Kancelari Scholz në Tiranë: Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog

Në Tiranë, po mbahet për herë të parë Samiti i Procesit të Berlinit.

Në fjalën e rastit kancelari gjerman Olaf Scholz, foli edhe për veriun e Kosovës.

Ai tha se eskalimi i situatës atje ka treguar se sa është i rëndësishëm tejkalimi i konflikteve që kanë ekzistuar për kohë të gjatë dhe që i kanë lënë prapa vendet e rajonit.

“Duhet të gjejmë rrugën implementimit të marrëveshjes që kanë dal nga dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, tha Scholz./KlanKosova/KultPlus.com

“The Time”: Scholz në mesin e personave më me ndikim në 2023

Revista amerikane “The Time” e ka renditur kancelarin gjerman, Olaf Scholz në mesin e 100 personave më me ndikim në vitin 2023.

Scholz, i cili renditet në kategorinë e liderëve më me ndikim, e shpalli pushtimin rus të Ukrainës një “pikë kthese epokale”, duke premtuar se Berlini do të përgjigjej në një situatë kritike.

“Brenda vitit të kaluar, Gjermania përmbysi pacifizmin e saj të pasluftës, duke rritur shpenzimet e saj ushtarake, duke u bërë kështu një nga furnizuesit më të mëdhenj të armëve në Ukrainë”, sipas artikullit.

Gjermania reduktoi gjithashtu varësinë e saj nga furnizimet e energjisë ruse, duke kaluar me nxitim tek burimet e rinovueshme, pavarësisht frikës se kjo do të ishte e shtrenjtë dhe problematike.

Të tjera hyrje të dukshme në listë përfshijnë Evan Gershkovich, gazetari i “The Wall Street Journal”, i cili u arrestua nga Moska pas akuzave për spiunazh.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me 20 vjet burg.

“Ndërsa shumë gazetarë u tërhoqën nga Rusia pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, Gershkovich qëndroi aty, pavarësisht nga rreziqet e raportimit për Rusinë”, sipas “The Time”. /atsh / KultPlus.com

Përkujtohet Lufta e Dytë Botërore, kancelari gjerman: Kurrë më gjenocid, kurrë më sundim të dhunës

Në fjalimin e tij me rastin e përkujtimit të fundit të Luftës së Dytë Botërore, kancelari gjerman, Scholz kujtoi përgjegjësinë historike të Gjermanisë, dhe akuzoi Putinin për manipulim të historisë në lidhje me Ukrainën.

Përkujtimi i Luftës së Dytë Botërore këtë 8 dhe 9 Maj është errësuar nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz mbajti një fjalim të posaçëm dje me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. 8 Maji 1945 shënon kapitullimin e Gjermanisë hitleriane. Por 8 Maji 2022 e gjen Europën në një luftë të re. Scholz përmendi në këtë kontekst përgjegjësinë historike të Gjermanisë, nga e cila rrjedh përgjegjësia për mbështetjen e Ukrainës. Gjermania e ka nxjerrë mësimin qendror nga historia katastrofike mes vitete 1933 dhe 1945, tha Scholz: “Kurrë më! Kurrë më luftë. Kurrë më gjenocid. Kurrë më sundim të dhunës. E megjithatë ka ndodhur sërish luftë në Europë.” Për kancelarin gjerman kjo mund të nënkuptojë vetëm “ne ndihmojmë me qëllim që të marrë fund dhuna.” Për këtë arsye janë dërguar për herë të parë armë në një zonë lufte, tha Scholz.

Si “poshtërsi dhe manipulim të historisë” e quajti Scholz barazimin e “luftës barbare sulmuese” që po zhvillon Rusia me luftën kundër nacionalsocializmit. “Gjermania atëherë ka qenë fajtore me të dyja kombet, atë rus dhe atë ukrainas. Me të dy ne synojmë prej dekadash pajtimin”, tha Scholz. Por tani presidenti rus kërkon të nënshtrojë Ukrainën, të shkatërrojë kulturën dhe identitetin e saj. Kancelari gjerman premtoi ndihma të mëtejshme për Ukrainën, edhe armë të rënda. “Ne e mbështesim Ukrainën në luftë kundër agresorit. Të mos e bësh këtë do të thotë kapitullim para dhunës së qartë dhe forcim i agresorit.”

“Ndërrim epokash”

Bundespräsident Frank-Walter Steinmeier - DGB Bundeskongress

Edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier mbajti një fjalim me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Steinmeier bëri fjalë për një “ndërrim epokash”. 8 Maji nuk ka qenë vetëm një ditë e kujtimit dhe paralajmërimit, por “për një kohë të gjatë” edhe një “ditë e shpresës”, tha Steinmeier në Kongresin Federal të Shoqatave të Sindikatës Gjermane, DGB. “Por sot në këtë 8 Maj është shkatërruar ëndrra e një shtëpie të përbashkët europiane; makthi ka zënë vendin e saj”, tha presidenti gjerman. “Ky 8 Maj është një ditë e luftës.” /DW/ KultPlus.com