‘O trim në gjoks çu godite, tokën që e deshe, ti me gjak vadite’

Udha e shkronjave”, filmi artistik shqiptar që ka lënë gjurmë të mëdha në kinematografinë shqiptare, është prodhim i vitit 1978 nga stafi i radio televizioni shqiptar, R.T.V SH, shkruan KultPlus.

Filmi është prodhuar sipas skenarit të tregimit të Dhimitër Shuteriqit, ” Buka dhe thika”.

Filmi trajton një temë të mjaft delikate. Mësues Dhaskal Todri, një patriot, i cili kishte ardhur nga jashtë shtetit, kishte lënë gjithë pasurinë e tij për të sjellë në Shqiperi nje ngarkesë me shkronja tunxhi dhe krijimin e shtypshkronjës së parë. Me kthimin e tij në atdhe, armiqtë e tij nuk ishin të kënaqur. Karvanxhiu i thjeshtë që e shoqëronte ngarkesën nuk arrin ta kuptojë dot patriotin, se përse kishte kaq shumë vlerë e gjithë kjo. Mësues Todri nuk pati mundësinë të arrijë në vendlindje pasi armiqtë e gjuhës shqipe e vrasin mësuesin patriot.

Në film intepretojnë aktorët: Sandër Prosi, Bujar Lako, Ndrekë Luca, Agim Qirjaqi, Vangjo Grabocka, Muhamet Sherri, Luftar Pajo etj.

Në vijim, KultPlus ju sjell këngën e famshme që është pjesë e këtij filmi, ”Kënga e Trimave”, bashkangjitur me videon edhe tekstin e saj. / KultPlus.com

Përkujtohet 101-vjetori i lindjes së Ismail Qemalit të kinemasë

Nuk mund të ketë shqiptar, të madh a të vogël, që jeton brenda apo jashtë trojeve shqiptare, të mos ketë parë së paku një herë në jetë filmin “Nëntori i Dytë” dhe portretizimin real që aktori Sandër Prosi i ka bërë plakut mjekërbardh, Ismail Qemali.

Sot ndoshta nje pjesë e madhe e njerëzve e kanë të pamundur të shkëpusin karakterin e realizuar mjeshtërish nga Prosi, nga babai i kombit.

Por një tjetër figurë ikonike e kinemasë shqiptare, Dhaskal Todri do të ketë sërish portretin e aktorit të madh, i cili do të arrijë të pamundurën për gjuhën shqipe.

Një personazh i ngulitur fort në kujtesën kolektive të publikut. Ky aktor do të krijonte mbi 85 role në teatër në 75 vepra të autorëve shqiptarë si si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj”, shkruan teatri.

Sandër Prosi interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe me urdhra e medalje.

Sandër Prosi lindi në Shkodër, më 6 janar 1920. Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën “Vilhelm Teli”. Shkon për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjërë dhe e larmishme artistike.

Ndërsa roli i tij i parë ka qenë ai i Shaqir Agës në komedinë “Prefekti” të Besim Lëvonjës, që u prit mjaft mirë, dhe ku aktori luajti krahas Loro Kovaçit, Mihal Popit, Marie Logorecit etj. Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film si drejtorit të shkollës në filmin “Debatik”. Në filmin “Vitet e para” ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Sandër Prosi vdiq atëherë kur mund t’i jepte akoma role të bukura skenës dhe ekranit. U vlerësua me çmime, tituj e medalje, si dhe me titullin e lartë “Artist i Popullit”. U nda nga jeta duke xhiruar metrat e fundit të filmit “Pranverë e hidhur” më 24 mars 1985. Dhe pranvera i hidhur ishte vërtet për të./ KultPlus.com

Përkujtohet 101-vjetori i lindjes së aktorit Sandër Prosi

Përkujtohet sot 101-vjetori i lindjes së aktorit të madh, Sandër Prosi. Ai lindi më 6 janar të vitit 1920 në qytetin e Shkodrës.

Familja e tij shumë shpejt u shpërngul në Tiranë. Megjithëse studimet e tij të larta i kishte filluar për stomatologji në Austri, ai arriti të gjente rrugën e vet në art duke u bërë pjesë e Teatrit Popullor, çka e ktheu atë në një personalitet në fushën e artit dramatik.

Sandër Prosi do të mbetet një figurë që bëri historinë e artit dramatik shqiptar.

Ai gjatë karrierës së tij të pasur artistike ka arritur ti japi jetë dhe të rikrijoj botëkuptimin dhe aparencën e disa prej figurave më të shquara sikurse janë Ismail Qemali, Dhaskal Todri, Jaho Labin, dr Kristo Borovën e shumë personazhe të tjerë.

Edhe sot shqiptarët e njohin edhe më mirë figurën e Ismail Qemalit nga rijetësimi i kësaj figure që Sandri i bëri. Ai ishte një mjeshtër i vërtetë i psikoanalizës. Ai depërtonte në mënyrë të thellë tek personazhi duke e zbërthyer dhe duke e sjellë me vërtetësi nëpërmjet monologut të brendshëm dhe depërtimit nën lëkurë të personazheve.

Ai interpretoj dhe krijoj më shumë se 80 figura gjatë karrierës artistike dhe për këtë arsye ai mori edhe shumë vlerësime si aktori më i mirë në shumë festivale filmi. Gjithashtu ai u vlerësua me titullin “Nderi i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, pas vdekjes.

Sandër Prosi u nda nga jeta më 25 mars 1985, ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”. /atsh/ KultPlus.com

Përkujtohet aktori Sandër Prosi në 100 vjetorin e lindjes së tij

Më 6 janar të vitit 1920 lindi në Shkodër, Sandër Prosi, i cili do të bëhej më vonë një prek aktorëve ikonë të filmit dhe teatrit shqiptar, personazhet e të cilit kanë mbetur në kujtesën e brezave dhe në arkivën e artë të kinematografisë.

Teatri Kombëtar në një kujtesë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së artistit të madh, sjell edhe datat kryesore që shënuan jetën e tij.

Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën “Vilhelm Teli”. Shkon për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike.

Sandër Prosi bën pjesë ndër ata aktorë ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të skenës dhe ekranit, si dhe me arritjet e tyre më të shënuara. Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe me urdhëra e medalje. /atsh/ KultPlus.com

Një kujtim i shtrenjtë nga aktori i madh Sandër Prosi

Agim Vinca

Në vitin e largët 1971 punoja si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e Strugës. Një ditë, pas mësimit, në qendër të qytetit pashë një grup artistësh nga Shqipëria, që po ktheheshin nga Prishtina në Tiranë. Atëherë sapo kishte filluar bashkëpunimi kulturor Kosovë-Shqipëri. Në grup ishin, sa më kujtohet: regjisori Viktor Gjika, aktorët Sandër Prosi e Edi Luarasi dhe një a dy të tjerë, që nuk më kujtohen. As shoqëruesi i tyre nga Prishtina nuk më kujtohet mirë. Gjithnjë më duket se ishte drejtori i “Kosova-filmit”, poeti Azem Shkreli, me të cilin njihesha mirë nga koha e studimeve në Prishtinë.

Sapo kishin zbritur nga makina në qendër të qytetit, para godinës së komunës, aty ku atëbotë ishte stacioni i autobusëve dhe në çdo kohë kishte njerëz. Njerëzit i shihnin, por nuk guxonin t’u afroheshin, e aq më pak të flisnin me ta. Frika i ka sytë e mëdhenj, thonë.

Isha i ri, 24 vjeç dhe s’e njihja këtë ndjenjë. Kurse ata i njihja kryesisht nga ekrani. U afrova dhe pasi i përshëndeta, i ftova për një kafe. Pranuan. Shkuam te kafja e Izetit prapa komunës. Porositëm nga një pije dhe biseduam kryesisht rreth roleve të tyre në film e teatër, si dhe rreth vizitës në Kosovë. Edhe ata më pyetën se ç’punoja, me se merresha. U tregova se kisha studiuar në Prishtinë dhe se tani punoja si mësues letërsie këtu në vendlindje. Dhe se merresha ngapak me shkrime, por ende nuk kisha botuar ndonjë libër. Kisha bërë edhe një shkrim për “Javën e filmit shqiptar” në Strugë, që e kisha botuar te gazeta “Flaka e vëllazërimit”, ku kisha thënë ndonjë fjalë edhe për rolet e tyre (të Sandrit, Edit dhe të tjerëve) në filmat “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “I teti në bronx”, “Plagë të vjetra” etj. Para se të ngriheshim nga lokali, ku ishim në thjerrëz të shikimeve të klientëve dhe, natyrisht, edhe të agjentëve të policisë, që në këso rastesh ishin shumë aktivë, Sandër Prosi nxorri nga xhepi një fotografi (ishte në njërin nga rolet e tij, më duket në atë të Doktor Borovës te “I teti në bronx”) dhe ma dhuroi me dedikim, duke shkruar në shpinë të fotos bardhë e zi me një stilolaps të kuq fjalët: “Shokut Agim Vincas për kujtim. Sandër Prosi”. Por, fatkeqësisht, jo edhe datën. As unë s’u kujtova ta vija më vonë.

Nuk u kujtova as të bënim ndonjë fotografi bashkë, gjë që asokohe ishte punë jo edhe aq e lehtë, sepse fotografitë mund të bëheshin vetëm me aparat fotografik dhe, zakonisht, te fotografët profesionistë, e jo edhe me celular si sot. Në Strugë atëbotë kishte vetëm dy fotografë. Asnjëri nga ata nuk ishte shqiptar.

U gëzova kur e gjeta këto ditë këtë fotografi, që e ruaj si kujtim të shtrenjtë dhe vendosa ta bëj publike si një kontribut i vogël për figurën e madhe të Sandër Prosit (1920-1985), por edhe për vështirësitë e komunikimit të shqiptarëve këndej kufirit me ata të “shtetit amë”, si e quanim ne me dashuri Shqipërinë shtetërore, dikur. Nderim aktorit të madh Sandër Prosi, që ka hyrë përjetësisht në kujtesën e kombit!/KultPlus.com

33 vite nga vdekja e aktorit Sandër Prosi

Sot janë mbushur plotë 33 vite nga vdekja e aktorit të madh shqiptar Sandër Prosi.

U lind në Shkodër më 6 janar 1920. Familja e tij u shpërngul drejt Tiranës kur qe katërmbëdhjetë vjeç, atje mbaroi shkollën fillore vazhdoi Gjimnazin e Tiranës[1].

Drama e parë në të cilën merr pjesë është “Vilhelm Teli”. Me bursë shtetërore shkoi për studime në Austri për stomatologji, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike. Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndahet nga jeta ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”.

Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Levonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e më se 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të S. Prosit kanë tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të shikuesve. Krijimet e Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran, por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare. Si të tilla zënë një vend të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit.

Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes së aktorit Sandër Prosi, Presidenti i Republikës e nderon me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Në 24 shkurt 2017, aktori Sandër Prosi u nderua me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pas vdekjes.

Për herë të parë interpretoi në vitin 1948 në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës në rolin e Shaqir Agës. Luajti përkrah Mihal Popit, Loro Kovaçit, Marie Logorecit. Më pas vazhdoi me role të tjera nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në teatër ka interpretuar tek “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Fytyra e dytë”, “Doktori pacient”, “Otello”, “Makbethi”, “Epoka para gjyqit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Familja e peshkatarit”, “Çatia e të gjithëve”, “Revizori”, “14 vjeç dhëndër”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Rrënjët e thella”, “Xhaja Vanja” etj. Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat “Debatik”, “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Horizonte të hapura” (1968), “Plagë të vjetra” (1968), “Guximtarët” (1970), “Gjurma” (1970), “I teti në Bronz” (1970), “Mëngjese lufte” (1971), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Shtigje lufte” (1973), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1975), “Në fillim të verës” (1976), “Përballimi” (1976), “Fijet që priten” (1977), “Njeriu me top” (1977), “Gjeneral Gramafoni” (1978), “Udha e shkronjave” (1979), “Yje mbi Drin” (1979), “Vajzat me kordele të kuqe” (1980), “Plumba perandorit” (1980), “Plaku dhe hasmi” (1981), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Nëntori i dytë” (1982), “Dora e ngrohtë” (1983), “Kush vdes në këmbë” (1984) dhe “Pranverë e hidhur”, filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.

Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndahet nga jeta ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”./ KultPlus.com