Sevdije Shyti-Azemi dekorohet me urdhrin “Shotë Galica”

Sevdije Shyti-Azemi u dekorua nga presidenca me urdhrin “Shotë Galica” për kontributin dhe guximin e madh për organizimin e protestave në vitin 1989, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidenti i vendit, i cili në rrjetin social Facebook ka shkruar se Sevdije Azemi ishte një grua me guxim të pashoq.

“Një grua me guxim të pashoq, kishte organizuar protesta kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, për çka ishte dënuar nga shteti i Jugosllavisë me 11 muaj e një javë burgim”.

Thaci tutje vazhdoj duke thënë se Kosova e gëzon lirinë dhe pavarësinë falë shumë brezave që sakrifikuan e luftuan deri në fund për Kosovën e pavarur.

Sevdije Shyti Azemi ishte dënuar me dy vite burg për organizimin e protestave me gratë e fshatit Zhabar në Mitrovicë më 27 mars 1989./KultPlus.com

https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/4515502178520106

Heroina Sevdije Shyti Azemi, organizatorja e protestave me gratë e fshatit Zhabar në Mitrovicë

Çfarë shteti ashtu kjo Jugosllavia që e shkatërron nji grue e pashkollë e katundare?

“Kështu do të shprehej për mediat kosovare, Sevdije Azemi. Ishte dënuar me dy vite burg për organizimin e protestave me gratë e fshatit Zhabar në Mitrovicë më 27 mars 1989.

Në aktakuzë thuhej se ajo kishte tentuar ta shkatërronte “vëllazërim-bashkimin”.Kur mori vesh për demonstratat kundër suprimimit të autonomisë dhe për grevën e minatorëve, ajo, një amvise, brenda natës u shndërrua në revolucionare.

“Thashë, vetmevete, po unë ç’baj këtu, pse s’dal edhe unë,” e kujtonte më pas ajo, duke rrëfyer se si enkas për protesta i kish veshur dimitë e rrobet më të reja dhe shaminë që e kish kujtim nga nëna e saj.Në hetuesi, Sevdija përjetoi shumë tortura. “Nuk më kanë dhimtë grushtat që m’i dhanë e më përgjakën, sa më dhimti zemra për shaminë e nanës që ma morën e s’ma kthyen kurrë,” rrëfente ajo për “Kosovaren” pas lirimit.

Hetuesit e shanin dhe ofendonin. Njërit hetues Sevdija do t’i thoshte: “më shan se i kam duart e lidhura se vallahi s’kishe ditë as me fol.”Ajo vuajti 11 muaj e 1 javë në burg. Kishte lënë të vetme në shtëpi shtatë fëmijë, të gjithë të mitur. Teuta, më e vogla, ishte vetëm pesë vjeçe. “Mos të ishin fëmijët nuk e kisha fort gajle burgun. Shpesh e shihsha Teutën e vogël në andërr tu thirrë – nanë, ku je,” kujtonte ajo më vonë.

Vajza më e madhe ia kishte dërguar një letër në burg: “Nanë, të presim për Bajram!” Shtatë fëmijët e pritën atë Bajram të vitit 1989 me lotë te pragu i derës dhe pa nënën e tyre.Megjithëkëtë, pas lirimit nga burgu, në një intervistë, ajo kish thënë: “Vallahi qe ku janë – të shtatit i jap për Kosovën!”Nuk e di nëse Sevdije Azemi sot jeton apo jo. Por, e di që historia e saj është një pikë loti në vajin e këtij populli, guximi i saj një pikë djerse në mundin e këtij populli dhe plagët e burgut një pikë gjaku në sakrificën e këtij populli në luftën e tij për liri.

Autor i tekstit: Fitim Salihu / KultPlus.com