“Andrrat e thyera” në zemër të Prishtinës, u dedikohet grave të vrara nga burrat

Arti është mjeti më i mirë për të reaguar ndaj problemeve shoqërore.

Prishtinës i është shtuar një mural i ri përmes së cilit synohet të ngritet vetëdija për vrasjen e grave dhe dhunën me bazë gjinore.

“Andrrat e thyera” u dedikohet të gjitha grave dhe vajzave që janë vrarë nga burrat apo partnerët e tyre.

Veprat e tilla të artit janë një mënyrë e fuqishme për të bërë të dukshme çështjen e vrasjeve të grave, dhe për të sfiduar normat dhe stereotipet që e justifikojnë dhunën e që janë të rrënjosura thellë në sistemin patriarkal në Kosovë.

Murali është realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore së bashku me artisten/piktoren e mirënjohur Fitore Berisha Alisdottir, ndërsa projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe UN Women. / KultPlus.com

Ledia Kostandini vendos një mural shqiptar në zemër të Brukselit (FOTO)

Në kuadër të festivalit “Balkan Trafik”, një mural i ri i artistes shqiptare Ledia Kostandini u zbulua ditën e premten në Brandhoutkaai në Vismarkt.

Vepra e artit tashmë pjesë e qytetit të Brukselit është e vendosur në Parcours Street Art.

Vepra mban emrin ‘Wink’ dhe i referohet bashkëpunimit të Bashkimit Evropian me vende jashtë unionit, si Shqipëria. Në të njëjtën kohë, është një pasqyrë e kryeqytetit shqiptar, Tiranës, kryeqytetit evropian të të rinjve të këtij viti.

Muralja tregon sytë që notojnë në një qiell blu. Sytë vezullojnë dhe shikojnë kalimtarët e Brukselit me ndjenja dashurie dhe solidariteti. Artistja thotë se për të realizuar këtë vepër u frymëzua nga René Magritte.

“Është një nderim për Magritte. Ai ka qenë gjithmonë një referencë për mua”, thotë Kostandini. “Për mua është një referencë për pasqyrat e tij false ku ka një lidhje mes shikuesit dhe subjektit. Sytë shikojnë njerëzit, por njerëzit e shohin edhe frymëzimin tim nga Tirana në sy”, shpjegon artisti.

Ky mural, i pesti i Balkan Trafik është rezultat i një bashkëpunimi midis qytetit të Brukselit, Balkan Trafik dhe Komisionit Evropian. Në këtë mënyrë, edhe qyteti i Brukselit përpiqet të punojë në diversitetin dhe të rrisë dukshmërinë e grave në hapësirën publike.

Festivali Balkan Trafik do të zhvillohet javën e ardhshme nga 28 prilli deri më 1 maj në De Brouckèreplein./diasporashqiptare/ KultPlus.com

La punën si mekanik për t’u bërë artist i muraleve festive dhe prodhoi magji (FOTO)

Pandemia ka ndikuar që vendet e punës nëpër botë të pësojnë ndryshime, e në të njëjtën kohë të hapen edhe shumë vende të reja pune, transmeton KultPlus.

Scott Wilcock, la punën e tij si mekanik për të ndjekur artin me kohë të plotë në pandemi pasi mori një reagim dërrmues nga fqinjët e tij dhe klientët e tjerë për pikturat e tij me spërkatje bore dhe artin e furçës së ajrit.

Ai ka bërë krijimin e disa figurave dhe dizajneve të ndryshme për festat që kanë qenë këtë vit.

34 vjeçari ka krijuar shumë murale për njerëzit, duke filluar nga tema të ndryshme, si dizajne për festat e Halloween dhe Krishtlindjeve.

Njëra ndër skenat më të famshme që ai krijoi, ishe pikërisht ajo nga filmi Home Alone dhe gjithashtu edhe Miracle on 34th Street, Elf and the Grinch. /KultPlus.com

Scott Wilcock - Snow Graffiti - movie mural
Scott Wilcock - Snow Graffiti

Dëmtohet murali ku nderohet George Floyd

Një mural që nderon George Floyd, Breonna Taylor dhe Ahmaud Arbery në Portland u vandalizua nga mbështetësit e një grupi urrejtës nacionalist të bardhë, tregojnë fotot.

Artisti që krijoi muralin “We Stand With You” të Floyd, Taylor dhe Arbery vitin e kaluar zbuloi dëmin e lënë pas nga mbështetësit e Frontit Patriot me bazë në Teksas., duke treguar tre fytyrat e tyre të mbuluara me bojë të bardhë dhe të zëvendësuara nga adresa e faqes së internetit të grupit të urrejtjes, transmeton KultPlus.

“Unë jam i trishtuar, i hutuar dhe i humbur për fjalët se sa urrejtje dhe injorancë është në komunitetin tonë,” shkroi Christian Grijalva.

“Që urrejtësit supremacistë të bardhë të vijnë të vandalizojnë dhe prishin pikturën time murale dhe muralin e komunitetit thjesht më trondit mendjen.”/ KultPlus.com

Gjimnazi në Deçan, shkolla ku dituria dhe arti gërshetohen mes vete

Suada Qorraj

Muret e brendshme të Gjimnazit ‘Vëllezërit Frashëri’ në Deçan ka kohë që janë mbushur me piktura e murale. Por, tashmë një gjë e tillë është jetësuar edhe në muret e jashtme të kësaj shkolle, duke i dhënë kështu gjallëri, por dhe një hijeshi ndryshe vendit ku gjithsecili kalon, apo dikur ka kaluar një pjesë të jetës, shkruan KultPlus.

Ishte pikërisht profesoresha e artit figurativ, Djellëza Carrabregu, e cila në bashkëpunim me nxënësen e saj, Dea Cacaj, për dhjetë ditë punë intensive ka përfunduar pikturimin e muralit që gjendet në muret e jashtme të kësaj shkolle.

Në një intervistë për KultPlus, Carrabregu ka treguar se murali përbëhet nga elemente të ndryshme që vënë në pah një mesazh të vetëm, me poçin elektrik që lidhet me inteligjencën e idetë, por mbi të gjitha me errësirën që zhduket.

“Në këtë mural kemi paraqitur disa elemente të ndryshme të cilat mbartin me vete një mesazh. Ajo që theksohet më shumë dhe vihet në pah është poçi elektrik të cilin e kemi paraqitur për shkak të lidhjes së tij me inteligjencën dhe idetë. Kur krijohet një ide e shkëlqyeshme, llampa ndizet. Nuk ka më errësirë dhe gjithçka është e ndritshme. Pastaj, këtu kemi paraqitur disa elemente që përfaqësojnë shkencat e natyrës si fizikën, biologjinë, kiminë dhe ato shoqërore si historinë, gjeografinë si dhe matematikën e gjuhën shqipe.

Ndërsa, truri është i vendosur mu në mes të llampës, pikërisht aty ku ndriçon llampa, për arsyen se të gjitha njohuritë që i marrim nga këto lëndë bëjnë që truri ynë të pasurohet me njohuri të reja”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka treguar se qëllimi kryesor për krijimin e këtij murali është që të përcjellin një mesazh tek nxënësit për të ju treguar se drita e së ardhmes gjendet brenda mendjes së tyre.

“Ideja dhe qëllimi kryesor ishin që të sjellim një pamje të bukur për ambientin e shkollës, mirëpo edhe të përcjellim një mesazh tek nxënësit, që drita e të ardhmes së tyre gjendet brenda mendjes së tyre qoftë për shkencë, art apo edhe histori”, ka shtuar ajo.

Profesoresha tregon për KultPlus se ky nuk është murali i parë që ka marrë jetë në këtë shkollë. Sipas saj tashmë ka një numër të madh të muraleve që janë jetësuar, tashmë nga ish nxënësit e kësaj shkolle, Aglentina Aliçkaj dhe Blerim Tahiraj.

Muralet e pikturuara nga këta dy nxënës shfaqin, Albert Ajshtajnin dhe hënën t’përhumbur në mes të natës. Ky mural madje shoqërohet edhe me thënien “Mos humbisni hënën duke numëruar yjet”.

Për profesoreshën realizimi i këtij murali nga ana e saj dhe e nxënëses së saj, mirëpo edhe muralet e mëhershme, nuk do të mund të realizoheshin pa ndihmën e shkollës dhe drejtorit të shkollës.

“Sigurisht, pa mbështetjen e shkollës dhe stafit udhëheqës ky mural nuk do të ishte realizuar pasi që mjetet të cilat kanë qenë jashtë fushës sonë janë siguruar nga drejtori i shkollës, Hamid Qorraj, duke u nisur nga punimet artistike të mëparshme brenda shkollës. Pritshmëria ka qenë shumë e madhe, sapo kemi filluar punën mendoj që ju ka pëlqyer si stafit mësimor ashtu edhe nxënësve”, vazhdon rrëfimin e saj Carrabregu.

Krejt në fund, Djellëza Carrabregu, ka pohuar se puna e një artisti nuk fillon dhe nuk përfundon asnjëherë me një punim, apo krijimin e një pamje të bukur në shkollë, duke shtuar se do të vazhdojnë me punime të tilla edhe në të ardhmen./ KultPlus.com

Rita Ora mahnitet me muralin e saj të bërë në ndërtesën e lartë në Ferizaj

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora, ka shpërndarë në Instastory një fotografi të një ndërtese në Ferizaj, ku shihet murali me foton e saj.

Në këtë fotografi, Rita ka të veshura veshjet tradicionale, me të cilat ka realizuar videoklipin e saj të fundit.

“Më keni lënë gojëhapur”, ka shkruar Rita në përshkrimin e fotografisë që ka shpërndarë.

Kjo veshje e Ritës ka bërë krenarë shumë shqiptarë, të cilët i kanë dhënë mijëra pëlqime e komente në rrjetet sociale.

Të shumtë kanë qenë ata që fotografitë e Ritës me veshje tradicionale i kanë shpërndarë në profilet e tyre, duke shkruar se Rita është krenaria e Kosovës.

Ndryshe, Rita Ora, e cila tashmë njihet botërisht për muzikën dhe zërin e saj, nuk ngurron asnjëherë të flasë për vendlindjen e saj Kosovën.  /KultPlus.com

Arsimtarja së bashku me nxënësit jetësojnë muralin në muret e shkollës ‘Zenit’ të Prugocit

Suada Qorraj

Puna disa ditore e nxënësve dhe arsimtares së tyre ndryshoj pamjen e mureve të shkollës ‘Zenit’ në fshatin Prugoc të Komunës së Prishtinës. Shumëllojshmëria e ngjyrave, udhëtimeve dikur të përjetuara, të përditshmën e tyre, të bukurën e secilit moment të jetuar e sollën nëpërmjet muralit që tashmë ka zënë vend në muret e shkollës, shkruan KultPlus.

Ishte mësuesja e artit figurativ Harisa Rexhepi e cila së bashku me nxënësit e saj, Hasime Gërxhaliu, Orgesa Spanca, Ermira Hoti, Ernira Plakolli, Ardea Sahiti, Valentino Berisha dhe Andit Sylevica punuan për pesë dië me radhë që të krijonin muralin e parë në shkollën e tyre.

Në një prononcim për KultPlus arsimtarja e artit figurativ në shkollën ‘Zenit’,  Harisa Rexhepi ka treguar se murali në vetvete përmbanë ndërthurjen e udhëtimeve të nxënësve, kohës së tyre në shkollë dhe secilit moment të mirë që përjetojnë.

“Murali është realizuar në kabinetin e artit dhe ka dimensionet 4m x 1.80m. Murali ndërthur mes vete udhëtimet, hobit që ata kanë dhe pëlqejnë, po ashtu kohën e tyre që kalojnë në shkollë, si dhe momentet e bukura që përjetojnë”, pohoi Rexhepi.

Tutje ajo ka shtuar se krijimi i muraleve për të ka filluar qysh në kohën kur ishte fëmijë, kurse sot këtë e përcjellë, por dhe realizon së bashku me nxënësit e saj. Sipas arsimtares izolimi që solli pandemia vuri dhe më në pah rëndësinë e artit, si çlirim nga emocionet negative dhe ndjësisë e të qenit i lirë.

Arsimtarja ka pohuar se shkolla ka mbështetur atë dhe nxënësit e saj si nga ana morale ashtu edhe nga ajo financiare, duke ju dhënë kështu hapsirë nxënësve që të shprehin veten e tyre.

Krej në fund Harisa Rexhepi ka thënë se në shkollën ‘Zenit’ do të realizohen edhe murale të tjera në kabinetet e shkollës si qëllim që vet lënda të bëhet më zbavitëse.

“Shkolla ka shumë kabinete dhe së pari mendojnë në secilin kabinet të punohen punime artistike që i përkasin asaj lënde pasi që edhe vet lënda bëhet më zbavitëse kur në kabinet ka punime shumë ngjyrëshe, punimet tona kanë veçorinë e tyre pasi që kanë shumë ngjyra të ndezura që ndikojnë në emocionet e fëmijëve në mënyrë pozitive”, ka përfunduar arsimtarja Rexhepi./ KultPlus.com

Artistët në Filipine krijojnë mural në përvjetorin e vdekjes së Kobe Bryant

Tifozët filipinas të basketbollit në Manila krijuan një pikturë murale masive për të nderuar Kobe Bryant dhe vajzën e tij Gianna të martën për t1i përkujtuar në përvjetorin e parë të vdekjes.

Artistëve të ndërtesës së Tenement iu deshën katër ditë për të përfunduar muralin për shkak të shiut. Ata bën plane për ta bërë gati dizajnin mural që nga viti i kaluar, tha artisti Jerry Gabo.

Bryant ishte i dashur për shumë tifozë filipinas si një nga më të mirët që ka luajtur ndonjëherë basketboll, raporton AP, transmeton KultPlus.

Karriera e tij ishte e jashtëzakonshme për jetëgjatësinë e saj dhe sepse ai luajti të gjitha 20 sezonet me Los Angeles Lakers – më e madhja për një skuadër.

Ai ishte 18-herë All-Star,  dy herë medalist i artë olimpik dhe lojtari më i vlefshëm i NBA-së në 2008-ën.

Bryant, vajza e tij dhe 7 persona të tjerë vdiqën në një aksident me helikopteri më 26 janar 2020. / KultPlus.com

“Shtojzovalle”, murali që sjell artistikisht gruan në hapësirë publike

Gruaja merr banim artistikisht në muralin e titulluar “Shtojzovalle” të punuar nga Sabri Behramaj në qytetin e Mitrovicës, shkruan KultPlus.

Ky mural i cili nëpërmjet artit ngrit edhe një herë vëmendjen për gruan në qytetin e minatorëve, u realizua në kuadër të Festivalit të Letërsisë “Zana” nga Fondacioni Dhemetra. I punuar mjeshtërisht nga Behramaj, ky mbetet murali i tij i parë në hapësira publike të Mitrovicës për sulptorin e këtij qyteti.

Punimi “Shtojzovalle” ka sjellë ngjyra, vibrim, eho këngeje e tinguj grash në vallëzim në një hapësirë ku rindërtimi i qytetit, akoma na prezantohet vrazhdë”, thuhet në njoftim.

Ky aktivitet u përkrahë nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, Green Fest 10, si dhe SHFMU “Anton Zako Çajupi” në Mitrovicë. / KultPlus.com

Washingtoni nderon gjykatësen Ruth Bader Ginsburg me mural

Shumë amerikanë ende janë të pikëlluar nga vdekja e anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg. Në të gjithë vendin janë krijuar pika përkujtimore në nderim të saj.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anush Avetisyan, ka folur me vizitorë tek një mural në Uashington, dedikuar gjykatëses:

“Është letra më e rëndësishme e një jete të tërë. Letra më e shkurtër dhe kuptimplotë që kam marrë,” thotë Lisa Wise, shefja ekzekutive e një kompanie në Uashington.

Gjykatësja Ruth Bader Ginsburg ia dërgoi këtë letër sipërmarrëses Lisa Wise, pjesëtare e komunitetit LGBTQ.

Në 2019 ajo vendosi t’i dedikonte Ginsburgut një pikturë në faqen e murit të ndërtesës ku ndodhet firma e saj.

Por, zonja Wise nuk e mendonte që Ginsburg do ta shihte nga afër muralen, apo se do ta falënderonte personalisht.

“Si grua, si themeluese e një firme, si sipërmarrëse, vlerësoj rrugën që ajo hapi dhe të drejtat që na garantoi e që gratë kudo në Shtetet e Bashkuara gëzojnë, jo thjeshtë për të arritur sukses, por për ta hapur këtë mundësi për gra nga të gjitha shtresat e ngjyrat,” thotë zonja Wise.

Vetë gjykatësja ishte një grua shtatvogël, por murali mbulon dy kate të ndërtesës në rrugën popullore “U Street” të kryeqytetit amerikan.

Pas vdekjes së zonjës Ginsburg, mijëra vetë kanë ardhur për të parë murin e zbukuruar në nderim të saj, kanë lënë lule e kanë ndezur qirinj për të kujtuar veprën e saj.

“Për mua kishte shumë rëndësi që të vija me vajzën këtu. Kemi marrë pjesë së bashku në marshime për të drejtat e grave dhe dua që ajo ta kuptojë sa gjëra të mëdha realizoi kjo grua dhe përse sot gëzojmë liritë dhe të drejtat që kemi si gra,” thotë Jennifer Flim, banore e Uashingtonit.

“Dua të nderoj kujtimin dhe veprën e saj sepse ajo dha aq shumë për mua dhe brezin tim,” thotë Zoe Flim, banore e Uashingtonit.

“Pas lajmit për vdekjen e saj, të gjithë u ndalëm për të reflektuar jo vetëm për ndryshimet e mëdha që ajo bëri të mundura për grupet e harruara dhe të keqkuptuara të Amerikës, por edhe për shpresën dhe vullnetin që u tregoi të rejave, se mund të arrijnë çdo gjë që ëndërrojnë,” thotë Kerry Hardy, banor i Merilandit.

Murali është vepër e artistes Rose Jaffe. Pas vdekjes së gjykatëses ajo lexoi shënime të lëna pranë murit:

“Një nga shënimet që më pëlqeu shumë thoshte: ‘Ruth Bader Ginsburg, ju e meritoni të preheni në paqe! Stafetën e kemi ne tani!’ Më pëlqeu sepse thotë që zonja Ginsburg ka bërë kaq shumë, e meriton të prehet tani dhe e kemi radhëm ne që të tregojmë forcën tonë,” thotë artistja. /voa/ KultPlus.com

Junikut i shtohet murali “Rinia ndërton ura”

Parkut ‘Moronica’ në Komunën e Junikut i është shtuar edhe murali “Rinia ndërton Ura”. Ky mural shpreh bashkëpunimin, paqen dhe zhvillimin në mes të rinisë.

Murali është realizuar nga anëtarët e organizatës YMCA në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Kosovë.

Komuna e Junikut nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook ka njoftuar se ky mural është vazhdimësi e muraleve paraprake në këtë park.

“Vizatimi i të rinjve, anëtar të organizatës, është realizuar në murin e muraleve në Parkun ‘Moronica’, vazhdimësi e muraleve paraprake të ideuara dhe realizuara nga të rinjtë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

13 ditë izolimi, i shërbejnë artistit Asdren Spahija për realizimin e një murali të mrekullueshëm për nipin

Në këto ditë izolimi ku e gjithë bota po përballet me virusin Covid-19, mënyra më e mirë për t’i kaluar ditët është përmes artit. Muzika, piktura, leximi e filmi, janë vetëm disa nga artet që i bëjnë më të lehta këto ditë, shkruan KultPlus.

Kemi dëgjuar kënga nga më të ndryshmet duke u kënduar nga ballkoni apo në ndonjë ambient shtëpie, kemi parë libra e filma nga më të ndryshmet teksa propozohen për lexim, por artisti Asdren Spahija ka vendosur që këto 13 ditë izolimi të ja kushtoi nipit të tij.

Me artin e tij, në një nga muret e shtëpisë ai ka vendosur të realizojë një mural me personazhet e preferuara të nipit.

Personazhet e përrallës së njohur për fëmijë “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët” në gërshetim të disa përrallave të Disney, si: Bambi, Liza në botën e çudirave, Sirena e vogël, Pitër Pan e Pinoku, janë jetësuar në murin e shtëpisë së artistit, duke i dhënë kështu ambientit një pamje plot jetë. Kjo padyshim që do ta bëjë më të bukur botën e fëmijës që ka disa ditë që është izoluar bashkë me gjithë familjen.

“Në këto ditë të vështira të izolimit, po tentojmë që në shtëpinë tonë të ia bëjmë nipit tim 2 vjeçar ambientin e shtëpisë sa më atraktiv. Ky është një mural i realizuar nga unë në këto 13 ditët e fundit në izolim dhe i kam pikturuar personazhet e tij të preferuar”, ka thënë Asdreni për KultPlus.

Procesin e punës, nga fillimi deri në fund, Asdreni është përkujdesur ta incizoj e ku pas përfundimit e ka publikuar në YouTube.

Për të parë punën e Asdrenit në vazhdimësi ju mund ta ndiqni atë në rrjetin e tij social Instagram. / KultPlus.com