Inis Gjoni rikthehet në skenë, sjellë premierën “Çifti i çuditshëm” në Teatrin Kombëtar

“Çifti i çuditshëm”, vepër e autorit Neil Simon me regji nga Inis Gjoni vjen pas disa ditësh premierë në Teatrin Kombëtar. Rolet në vepër regjisorja ia ka besuar një kasti të njohur aktorësh të teatrit dhe pohon se është një nga komeditë më të famshme të shkruar në Amerikë nga Neil Simon, që është konsideruar si një nga autorët më thumbues të shekullit të njëzet.

Regjisorja Gjoni që tashmë është në përgatitje për premierën, tregon se e ka tërhequr jashtëzakonisht kjo vepër sepse është nga më komercialet në historinë e teatrit amerikan, dhe është konsideruar dhe si fenomen kulturor. Një vepër që flet për dinamikën e marrëdhënieve njerëzore, që sipas regjisores Inis Gjoni është një temë fantastike.

“Ajo që më ka pëlqyer shumë në këtë vepër është sepse flet për dinamikën e marrëdhënieve njerëzore, dhe është një temë fantastike të flasësh për këtë sepse është aktuale dhe do të jetë aktuale përderisa njerëzimi të jetë mbi tokë”, pohon regjisorja Gjoni.

Rolet në vepër regjisorja ia ka besuar aktorëve Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Mehmet Xhelili, Ervin Bejleri, Besmir Bitraku, Anais Lika dhe Rozana Radi.

Veç temës kryesore vepra e Neil Simon shtron dhe një sërë nëntemash siç është martesa, familja, divorci, bashkëjetesa, miqësia, shoqëria, komunikimi.

“Ideja e veprës është kompromisi dhe toleranca është bërthama dhe rregullatori shoqëror në të gjitha aspektet e jetës. Ku pa këto të dyja kompromisin dhe tolerancën dinamika e marrëdhënieve njerëzore do të ishte shumë më tepër e ashpër nga sa është aktualisht. Kjo sepse ne për nga ndërtimi psikologjik, individual dhe shoqëror e kemi të ndërtuar mbijetesën tonë në bazë të bashkëjetesës ndaj dhe personazhet dhe vepra në tërësi flet për mungesën e tolerancës, të kuptimit edhe të mirëkuptimit si dhe kompromisit, gjëra që sjellin shpeshherë mosfunksionim në një marrëdhënie sociale në tërësi ose duke kapur veç e veç martesën, bashkëjetesën, shoqërinë, biznes, punë, etj”, vijon regjisorja për premierën, që do të jetë në skenën e teatrit më datë 26 tetor.

Vepra e Neil Simon

Me këtë shfaqje regjisorja Inis Gjoni vjen pasi solli në skenë “Mbroni shpellarin” . Këtë herë veprën e Neil Simon e shikon si më komerciale, sepse nuk ka munguar në teatër dhe kinema.

“Vepra më komerciale, sepse kjo vepër ka kaluar nga teatri në kinema. Është luajtur nga aktorë burra dhe gra dhe për herë të parë është shfaqur në Broduei në vitin 1965. Më pas menjëherë pas suksesit të madh u bë film me aktorët e famshëm të Hollivudit me 114 episode. Më pas autori e përshtati në versionin femëror dhe gjatë kësaj kohe është vendosur pafundësisht në skena”, u shpreh regjisorja.

Në vitin 2002 vepra erdhi në versionin modern dhe u rivendos sërish në Broduei gjithmonë me aktorë të Hollivudit.

“Në të gjitha ato që kjo vepër ka kaluar historia mbetet e njëjtë: historia thelbësore e dy njerëzve të ndryshëm, që mësojnë të jetojnë me njëri-tjetrin në një mungesë harmonie dhe tolerance dhe mungesë kompromisi duke sjellë një bashkëjetesë jo të zakonshme në plan të parë për ne, por që është e destinuar të mos funksionojë”, pohon regjisorja Inis Gjoni.

Këto ditë regjisoren Inis Gjoni e gjejmë gjithmonë në teatër dhe siç pohon dhe vetë kur projektet teatrale janë të vështira kërkon dhe të punosh disa muaj me veprën që ti shkosh aktorit gjithmonë e përgatitur. Vepra është përkthyer nga Artur Lena dhe skenografia Stivi Rrapo dhe Inis Gjoni. (Marrw nga SotNews)./ KultPlus.com