Lorena Sopi, fiton çmimin ‘Regjisorja më e mirë femër’ në Londër

Filmi  i metrazhit të shkurtër ‘Schauerfilm’ me skenar dhe regji të Lorena Sopit, ka fituar çmimin ‘Regjisorja më e mirë femër’ /Best Female Director/ në Cult Movies International Film Festival, i cili ka përfunduar mbrëmë në Londër, kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar, përcjellë KultPlus.

Filmi njëzetë minutash me elemente të zhanrit fantastik trajton zhdukjet e çuditshme të studentëve në një shkollë të vjetër formë labirinti misterioz, rreth së cilës thuren tregime të çuditshme. ‘Schauerfilm’ që mban titullin e përdorur si parashenjë për ekspresionizmin gjerman të viteve të tridhjeta në kinematografi, është shpallur fitues për regjisoren më të mirë në kategorinë e filmit të shkurtër në edicionin e vitit 2021 në festivalin londinez i cili kishte në garë mbi 120 filma dhe i cili është mbajtur pjesërisht me audiencë e pjesërisht online për shkak të situatës me pandeminë COVID19.

Është ky çmimi i shtatë për këtë film nga 15 festivale ndërkombëtare në të cilat është shfaqur deri më tani.

Schauerfilm do të shfaqet  edhe në Critics Review Online Festival, Filmarte Short Film Festival, Stir and Fry International Short Film CompetitionInternational Short Film Festival Of IndiaOasis Inter Continental Film Festival, etc.

Filmi ‘Schauerfilm’ është prodhim i kompanisë AS Film Production nga Prishtina.

Në rolet kryesore të këtij filmi paraqiten: Agron Shala, Afrim Muçaj, Beslidhje Bytyqi, Ylber Bardhi, Kreshnik Malushi, Flutura Mustafa, etj.

Drejtor fotografie është: Besnik Hasolli. Zëri: Gëzim Rama. Skenograf: Uran Duli, Kompozitor: Mendi Mengjiqi. Regjisore: Lorena Sopi. / KultPlus.com