Kur gjykatësja Ruth Bader Ginsburg vlerësoi kartolinat e vajzës shqiptare

Mijëra amerikanë nderuan këto ditë Ruth Bader Ginsburg e cila vdiq në moshën 87 vjeçare duke mbyllur një mandat 27-vjeçar në gjykatën më të lartë të vendit.

Statusi i saj si udhëheqëse e pakicës liberale të gjykatës, si dhe puna e saj për barazi ligjore për gratë dhe vajzat në të gjitha sferat e jetës, e bënë atë një ikonë kulturore të Amerikës. Një sipërmarrëse e re shqiptaro-amerikane e kujton atë nga një dimension disi më personal.

Xhensila Velencia e vendosi figurën e Ruth Bader Ginsburg-ut në kartolinat e kompanisë “The Card Bureau” qysh kur filloi biznesin e saj, e frymëzuar nga puna e gjykatëses për të drejtat e grave.

“Ajo ishte një shembull i jashtëzakonshëm për kaq shumë njerëz. Arsyeja që ne gratë sot kemi kaq të drejta është falë saj. Janë arritje që e bëjnë atë kaq frymëzuese. Për mua ajo ka shërbyer si një simboll për shpresë dhe drejtësi. E kam adhuruar gjithmonë. Kështu që thash ta përdor figurën e saj në kartolina dhe t’ua dërgoja njerëzve që ndoshta e pëlqenin si unë”.

Një ditë ajo merr një mesazh nga ndihmësja e gjykatëses Ginsburg në Gjykatën e Lartë, që siç shpjegon Xhensila, e gjeti të papërgatitur.

“Oh, mora një email ku më kërkohej të telefonoja zyrën e saj në Gjykatën e Lartë lidhur me kartolinat me portretin e saj. Më zuri paniku. Po shpresoja të mos e kisha ofenduar. Mendova ndoshta është e pakënaqur me kompozimin e kartolinave. Isha shumë nervoze kur i telefonova”.

Ndihmësja i tha se gjykatësja kishte marrë si dhuratë një nga kartolinat e saj, i kishte pëlqyer shumë dhe donte të porosiste disa për t’ua dërguar miqve dhe familjes.

“Pikë së pari, u lehtësova jashtë mase. Thash me vete, i krijova këto kartolina pa menduar se ajo do t’i shikonte ndonjëherë. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme që Ruth Bader Ginsburg dinte për to dhe donte të porosiste”.

Gjykatësja i ktheu një nga kartolinat Xhensilës me një mbishkrim duke e falenderuar për punën e saj. Komunikimi me Ruth Bader Ginsburg erdhi në periudhën më vendimtare për të.

“Kisha dyshime në se duhet ta vazhdoja këtë biznes apo të kthehesha në profesionin tim si gazetare. Por kur mora miratimin e saj, më dha besimin për të vazhduar këtë rrugë. Është e mahnitshme sesi një njeri si Ginsburg që ka punuar kaq shumë në një nivel të gjerë për avancimin e grave, arriti të ishte kaq pranë meje në nivel individual për të më ndihmuar të përparoja”.

Ruth Bader Ginsburg porosiste kartolinat e saj gati dy herë në vit. Herën e fundit që porositi thotë Xhensila, ishte para dy muajsh. Një prej tyre mesa duket ishte për kolegun e saj, anëtarin e Gjykatës së Lartë Stephen Breyer i cili kishte ditëlindjen dy javë më parë.

Përveç kartolinës me mbishkrimin e saj Ruth Bader Ginsburg i dërgoi Xhenit edhe një kopje të librit të saj “My Own Words”, një gjest që Xhensila thotë se ishte momenti më i gëzuar në jetën e saj.

“U gëzova jashtë mase. Ajo ishte një shembull model për mua. Ndonjëherë takon njerëz të famshëm në jetë që ndoshta i ke menduar ndryshe dhe të zhgënjejnë kur i ke pranë. Por ajo ishte ashtu siç e mendonin njerëzit, dhe siç e kisha edhe unë në mendje”.

Në fillimet e biznesit të saj, kartolinat me simbolin e RBG-së ishin vështirë të shiteshin pasi njerëzit nuk dinin shumë për të.

“Isha në gjendje të shisja kartolinat e saj vetëm në DC, ndoshta pak në Nju Jork por jo më tutje. Ua tregoja dyqaneve dhe më thoshin – nuk e dimë kush është. Por sot ne shesim artikuj me figurën e saj në vende si Gjermania, Australia, Rusia. Pra fama e saj u përhap jo vetëm në mbarë vendin por edhe në pjesë të ndryshme të botës”.

Që nga vdekja e gjykatëses Ginsburg, shitjet e artikujve me simbolin RBG të kompanisë “The Card Bureau” janë rritur ndjeshëm, duke kaluar nga 60 apo 70 porosi në një ditë tipike, në 400 në ditë javën e kaluar.

Për të nderuar kujtimin e gjykatëses Ginsburg, Xhensila thotë se do të dhurojë gjysmën e fitimeve nga shitjet e produkteve të saj për Projektin për të Drejtat e Grave, të cilin gjykatësja Ginsburg e themeloi në vitin 1972 si avokate me Unionin Amerikan të Lirive Civile.

Ruth Bader Ginsburg varroset të martën në një ceremoni private në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Fama e saj pritet të rritet ndërsa gratë do të vazhdojnë ta kujtojnë, për shumë të drejta që gëzojnë, falë punës së saj. /zeriiamerikes/ KultPlus.com

Washingtoni nderon gjykatësen Ruth Bader Ginsburg me mural

Shumë amerikanë ende janë të pikëlluar nga vdekja e anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg. Në të gjithë vendin janë krijuar pika përkujtimore në nderim të saj.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anush Avetisyan, ka folur me vizitorë tek një mural në Uashington, dedikuar gjykatëses:

“Është letra më e rëndësishme e një jete të tërë. Letra më e shkurtër dhe kuptimplotë që kam marrë,” thotë Lisa Wise, shefja ekzekutive e një kompanie në Uashington.

Gjykatësja Ruth Bader Ginsburg ia dërgoi këtë letër sipërmarrëses Lisa Wise, pjesëtare e komunitetit LGBTQ.

Në 2019 ajo vendosi t’i dedikonte Ginsburgut një pikturë në faqen e murit të ndërtesës ku ndodhet firma e saj.

Por, zonja Wise nuk e mendonte që Ginsburg do ta shihte nga afër muralen, apo se do ta falënderonte personalisht.

“Si grua, si themeluese e një firme, si sipërmarrëse, vlerësoj rrugën që ajo hapi dhe të drejtat që na garantoi e që gratë kudo në Shtetet e Bashkuara gëzojnë, jo thjeshtë për të arritur sukses, por për ta hapur këtë mundësi për gra nga të gjitha shtresat e ngjyrat,” thotë zonja Wise.

Vetë gjykatësja ishte një grua shtatvogël, por murali mbulon dy kate të ndërtesës në rrugën popullore “U Street” të kryeqytetit amerikan.

Pas vdekjes së zonjës Ginsburg, mijëra vetë kanë ardhur për të parë murin e zbukuruar në nderim të saj, kanë lënë lule e kanë ndezur qirinj për të kujtuar veprën e saj.

“Për mua kishte shumë rëndësi që të vija me vajzën këtu. Kemi marrë pjesë së bashku në marshime për të drejtat e grave dhe dua që ajo ta kuptojë sa gjëra të mëdha realizoi kjo grua dhe përse sot gëzojmë liritë dhe të drejtat që kemi si gra,” thotë Jennifer Flim, banore e Uashingtonit.

“Dua të nderoj kujtimin dhe veprën e saj sepse ajo dha aq shumë për mua dhe brezin tim,” thotë Zoe Flim, banore e Uashingtonit.

“Pas lajmit për vdekjen e saj, të gjithë u ndalëm për të reflektuar jo vetëm për ndryshimet e mëdha që ajo bëri të mundura për grupet e harruara dhe të keqkuptuara të Amerikës, por edhe për shpresën dhe vullnetin që u tregoi të rejave, se mund të arrijnë çdo gjë që ëndërrojnë,” thotë Kerry Hardy, banor i Merilandit.

Murali është vepër e artistes Rose Jaffe. Pas vdekjes së gjykatëses ajo lexoi shënime të lëna pranë murit:

“Një nga shënimet që më pëlqeu shumë thoshte: ‘Ruth Bader Ginsburg, ju e meritoni të preheni në paqe! Stafetën e kemi ne tani!’ Më pëlqeu sepse thotë që zonja Ginsburg ka bërë kaq shumë, e meriton të prehet tani dhe e kemi radhëm ne që të tregojmë forcën tonë,” thotë artistja. /voa/ KultPlus.com

Ruth Bader Ginsburg, gruaja e parë që i bëhen homazhe shtetërore në Kongres

Trupi i gjykatëses së ndjerë të Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara, Ruth Bader Ginsburg, u dërgua për homazhe shtetërore në ndërtesën e Kongresit amerikan.

Kjo është hera e parë në histori që nderimi i tillë i bëhet një gruaje.

Homazhi shtetëror është tradita kur trupi i pajetë i një zyrtari vendoset në një ndërtesë shtetërore, për t’i mundësuar publikut që t’i japë nderimet.

Ruth, ikonë liberale, ka vdekur javën e kaluar nga kanceri në pankreas, pas 27 vjetësh shërbim në gjykatën më të lartë të SHBA-së.

Mijëra njerëz i kanë bërë homazhe derisa arkivoli i saj ka qenë i vendosur jashtë ndërtesës së Gjykatës Supreme, këtë javë.

Ginsburg, e cila ka vdekur në moshën 87-vjeçare, ka qenë mbështetëse e zëshme e barazisë gjinore dhe e të drejtave civile.

Ajo është mitizuar nga liberalët dhe feministët si udhëheqëse që thyen barriera.

Ruth do të varroset javën e ardhshme në një ceremoni private në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. / KultPlus.com

Amerikanët nderojnë gjyqtaren Ginsburg

Në afërsi të ndërtesës së Gjykatës së Lartë qytetarë të shumtë bënë homazhe në nderim të gjyqtares Ruth Bader Ginsburg. Ajo do të kujtohet gjithmonë si një zë i fuqishëm që ia kushtoi jetën drejtësisë.

Qirinj, lule dhe punime dore rrethuan objektin e Gjykatës së Lartë në nderim të gjyqtares Ruth Bader Ginsburg e cila vdiq të premten.

Lajmi më tronditi”, shprehet një qytetare.

Ndërsa shëndeti i zonjës Ginsburg ishte përkeqësuar viteve të fundit, vdekja e saj tronditi shumë amerikanë… përfshirë edhe Presidentin Donald Trump.

“Ajo kishte një jetë të mahnitshme. Çfarë mund të thuash tjetër? Ajo ishte grua e mrekullueshme që jetoi mahnitshëm. Jam vërtetë i trishtuar të dëgjoj lajmin për vdekjen e saj”, tha Presidenti Trump.

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, tha se ajo nuk ishte vetëm profesioniste e madhe në drejtësi por edhe një figurë e dashur.​

“Ajo praktikoi idealet më të larta amerikane si barazia dhe drejtësia para ligjit. Ajo na mbrojti të gjithëve”, tha Biden.

“Nuk njoh ndonjë grua që nuk ndikohet nga kjo”, tha studentja e drejtësisë, Sarah Finley.

Mbrojtja që Ginsburg u bëri të drejtave të grave, përveç shkëlqimit në drejtësi e bëri atë ikonë të kulturës pop.

Emri i saj si ikonë kulture u rrit kur u mësua praktika e saj e ushtrimeve në palestër përkundër moshës… diçka që vazhdoi edhe gjatë pandemisë së koronavirusit.

Nderime për gjyqtaren u organizuan edhe në Bruklin të Nju Jorkut, në lagjen ku ajo u rrit.

“Jetojmë këtu për 47 vite dhe çdo vit dëgjojmë për emrin e saj. Ajo nuk është harruar”, thotë William Brenneisen, banues në lagjen ku Ginsburg kaloi fëmijërinë.

Ajo ndërroi jetë në prag të vitit të ri të hebrenjve, diçka që vlerësohet nga ky komunitet. Por janë veprat e saj për të drejtat e grave, arsyeja që ajo do të mbahet mend.

“Ajo u ngrit për gratë. Ajo nuk u lëkund lehtë. Ajo kishte interesin e njerëzve në zemrën e saj. Ajo e shihte botën ndryshe nga shumë burra. Kam shumë respekt për të“, tha Brigitte Wake, qytetare që nderoi Ginsburg.

Gjyqtarja Ginsburg do të prehet në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë bashkëshortit të saj Marty, i cili vdiq në vitin 2010./ KultPlus.com

‘Për shumicën e grave të cilat rritëshin në vitet e 40-ta titulli më i rëndësishëm nuk ishte diploma, por të jesh e martuar’

Nga Sarandë B. Rugova

Ruth Bader Ginsburg  vdiq dje në moshën 87 vjeçare. Ishte gjyqtarja e dytë grua në  histori e cila shërbeu në Gjykatën Supreme të  Shteteve të  bashkuara. Që nga viti 1993 u bë zëri i fuqishëm i drejtësisë  për barazi gjinore, interesin e gruas dhe të  drejtat civile si dhe liritë.

 Duke qenë e hapur në  lidhje me sfidat, diskriminimin gjatë  rrugëtimit të  saj profesional, ne kemi kuptuar shumë  për jetën e Ginsburg dhe realitetin e vështirë  të  viteve të 90-ta apo edhe të padrejtësive të mëhershme me të cilat përballëshin gratë, ato që luftonin për edukim dhe pavarësi.

Gjatë studimeve të saj në  Shkollën e Drejtësisë së  Harvardit, Ruth Bader Ginsburg rrëfen se si ishte një nga nëntë  gratë  në  mesin e pesëqind studentëve burra. Ato gjykoheshin dhe akuzoheshin për profesion që kishin zgjedhur, për të cilin nuk mund të jetë  e mjaftueshme një  grua dhe natyra e të cilit është e krijuar vetëm për fuqinë një burri. Diskriminimi kishte shkuar edhe mëtej, ku studenteve nuk u lejohej të shfrytëzonin degët e njëjta  të  bibliotekës të  cilat përdoreshin nga studentat mëshkuj.

 Gjyqtarja Ginsburg qysh në fillimet e saja kishte qenë  konsistente në  qendrimin e saj, studioi në  universitete më  prestigjoze të të  gjitha kohërave, Harvard dhe Columbia, dhe si një  grua e etur për dije dhe edukim, si grua me qëllim për të  ndryshuar botën e egër të  pabarazisë  si dhe për të  cunguar atë jodemokratike. Andaj, me shkollimin e lartë dhe si një figurë e  pamposhtur, jo vetëm që  arriti qëllimin e saj për të  udhëhequr një  sistem të  tërë  gjyqësor në  shtetin më  të  fortë  të botës, por edhe bëri revolucion në sistemin e drejtësisë, i dha kahje krejtësisht tjetër, ngriti figurën e gruas dhe theu barrierat e pabarazisë gjinore.

‘Në të pesëdhjetat, kompanitë tradicionale të drejtësisë vetëm sa kishin filluar të  punësojnë  hebrejë…Por, të  jesh grua, hebre, dhe nënë, ky kombinim ishte diçka edhe më shumë.’, ishte shprehur Ginsburg.

Edhe në moshë  të  shtyrë, deri në  moshën 86 vjeçare ka vazhduar të  punoj për barazi gjinore, si gjyqtare në  Gjykatën Supreme. E pakënaqur me presidentin aktual, Donald Trump, një  ditë  para vdekjës la një  deklaratë  në  të  cilën shkruan që  mos të  zëvendësohet nga asnjë gjyqtar deri sa të zgjidhet Presidenti i ri.

Më poshtë ua sjellim disa nga deklaratat më të  fuqishme dhe inspiruese të Ruth Bader Ginsburg.

‘Nëna ime më ka thënë vazhdimisht dy gjëra. Njëra ishte që të  bëhëm një zonjë, dhe tjetra që  të  jem e pavarur. Të studiosh për drejtësi ishte e pazakonshme për gratë e gjeneratës sime. Për shumicën e grave të  cilat rritëshin në  vitet e 40-ta titulli më  i rëndësishëm nuk ishte diploma, por të jesh e martuar.’

‘Andaj, tani përceptimi është po, gratë janë këtu për të qëndruar. Dhe kur më pyesin ndonjëherë ‘Kur do të jenë  mjaft gra në  Gjykatën Supreme?’ e unë përgjigjem ‘Kur të  jenë  nëntë,’ata shokohen. Por, kur janë  nëntë  burra, askush nuk e bën asnjë pyetje për ata.”

‘Disidentët flasin për një  epokë  të  ardhshme. Nuk është e thjeshtë  për të  thënë, ‘Kolegët e mi janë gabim dhe unë  do ta bëja në  këtë  mënyrë.’ Por, mosmarrëveshjet e mëdha bëhen mendime të  gjykatës dhe gradualisht me kohën këndvështrimet e tyre shëndërrohen në këndveshtrime dominante. Pra, kjo është shpresa e kundërshtarit: që ata nuk janë  duke shkruar për sot, por për të  nesërmën.’

‘Kërcënimi më i madh i lirisë  është  një  popull i dobët; diskutimi publik është  dëtyrë  e politikës: dhe kjo duhet të  jetë  parimi fundamental i qeverisë amerikane.’

‘Feminizmi…mendoj shpjegimi më i thjeshtë dhe njëri që e përfshi këtë ide, është  kënga të  cilën e këndon Marlo Thomas, ‘Të  lirë  të  jemi unë  dhe ti.’ Të  lirë  të  jemi, nëse ti je grua – doktoreshë, avokat, shef indian. Çkado që  ti dëshiron të jesh. Dhe nëse je djalë, dhe të  pëlqen të jesh mësues, infermerier, do të të pëlqente të  kesh një  kukull, kjo është  në  rregull gjithashtu. Nocioni që  secili duhet të jemi të  lirë  të  zhvillojmë  talentin tonë, çkado që  mund të  jetë ai, dhe mos të  jemi të ndaluar nga barrierat artificiale – barrierat e krijuara nga njeriu, sigurisht jo të  dërguara nga qielli.’

‘Do të doja të kishte një mënyrë që të mund të tundja një shkop magjik dhe ta vendosja përsëri kur njerëzit ishin të respektueshëm ndaj njeri-tjetrit dhe Kongresi ishte duke punuar për të  mirën e shtetit dhe jo sipas vijave të  partisë . Një ditë  do të  ketë  njerëz të  mirë, përfaqësues të mirë të  zgjedhur të  cilët do të  thonë, ‘mjaft me këtë  budallallëk, le të  jemi lloji i legjislaturës të  cilën Shtetet e Bashkuara duhet ta kenë.’ Shpresoj ajo ditë  do të  vijë  derisa unë  të  jem ënde gjallë.’ / KultPlus.com