Veliaj: Teatri i ri Kombëtar, bizhuja e qytetit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj renditi sot disa nga projektet që po zhvillohen në Tiranë, ku veçoi Piramidën, Teatrin e ri Kombëtar apo korpusin e Qytetit Studenti.

“Ne kemi disa projekte në zhvillim. Piramida është drejt përfundimit dhe do jetë një nga super veprat në Tiranë. Një investim i jashtëzakonshëm i qeverisë shqiptare, fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Bashkisë së Tiranës. Duam që Tirana të bëhet Tel-Aviv i Ballkanit. Do të vazhdojmë projektet për fëmijë. I kemi dhënë qytetit disa hapësira shumë shumë dinjitoze, Liqeni Tiranës, Liqeni Farkës, kopshti Zoologjik, Bulevardi i Ri, Pazari, Kalaja. Kështu që ne duhet të vazhdojmë me kopshtin Botanik. Duam të vazhdojmë me dy terminalet. Ka mbaruar ai i Lundrës që do të hapet këto ditë, duam të vazhdojmë me terminalin tek kthesa e Kamzës. Vijon puna edhe për kampusin e Qytetit Studenti në Tiranë. Ndërkohë ka përfunduar ai në Kodër-Kamëz tek Mjekësia dhe tek Inxhinieria. Po punohet edhe për përfundimin e Unazës së Tiranës. Sigurisht që bizhuja e qytetit do të jetë Teatri i ri Kombëtar që sapo ka filluar punimet, ku po bëjmë sondimet dhe shpimet e të gjithë shtresave gjeologjike për të hapur pastaj themelet edhe për të pasur edhe aty një super punë të arkitekturës moderne nga Bjarke Ingels”, tha Veliaj gjatë një interviste në medie.

Ai u ndal edhe te projektet e reja për Tiranën në vitet e ardhshme.

“Tiranës i ka ardhur koha që në Bulevardin e Ri të çojmë disa nga gjykatat dhe disa nga institucionet e drejtësisë. Gjithashtu Tatimet, Doganën, Hipotekën duam t’i çojmë te 5 Maj. Vetëm ashtu mund ta realizojmë Tiranën policentrike që është hapur në të gjithë aksin e Bulevardit të Ri ashtu siç është hapur edhe në gjithë aksin e Lanës. Gjithashtu do të bëjmë sheshin fundor të Bulevardit të Ri. Bulevardi fillon me sheshin “Nënë Tereza” në mes është “Sheshi Skënderbej” dhe në fund, aty ku Bulevardi i Ri takohet me Lumin e Tiranës, do të bëjmë sheshin tjetër. Duam gjithashtu të përfundojmë paketën e shkollave. Do të kemi 8 shkolla të reja, 2 në zonën e Astirit në njësinë 7, 2 në anën e Yzberishtit dhe të njësisë 14, një shkollë pranë kopshtit Botanik tek Liqeni i Thatë, do të kemi 2 shkolla të reja në zonën e Saukut dhe një tek ish-spitali i Arabit. Kështu përfundojmë gjithë sfidën tonë për të shmangur mësimin me dy turne”, u shpreh Veliaj. /atsh /KultPlus.com

Dyfishim i të ardhurave në muzetë kombëtare nga një vit më parë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi sot statistikat e të ardhurave nga muzetë kombëtare të tre viteve të fundit.

“Rritja e interesit karshi muzeve në varësi të Ministrisë së Kulturës, e shprehur përmes rritjes së numrit të vizitorëve, por edhe të ardhurave është përgjegjësi e shtuar për ngritjen e institucioneve tona në nivele bashkëkohore”, është shprehur Margariti.

Nga grafiku i publikuar në faqen e ministres, në rrjetet sociale, vihet re dyfishimi i të ardhurave krahasuar me vitin 2021, ndërsa po të krahasohen të ardhurat e vitit 2022 me 2020-ën, ka një 10-fishim të të ardhurave.

Përkatësisht në 2020 të ardhurat nga muzetë kombëtare ishim rreth 8 milionë milionë lekë, në 2021 arritën në rreth 38 milionë lekë ndërsa një vit më pas në mbi 80 milionë lekë të ardhura. /atsh /KultPlus.com

Kolonat zanore të kryeveprave të kinematografisë, në “Not’te da Oscar”

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit bëri bashkë të apasionuarit e muzikës dhe kinematografisë, nëpërmjet një koncerti të veçantë, të dirigjuar nga Giovanni Pompeo.

Për herë të parë Orkestra Simfonike e TKOB, solli kolonat zanore të disa prej filmave të cilët kanë hyrë në historinë e Hollivudit, si “Piratët e Karaibeve”, “Lufta e Yjeve”, ”Xhurasik Park”, “Supermen”,” Indiana Xhons”, “Lista e Shindlerit”, “Harri Poter” etj, të gjitha vepra të një prej kompozitorëve më të shquar amerikanë. Koncerti “Not’te da Oscar” solli magjishëm krijimet e John Williams, sot 90-vjeçar, i cili është një nga kompozitorët më të njohur, më shumë të vlerësuar me çmime dhe nga më të shpërblyerit financiarisht, në historinë e Shteteve të Bashkuara. Lista e çmimeve që i janë dhënë Williams-it përmban 52 kandidatura për Oscar si dhe 5 të fituar.

Një nga pjesët që publiku duartrokiti më gjatë, mbrëmjen e djeshme, ishte kolona zanore e filmit të regjisorit Spielberg, “Lista e Shindlerit”, interpretuar mjeshtërisht nga violinisti Ettore Pellegrino.
“Not’te da Oscar” i lë radhën të tjerave premierave dhe koncerteve që do vijnë me plot risi në TKOB përgjatë vitit 2023. /atsh /KultPlus.com

TKK jep në nëntor premierën ‘Pas Vdekjes’, shfaqjen e bazuar në veprën dramaturgjike të Çajupit

Teatri Kombëtar i Kosovës do të shfaqë në nëntor premierën e komedisë ‘Pas vdekjes’ bazuar në veprën dramaturgjike të Çajupit, përcjell KultPlus.

Kjo shfaqje vjen me regjinë e Fatos Berishës ku do të luajnë aktorët Armond Morina, Ard Islami, Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Maylinda Kosomovic, Armend Smajli dhe Naim Berisha.

Në vijim gjeni njoftimin e Teatrit Kombëtar.

Premiera e komedisë së bazuar në “Pas Vdekjes” së Çajupit në Nëntor, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në regjinë e Fatos Berisha me aktorët: Armond Morina, Ard Islami, Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Maylinda Kosomovic, Armend Smajli dhe Naim Berisha.

Dramaturg: Shpetim Selmani

Kompozitore: Rona Castrioti

Skenograf: Bekim Korça

Kostumografe: Yllka Brada

Asistente regjie: Yllka Lota

Foto/Video: Joni Mithi

Inspicient: Bajram Mehmeti

Ndriqimi: Mursel Bekteshi./ KultPlus.com

Hapet gara për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, Veliaj: Më moderni në Ballkan

Bashkia e Tiranës ka hapur garën për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak, në të cilën theksoi se puna për ndërtimin e godinës së re moderne do të nisë shumë shpejt.

“Me vendimin që marrim sot kalojmë fazën e fundit burokratike, hapjen e garës ndërkombëtare, e cila zgjat 60 ditë, dhe me të shpallur fituesin do të fillojmë ndërtimin e Teatri të ri sipas projektit danez të Bjarke Ingels. Do të kemi teatrin më modern në Ballkan! Viti 2025 do e gjejë Tiranën me një teatër të ri, edhe pse njësoj si me projektin e Unazës së Madhe tek Astiri, sherri na mori 3 vjet kohë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar është bërë edhe reflektimi i nevojshëm në buxhet, si pasojë e ndryshimit të çmimeve të materialeve të ndërtimit për shkak të luftës në Ukrainë.

“Në fund të vitit të kaluar e kaluam projektin në buxhet, por asnjë prej nesh nuk e kishte pritur që në 24 shkurt do të fillonte agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, çka do të sillte një trazim të tregjeve, sidomos të çmimeve të hekurit dhe çelikut. Si element bazë ndërtesat kanë çelikun, hekurin dhe betonin, prandaj e kishim të pamundur të hapnim një garë ndërkombëtare me çmimet e paraluftës”, sqaroi Veliaj.

Veliaj siguroi se teatri i ri do të jetë një tjetër sukses në kryeqytet, si Liqeni, Pazari dhe Unaza e Madhe.

“Një pjese të atyre që ndihen ende të lënduar për teatrin u kam kërkuar ndjesë, por shpresoj që me kohën – ashtu siç shumë prej njerëzve që protestuan te Liqeni, tani çojnë fëmijët të luajnë aty, apo shumë prej atyre që protestuan tek Astiri, tani shkojnë për dy minuta në shtëpi prej Unazës së Madhe, apo shumë prej atyre që e quanin monument kulture asbestin dhe eternitin te “Pazari i Ri”, sot kalojnë një pjesë të ditës duke bërë pazarin aty, e shumë prej tyre që shanin kullat, sot i nxjerrin në Instagram – pra, me kalimin e kohës edhe kjo pjesë do t’i bashkohet modernizimit dhe do të kuptojnë se nuk kemi prishur një monument kulture, por një ngrehinë prej tallashi, për të cilën u debatua 30 vjet. U kërkoj ndjesë nëse i kemi lënduar, qoftë edhe për mënyrën sesi e prishëm, por nuk bëhej ndryshe. Duhej ta bënim në një moment kur liderët ishin duke gërhitur, se po ta bënim me gjithë militantët e tyre aty, do shkonim në një konfrontim pa sens e do bëheshim gazi i botës. Ishte një nga vendimet më të vështira, por besoj se koha do na japë të drejtë”, nënvizoi Veliaj.

Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, teksa theksoi se projekti i ri do i shërbejë gjeneratës së ardhshme.

“Disa e duan projektin e ri dhe disa duan projektin e vjetër, pa u përfshirë politikisht. Detyra ime, por edhe e juaja si këshilltarë, është të bëjmë më të mirën për qytetin, jo çfarë është më e mira për sondazhet. Unë nuk udhëhiqem si do dalë sondazhi i radhës. Unë udhëhiqem si do dalë gjenerata e radhës dhe nëse gjeneratës së radhës, pra e atyre që vijnë pas nesh, e fëmijëve tanë, u lëmë një teatër prej tallashi, ku në dimër shkohet me batanije dhe në verë me peshqirë, sidomos në 40 gradë, kjo do të thotë se ne paskemi humbur shansin e një gjenerate për ta ndryshuar këtë për 100 vitet e ardhshme”, përfundoi Veliaj. / atsh / KultPlus.com

‘FemArt’ solli performancën “Vals i këputun” nga koreografi Gentian Doda, shpaloset motivi i një kënge të vjetër arbëreshe

Era Berisha

Dita e katërt e edicionit të dhjetë të festivalit “FemArt” solli performancën artistike me titull “Vals i këputun” nga koreografi Gentian Doda i cili në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës arriti të krijojë një frymëzim të gjallëruar përbrenda motiveve të paqarta të cilat u grumbulluan dhe morën formë atëherë kur trupat e tre balerinëve bashkoheshin për të formësuar një imazh të ngurtë që ngjallte kuriozitete të shumta, shkruan KultPlus.

Mbrëmë salla e Teatrit Kombëtar po mbushej dalëngadalë me prezencën e të pranishmëve të cilët fillimisht u përplasën me një mjegull në atmosferë e cila veçse po tregonte pak për formatin e kësaj performance. Ndonëse numri në publik nuk ishte edhe aq i madh, kjo megjithatë e bënte këtë mbrëmje edhe më të veçantë ngase ajo që pas pak do të shpalosej mbi skenë, do të ishte aq speciale dhe e mjaftueshme për të pranishmit që sytë i kishin të drejtuar me padurim drejt skenës.

Fiks në orën 20:14, nisi gjithçka. Terri zgjoi krahët sipër vendit dhe mbuloi gjithë hapësirën derisa drita rrethore mu në mes të skenës e përndjekur nga mjegulla e vazhdueshme përgjatë gjithë shfaqjes, shoqëroi lëvizjet, hapat dhe kërcimet e balerinëve si: Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Elton Cefa. Të tre këta trupa shpalosën një mori intensitetesh që në thelb kuptimi i tyre ishte i fshehur por gjallërohej kur trupi i ndonjërit prekte një trup tjetër, kështu dhe rikrijohej lidhja e këputur mes tyre, me ç’rast evokohej një ndjenjë, një emocion dhe një fotografi nostalgjike.

Muzika origjinale nga kompozitori Çezar Aliaj vjen e frymëzuar nga një këngë e vjetër arbëreshe andaj dhe rrjedh lehtësisht nëpër gjymtyrët e tri balerinëve që mbi skenë krijonin përfytyrimin se po transformoheshin vazhdimisht e po merrnin formë të ndryshme nga çasti në çast. Ndërkaq, muzika si pjesë e pandashme e vallëzimit, i përngjante ‘tik-takut’ të një ore që po kalonte dhe ndërkohë ndjehej nevoja për ndërveprimin e performuesve në skenë.

Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Elton Cefa shfaqën në pah një punë të fortë dhe mjaft të kontrolluar të këmbëve dhe krahëve, duke vënë fokusin mbi tkurrjen dhe lirimin e trupit në momente të paparashikueshme por jashtëzakonisht të bukura. Në anën tjetër, dalloheshin ndryshimet drastike në ritëm, shpejtësi dhe drejtim të cilat shpalosën karakteristika unike jo vetëm të lëvizjeve në këmbë, por edhe në dysheme, e sidomos në rëniet e tyre improvizuese.

Po ashtu, vetë koreografi Gentian Doda ka arritur të krijoj baraspeshën midis një tradite të lashtë arbëreshe dhe kërcimit bashkëkohor e lëvizjeve që erdhën në një nivel shprehës tejet të lartë. Talenti i tij krijues solli mbi skenën e Teatri Kombëtar të Kosovës një vepër që në esencë është sa tradicionale aq edhe moderne. Vetë shkëputjet e emocioneve dhe disponimit përbrenda teknikave të balerinëve ndërlidheshin në një mënyrë mbresëlënëse me stilin muzikor të përzgjedhur.

Gjetja e mënyrave për të kërkuar angazhimin moment pas momenti të të pranishmëve brenda një mjedisi siç është teatri, është bërthama kryesore para krijimit të një vepre. Koreografi Doda me këtë krijim të veprës siç është “Vals i këputun” ka hyrë brenda qosheve të zemrës së njeriut dhe ka ngjallë një ndjeshmëri të pakrahasueshme e cila ka lënë gjurmë që as koha nuk do të mund t’i fshijë dot.

Për të treguar më shumë rreth kësaj shfaqje, për KultPlus foli koreografi Gentian Doda i cili konsideron se folklori pa artin bashkëkohor dhe modern, nuk do të kishte jetëgjatësi.

“Është një festival shumë i rëndësishëm për vetë aktivizmin dhe socializmin e këtij qëllimi që ka si festival. Për mua është një kënaqësi e madhe sepse është hera e parë në Prishtinë por më vjen keq ngaqë nuk kishte publik shumë. Por ishte shumë interesante sepse po ndanim së bashku këto ndjenja”, thotë Doda.

Sipas tij, vepra është komplet e frymëzuar në motive shqiptare, më konkretisht në motivin e një kënge të vjetër shqiptare arbëreshe, në bashkëpunim me kompozitorin shqiptar Çezar Aliaj i cili jeton në Spanjë.

“Këtë vepër kemi që një vit që po e lëvizim. Zana Hoxha e ka parë para një viti në ‘Za Fest’ dhe ishte shumë e interesuar, andaj dhe më kontaktoi. Shpresoj që edhe këtij pak publiku, t’i ketë interesuar vepra e të ketë ndjerë diçka”, shpalos ai.

“Arti kontemporan dhe arti modern është shumë i rëndësishëm t’i japi jetëgjatësi, traditës dhe folklorit. Folklori pa artin kontemporan dhe pa artin modern nuk do të ketë jetëgjatësi, për shkak se duhet të ketë një zhvillim.”

Ndërsa, balerini Elton Cefa e cilëson këtë shfaqje si shumë të vështirë në realizim por tejet të bukur në pamje. Ai për KultPlus, koreorgrafin Doda e cilësoi si “shkollë më vete”.

“Është kënaqësi shumë e madhe që unë të kthehem pas pesëmbëdhjetë viteve në këtë skenë pasi kam punuar me trupën e Baletit të Kosovës gati shtatë vjet. Kam shumë kujtime të bukura këtu dhe shpresoj të kem lënë ndjesi dhe shije shumë të mirë tek spektatorët. Shfaqja është shumë e bukur për t’u parë por shumë e lodhshme për ne sepse kemi gati një vit e gjysmë që punojmë në këtë proces shumë të vështirë por aq edhe të bukur. Kur punohet me koreografin Gentian Doda është si të bësh një shkollë më vete nga të gjitha anët dhe shpresoj shumë që edhe trupa e Baletit të Kosovës të ketë një bashkëpunim të tillë me Gentian Dodën, sepse do të ishte një fitore e madhe për ne dhe për të gjithë”, thotë Cefa.

Kurse, balerina Rosella Pellicciotti për KultPlus tha se shfaqja nuk ka një narrativë apo histori logjike prandaj e gjithë shfaqja është një përpunim i kujtimeve.

“Kjo shfaqje është vendosur për herë të parë në muajin gusht të vitit 2021, në Shkodër ku pati premierën, ndërkohë që procesi ka filluar që në janar të 2021-tës. Pastaj është vendosur edhe në Tiranë dhe tani për herë të parë në Prishtinë. Mund të them që shfaqja nuk ka një narrativë apo histori logjike apo ngjarje por kompozitori ka krijuar një muzikë origjinale për shfaqjen dhe është bazuar në motive shumë të vjetra arbëreshe, kështu që e gjithë shfaqja është si një përpunim i kujtimeve që vinë bashkë nga një kohë e papërcaktuar mirë në formë imazhesh”, thotë Pellicciotti.

Gjithashtu, balerini Fjorald Doci foli rreth lëvizjeve që sipas tij vinë të bazuara në kujtime, fotografi apo imazhe.

“Lëvizjet janë të bazuara në kujtime, foto, imazhe të cilat mundohemi t’i rikthejmë nga një kohë e shkuar por që janë të ngrira në fragmente. Kjo sjell një qasje shumë interesante gjatë procesit dhe na ka bërë të eksplorojmë në fusha të cilat i kishim të reja”, thotë Doci.

Koreografi Robert Nuha për KultPlus tregoi se këso shfaqje janë shumë të nevojshme në Kosovë, ngase janë në një mungesë të madhe.

“Shfaqja ishte padyshim e nivelit evropian. Është një shfaqje e dansit bashkëkohor e cila tek ne në Kosovë, megjithëse ka tendenca, akoma mungon. Kështu që kjo që sonte e pamë këtu është shumë e mirë për artistët, artdashësit dhe kërcimtarët që duan të zhvillohen në dansin bashkëkohor. Ishte një shfaqje tejet mbresëlënëse dhe unë për vete kam pasur fat që të punojë me kërcimtarët që ishin në skenë por sonte ishte me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme. Kur vjen një shfaqje nga një koreograf si Gentian Doda, sigurisht që pritshmëritë janë të tilla. Më bëhet qejfi shumë që FemArt po sjell shfaqje të tilla sepse na duhen shumë”, thotë Nuha.

Performanca “Vals i Këputun” vjen nga realizimi i ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’.

‘was bleibt kollektiv’ është një nismë e koreografit të mirënjohur botërisht Gentian Doda. Një bashkëpunim mes artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Fokusi i tyre qëndron në zbulimin e gjendjes njerëzore nëpërmjet lëvizjes (ose mungesës së saj). / KultPlus.com

Rama: Teatri Kombëtar do të ndërtohet siç është projektuar dhe siç jemi zotuar


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar.

Deklarata e kryeministrit u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministren e Kulturës, Elva Margariti për nisjen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

“Për fat të keq u bënë tani 3 vite që bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar, ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh, jashtë nesh, fatkeqësisht të mëdhenj, si tërmeti, pandemia apo lufta që ka nisur në Ukrainë, e cila faktikisht ka goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit në veçanti”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se është duke u diskutuar për të ndryshuar manualin teknik të çmimeve të punimeve të ndërtimit pasi kompanitë nuk shohin interes për të marrë pjesë në garat për investime publike.

“Jemi duke diskutuar pikërisht këtë fakt që ka pasur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket projektit të Teatrit dhe se i gjithë problemi qëndron te ky moment i vështirë i kalimit nga letra në realitetin e zbatimit për shkak të rritjes së çmimeve dhe jemi duke rishikuar manualin që kemi për këtë qëllim, sepse është e kotë që me manualin ekzistues tu kërkosh kompanive të marrin pjesë nëpër gara, apo që të mund të zhvillojnë investime në funksion të interesit publik, të cilat janë de fakto shumë më të shtrenja se sa figurojnë në manualin e vjetër. Po merremi me këtë çështje dhe besoj do të gjejmë në zgjidhje. Dhe Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar. Por si e kam thënë edhe herë të tjera, jo të gjitha planet mund të zbatohen sipas afateve të parashikuara, kur midis teje dhe afateve futen ngjarje që as mund të parashikohet as mund të evitohet”, deklaroi Rama. /atsh / KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës shënon Ditën e Tokës me mbjelljen e luleve e pastrimin e TKK-së

Sot shënohet Dita e Tokës e cila është vendosur në 22 prillin e vitit 1970. Në këtë datë 20 milionë amerikanë morën pjesë në demonstratën mjedisore nga më spektakolaret që u quajt “Dita e Tokës”.

Edhe në Kosovë pothuajse çdo vit kjo ditë shënohet përmes mbjelljes së fidanëve dhe pastrimit të ambientit, aktivitete këto që organizohen në komuna të ndryshme dhe nga grupe individësh.

Për shënimin e kësaj ditë, Teatri Kombëtar i Kosovës sot ka marrë iniciativë për mbjelljen e luleve dhe drunjëve si dhe pastrimin e ambientit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Punëtorët e teatrit dhe vetë artistët janë parë duke pastruar e mbjellë lule të ndryshme para teatrit e në këtë formë duke përcjellë një mesazh të mirë për gjithë qytetarët. / KultPlus.com

Sonte në Teatrin Kombëtar jepet repriza e shfaqjes ‘La Rrem’

Sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet repriza e shfaqjes ”La Rrem”.

Repriza fillon në orën 21:00.

”La Rrem” është shfaqje për artistin shumëdimensional, aktorin, regjisorin, këngëtarin dhe dramaturgun Muharrem Qena.

”La Rrem” është artisti antikonformist, jokonvencional, bohemi e dashnori i veçantë.

”La Rrem” është dashuria dhe pasioni për artin, për të bukurën. Është kënga, që buron nga shpirti, nga vuajtja e nga gëzimi. La Rrémi ynë është universal. Ai i flet kohës edhe botës sonë. Kudo dhe kurdo. La Rrém është njeriu revoltues, kryengritës dhe mosnënshtrues.

Shfaqja ”La Rrem” është më shumë se sa dramë muzikore. Është pasioni, emocioni, talenti i rrallë i artistit të madh.

Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Flaka Latifi, Bujar Ahmeti dhe Tristan Halilaj./ KultPlus.com

Publikohet lista fillestare e personave që kanë kandiduar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së

U publikua lista fillestare e personave që kanë kandiduar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Pas verifikimit të aplikacioneve do të publikohet lista finale.

Komisioni vlerësues dhe përzgjedhës për përpilimin e listës së kandidatëve të paraqitur në konkursin publik, për vendin e lirë të punës: Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, ka mbajtur takim, në të cilin ka hapur aplikacionet e kandidatëve.

Kandidatët që kanë aplikuar brenda afatit kohor të përcaktuar me konkurs janë:

Adriana Kutllovci
Arben Berisha
Bekim Hasani
Burhan Lata
Fadil Hoxha
Fahredin Shehu
Fisnik Derguti
Fitore Miftari
Gjergj Filipaj
Hysen Hundozi
Mehmet Kalisi
Orhan Hajrizi
Remzije Zeqiraj
Shkumbin Ahmetxhekaj
Valentina Saraçini
Zenel Hajrizi

Komisioni do të verifikojë aplikacionet bazuar në kriteret e konkursit dhe brenda afateve të caktuara kohore, do të përpilojë listën finale dhe do t’i njoftojë kandidatët për datën, vendin dhe kohën e mbajtjes së testit me shkrim. / KultPlus.com

Drama ‘Miu’ shfaqet të shtunën në Teatrin Kombëtar

‘Miu’ është dramë e karakterit që përfshin kohërat e zhvillimeve dramatike të plasaritjeve të mureve të ish Jugosllavisë.

Autori trajton një segment prekës të kësaj historie. Rrethanë hetuesie –  vitet e 80 -ta, koha kur shfaqen në horizont acarimet në mes pushtetit dhe bashkëpunëtorëve të pushtetit.

Frika ndaj njëri-tjetrit do të sjellë dhunë sistematike në mes të një hetuesi karshi një të hetuari.

Është format i dia-dramës, dramë psikologjike që luhet brenda rubikonit të absurdit dhe logjikës së gjetjeve autoriale.

Autor:

Shaip Grabovci

Përshtatja dhe regjisura:

Naser Shatrolli | Lirim Behluli

Interpretojnë:

Butrint Lumi | Ammar Havziji

Muzika:

Drinor Zymberi

Skenografia:

Ekrem Xhaka

Ndriçues:

Albert Gashi                          

Vendi dhe koha:

Teatri Kombëtar i Kosovës | 15.01.2022 | 20:00./ KultPlus.com

Teatri Kombëtar pa energji elektrike, dështon shfaqja ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’

Shfaqja ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’ ishte parparë që të shfaqet sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Megjithatë, një gjë të tillë e ka pamundësuar mungesa e energjisë elektrike, e cila është paraqitur si problem në të gjithë botën.

Aktorja e kësaj shfaqjeje, Majlinda Kasumoviq njoftoi përmes një ‘InstaStory’ në llogarinë e saj në “Instagram” se është ndalur rryma dhe rrjedhimisht shfaqja ka dështuar.

Anulohet shfaqja për shkak të mungesës së energjisë elektrike“, ka shkruar ajo.

Kjo nuk është hera e parë që po dështojnë shfaqjet në Teatrin Kombëtar të Kosovës si rezultat i mungesës së energjisë elektrike.

Ndërkohë, Teatrit Kombëtar nuk i punon gjeneratori që 2-3 vjet, e si pasojë e reduktimeve. 

“Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” është një “udhëtim teatror” nëpër dramaturgjinë e shkrimtarit të njohur Beqir Musliu.

Motivet kryesore nga përmbledhja e tij me katër drama, tetralogjia “Shtrigani i Gjel-Hanit”, janë lidhur e bërë bashkë për të krijuar një strukturë të re dramatike e cila rezonon e i jep eho një bote të shkuar, ku kalorës me kuaj prej druri kalërojnë nëpër mitet e legjendat tona, nëpër dramat e traumat tona, nëpër fajin tonë të cilin e kemi ndrydhur e gjuajtur në harresë!

Defilojnë në shfaqjen tonë shtriga e zana mali, kalorës të vdekur, dasmorë gazmorë, dhëndurrë të çuditshëm, mbretër gjakatarë e pretendentë fronesh revolucionar, nëna të harruara në vetmi e motra që udhëtojnë kaluar me të vdekur, cuba të kastruar, kuaj prej druri e viktima pa kokë! Dhe të gjithë këta, para se për të shkuarën, flasin për të tashmen, për mizoritë tona, për dellin tonë, për ta shkatërruar veten, për të “shkatërruar” atdheun dhe të ardhmen në lindje…

Një shfaqje dhe një dramaturgji jo e zakonshme – që vazhdon t’i bëj ballë kohës. Dhe plot pikëpyetje: për viktimat tona e për atdheun e “poshtëruar” nga ne të gjallët. / KultPlus.com

Më 11 janar në TKK promovohet botimi i dytë i monografisë kushtuar aktorit të ndjerë, Bekim Fehmiu

Më 11 janar promovohet botimi i dytë i monografisë, kushtuar aktorit me famë botërore, Bekim Fehmiu.

Libri me titull “BEKIM FEHMIU – Odiseu i Kosovës” për autor ka Fahri Musliun.

Promovimi do të mbahet në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 12:00.

Për librin do të flasin: Dr. Profesor Migena Arllati, Profesori Fadil Hysaj, Dr. Profesor Ilir Muharremi dhe Fahri Musliu – autori i monografisë.

Kjo ngjarje organizohet nga “Fondacioni Bekim Fehmiu” Prizren. / KultPlus.com

‘Coriolanus’ e Shekspirit shfaqet në Teatrin Kombëtar

Kritiku i njohur i artit, Josif Papagjoni, e vlerësoi si sukses vënien në skenë të shfaqjes “Coriolanus” me regji nga Altin Basha nga Teatri Kombëtar.

Ky produksion madhështor me 80 aktorë u shfaq premierë në tre netë në ArTurbina.

Papagjoni thekson se “nuk është e lehtë të vesh Shekspirin dhe vepra të dimensionit të madh”.

“Tragjedia e Shekspirit “Koriolani” (Coriolanus) e pata lexuar diku nga viti 1970 kur isha student në Institutin e Lartë të Arteve; qe një kopje e daktilografuar në bibliotekë, nuk e di kush e kishte përkthyer. Më kishte mbetur në mendje qysh atëhere madhështia e këtij gjenerali romak, sanguiniteti i tij, krenaria dhe guximi. Dhe kaq. Një hero i përmasës gati mitike si një Skipion Afrikani. Ja ku vepra vjen tani e përkthyer nga Alqi Kristo; edhe një tragjedi më shumë nga Shekspiri për lexuesin dhe spektatorin shqiptar. Por ajo nuk do të mundësohej dot pa regjisorin Altin Basha, që e mori përsipër ta vinte në skenë. Është diçka e madhe, tablore, thuajse shtypëse, kur e mendon ta inskenosh. Një stërpeshë, me veprim e hapësirë thuajse në përmasa filmike, me beteja, shkundullime turmash me ushtarë e qytetarë, me masa të mëdha figurantësh, përleshje me shtiza e shpata, turma klithëse, hordhi”, nënvizon Papagjoni.

Ndofta, vijon Papagjoni,  është nga tragjeditë më të vështira të Shekspirit për t’u inskenuar, paçka se në përgjithësi tragjeditë e tij të tillat janë: masive, me shumë personazhe, që shkojnë në disa dhjetëra, pasuar nga masa njerëzore qytetëse, patricë, ushtarë etj.

“Por “Coriolanus” në Teatrin Kombëtar është, mbase, inskenimi më i vështirë nga pikëpamja e menazhimit të masës së mbi 40 figurantëve dhe shndërrimit të saj në një “personazh”, në një “veprim energjik” të njësuar, që ndezullon konfliktin dhe i jep peshë e domethënie marrëdhënies së tensionuar hero-turmë”, thekson Papagjoni.

“Coriolanus” është bazuar mbi një histori të vërtetë, e cila gjendet në shkrimet e Plutarkut (“Jetë paralele”). Asgjë thelbësore nuk është ndryshuar, por gjenialiteti qëndron tek fakti se përtej historisë, Shekspiri ngre një monument arti me dialogjet, personazhet dhe çështjet që shënjestrohen në këtë tragjedi. “Ai na ngjall para syve Romën aq antike, komplekse dhe moderne në të njëjtën kohë. Vepra ndodh në fillimet e Republikës së Romës. Destabiliteti i vazhdueshëm politik, shpërthimet e papritura të dhunës, rrënimi i pushtetit popullor, manipulimi i turmave, kurthet politike në parlament, ekstremizmi demokratik, pushteti autokratik dhe përdorimi i tij, janë dekori në të cilin ndodh tragjedia e Kaj Marcit (Coriolanus). Fisnikëria e këtij heroi betejash mposhtet nga mungesa e aftësisë për të kuptuar makinacionet e politikës.

“Coriolanus” një kryevepër e Shekspirit u shfaq më 17, 18 dhe 19 dhjetor në “ArTurbina” . Vepra do të jetë në skenë dhe në datat 23, 24, 25 dhe 26 dhjetor./atsh/KultPlus.com

Së shpejti vjen leximi skenik i dramës ‘Jam unë ajo’ së Valmira Thaqit dhe Dituri Nezirajt

Së shpejti në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të mbahet leximi skenik i dramës “Jam unë ajo” së Valmira Thaqit dhe Dituri Nezirajt, përcjell KultPlus.

Të martën me fillim nga ora 12:00, “Jam unë ajo”, do ta lexojnë aktoret si: Valmira Hoti dhe Fitore Broqi.

Dija dhe Vesa janë dy portagonistet e dramës përmes të cilave vjen rrëfimi për gjendjen emocionale dhe psikolgjike të grave lehona dhe periudhën e rimëkëmbjes pas lindjes. Midis luftës së brendshme dhe asaj të jashtme, ato gjejnë veten në një botë të pakuptimt, të errët fajtore për sjelljen në jetë të një krijese aq delikate dhe të pastër. Të paafta për këtë mision aq të vështirë, ato shpesh vdekjen e tyre e gjejnë si shpëtim. Të gjitha këto peripeci, vijnë nga depresioni i paslindjes, i cili nuk flitet, nuk ndihmohet dhe nuk trajtohet klinikisht, siç duhet. Kjo temë fatkeqësisht është ende tabu, si pasojë e mentalitetit tradicional.

Kjo ngjarje mbështetet nga Minstria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Me rastin e 20 vjetorit të themelimit, Kori ‘Lira’ organizon koncert në TKK

Me rastin e 20 vjetorit të themelimit, Kori ‘Lira’ organizon koncert në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 24 dhjetor, duke filluar nga ora 20:00, përcjell KultPlus.

Koncerti vjen nën dirigjimin e Valire Sphaija Buzës si dhe me pjesëmarrësit: Profesor Sedat Kuçi, mysafirja speciale nga Hamburgu, Hava Bekteshi në çifteli si dhe këngëtari e moderatori, Andi Belegu.

Po ashtu, në këtë mbrëmje do të performojnë edhe Kori i fëmijëve ‘Okarina’, Lulzim Kazazi dhe Leonora Rugova.

Koncerti do të mbahet sipas masave dhe udhëzimeve të miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ndërkaq, hyrja është e lirë. / KultPlus.com

Nesër në TKK mbahet leximi skenik i dramës “Era” së autores Albana Muja

Nesër në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të mbahet leximi skenik i dramës “Era” së autores Albana Muja, përcjell KultPlus.

Me fillim nga ora 14:00, “Erën” do ta lexojnë aktorët si: Fatlume Bunjaku, Labinot Lajçi, Mirsad Ferati dhe Ekrem Sopi.

“Era” është njëra nga fitueset e vitit të kaluar në “Konkursin për Dramë Origjinale Shqipe Katarina Josipi”.

Ky event është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. / KultPlus.com

Homazhe në Teatrin Kombëtar për nder të regjisores Burbuqe Berisha

Sot mbahen homazhe në Teatrin Kombëtar për nder të regjisores Burbuqe Berisha.

Homazhet nisin nga ora 12:00 dhe vazhdojnë deri në orën 14:00, të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, transmeton KultPlus.

Berisha varroset sot në orën 15 në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Ajo vdiq dje në objektin e MKRS në moshën 51 vjeçare. / KultPlus.com

Hapet konkursi për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur konkurs për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facbook, MKRS njofton se aplikimi fillon nga data 13.11.2021 deri më 27.11.2021.

Postimi i plotë i MKRS-së:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall konkurs për:

Titulli i punës: Drejtor i Përgjithshëm

Institucioni: Teatri Kombëtar i Kosovës

Data e njoftimit në ëebfaqen unike të procedurave të konkurimit https:/ /konkursi.rks-gov.net është prej datës 14.10.2021 deri më 12.11.2021, ndërsa data e aplikimit është nga data 13.11.2021 deri më 27.11.2021./KultPlus.com

           

Komedia “Edmond” rikthen publikun artdashës në ArTurbina

Teatri Kombëtar riktheu publikun artdashës në skenë pas një mungese të gjatë që shkaktoi pandemia. Në ArTurbina u vu në skenë komedia “Edmond”, e autorit Alexis Michalik.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi foto nga kjo komedi teksa u shpreh se “ishte emocion i veçantë të shihje skenën me aktorë e sallën me publik, të dëgjoje duartrokitje, të qeshura me humorin e këndshëm e karakteret pikante të “Edmond”.

“Mos e humbni shfaqjen e Teatrit Kombëtar, në sallën e ArTurbinës, me regji të Indrit Çobanit e Andia Xhungës”, tha Margariti. Ministrja e vlerësoj shfaqjen si frymëmarrje për artin shqiptar.

Një histori argëtuese, me nota komike dhe dramatike, që tregon se si Edmond Rostand, krijoi një nga kryeveprat botërore të letërsisë dhe artit skenik, “Cyrano de Bergerac”.

Një histori e jashtëzakonshme, ku e ardhmja e Edmondit, vihet në provën e kohës. Për dy javë duhet të krijojë veprën më të bukur të jetës, për të shpëtuar nga dështimi dhe mjerimi. Në qindra pengesat që ka përpara, ku më e madhja është mungesa e subjektit të duhur, Edmondi ka vetëm një zgjidhje; të hedhë në letër një ngjarje rastësore që nisi si histori dashurie e mikut të tij të ngushtë dhe përfundoi si vepra më e susksesshme e Teatrit.

Kjo histori e pabesueshme, e treguar me vargjet e Siranoit dhe me prozën e Mishalik e  aktorëve Vasian Lami, Helidon Fino, Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Luli Bitri, Laert Vasili, Genci Fuga, Myzafer Zifla, Besmir Bitraku, deri tek aktorja e re, që ishte surpriza tjetër e shfaqjes, Ilirda Bejleri. / KultPlus.com

TKK fillon sezonin me “Aroma e Hënës” të Krajës, regjisorja Kostani: Publiku duhet ta ndjejë këtë pulsim bashkë me ne në skenë

Para disa ditësh në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar provat e kastës së aktorëve për shfaqjen “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, e që vjen nën regjinë e Rozi Kostanit, për të shënuar kështu hapjen e sezonit të ri vjeshtor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Elementi i një teatri të angazhuar i cili ngreh problematika thelbësore të një vendi, duket se ka ‘ngacmuar’ dhe intriguar regjisoren e shfaqjes, Rozi Kostani, e cila është bazuar në pyetjet e zakonshme se çfarë duam ne në këtë vend, çfarë është ky vend dhe se çfarë na plotëson. Por që sipas saj, vendin e bëjnë njerëzit dhe jemi ne fajtorët që ky vend nuk ecën përpara.

Artikulimi që bënë autori dhe problematikat e shpalosura në vepër, duke u bazuar në faktet e politikës ditore dhe politikës mediale janë cilësuar si temat kryesore që përfshihen në shfaqjen e cila brenda vetës ngërthen ndërlikimin dhe ndërveprimin e politikës me median dhe gërshetimin e tyre që shpërndan mesazhe në popull si p.sh: gjithçka po shkon mirë dhe është një lloj mjegulle që ndikon te populli.

Ndërsa për të treguar më shumë rreth shfaqjes, për KultPlus, foli vetë regjisorja Rozi Kostani.

“Ka qenë e vështirë përzgjedhja e kastit të shfaqjes, sepse unë kam pasur nevojë të njihem me ta, të jem brenda ngjyrimeve të personazheve që më ka propozuar autori në këtë vepër. Ka qenë një përpëlitje që të qoja rolet në ‘ato ujëra’ dhe mendoj se kam bërë përzgjedhjen e duhur”, thotë Kostani.

Sipas saj, puna e palodhshme paraqitet në ‘teatrin e fjalës’ e jo në një teatër ‘me lule e fishekzjarre’, ku publiku konsiderohet si një medium i cili të fton në ngritjen e tezave të autorit, si dhe në bashkëpunimin midis tyre deri në një rezultat.

“Publiku kur të dal nga skena duhet të mendoj, të fillojë të ‘përtyp’ mendimet e tij, e jo vetëm të dal i çlodhur nga një shfaqje. Teatri ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe ndriçimin, ne vërtet kemi edhe hënë të madhe për të dhënë pak dritë mbi mendime dhe veprime njerëzore pikërisht për këtë vend i cili është pjesë themelore dhe përmbajtësore e këtij populli”, thotë Kostani.

Sa i përket procesit të provave, konsiderohet se është në një proces analitik ku po bëhet zbërthimi i veprës, shfaqen mendimet dhe ndjesitë e kastës, duke iu referuar tekstit në pika të ndryshme të cilat duhet të deshifrohen.

Publiku do jetë pjesë e shfaqjes sepse vepra është zemra e problematikës, është pjesë e këtij vendi dhe është super konkrete, e andaj dhe publiku duhet ‘të rrah’ dhe ta ndjejë këtë pulsim bashkë me ne në skenë”, thekson ajo.

Për Kostanin, masat anticovid nuk janë se kanë ndikuar në mënyrë negative në procesin e provave, për arsye se tashmë është mësuar me masat parandaluese të pandemisë.

Duke marrë parasysh se shfaqja “Aroma e hënës” hap sezonin e ri në Teatrin Kombëtar, regjisorja ndjehet shumë e lumtur që po punon me kastën e aktorëve të përzgjedhur për këtë shfaqje, me ç’rast ajo dëshiron të barazoj ndjeshmërinë kombëtare. Ndërsa, Kostani tutje bëri të ditur se po punon për herë të parë me kastën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, edhe pse me disa prej tyre njihet paraprakisht prej shfaqjeve të mëparshme në të cilat kanë punuar bashkë.

“Është e rëndësishme që ne jemi në të njëjtat ujëra, unë po kuptohem mirë me aktorët, e kjo është një gjë mjaft e rëndësishme”, thotë Kostani.

Ndërkohë, për prezantimin e kësaj shfaqje edhe në teatrin e Tiranës, regjisorja pohoi se kjo gjë patjetër që do të ndodh dhe është e paevitueshme.

Kështu krejt në fund, për dëshirën e mëtutjeshme për të bashkëpunuar me Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të shfaqjeve tjera, regjisorja Kostani ka shprehur gatishmërinë e saj. / Edlira Musliu / KultPlus.com

TKK fillon sezonin vjeshtor me “Aroma e Hënës” të Mehmet Krajës

Teatri Kombëtar i Kosovës do të fillojë sezonin vjeshtor me dramën ‘Aroma e Hënës’ të Mehmet Krajës, përcjell KultPlus.

Në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës thuhet se përveç dramës së Krajës janë miratuar edhe dy tektë të tjera për skenë të vogël, ajo e Enver Petrovcit e titulluar ‘Muslimani’ dhe ‘Kuartet’ nga Heiner Muller’.

Njoftimi i plotë:

Përveç dramës së Krajës, e cila do të shfaqet në skenën e madhe, me propozim të zv/ Udhëheqësit Artistik, Këshilli Drejtues i TKK-së , ka miratuar edhe dy tekste për skenë të vogël: “Muslimani” të Enver Petrovcit dhe “Kuartet” të Heiner Muller.

Skena e madhe:

Teatri Kombëtar i Kosovës nga java e ardhshme do të fillojë provat për shfaqjen “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, ndërsa, regjinë e shfaqjes do ta bëjë Rozi Kostani, profesoreshë në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Regjisorja Kostani në bashkëpunim me menaxhmentin e TKK –së, do të organizojnë një audicion të brendshëm, për ditën e Hënë (20 Shtator 2021) me aktorët e Trupës Rezidente të Teatrit, ku ajo do të bëjë përzgjedhjen e aktorëve dhe ekipin realizues të shfaqjes.

Poashtu është vendosur që të vazhdohet procedura e sigurimit të të drejtave autoriale të “Shakespeare in Love”, dramë që është bartur nga viti paraprak regjinë e së cilës do ta bëjë Ilir Bokshi.

Skena e vogël:

Dy tekste të miratuara nga Këshilli Drejtues duo-drama e autorit Enver Petrovci me titull: “Muslimani” dhe dramën e Heiner Muller “Kuartet” do të inskenohen brenda këtij viti.

Konkursi për platforma regjisoriale të skenës së vogël, do të mbyllet sonte në ora 24:00 ndërsa, që nga fillimi i javës tjetër KD – ja do të formojë komisionin për vlerësim të platformave (koncepteve) regjisoriale që do të përzgjidhen regjisorët që do të realizojnë shfaqjet “Muslimani” dhe “Kuartet”./KultPlus.com

Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” shënon edhe një sukses tjetër


Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës është shpërblyer me çmimin “Regjia më e mirë” në Festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut” i mbajtur në Dibër.

Ky është një sukses tjetër i “Zgjimit të Pranverës” që deri tani është shpërblyer si: “Shfaqja më mirë në vitin 2020” në Kosovë dhe “Shfaqja më mirë” në edicionin e 14-të të ITF SkupiFestival.

Kurse në Festivalin “Moisiu On” në Tiranë aktorja Arta Muçaj është shpërblyer me çmimin “Aktorja më mirë joprotagoniste” me rolin e saj në shfaqje.

“Zgjimi i Pranverës” është bashkëproduksion i Artpolis – Qendra për Artin dhe Komunitetin dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Ylli i operas italiane Jessica Nuccio, për herë të parë në Kosovë

Tenori shqiptar, Ramë Lahaj, për herë të parë po zgjerohet më tej, për të sjell festivalin e parë Operistik në Kosovë. Festivali do të jetë i pari në Kosovë dhe do të titullohet ”Ramë Lahaj International Opera Festival”, përcjellë KultPlus.

Ndërkaq, sot, tenori i famshëm shqiptar ka bërë të ditur se skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me 4 gusht të këtij viti, do të mirëpres yllin e operas italiane, Jessica Nuccio.

Ne kuader te RLIOF, sjellim yllin e operas italiane Jessica Nuccio ne Teatrin Kombetar te Kosoves, 4 Gusht 2021, ora 19:30.
Edhe shume surpriza te tjera do t’i bejme te ditura se shpejti!
Rame Lahaj Opera Festival
Jessica Nuccio’
‘, ka shkruar Lahaj në Facebook. / KultPlus.com