‘Mëngjeset në kafe Rostand’ nga Kadare përkthehet në rumanisht

Vepra “Mëngjeset në kafe Rostand” nga Ismail Kadare është përkthyer në gjuhën rumane, shkruan KultPlus.

Ky përkthim vie nga shtëpia botuese “Humanitas” në Rumani, pas veprave “Kalorësi me skifter” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Pas frëngjishtes, tanimë rumanishtja është gjuha që ka më së shumti përkthime të Kadaresë.

Marius Dobrescu (Marius Dobresku) është i vetmi specialist i gjuhës shqipe që gëzon besimin dhe miratimin nga shkrimtari Ismail Kadare për të përkthyer veprën e tij. Duke ja vlerësuar punën, shkrimtari i shquar është shprehur se ai është: “përkthyesi më i mirë dhe më besnik i tij”.

Culture Tops shkruan: “Kadare e sheh jetën atje ku është: përtej mizorisë së diktaturës, censurës, ideologjisë, përtej zhdukjeve brutale, tradhtive të njerëzve dhe historisë, marifeteve të tmerrshme për mbijetesë. Intelektualët, të rinjtë, njerëzit e zakonshëm luajnë absurde duke marrë frymë në ajër të hapur. Filluar me qetësinë parisiene, kjo arratisje shpërndahet në një kronikë të shumëfishtë kujtimesh të shumta, në të cilën, ndër të tjera, Makbeth përballet me zyrën politike të stilit shqiptar.

The Guardian shkruan: “Kadare është një shkrimtar që shkëlqen në përshkrimin e gabimeve njerëzore dhe tmerreve. […] Lindur në Shqipëri, por i vendosur gjatë në Paris, ai është një nga të paktët autorë me famë ndërkombëtare që ka arritur të shmangë grackat dhe shkurtesat e rehatshme të një letërsie të pabesë postmoderne dhe ndër-kulturore dhe librat e të cilit mbeten vërtet origjinale, specifike, të pakëndshme”.

Ambasadori Ilir Tepelena e ka marrë veprën personalisht nga vetë përkthyesi. “Një tjetër kryevepër e Ismail Kadaresë vjen për lexuesin rumun – “Mëngjeset në Kafe Rostand”. Kënaqësi të merrja një prej kopjeve të para të botuara nga Humanitas, pikërisht prej Marius Dobrescu, përkthyesit të Kadaresë. Falë tij rumanishtja, pas frëngjishtes, është gjuha e dytë në të cilën është përkthyer më shumë shkrimtari i madh shqiptar”, shkruan ai në Facebook. / KultPlus.com