Hapet shkolla shqipe në Bolonja të Italisë

Në komunën Castenaso në provincën e Bolonjës në Itali, u inaugurua hapja e shkollës shqipe, një arritje e madhe për kombin dhe për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, përmes gjuhës shqipe.

Projekti lindi nga komuniteti shqiptar që banon në këtë zonë, me mbështetje të shoqatave si “Korabi” drejtuar nga Astrit Poti, sipërmarrësve dhe aktorëve të shumtë, bashkëndarës të synimeve primare të kësaj nisme.

Shkolla fillimisht do të ketë si seli ambientet e qendrës sociale “Casa Sant’Anna”, dhënë në përdorim nga Komuna e Castenasos.

Fjalimin e hapjes e mbajti Lauriana Sapienza, Këshilltare e Komunës së Castenasos për Politikat Sociale, Emigracionin dhe Inovacionin Digjital, e cila nënvizoi vlerat e çmuara kulturore dhe bukuritë natyrore të territoreve shqiptare. Ajo theksoi se kjo nismë ka vlera të mëdha dhe do kontribuojë jo vetëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare por edhe në përforcimin e miqësisë mes popujve.

Në inaugurimin e shkollës shqipe morën pjesë promotorët kryesorë: nga Roma, Lorik Cana, pasardhësi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, nga Venecia, Muharem-Marco Salihu, sipërmarrës i njohur si dhe personalitete të shquara nga Shqipëria, Kosova dhe arbëreshë.

Shoqata “Korabi”, me një numër të madh vullnetarësh mërgimtarë shqiptarë të dekadave të fundit, por edhe të atyre shekullore si arbëreshët e Italisë, është dëshmi e krenarisë kombëtare dhe e shpresës së integrimit në Evropë përmes përforcimit të identitetit dhe të vlerave kulturore shqiptare./atsh/KultPlus.com

Shkolla në Ferizaj ku nxënësit mësojnë lëndën e “Edukimit Seksual”

Shkolla e mesme e ulët “Astrit Bytyqi’ në Ferizaj është shkolla e vetme e cila ka lëndën e “Edukimit Seksual”.

Kjo lëndë ligjërohet në shkollë në kuadër të lëndëve zgjedhore.

Këtë inciativë e nisi qysh para tre vitesh arsimtarja Sueda Jusufi-Hashani.

Ajo thotë se iniciativa është mirëpritur nga ana e prindërve dhe drejtorisë së shkollës.

“Qëllimi i kësaj lënde ka qenë që nxënësit të përgatiten për jetë. Ne e dimë se puberteti është një periudhë e pjekjeve të organeve seksuale dhe nxënësit e kalojnë këtë periudhë pa marrë informacione të sigurta. Duke mësuar këtë lëndë të rinjtë e kalojnë këtë fazë më lehtë dhe kanë njohuri për shqetësimet e tyre”, thotë për TV Liria, arsimtarja Sueda Jusufi-Hashani.

Arsimtarja e kësaj lënde thotë se nxënësit në disa raste janë ndjerë më të lirshëm me të për të diskutuar problemet e tyre që lidhen me infeksione të ndryshme.

Edhe nxënësit mirëpresin këtë lëndë mësimore që sipas tyre, kjo lëndë i ka aftësuar për jetë./ KultPlus.com