‘Gegë e Toskë, Malsi jallia…fund e maje nji a Shqipnija, e një gjuhë t’gjith na bashkon’

Poezi nga Ndre Mjeda

Përmbi za që lshon bylbili,
gjuha shipe m’ shum gullon,
përmbi erë që jep zymbyli,
pa da zemrën ma ngushllon.

Ndër komb’tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera,
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
janë të bukura me themel,
por prap kjo, si diell pa hije,
për mue t’ tanave iu del.

Geg’ e Toskë, Malsi jallia,
janë nji komb m’ u da s’ duron,
fund e maje nji a Shqipnija,
e një gjuhë t’gjith na bashkon.

Qoft mallkue kush qet ngatrrime,
ndër kta vllazën shoq me shoq!
kush e ndan me flak’ e shkrime
ç’ ka natyra vetë përpoq!/KultPlus.com

Hapet shkolla shqipe në Bolonja të Italisë

Në komunën Castenaso në provincën e Bolonjës në Itali, u inaugurua hapja e shkollës shqipe, një arritje e madhe për kombin dhe për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, përmes gjuhës shqipe.

Projekti lindi nga komuniteti shqiptar që banon në këtë zonë, me mbështetje të shoqatave si “Korabi” drejtuar nga Astrit Poti, sipërmarrësve dhe aktorëve të shumtë, bashkëndarës të synimeve primare të kësaj nisme.

Shkolla fillimisht do të ketë si seli ambientet e qendrës sociale “Casa Sant’Anna”, dhënë në përdorim nga Komuna e Castenasos.

Fjalimin e hapjes e mbajti Lauriana Sapienza, Këshilltare e Komunës së Castenasos për Politikat Sociale, Emigracionin dhe Inovacionin Digjital, e cila nënvizoi vlerat e çmuara kulturore dhe bukuritë natyrore të territoreve shqiptare. Ajo theksoi se kjo nismë ka vlera të mëdha dhe do kontribuojë jo vetëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare por edhe në përforcimin e miqësisë mes popujve.

Në inaugurimin e shkollës shqipe morën pjesë promotorët kryesorë: nga Roma, Lorik Cana, pasardhësi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, nga Venecia, Muharem-Marco Salihu, sipërmarrës i njohur si dhe personalitete të shquara nga Shqipëria, Kosova dhe arbëreshë.

Shoqata “Korabi”, me një numër të madh vullnetarësh mërgimtarë shqiptarë të dekadave të fundit, por edhe të atyre shekullore si arbëreshët e Italisë, është dëshmi e krenarisë kombëtare dhe e shpresës së integrimit në Evropë përmes përforcimit të identitetit dhe të vlerave kulturore shqiptare./atsh/KultPlus.com

“Shqipe” një serial dedikuar botës femërore nis së shpejti audicionet

Një serial ekskluzivisht vetëm me personazhe femra do të jetë shumë shpejt gati në duart e publikut.

Telegrafi mëson se një serial i ri i quajtur “Shqipe” është në përgatitje e sipër, dhe do të jetë një serial i dedikuar tërësisht botës femërore.

Zhanri i serialit do të jetë komedi edukative dhe do të trajtojë kontraditat tek gjeneratat e femrave dhe thashethemet mes femrave.

https://www.instagram.com/p/CIsJXp2h6KQ/?utm_source=ig_embed

Po të njëjta burime tregojnë se personazhet e serialit janë një familje shqiptare vetëm me pjesën femërore, pra: gjyshja, nëna e madhe dy vajzat e saj, nga e cila njëra është e martuar dhe tjetra e pamartuar, nusja shtëpisë, dy mbesat dhe kushërirat që do të jenë nga: Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora.

Audicionet do të mbahen në muajin janar të vitit 2021.

Njashtu kuptohet që edhe transmetimi i tij do të fillojë në vitin 2021 si një serial mbarëkombëtar, i quajtur “Shqipe” – një term mbarëkombëtar. /Telegrafi/KultPlus.com

Maqedoni: Miratohet projektligji për gjuhën shqipe

Parlamenti maqedonas, ka miratuar paraprakisht projektligjin për zgjerimin e përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe në të gjithë vendin.

Në leximin e parë, ligjvënësit votuan 66 me 41 në favor të projektligjit, që ka për qëllim lehtësimin e komunikimit të komunitetit shqiptarë në Maqedoni, me institucionet, komuna, spitale, gjykata, shkruan REL.

Para votimit, ligjvënësi, Ilija Dimovski, nga partia opozitare VMRO-DPMNE e ka përshkruar tekstin si jokushtetues dhe diskriminues ndaj gjuhës maqedonase dhe gjuhëve tjera.

Projektligji i propozuar duhet të kalojë më shumë lexime në legjislacion përpara se t’i dërgohet presidentit, Gjorge Ivanov, për nënshkrim.

Kryeministri, Zoran Zaev, ka premtuar për këtë ligj kur ai formoi koalicionin me partitë shqiptare.

Një veprim i tillë ka nxitur kritika nga VMRO DPMNE dhe të tjerët, që e kanë akuzuar Zaev për tradhëti të interesave kombëtare të Maqedonisë.

Ligji i tanishëm për gjuhët, e definon gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, por ajo mban këtë status vetëm në vendet ku komuniteti shqiptar përbën mbi 20 përqind të popullsisë.

Shqiptarët përbëjnë një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë, me 2.1 milion banorë, shumica e të cilëve jetojnë në jugperëndim, afër kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë./ KultPlus.com