111 vjetori i lindjes së Sabiha Kasimatit, shkencëtarja shqiptare që u pushkatua nga regjimi komunist

Sot, përkujtojmë 111-vjetorin e lindjes të Sabiha Kasimatit (1912-1951, biologë dhe punonjëse shkencore.

Ajo lindi në Edrene (Adrianopol) të Turqisë Evropiane, në një familje nga Libohova. Më 1927 u kthye familjarisht në atdhe, u vendos në Korçë, dhe kreu Liceun Kombëtar. Punoi si mësuese në shkollën femërore të Korçës dhe në shkollën e mesme bujqësore amerikane të Kavajës (1931-1936).

Më 1936 filloi studimet e larta për biologji (dega e iktiologjisë) në Universitetin e Torinos. Më 1941 mbrojti doktoraturën dhe u kthye në atdhe. Punoi si mësuese e biologjisë në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë (1941-1945).

Gjatë vitit 1945 qëndroi për kurim në Torino. U kthye në atdhe dhe filloi punën si kërkuese shkencore në Institutin e Studimeve që me themelimin e tij (1946), ku u morr me studimin e peshqve të Shqipërisë.

Botoi disa artikuj shkencorë në revistën “Buletin i institutit të Shkencave”. Grumbulloi një material të pasur për iktiologjinë e Shqipërisë, mbi bazën e të cilit do të hartonte një monografi.

Më 20.02.1951 u arrestua lidhur me incidentin e bombës në ambasadën sovjetike bashkë me 21 persona të tjerë të arrestuar për të njëjtën ngjarje. U pushkatua pa u gjykuar, më 26.02.1951. / KultPlus.com

Isaac Newton, ndër shkencëtarët më të mëdhenj në historinë e shkencës

Isaac Newton ishte një fizikan, astronom, filozof, teolog dhe matematicient anglez i cili është konsideruar gjerësisht si një nga shkencëtarët më me influencë të të gjitha kohërave dhe si një figurë kyçe në revolucionin shkencor. Libri i tij “Philosophiae Naturalis Principia Mathematica” (Principet Matematike të Filozofisë Natyrore), botuar së pari në vitin 1687, hodhi themelet për “mekanikën klasike”. Sot janë bërë 296 vite që kur ai ka vdekur.

Në Principia, Njutoni formuloi ligjet e lëvizjes dhe gravitetin universal që formësoi këndvështrimet shkencore kryesore deri sa u zëvendësua nga Teoria e Relativitetit. Njutoni përdori shpjegimet e tij matematike të gravitetit për të derivuar ligjet e lëvizjes së planeteve të Keplerit, llogaritur baticat, trajektoret e kometave, precedentët e ekuinikseve dhe fenomeneve të tjera natyrore, duke zvenitur më tej dyshimet për heliocentricitetin e Sistemit Diellor. Ai demonstroi se lëvizja e objekteve në Tokë dhe trupa qiellorë mund të llogaritet nga të njëjta principe. Konkluzioni i Njutonit se Toka është një sferoid i shtypur në pole, u konfirmua më vonë nga matje gjeodezike të Maupertuis, La Condamine dhe të tjerë, duke bindur shumicën e shkencëtarëve Evropianë për superioritetin e mekanikës Njutoniane mbi sistemet e mëparshme.

Njutoni ndërtoi teleskopin e parë praktik reflektues dhe zhvilloi një teori të sofistikuar të ngjyrave të bazuara në vëzhgimet e kryera me një prizëm qelqi që zbërthen dritën e bardhë në ngjyrat e spektrit të dukshëm. Punimet e tij mbi dritën u grumbulluan në librin e tij shumë influencues “Optika”, i botuar më 1704. Ai formuloi gjithashtu një ligj empirik për ftohjen, bëri llogaritjen e parë  teorike për shpejtësinë e dritës dhe prezantoi i pari nocionin e lëngjeve Njutoniane. Në vazhdimësi të punës së tij në llogaritje, si një matematikan, Njutoni kontribuoi në studimin e serive të energjive, gjeneralizoi teoremën binomial të eksponentëve me numra jo të plotë, zhvilloi një metodë për të përafruar zgjidhjet e një funksioni dhe klasifikoi shumë prej kurbave të rrafshit kubik.

Në mekanikë, Njutoni formuloi parimin e inercisë.

Në optikë, ai e ndërtoi teleskopin, zhvilloi teorinë e ngjyrave në bazë të vëzhgimit të një prizmi. (Ngjyra e bardhë zbërthehet në një spektër ngjyrash). Ai gjithashtu formuloi një ligj empirik të ftohjes.

Në matematikë, Njutoni së bashku me Gotfrid Lajbnicin dhe pavarësisht nga njëri-tjetri, zbuluan njësimin diferencial dhe integral. Ai gjithashtu demonstroi teoremën e binomit, zhvilloi të ashtuquajturën “metodë të Njutonit” për gjetjen e zerove të një funksioni dhe kontribuoi në zbërthimin e funksioneve në seri potenciale të pafundme. Isak Njutoni së bashku me Gaussin dhe Arkimedin bëjnë pjesë në të ashtuquajturën “treshe të artë” të matematikës. Ai ka formuluar tri ligjet kryesore të mekanikës: Ligjin e inercisë, Ligjin e veprimit dhe të kundërveprimit, Ligjin e forcës.

Pas Galileut, Isak Njutoni, e thelloi kuptimin e forcës. Ai zbuloi se ndërmjet Tokës dhe Hënës vepron forca e gravitetit dhe se është njësoj me atë të Tokës. Forca e gravitetit vepron edhe ndërmjet Tokës dhe disa qindra satelitëve artificialë që sillen rreth saj.

Njutoni, siç demonstrohet nga një sondazh të vitit 2005, është ndër shkencëtarët më të mëdhenj në historinë e shkencës. / KultPlus.com

Marie Curie, gruaja e parë që ka marrë dy çmime “Nobel”

Sot shënohet 86 vjetori i vdekjes së gruas së parë që ka marrë dy çmime Nobel, shkruan KultPlus.

Tashmë e shndërruar në figurë mitike, simboli i përfshirjes së femrave në lëmin e shkencës, madje gruaja e të gjitha rekordeve. Nobelistja Mari Kyri (Marie Sklodowska-Curie) është gruaja e parë që fitoi doktoraturë në fizikë, e para grua që ka marrë dy çmime “Nobel” (një e ndarë me burrin e saj Pier Kyri dhe Henri Bekërel), profesoresha e parë në Sorbonë dhe e para që u fut në Panteon më 20 prill 1995.

Jetën e saj Mari Kyri e jetoi përkrah shkencëtarëve më eminentë të fillimshekullit XX. E njohur nga të gjithë, u vlerësua ndërkombëtarisht për t’u kthyer në mit. Kokëfortë, pa dyshim e talentuar dhe inteligjente, ajo ishte e para në shumë fusha: e para në agregatin e fizikës, gruaja e parë doktore e shkencave, femra e parë fituese e medaljes “Davy”, gruaja e parë dy herë nobeliste.

Vajza polake, e lindur më 7 nëntor 1867 në Varshavë, u vendos në Paris në 1891. Pasi përfundoit studimet për shkencë, ajo u bë specialiste e substancave radioaktive, së bashku me bashkëshortin Pier Kyri. Jo rrallëherë nobelistja është etiketuar edhe si feministe. Puna e saj mbi polonium dhe radiumin bëri histori dhe përfundoi duke ua mbyllur gojën atyre që e kishin sulmuar pandershmërisht.

Ajnshtajni shprehej se ajo ishte shkencëtari më i madh (në gjininë mashkullore) që ai njihte. Kryesorja, është ende e vetmja grua, hiri i së cilës prehet në Panteon për arsye larg të qenit “gruaja e”. Me të shoqin u njoh në kohën që po kërkonte një laborator për të studiuar vetitë magnetike të çeliqeve. “Ndodhi një alkimi e menjëhershme.

Ishte takimi i dy qenieve që kishin diçka absolute, shumë të kërkuar nga të tjerët dhe nga vetvetja, mbi të gjitha ndanë një pasion të përbashkët për shkencën. Shkëmbimi i korrespondencës së tyre dhe kujtimet e Mari Kyri dëshmojnë për një marrëdhënie tejet të thellë midis dy shpirtrave binjakë”. Nëse shumë gra duhej të zgjedhin midis martesës dhe karrierës, në rastin e shkrimtares ishte pikërisht i shoqi që e mbështeti gruan, financiarisht dhe moralisht. Maria solli në jete 2 vajza: Irenën (1897) dhe Evën (1904).

Në vitin 1898, duke studiuar rrezatimin e uraniumit, i cituar pak kohë më parë nga Henri Bekërel, si dhe substanca të tjera, Mari Kyri vuri theksin në atë që e quajti “radioaktivitet”. Disa muaj më vonë, çifti njoftoi se kishin identifikuar dy elementë të rinj: poloniumin dhe radiumin. Në vitin 1903, së bashku me Bekërelin morën çmimin “Nobel” në fizikë, për zbulimin e radioaktivitetit.

Pas luftës, shembulli i saj do të jetë një ndihmë e vlefshme në luftërat e ndryshme për kauzën e barazisë femërore, veçanërisht natyrisht në fushën e shkencës. Ajo do të bëhet një figurë mediatike në Shtetet e Bashkuara, ku do të bëjë fushatë për të mbledhur fonde për kërkime shkencore me radium. Fatkeqësisht, orët e gjata të ekspozimit ndaj substancave radioaktive çuan në përkeqësimin e shëndetit të saj.

E gjithë ekzistenca e Mari Kyrisë zhvillohet nën simbolin e drejtësisë, humanizmit dhe punës. Jeta e saj është një përrallë sa e bukur, aq edhe e trishtuar, më saktë e mrekullueshme. Jo se ato çfarë rrëfehen nuk janë të vërteta apo janë të zbukuruara nga historia, përkundrazi kemi të bëjmë me një ndërthurje lavdish e shoqëruar me një seri fatkeqësish që të imponon respekt. Motra e madhe i vdes nga tifoja, më pas e ëma nga tuberkulozi. Punimet në “rrezet e uraniumit” të Henri Bekërel çojnë në zbulimin e poloniumit dhe radiumit, pastaj në përcaktimin e masës atomike të radiumit (226 dhe pluhurave). Vdekja e tmerrshme aksidentale e Pier Kyrisë. Skandali i jashtëzakonshëm i lidhjes së saj me Paul Langevin (Poli i pashëm është i martuar, ajo është e ve). Angazhimi i saj për radiografimin e ushtarëve të plagosur gjatë Luftës së Parë Botërore. Dy çmimet “Nobel” dhe për ta mbyllur me Panteonin.

Pas luftës, Mari Kyri ngriti “Institut du Radium” – Institutin e ardhshëm Curie – e themeluar në vitin 1909. Virtytet terapeutike të radiumit për të vrarë tumoret malinje janë të njohura, por mbetet ende shumë për të bërë për të kontrolluar përdorimin e tij. Ajo do ta bëjë atë deri në vdekjen e saj në 1934. Vdiq në korrik 1934 në moshën 66 vjeç. Vdekja e saj nuk u shoqërua me ndonjë ceremoni zyrtare. Mirëpo, në vitin 1995, presidenti Fransua Miteran e solli në Panteon, së bashku me të shoqin. / KultPlus.com

Detaje rrëqethëse të “dosjes” së Sabiha Kasimatit dhe skema e dënimit të 22 martirëve

Në 105-vjetorin e lindjes së biologes që u fut në listën e “sabotatorëve”, ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, ka zbardhur detaje të dosjes së Sabiha Kasimatit si dhe skenën se si u ekzekutuan 22 persona të tjerë për ngjarjen e njohur të bombës në ambasadën sovjetike.
Po kështu, Dervishi ka publikuar edhe skemën e ndërtuar nga hetuesit dhe sigurimi për realizimin e “atentatit” ndaj ambasadës.

Dosja hetimore-gjyqësore në ngarkim të grupit të supozuar të hedhjes së dinamitit në legatën sovjetike është bërë publike qysh në vitin 1992. Madje janë botuar disa libra me autorë të ndryshëm e janë bërë disa dokumentarë. Ajo nuk është dosje agjenturiale operative, (sepse të gjithë personat që u listuan apo u ekzekutuan e kanë pasur dosjen në ngarkim), por një dosje e sajuar në mënyrë shumë primitive pas ekzekutimit të martirëve. Dosjet formulare të personave që u implikuan në këtë histori, me një përjashtim (edhe ky rast nuk ka informacion konkret, përveçse datës së ekzekutimit) janë asgjësuar në vitet ’50. Kësisoj historitë që lidhen me ekzekutimin e 22 personave mesnatën e 25-26 shkurtit 1951, domosdoshmërisht kërkohen në burime të tjera.

Dinamitin (gabimisht shumë thuhet “bombë”) e hodhi organizata Bashkimi Kombëtar e kryesuar nga Sejfulla Shima. U zgjodh ajo kohë atentati për t’i dhënë një goditje regjimit komunist në kohën kur në Tiranë organizoheshin aktivitete për nder të Ushtrisë së Kuqe.

Ora 19.30 të datës 19 shkurt 1951, Hysen Llulla dhe Qazim Laçi u nisën me biçikleta drejt legatës sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë. Hyseni hodhi dinamitin me fitil 2 metra të gjatë, ndërsa Qazimi nuk mundi të hedhë gjë. Shpërthimin e kanë dëgjuar të dy kur ishin në lumin Lana. Zbulimi i këtij grupi u bë rastësisht pas dy javësh, vetëm sepse një anëtar i Bashkimit Kombëtar e tregoi ngjarjen në formë mburrjeje (po kjo është çështje tjetër) te një person tjetër.

Menjëherë pasi Byroja Politike vendosi mënyrën e veprimit si dhe dënimet me vdekje që do jepeshin, organet e punëve të brendshme në Tiranë nisën një valë arrestimesh me të cilat izoluan gjithë elementin antikomunist të menduar. Të arrestuarit për këtë ngjarje shkuan rreth 170 persona (lista unike kryesore), përfshi ata para ngjarjes që dyshoheshin për një veprim të datës 8 shkurt 1951, por nuk rezulton kurrkund të jetë i vërtetë. Historia e kësaj ngjarjeje nuk mund të njihet kurrsesi e veçantë, por e integruar me 170 personat e tjerë. Në këto arrestime mungonin pikërisht anëtarët e organizatës që hodhi dinamitin, gjë që tregoi mungesën e inteligjencies së organeve të Sigurimit dhe syleshtësinë tipike karakteristike të tyre. Organet e punëve të brendshme përpiluan tri lista nga kontingjentet “armike”. Duke menduar se patjetër armiku duhej të ishte këtu, u përzgjodhën për t’u pushkatuar 22 persona, ndërsa 2 të tjerë u ekzekutuan në një proces të mëvonshëm (jashtë tri listave, por pjesë e grupit prej 170 personash). Nga Instituti i Shkencave ishin përzgjedhur tre persona, njëra nga të cilët ishte shkencëtarja Sabiha Kasimati (dy të tjerët, me histori shumë interesante kaluan në procese gjyqësore të veçanta). Sabihaja u mor në pyetje nga shefi i seksionit të Degës së 2-të, Koli Shuke (me profesion rrobaqepës). Listat u përpiluan në këtë mënyrë:

A-Lista e parë, “agjentët e të huajve”
Dega e 1-rë (Zbulimi Politik) drejtuar nga Zoi Themeli (me profesion furrxhi) dhe Dega e 5-të (legatat e huaja) drejtuar nga Delo Balili përpiluan një lista të përbashkët me gjithsej 19 persona. Nga kjo listë u ekzekutuan: Tefik Shehu, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç, Haki Kodra, Thoma Katundi, Mehmet Ali Shkupi, Gjon Temali, Fadil Dizdari.

B-Lista e dytë, ballistët, legalistët, pronarët
Dega e 2-të Dega që drejtohej nga Niko Ceta (me profesion furrxhi) me zëvendës Rasim Dedjen (me profesion rrobaqepës) përpiloi një listë me gjithsej 10 persona. Nga kjo listë u ekzekutuan: Ali Qorraliu, Zyhdi Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaceli, Sabiha Kasimati .

C-Lista e tretë, nëpunësit “sabotatorë”
Dega e 3-të (Mbrojtja e Ekonomisë Socialiste) që drejtohej nga Edip Çuçi (me profesion specialist djathi) përpiloi një listë me gjithsej 12 persona, kryesisht nëpunës në ministri apo ndërmarrje. Nga kjo listë u ekzekutuan: Pjerin Guraziu, Qemal Kasoruho, Anton Delhysa, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia. / KultPlus.com