Franca përkujton gruan me ngjyrë që u rebelua ndaj skllavërisë

Në Paris do të vendoset statuja e një gruaje me ngjyrë që ishte përfshirë në një rebelim të vitit 1802 kundër skllavërisë në ishullin francez të Guadaloupe.

Gruaja e cila quhej Solitude, ishte ekzekutuar, shkruan BBC, raporton KultPlus.

Kryetarja e Parisit Anne Hidalgo e quajti Solitude “heroinë” dhe një “symbol të fuqishëm”.

Historia e skllavërisë së Francës është duke u rivështruar pjesërisht për shkak të protestave Black Lives Matter.

Presidenti Emmanuel Macron ka folur kundër largimit të statujave ose emrave kontravers të figurave historike të cilat sipas tij ofrojnë “një pamje të qartë të historisë dhe kujtesë. / KultPlus.com

Marie Curie, gruaja e parë që ka marrë dy çmime “Nobel”

Sot shënohet 86 vjetori i vdekjes së gruas së parë që ka marrë dy çmime Nobel, shkruan KultPlus.

Tashmë e shndërruar në figurë mitike, simboli i përfshirjes së femrave në lëmin e shkencës, madje gruaja e të gjitha rekordeve. Nobelistja Mari Kyri (Marie Sklodowska-Curie) është gruaja e parë që fitoi doktoraturë në fizikë, e para grua që ka marrë dy çmime “Nobel” (një e ndarë me burrin e saj Pier Kyri dhe Henri Bekërel), profesoresha e parë në Sorbonë dhe e para që u fut në Panteon më 20 prill 1995.

Jetën e saj Mari Kyri e jetoi përkrah shkencëtarëve më eminentë të fillimshekullit XX. E njohur nga të gjithë, u vlerësua ndërkombëtarisht për t’u kthyer në mit. Kokëfortë, pa dyshim e talentuar dhe inteligjente, ajo ishte e para në shumë fusha: e para në agregatin e fizikës, gruaja e parë doktore e shkencave, femra e parë fituese e medaljes “Davy”, gruaja e parë dy herë nobeliste.

Vajza polake, e lindur më 7 nëntor 1867 në Varshavë, u vendos në Paris në 1891. Pasi përfundoit studimet për shkencë, ajo u bë specialiste e substancave radioaktive, së bashku me bashkëshortin Pier Kyri. Jo rrallëherë nobelistja është etiketuar edhe si feministe. Puna e saj mbi polonium dhe radiumin bëri histori dhe përfundoi duke ua mbyllur gojën atyre që e kishin sulmuar pandershmërisht.

Ajnshtajni shprehej se ajo ishte shkencëtari më i madh (në gjininë mashkullore) që ai njihte. Kryesorja, është ende e vetmja grua, hiri i së cilës prehet në Panteon për arsye larg të qenit “gruaja e”. Me të shoqin u njoh në kohën që po kërkonte një laborator për të studiuar vetitë magnetike të çeliqeve. “Ndodhi një alkimi e menjëhershme.

Ishte takimi i dy qenieve që kishin diçka absolute, shumë të kërkuar nga të tjerët dhe nga vetvetja, mbi të gjitha ndanë një pasion të përbashkët për shkencën. Shkëmbimi i korrespondencës së tyre dhe kujtimet e Mari Kyri dëshmojnë për një marrëdhënie tejet të thellë midis dy shpirtrave binjakë”. Nëse shumë gra duhej të zgjedhin midis martesës dhe karrierës, në rastin e shkrimtares ishte pikërisht i shoqi që e mbështeti gruan, financiarisht dhe moralisht. Maria solli në jete 2 vajza: Irenën (1897) dhe Evën (1904).

Në vitin 1898, duke studiuar rrezatimin e uraniumit, i cituar pak kohë më parë nga Henri Bekërel, si dhe substanca të tjera, Mari Kyri vuri theksin në atë që e quajti “radioaktivitet”. Disa muaj më vonë, çifti njoftoi se kishin identifikuar dy elementë të rinj: poloniumin dhe radiumin. Në vitin 1903, së bashku me Bekërelin morën çmimin “Nobel” në fizikë, për zbulimin e radioaktivitetit.

Pas luftës, shembulli i saj do të jetë një ndihmë e vlefshme në luftërat e ndryshme për kauzën e barazisë femërore, veçanërisht natyrisht në fushën e shkencës. Ajo do të bëhet një figurë mediatike në Shtetet e Bashkuara, ku do të bëjë fushatë për të mbledhur fonde për kërkime shkencore me radium. Fatkeqësisht, orët e gjata të ekspozimit ndaj substancave radioaktive çuan në përkeqësimin e shëndetit të saj.

E gjithë ekzistenca e Mari Kyrisë zhvillohet nën simbolin e drejtësisë, humanizmit dhe punës. Jeta e saj është një përrallë sa e bukur, aq edhe e trishtuar, më saktë e mrekullueshme. Jo se ato çfarë rrëfehen nuk janë të vërteta apo janë të zbukuruara nga historia, përkundrazi kemi të bëjmë me një ndërthurje lavdish e shoqëruar me një seri fatkeqësish që të imponon respekt. Motra e madhe i vdes nga tifoja, më pas e ëma nga tuberkulozi. Punimet në “rrezet e uraniumit” të Henri Bekërel çojnë në zbulimin e poloniumit dhe radiumit, pastaj në përcaktimin e masës atomike të radiumit (226 dhe pluhurave). Vdekja e tmerrshme aksidentale e Pier Kyrisë. Skandali i jashtëzakonshëm i lidhjes së saj me Paul Langevin (Poli i pashëm është i martuar, ajo është e ve). Angazhimi i saj për radiografimin e ushtarëve të plagosur gjatë Luftës së Parë Botërore. Dy çmimet “Nobel” dhe për ta mbyllur me Panteonin.

Pas luftës, Mari Kyri ngriti “Institut du Radium” – Institutin e ardhshëm Curie – e themeluar në vitin 1909. Virtytet terapeutike të radiumit për të vrarë tumoret malinje janë të njohura, por mbetet ende shumë për të bërë për të kontrolluar përdorimin e tij. Ajo do ta bëjë atë deri në vdekjen e saj në 1934. Vdiq në korrik 1934 në moshën 66 vjeç. Vdekja e saj nuk u shoqërua me ndonjë ceremoni zyrtare. Mirëpo, në vitin 1995, presidenti Fransua Miteran e solli në Panteon, së bashku me të shoqin. / KultPlus.com