Ministri Gashi nënshkruan rregulloren për Skenën e Vogël dhe ansamblet rezidente të teatrove

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar dy akte nënligjore të cilat rregullojnë fushën e teatrove dhe ansambleve rezidente. Konkretisht, ministri ka nënshkruar Rregulloren për Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Rregulloren për themelimin dhe funksionimin e Ansamblit Rezident të aktorëve të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve.

Me Rregulloren për Skenën e Vogël të TKK-së, përcaktohet funksionimi, përmbajtja programore, angazhimet, kategoritë, kushtet, kriteret, procedurat dhe përgjegjësitë e veprimit në Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Rregullorja parasheh që Skena e Vogël do t’i shërbej TKK-së si një laborator për kultivimin e shprehjeve inovative dhe eksperimentale teatrore. Ajo do të mbështetë dhe nxitë idetë e reja, format kërkimore, teatrin multimedial, shfaqjet interaktive dhe përmbajtje të ngjashme të gjuhës teatrore, si një strehë e të gjithë atyre që teatrin e shohin ndryshe. Sipas rregullores repertorin për Skenën e Vogël të TKK-së e propozon Udhëheqësi artistik duke u bazuar në specifikat estetike të Skenës së Vogël i cili hartohet kryesisht nga tekstet avangarde të dramaturgjisë botërore dhe asaj kombëtare, e që aprovohet nga Drejtori i Përgjithshëm i TKK duke iu paraqitur Këshillit Drejtues të TKK-së për miratim.

Rregullorja përcakton që përzgjedhja e regjisorëve për projektet e SV-TKK-së, bëhet me Konkurs publik. Çdo vit kalendarik, pas aprovimit të repertorit të Skenës së Vogël, TKK shpall konkurs për regjisor. Regjisori konkurron me projekt skenik /vizion dhe ide/ për njërin nga projektet e Skenës së Vogël. I njëjti regjisor nuk ka të drejtë të konkurroj për dy projekte në të njëjtin vit. Projektet e përzgjedhura nën emrin e regjisorit të caktuar, i takon atij që të përzgjedh ekipin kreativ të projektit, të aktorëve nga radhët e aktorëve të jashtëm, ku sipas rregullores regjisorit i rezervohet e drejta që të organizojë audicion për aktorët, apo të sjell listën e gatshme të ekipit të përzgjedhur, ndërkaq Aktorët e Trupës Rezidente të TKK-së, si dhe stafi tekniko-kreativ, të cilët përzgjidhen për të qenë pjesë e projekteve në Skenën e Vogël, nuk kanë të drejtë të refuzojnë punën e caktuar.

Rregullorja në fjalë përcakton edhe aspektin buxhetor të Skenës së Vogël, e cila duhet të ketë buxhet të ndarë nga Projekti vjetori financiar i TKK-së e që nuk mund të jetë më i madh se 30% nga buxheti i Skenës së Madhe.

SV-TKK realizon të paktën katër (4) premiera gjatë një viti kalendarik sipas kritereve që rregullorja përcakton dhe në SV-TTK mund të realizohen numër i palimituar reprizash gjatë një viti kalendarik. Projektet e SV-TKK-së mund të ngelin në repertor edhe më shumë se një vit kalendarik, varësisht nga interesi estetik i TKK-së apo nga numri i publikut.

Ndërsa Rregullorja për themelimin dhe funksionimin e Ansamblit Rezident të aktorëve të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve përcakton mënyrën, kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e aktorëve të ansamblit rezident të aktorëve, kategorizimin dhe kohëzgjatjen e angazhimit të tyre në ansamblin e Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve.

Sipas rregullores së nënshkruar nga Ministri Gashi, Teatri Kombëtar ka ansamblin rezident të aktorëve, të përbërë prej së paku 30 (tridhjetë) aktorëve të të gjitha moshave, ndërsa Teatrot e qyteteve kanë ansamblin rezident të aktorëve, të përbërë prej 10 (dhjetë) deri në 20 (njëzetë) aktorë.

Rregullorja parasheh edhe ndarjen e aktorëve nëpër kategori sikurse janë doajenët (më shumë se 20 vjet përvojë pune, me së paku 30 role kryesore), aktorët e kategorisë së parë (së paku 15 role kryesore), aktorët e kategorisë së dytë (së paku 10 role kryesore) dhe trupa rezidente. Vlerësimi për kategorizimin e aktorëve sipas rregullores bëhet çdo dy vjet nga komisioni i emëruar nga Këshilli Drejtues, ku parashihet edhe zbritja e aktorëve nga kategoria përkatëse, përjashtuar doajenët që nuk i nënshtrohen kritereve të zbritjes.

Me rastin e nënshkrimit, ministri Gashi, vlerësoi se MKRS-ja për përmbush dhe plotëson infrastrukturën ligjore e cila rregullon dhe përmirëson teatrot dhe ansamblet rezidente të tyre.

“Ka qenë përkushtim dhe fokus i yni që nga dita që kemi marrë drejtimin e ministrisë që të kemi një kujdes të veçantë për fushën e teatrove në Republikën e Kosovës si dhe për aktorët të cilët me punën e tyre përçojnë emocione tek publiku duke bartur vlera artistike”, ka thënë ministri Gashi, duke shprehur mirënjohjen për drejtuesit dhe bartësit e teatrove si dhe për aktorët për punën që realizojnë. / KultPlus.com

Gashi: “Sofra” shtrohet për mërgimtarë në shenjë mirënjohje

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporiti, Kujtim Gashi, mori pjesë në  aktivitetin “Sofra e Gurbetqarëve” të organizuar nga Ansambli “Emin Duraku” aktivitet ky i cili, mbështete financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Gjatë kësaj ngjarje kulturore ministri Gashi tha se  bashku me shumë mërgimtarë morëm pjesë në organizimin e kësaj mbrëmje të mrekullueshme kulturore “Sofra Gurbetqare”.

“ ‘Sofra’ shtrohet për mërgimtarë në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për punën dhe kontributin e tyre që kanë dhënë dhe po japin për Republikën e Kosovës në përgjithësi e posaçërisht për zhvillimin e jetës kulturore dhe ruajtjen e traditave shqiptare në mërgatë”, tha ministri Gashi.

“Në kuadër të aktivitetit të organizuar në nderim të Mërgatës, shpërndava edhe mirënjohje për individë që kanë kontribuuar për zhvillimin e kulturës së Kosovës në vendet e Mërgatës ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, duke e ruajtur kësisoj traditën, gjuhën e kulturën tonë”, tha ministri Gashi.

Tutje Gashi tha se “si shprehjes respekti dhe falënderimi për kontributin e bashkatdhetarëve tanë, Ministria po mbështetë edhe përçimin e vlerave të mirëfillta kulturore duke e pasuruar jetën kulturore. Ne MKRS po angazhohemi  vazhdimisht që organizimet e mirëfillta kulturore të kenë hapësirën dhe përkrahjen e nevojshme ashtu që bashkatdhetarët dhe qytetarët e Kosovës të kenë se çfarë të shohin e dëgjojnë dhe si ministër ndjehem jashtëzakonisht i lumtur për këtë”. / KultPlus.com

Gashi kryeson mbledhjen e RYCO-s

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në mbledhjen e 9-të të Bordit Drejtues të RYCO-s. Në këtë takim morën pjesë të gjitha vendet anëtare si Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.

Gjatë këtij takimi u trajtuan një numër i madh i projekteve dhe programeve rinore, të cilat pritet të implementohen gjatë vitit 2019, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, projekte këto të cilat kanë për qëllim përmbushjen e misionit të RYCO-s, sa i përket bashkëpunim rinor rajonal.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se “takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë edhe për të rinjtë e vendeve anëtare në përgjithësi, dhe të rinjve kosovarë në veçanti, duke marrë për bazë se shumica e vendimeve për projektet rinore por edhe për strukturën e re të RYCO-s po merren në kohën kur Kosova po udhëheq me këtë organizatë rajonale rinore, e cila ka dalë nga procesi i Berlinit”.

Mbledhja e sotme është jashtëzakonisht e veçantë për procesin e vendimmarrjes sidomos pas sfidave që kemi kaluar që nga marsi i këtij viti. “Nuk ka qenë periudhë e lehtë dhe sigurisht ka kërkuar angazhim intensiv dhe kompromis për të tejkaluar ngërçin e krijuar. Ka qenë shumë sfiduese posaçërisht për mua si kryesues i Bordit të RYCO-s për vitin 2019, por njëkohësisht përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, që të gjej një zgjidhje e cila do të mundësonte vendimmarrje të plotë në RYCO. Andaj edhe dita e sotme është provë që Qeveria e Kosovës është realisht e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e RYCO-s dhe bashkëpunimin rajonal në përgjithësi”, u shpreh ministri Gashi.

Tutje Gashi tha se procesi i vendimmarrjes për strukturën organizative të re është determinues për të ardhmen e RYCO-s, andaj edhe kam insistuar që përpara çdo vendimi rreth kësaj pike të ketë një takim fizik ku ne do të diskutonim bashkë të gjitha pyetjet, shqetësimet tona në raport me të.

“Si ministër i Rinisë, por edhe si kryesues i RYCO-s do të bëj përpjekje të vazhdueshme që të rinjtë e Ballkanit Perëndimor të ndihen të barabartë dhe të rëndësishëm në projektet rinore, të cilat do të financohen nga RYCO dhe donatorët e saj”, tha Gashi. / KultPlus.com

Ministri Gashi: Masakra në lagjen e trimave është edhe një dëshmi dhe arsye se Tribunali për Krimet serbe në Kosovë është i domosdoshëm

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në nderim të 27 martirëve të Lagjes së Trimave (Tusus), ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh pranë Lapidarit të martireve dhe varrezave të  martirëve në këtë lagje.

Në pafuqi të përballjes me ushtarët e UÇK-së forcat serbe në këtë lagje treguan barbarinë e tyre duke i vrarë 27 civilë të pafajshëm dhe i dogjën  245 shtëpi. 

Lagja e Trimave (Tususi) ishte çerdhe e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Prizrenin. Kjo lagje gjatë luftës u shndërrua në bazën e ushtarëve të Lirisë.

Heronjtë Xhevat Berisha, Salajdin Berisha e shumë të tjerë së bashku me Xhemshit Krasniqin i cili padrejtësisht po mbahet në burg, u vunë në ballë të luftës për Lirinë e Kosovës.

Në pafuqi të përballjes me ushtarët e Lirisë ushtarë, policinë e paramilitarë serbë vranë civilët.

Ministri Gashi u shpreh me këtë rast se masakra në Lagjen e Trimave është edhe një dëshmi dhe arsye se Tribunali për Krimet serbe në Kosovë është i domosdoshëm.

“Deri më sot asnjë nga kriminelët që e shkaktuan këtë masakër nuk janë përgjegjur për krimin kundër civilëve të pafajshëm. Asnjë krim i kriminelëve serb nuk do të kalojë pa u ndëshkuar, prandaj Kosova e ka detyrë dhe obligim themelimin e këtij Tribunali. Kosova duhet ta themeloj Tribunalin për krimet serbe që dhe autorët e kësaj masakre ta marrin dënimin e merituar”, tha ministri Gashi. / KultPlus.com

Ministri Gashi nënshkruan Rregulloren për Këshillin Drejtues të Muzeut

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar Rregulloren për punën e Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës (MKK).

Rregullorja e nënshkruar nga ana e ministrit Gashi do të përcaktojë mënyrën e funksionimit, detyrat dhe përgjegjësitë, procedurat e punës, thirrjen dhe mbajtjen e mbledhjes, mënyrën e vendimmarrjes dhe votimit si dhe çështjet e tjera përkatëse të rëndësishme për punën e Këshillit Drejtues të MKK-së, ndërsa dispozitat e kësaj rregulloreje do të zbatohen nga Këshilli Drejtues, Drejtori i MKK-së, njësitë organizative dhe departamentet përkatëse të MKRS-së.

Ndër të tjera rregullorja parasheh që së paku njëherë në vit llogaridhënia e MKK-së të mbikëqyret nga auditori i pavarur, dhe për këtë KD i MKK-së duhet t’i drejtohet me kërkesë MKRS-së. Vet KD i MKK-së, sipas rregullores, përcakton politikat e Muzeut, po kështu, monitoron dhe vlerëson punën e Drejtorit të MKK-së, të shkarkojë dhe të zgjedhë atë. Sipas rregullores, KD përbëhet nga pesë anëtarë me një mandat katër vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje dhe anëtarët duhet të jenë persona të dëshmuar nga fusha përkatëse profesionale. Për punën e tij, KD, duhet t’i raportojë së paku një herë në tre muaj ministrit.

Ministri Gashi tha se përpilimi i rregullores që parasheh punën dhe funksionimin e Këshillit Drejtues të MKK-së, nga këshilli i ri është cilësuar si një nevojë imediate për të përmirësuar funksionalizimin e këshillit si dhe për të ngritur efiqiencën dhe llogaridhënien në këtë institucion. Deri më tani, roli i Këshillit Drejtues të MKK-së, nuk ka qenë i specifikuara detajisht, prandaj, kjo rregullore mundëson një transparencë më të mirë në kryerjen e punëve të Këshillit Drejtues të MKK-së.

“Zbatimi në përpikëri i kësaj rregulloreje pritet të ngritë efiqiencën, efektivitetin dhe llogaridhënien në të gjitha instancat menaxhuese të MKK-së. Kjo pritet të rezultojë edhe në statisfaksion më të mirë të anëtarëve të Këshillit Drejtues, menaxhmentit të MKK-së, posaçërisht në aspektin e aktiviteteve të përditshme dhe administrative në MKK”, ka theksuar Ministri Gashi pas nënshkrimit të Rregullores në fjalë. / KultPlus.com

Ministri Gashi uron që Kosova të mos kthehet pa çmim nga Berlinale

Në zyrat e reja të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të hapura në Prizren, ministri Kujtim Gshi ka pritur sot në takim regjisorin e filmit “Në mes” Samir Karahoda dhe producentin Eroll Bilibani, film ky i cili do të jetë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘Berlinale’.

“Është një arritje dhe sukses i jashtëzakonshëm i Kosovës që të marrë pjesë me një projekt filmik në një festival prestigjioz siç është ‘Berlinale’ dhe si MKRS jemi shumë të lumtur që kemi përkrahur këtë film i cili do të na përfaqësojë si Kosovë dhe uroj që mos të kthehemi pa ndonjë çmim nga Gjermania.”, është shprehur Gashi.

MKRS-ja ka rritur 100% buxhetin për Qendrën Kinematografike të Kosovës i cili është institucioni kryesor në vendin tonë i cili përkrah prodhimin e filmit në Kosovë.

Me pjesëmarrjen e filmave që janë krijim dhe prodhim i Kosovës nëpër festivalet më prestigjioze në botë, fakton se artistët nga Kosova kanë potencial dhe tashmë është ndërtuar një traditë cilësore në fushën e filmit tek ne. /KultPlus.com