Themelimi i Shkollës së Baletit e nevojshme për të siguruar të ardhmen e baletit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i ka shkruar letër Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqri Bytyqi, që të themelojë Shkollën Kombëtare të Baletit në Republikën e Kosovës.

Kërkesa për themelimin e kësaj shkolle ka ardhur si iniciativë duke e parë si interes kombëtar si dhe për faktin se nuk ka një shkollë të këtillë apo institucion arsimor ku bëhet shkollimi dhe përgatitja e kuadrit për trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Kosova, për momentin ka një trupë të vogël të Baletit në kuadër të Baletit Kombëtar të Kosovës, edhe pse shumë profesionale dhe që ka dëshmuar vetën në shumë shfaqje në Kosovë dhe në shumë qendra të Evropës me performanca artistike dhe profesionale, si dhe në shumë bashkëpunime ndërkombëtare”, është shprehur ministri Gashi në letrën e tij drejtuar ministrit Bytyqi, është e nevojshme të themelohet një institucion arsimor që përgatit kuadro që në një plan afatgjatë të sigurojnë të ardhmen e qëndrueshme dhe cilësore të baletit në vendin tonë.

“Duke marr parasysh që zhvillimi i kulturës dhe veprimtarisë së Baletit në Kosovë kërkon përgatitje profesionale, është shumë e nevojshme dhe në të njëjtën kohë e rëndësishme për vendin tonë të themelohet “Shkolla Kombëtare e Baletit” sipas standardeve ndërkombëtare, e cila do të do të përgatiste kuadro të reja për Baletin Kombëtar të Kosovës dhe për veprimtarinë e baletit në vendin tonë”, ka theksuar ministri Gashi.

“Në lidhje me strukturën dhe veprimtarinë e përgjithshme të shkollës mund të themelojmë një grup të përbashkët, i cili grup punues do të përgatiste në detale organogramin e shkollës si dhe veprimtarinë e saj, si model mund ta marrim shkollën Kombëtare të Baletit në Shqipëri”, ka shpjeguar ministri, me shpresën që kërkesa e tij të përkrahet nga ministri Bytyqi.

Ministri Kujtim Gashi ka vlerësuar se kjo shkollë do t’i sigurojë vendit tonë breza të ri të balerinëve të cilët do të jenë të përgatitur dhe shkolluar nga kuadro profesionale dhe që do t’i ndihmojë Baletit Kombëtar të Kosovës dhe veprimtarisë së baletit në përgjithësi. /KultPlus.com

Inaugurohet krejt e rinuar Shkolla e Baletit në Tiranë (FOTO)

230 artistët e rinj, nxënës të Shkollës së Baletit, e kanë nisur vitin e ri shkollor në një godinë moderne dhe mjedise të rikonstruktuara. Në ceremoninë e përurimit të mjediseve të reja mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi, si dhe pedagogë e nxënës që kanë frekuentuar shkollën ndër vite, të cilët me punën e tyre kanë ngritur lart emrin e shkollës shqiptare të baletit, përcjellë KultPlus.

Ministrja e Kulturës Kumbaro kujtoi se “Në vitet ’50 Moska shkollonte kuadrot e parë të baletit: Skënder Selimi, Panajot Kanaçi, Ganimet Vendresha, Zoica Haxho, Agron Aliaj, Petrit Vorpsi , Xhemil Simixhiu. Duket si avanguard mendimi për të pasur një shkollë baleti në Shqipëri, në një vend të vogël si i yni, pa përvojën e artit të kultivuar koreografik, me problem ekonomike. “Baleti i Vogël” krijuar në vitin e largët ’49 kujtohet edhe sot për pasionin, intuitën, këmbënguljen në fillesën e një bërthame artistësh që atëherë nuk e dinin, por do të kujtoheshin gjatë si fillesa e baletit në Shqipëri”.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro falënderoi kryebashkiakun Veliaj për mbajtjen e këtij premtimi, duke bërë realitet ëndrrën e artistëve të rinj për të studiuar në një shkollë me kushte moderne dhe kujtoi se “Pas dy vjetësh këta të rinj të Shkollës së Baletit do të japin shfaqje në skenën e re të rikonstruktuar të Teatrit të Operas dhe Baletit, ku po punohet me ritme të shpejta”.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj deklaroi se “Ky është një tjetër premtim i mbajtur ku brenda dy viteve ka përfunduar rikonstruksioni i Shkollës së Liceut Artistik dhe i Shkollës së Baletit, që janë fidanishte për artistët e rinj.

“Kjo ka qenë një javë fantastike për Tiranën në fakt. Kemi hapur disa shkolla të reja. Unë besoj se shkollat ku kemi gjasat më të mëdha që të kemi produkt të mirëfilltë ‘Made in Albania’ janë dy: Shkolla e Liceut dhe Shkolla e Baletit.

Në fund të koncertit festiv, ministrja Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë Veliaj shpërndanë medalje mirënjohjeje për disa nga emrat më të njohur të kësaj shkolle që kanë lënë gjurmë në artin shqiptar.
Në Shkollën e Baletit është bërë rikonstruksioni i fasadës, hidroizolimi i tarracës, rikonstruksioni total i nyjeve sanitare, rrjetit hidraulik dhe i dhomave të zhveshjeve. Gjithashtu, është shtruar parketi i ri i përshtatshëm për sallat e kërcimit, si dhe është instaluar sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes. / KultPlus.com