Shkencëtarët: Vrima e zezë e Galaktikës sonë rrotullohet me shpejtësi

Vrima e zezë e Galaktikës sonë rrotullohet shpejt dhe zvarrit hapësirën-kohën me të, thonë shkencëtarët. Vrima e zezë e galaktikës sonë, Shigjetari A, po rrotullohet me shpejtësi dhe po ndryshon hapësirën rreth saj. Një ekip fizikantësh vëzhgoi vrimën e zezë, e cila ndodhet 26 mijë vite dritë nga Toka, me Observatorin e NASA-s duke konfirmuar rrotullimin e saj. Rrotullimi shkakton zvarritjen e kornizës.

Autorja kryesore e studimit thotë se me këtë rrotullim, Shigjetari A do të ndryshojë në mënyrë dramatike formën e hapësirë-kohës në afërsi të saj. Ndryshimi i hapësirë-kohës është i dobishëm për të kuptuar rolin që luajnë vrimat e zeza në formimin dhe evolucionin e galaktikës. Vlera e rrotullimit i ndihmon astronomët të kuptojnë se si vrima e zezë mund të jetë formuar dhe evoluar. /Alsat.mk/KultPlus.com

Shkencëtarët europianë: Korriku, muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë

Një rekord me “pasoja katastrofike” për botën: Korriku i vitit 2023 ishte me të vërtetë muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë. Konfirmimi ka ardhur nga shërbimi evropian Copernicus, duke renditur të dhënat që kanë “çmendur” të gjithë matësit.

Muaji i kaluar, i shënuar nga valët e të nxehtit dhe zjarret në të gjithë botën, ishte 0.33 gradë Celsius më i ngrohtë se muaji i mëparshëm i rekordeve (korrik 2019, i cili ishte mesatarisht 36.63 gradë Celsius). Temperatura atmosferike ishte gjithashtu 0,72 gradë Celsius më e ngrohtë se mesatarja (1991-2020) për korrikun.

Që në 27 korrik, para se të mbaronte muaji, shkencëtarët e kishin konsideruar “jashtëzakonisht të mundshme” që korriku 2023 të ishte muaji më i nxehtë i regjistruar.

Këto të dhëna e shtynë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres të thoshte se njerëzimi kishte dalë nga epoka e ngrohjes globale dhe kishte hyrë në atë të “vlimit global”.

Oqeanet po dëshmojnë gjithashtu këtë zhvillim alarmues, me temperatura jashtëzakonisht të larta të sipërfaqes që nga prilli dhe nivele rekord në korrik. Një rekord i të gjitha kohërave u vendos më 30 korrik në 20,96 gradë Celsius.

Copernicus raporton gjithashtu se akulli i detit të Antarktidës u tkurr në korrik më shumë se kurrë që nga fillimi i vëzhgimeve satelitore dhe ra 15% nën mesataren e muajit.

Ndoshta viti 2023 nuk do të ndalojë së thyeri rekorde.

“Ne presim një fundvit relativisht të ngrohtë për vitin 2023 për shkak të zhvillimit të fenomenit El Niño”, kujton Copernicus.

Ky fenomen ciklik klimatik mbi Paqësorin është me të vërtetë sinonim i ngrohjes së mëtejshme globale./A2CNN/KultPlus.com

Shkencëtarët: Në oqeane ka mbi 171 trilionë mbetje plastike

Shkencëtarët kanë zbuluar se në oqeanet që mbulojnë rreth 70 për qind të botës gjenden mbi 171 trilionë mbetje plastike.

Sipas lajmit të BBC, një grup shkencëtarësh që studiojnë ndotjen plastike në oqeane, analizuan të dhënat rreth mbetjeve nga viti 1979.

Për të arritur një rezultat rreth numrit të mbetjeve plastike në oqeane, të dhënat në këtë analizë iu shtuan një modeli matematikor.

Sipas kësaj, në oqeanet që mbulojnë rreth 70 për qind të botës gjenden mbi 171 trilionë copë plastike.

Shkencëtarët paralajmëruan se nëse nuk merren masa lidhur me dendësinë plastikave në oqeane, deri në vitin 2040 numri i mbetjeve do të rritet trefish.

Dr. Marcus Eriksen nga Instituti “5 Gyres” tha se copët plastike që ndotin oqeanet në vitin 2005 ishin 16 trilionë, ndërsa ky numër për 18 vjet është rritur në rreth 171 trilionë.

Ata nuk kanë mundur të gjejnë një arsye të qartë për rritjen e shënuar pas vitit 2005, por kjo mund të shpjegohet me zbutjen e marrëveshjeve të fuqishme, copëzimin e plastikës apo mungesën e të dhënave të mjaftueshme më parë.

Oqeani Atlantik i Veriut vlerësohet të jetë një nga oqeanet me më shumë mbetje plastike.

Më 5 mars u arrit një marrëveshje për këtë temë në Kombet e Bashkuara (OKB) pas disa vitesh negociatash për mbrojtjen e biodiversitetit në det të hapur. / atsh / KultPlus.com