri im i dashur, tashmë u bënë tri ditë që pothuajse çdo mendim fillon me “nuk”. Nuk do të vijë, nuk do të flasim, nuk do të qeshim. Nuk do të jetë më ky djalë me vështrim ironik dhe me ndjenjë të jashtëzakonshme humori. Nuk do të jetë me djaloshi me një urtësi shumë më të thellë se ajo e viteve të tij. Me buzëqeshje të ngrohtë, me oreks shëndetshëm. Nuk do të jetë më ai kombinimi rrallë i vendosmërisë me delikatesën. Nuk do të jenë më gjykimi i tij i shëndoshë dhe mençuria e zemrës së tij.

Nuk do të jetë më brishtësia e pafundme e Urit dhe qetësia me të cilën fashiste çdo stuhi, nuk do të shohim bashkë Simpsons apo Seinfeld, nuk do të dëgjojmë me ty Johnny Cash dhe nuk do të ndiejmë përqafimin tënd të fortë dhe qetësues. Nuk do të të shohim të ecësh dhe të flasësh me Xhonatanin, duke gjestikuluar gjithë zjarr, duke përqafuar Rutin të cilën e doje aq shumë.

Uri, zemra ime, gjatë gjithë jetës sate të shkurtër mësuam prej teje. Nga forca dhe vendosmëria jote për të ndjekur rrugën tënde, edhe kur nuk kishe mundësi për t’ia dalë mbanë. E ndoqëm të mahnitur luftën tënde për t’u pranuar në kursin e komandantëve të tankut. Nuk u dorëzove para eprorëve të tu, e dije që mund të bëheshe një komandant i mirë dhe nuk ishe i gatshëm të jepje më pak nga sa mundeshe. Dhe kur ia dole mbanë, mendova, ja një djalë që i njeh me thjeshtësi dhe kthjelltësi mundësitë e tij. Pa pretendime, pa arrogancë. Që nuk ndikohet nga ajo që thonë të tjerët për të. Që e gjen forcën brenda vetes.

Kështu ishe që i vogël. Jetoje në harmoni me veten tënde dhe me ata qe kishe pranë. E dije se cili ishte vendi yt, ishe i vetëdijshëm që të donin, i dije caqet dhe virtytet e tua. Dhe me të vërtetë, pasi e theve krejt ushtrinë, dhe u emërove komandat, ishte e qartë se ç’lloj komandanti dhe njeriu ishe. Dhe sot shokët dhe vartësit e tu tregojnë për komandantin dhe shokun, për atë që ngrihej i pari për të organizuar gjithçka dhe që binte në shtrat vetëm pasi të tjerët po flinin tashmë.

Dhe dje, në mesnatë, pashë shtëpinë, që ishte disi rrëmujë pasi qindra vetë kishin ardhur për të na bërë vizitë, për të na ngushëlluar, dhe thashë, ah, po, tani do të duhej Uri për të na ndihmuar në rregullimin e shtëpisë.

Ishe i majti” i batalionit tënd, por ishe i respektuar, sepse mbaje pozicionin tënd pa hequr dorë nga detyrat e tua ushtarake. Më kujtohet që më ke treguar për “politikën tënde të postblloqeve”, sepse edhe ti ke qenë jo pak nëpër postblloqe. Thoshe se nëse kishte ndonjë fëmijë në makinën që kishe ndaluar, para së gjithash përpiqeshe ta qetësoje dhe ta bëje të qeshte. Dhe i kujtoje vetes sate se ai fëmijë kishte pak a shumë moshën e Rutit dhe sa shumë frikë kishte prej teje dhe sa shumë të urrente, dhe me të drejtë. E megjithatë, bëje çmos për t’ia bërë më të lehta ato çaste të llahtarshme, duke kryer në të njëjtën kohë detyrën tënde, pa kompromis.

Kur u nise për në Liban mamaja tha se gjëja që kishte më shumë frikë ishte “sindroma jote e Elifeletit”. Kishim shumë frike se mos, ashtu si Elifeleti i këngës, edhe ti do të vrapoje drejt e në mes të zjarrit për të shpëtuar një të plagosur, se mos do të ishe i pari që do të dilje vullnetar për të sjellë furnizimin e municioneve të mbaruara prej kohësh. Dhe atje, në Liban, në atë luftë të ashpër, do të silleshe ashtu siç ke bërë gjithë jetën, në shtëpi, në shkollë dhe gjatë shërbimit ushtarak, duke hequr dorë vetë nga një leje sepse një ushtar tjetër kishte më shumë nevojë se ti, apo sepse në shtëpinë e atij tjetrit ishte një situatë më e vështirë.

Unë të kisha djalë dhe shok. Dhe e njëjta gjë ishte edhe për mamanë. Shpirti ynë është i lidhur me tëndin. Jetoje në paqe me veten tënde, ishe një njeri me të cilin është bukur të rrish. Madje nuk jam i zoti ta them me zë të lartë sesa ti ishe për mua dikush me të cilin të vrapoja. Sa herë që vije me mua: eja, baba, le të bisedojmë. Zakonisht shkonim në ndonjë restorant, të uleshim dhe të bisedonim. Më tregoje aty shumë gjëra, Uri, dhe isha krenar që kisha nderin të isha njeriu yt i besuar, që një njeri si ti më kishte zgjedhur mua.

Më kujtohet se sa i pavendosur ishe një herë në ta ndëshkoje një ushtar pas një shkeljeje disiplinore. Se sa i vështirë ishte për ty ai vendim sepse do të kishte ndezur zemërimin e vartëseve të tu dhe të komandantëve të tjerë, shumë më të butë se ti në lidhje me disa lloj sjelljesh. Dhe në fakt, ndëshkimit atij ushtari të kushtoi shumë nga një këndvështrim i marrëdhënieve njerëzore por pikërisht ai episod u shndërrua në njërën prej historive themelore të krejt batalionit, që përcaktoi disa norma sjelljeje dhe respektin të rregullave. Dhe gjatë lejes sate të fundit më tregove, me krenari të ndrojtur, se komandanti i batalionit, gjatë një bisede me disa oficerë të rinj, e kishte sjellë vendimin tënd si shembull të një sjelljeje të drejtë të komandantit.

Ti na ndriçove jetën, Uri. Unë dhe mamaja të rritëm me dashuri. Ishte aq e lehtë të të doje, me gjithë zemër, dhe e di që edhe ti je ndierë mirë. Që jeta jote e shkurtër qe e bukur. Shpresoj të kem qenë një baba i denjë për një djalë si ti. Por e di që të jesh djali i Mihalit, do të thotë të ritesh me bujari, hir dhe dashuri të pafund, dhe ti i more të gjitha këto. I more bollëk dhe dite t’i çmosh, dite të falënderosh, dhe asgjë nga ato që more nuk ishte e ditur për ty.

Në këtë çast nuk do të them asgjë për luftën ku mbete i vrarë. Ne, familja jonë, e humbëm tashmë. Tani Izraeli do të bëjë një rrëmim të ndërgjegjes, ne do të mbyllemi në dhimbjen tonë, të rrethuar nga miqtë tanë të mirë, të rrethuar nga dashuria e pafund e shumë njerëzve, që në pjesën më të madhe nuk i njohim, dhe që unë i falënderoj për mbështetjen e pakufishme. Do të doja që të dinim t’ia jepnim këtë dashuri dhe solidaritet njëri-tjetrit edhe në çaste të tjera. Ndoshta pikërisht ky është burimi ynë kombëtar më i veçantë. Do të doja që të ishim më të ndjeshëm kundrejt njëri-tjetrit. Që të mund ta shpëtonim veten tonë tani, pikërisht në çastin e fundit, sepse na presin kohë shumë të vështira.

Do të doja të thosha edhe disa fjalë.

Uri ishte një djalë shumë izraelit. Edhe emri i tij është shumë izraelit, hebre’. Uri ishte përmbledhja e izraelitetit. Një izraelitet pothuajse i harruar tashmë. Shpesh i konsideruar në masën e një kreshërie. Nganjeherë, duke e parë, mendoja se ishe një djalë pak anakronik. Ai, Xhonatani dhe Ruti. Fëmijë të viteve 50. Uri, me ndershměrinë e tij të ploté dhe marrjen e tij të përgjegjësisë për gjithçka që i ndodhte rreth e rrotull. Uri githnjë “në rradhë të parë” tek i cili mund të mbështeteshe. Uri me ndjeshmërinë e tij të thellë ndaj çdo vuajtje, ndaj çdo padrejtësie, Dhe i aftë për përdëllim. Një fjale që më bënte të mendoja për të sa heré që më vinte në mend.

Ishte një djalë me vlera, fjale e konsumuar dhe e përqeshur në vitet e fundit. Në botën tonë të copëtuar, mizore dhe cinike nuk është “prej të fortësh” të kesh parime. Apo të jesh njerëzor. Apo i ndjeshëm ndaj pafuqisë së tjetrit, edhe nëse ai tjetri është armiku yt në fushën e betejës.

Por unë mësova nga Uri se mund dhe duhet te jesh si njëri ashtu edhe tjetri. Se duhet të mbrojmë veten tonë dhe shpirtin tonë. Të këmbëngulim ta ruajmë nga tundimi i forcës dhe nga mendime thjeshtëzuese, nga shëmtimi i cinizmit, nga vulgariteti i zemrës dhe nga përçmimi i të tjerëve, që janë mallkimi i madh dhe i vërtetë i atij që jeton në një zonë tragjedie si tonën.

Ai kishte thjesht kurajën për të qenë vetvetja, gjithnjë, në çdo situatë, për të gjetur zërin e tij të saktë në gjithçka që thoshte dhe bënte, dhe pikërisht kjo e mbronte nga ndotja, nga shëmtimi dhe nga degradimi i shpirtit.

Uri ishte edhe një djalë komik, në mënyrë të pabesueshme zbavitës dhe i mprehtë dhe është e pamundur të flasësh për të pa sjellë disa “gjetje” të tijat. Për shembull, kur ishte trembëdhjetë vjeç, i thashë: përfytyro që ti dhe fëmijët e tu një dite do te mund të shkoni në hapësirë ashtu siç shkohet sot në Evrope. Dhe ai u përgjigj duke vënë bazën në gaz: “Hapësira nuk më tërheq shumë, mund ta gjesh gjithçka në tokë”.

Ose një herë tjetër, ndërsa udhëtonim me makinë, unë dhe Mihali flisnim për një libër të ri që kishte ngjallur shumë interes dhe përmendim shkrimtarë dhe kritikë. Uri, që atëherë ishte nëntë vjeç, na thirri nga ndenjësja e pasme: “Ej, ju, elitarët, ju lutem të vini re se këtu brenda është një vogëlush i thjeshtë që nuk kupton asgjë nga ato që thoni!”.

Ose për shembull Uri, të cilit i pëlqenin shumë fiqtë, me një fik të thatë në dorë: “Pa më thuaj pak, fiqtë e thatë janë ata që bënë mëkat në jetën e tyre të mëparshme? Apo akoma, një here kur isha i pavendosur në ta pranoja një ftesë në Japoni; Si mund të mos shkosh? A e di ti se çfarë do të thotë të jesh ne te vetmin vend ku nuk ka turistë japoneze”?

Miq në dashur, natën midis të shtunës dhe së dielës, në orën tre pa njëzetë, i ranë ziles se derës sonë. Në citofon thanë se ishin “oficeret qytetës”. Shkova ta hapja dhe mendova, ja jeta mbaroi.

Por, pas pesë orësh, kur unë dhe Mihali hymë në dhomën e Rutit dhe e zgjuam për t’i dhënë lajmin e tmerrshëm, Ruti, pas të qarave të para, tha “Por ne do të jetojmë, apo jo? Do të jetojmë si më parë. Unë dua të vazhdoj të këndoj në korr, të qesh si gjithnjë, të mësoj t’i bie kitarës”.

Ne e përqafuam dhe i thamë se do të jetonim. Dhe Ruti tha gjithashtu: ç’treshe e mahnitshme që ishim, Xhonatani, Uri dhe unë!

Dhe jeni vërtet të mahnitshëm. Si edhe çiftet brenda treshes Xhonatani, ti dhe Uri nuk ishit vetëm motër e vëllezër por shokë, në zemër dhe në shpirt. Kishit një botë tuajën, një gjuhë tuajën private dhe një ndjenjë tuajën të humorizmit. Ruti, Uri të donte si shpirtin. Me sa dashuri të drejtohej ty! Më kujtohet telefonata e tij e fundit, pasi shprehu lumturinë e tij për shpalljen në OKB-ë të pushimit të zjarrit, këmbënguli të fliste me ty. Dhe ti qave, pastaj. Njëlloj sikur ta dije ndërkaq.

Jeta jonë nuk mbaroi. Pësuam vetëm një goditje shumë të rëndë. Do ta gjejmë forcën për ta duruar brenda nesh, në të ndenjurit tonë së bashku, unë, Mihali dhe fëmijët tanë, si edhe gjyshi dhe gjyshet, që e donin Urin me gjithë zemër – “Neshama”, sepse ishte i gjithi Neshama’, shpirt – dhe ungit, kushërinjtë dhe të gjithë miqtë e shumtë të shkollës dhe të ushtrisë që na ndjekin me shqetësim dhe dashuri.

Dhe do ta gjejmë forcën edhe te Uri. Kishte forca që do të na mjaftojnë për jashtëzakonisht shumë vite. Drita që projektonte – e jetës, e fuqisë, e pafajësisë dhe e dashurisë – ishte aq e fortë sa do të vazhdojë të na ndriçojë edhe pasi ylli që e prodhonte, është shuar.

Zemra jonë, patëm privilegjin e madh të rinim me ty. minderit për çdo çast që ishe me ne.”

 Babi, mami, Xhonatani dhe Ruti.

Marrë nga libri “Shkrimtarët e Shekullit” i Rudina Xhungës./ KultPlus.com

Orhan Pamuk: Shqiptaret dashurojnë bukur, dashurojnë fort

Gazetarja Rudina Xhunga, kishte ecur në shumë vende për t’i intervistuar 31 shkrimtarët më të mëdhenj të këtij shekulli. Përmbledhja e këtyre intervistave në librin “Shkrimtarët e shekullit” nis me nobelistin e njohur turk Orhan Pamuk, prej të cilit gazetarja kishte nxjerrë edhe opinionin e njohuritë e tij për Shqipërinë, shkruan KultPlus.

Gazetarja Xhunga, derisa në intervistën e saj nxjerrë në dritë shumë nga puna dhe mënyra e krijimtarisë të autorit Pamuk, i cili përmes gazetares Xhunga rrëfehet për publikun shqiptar, Xhunga në këtë intervistë prezantohet me prejardhjen e saj, duke i kërkuar kështu nga shkrimtari që të ndaj mendimet e tij për Shqipërinë.

Ai ishte shprehur se di për periudhën e izolimit të Shqipërisë dhe se tani Shqipëria po ecën në rrugën e demokracisë. Ai në këtë intervistë tregon se disa nga çështjet e Shqipërisë i ka përfshirë edhe në krijimtarinë e tij letrare, duke thënë se intelektualë turq e kanë ndjekur Shqipërinë gjatë periudhave të ndryshme.

Krejt në fund gazetarja Xhunga e kishte pyetur për njërin nga personazhet e librit të tij të njohur “Stambolli”, personazh i cili paraqitet si dashuria e tij e parë, e që është një shqiptare. Pamuk e kishte arsyetuar këtë personazh me një përgjigje të shkurtër.

“Dhe përfund një pyetje që ka shkaktuar shumë kuriozitet te shqiptarët. Pse është një shqipate personazh i librit “Stambolli” si dashuria juaj e parë?”, ishte pyetja e gazetares Xhunga.
“Është një shqiptare, mbase, ngaqë shqiptaret dashurojnë bukur, dashurojnë fort”, ishte shprehur Pamuk gjatë intervistës./ KultPlus.com