Të dielën mbahet Ankandi Bamirës i Artit, me qëllim të kontribuimit në kauzën e kancerit të gjirit

Përgjatë Edicionit të 3-të të Festivalit ‘Shliroj Cicat’ do të mbahet Ankandi Bamirës i Artit.

Në këtë ankand do të paraqiten mbi 10 piktura të pikturuara nga artiste gra me qëllim të kontribuimit në kauzën e kancerit të gjirit.

Artistet pjesëmarrëse janë: Zake Prelvukaj, Shqipe Kamberi, Brikena Gashi, Artina Gollopeni, Edona Blakaj, Jalldeze Mustafa, Elona Ndrecaj, Leonita Fazliu, Vlora Kosumi, Dita Ethemi, Mjellma Goranci Firzi, Orange Girl, Fitore Alisdottir Berisha, Zana Ramadani, Luljeta Rama Mucaj.

Drejtuese e ankandit do të jetë Kaltrina Ajeti.

Organizatorët e ankandit shprehen: Gjersa, bashkohemi për të mbështetur gratë në trajtimin e kancerit të gjirit dhe fuqizimin e artisteve gra, ne jemi të nderuar të kontribuojmë së bashku me ju.

Ankandi mbahet më datë 4 shkurt 2024, në orën 19:00 në Menza Ramiz Sadiku, Prishtinë. / KultPlus.com

‘Shliroj Cicat’ sjell në Prishtinë maratonën e madhe evropiane kundër kancerit të gjirit

Festivali ‘Shliroj cicat’ i cili mblodhi vitin e kaluar gratë dhe të gjithë komunitetin me kauzën kundër kancerit të gjirit, rikthehet sivjet në edicionin e tij të dytë, përcjell KultPlus.com

Ky edicion, ndryshe nga ai i vitit të kaluar i cili zgjati vetëm një ditë, e kësaj here do të mbahet në datat 13 deri më 16 tetor.

Meqë një nga hapat kyç në luftimin e kancerit të gjirit është zbulimi i hershëm, përgjatë këtyre ditëve të përcjellura me aktivitete të shumta, festivali ‘Shliroj cicat’ ka për synim vetëdijësimin e grave për rrezikun nga kanceri i gjirit, të mësojë gratë se si të bëhet vetëtestimi, të avokojë për kushte më të mira në institucione publike të shëndetësisë për trajtim të kancerit të gjirit dhe të rrisin fonde në ndihmë të grave me kancer gjiri.

Ndonëse edicioni i vitit të kaluar pati një sukses të madh, kushtet në spitalin e Onkologjisë, aty ku trajtohen gratë me kancer të gjirit vazhdojnë të jenë të vështira.

“Por, vit pas viti, kushtet për trajtim të kancerit të gjirit në Kosovë mbesin të pa përmirësuara, në mos duke u bërë më të vështira. Gjendja në Klinikën e Onkologjisë është e papërshtatshme për trajtim dinjitoz të kancerit të gjirit, ndërsa vetëdijësimi për kancerin e gjirit prapë vazhdon të jetë i ulët.”, thuhet në postimin në faqen zyrtare të festivalit ‘Shliroj Cicat’.

Në ditën e fundit të këtij festivali, më 16 tetor, ‘Shliroj Cicat’ sjell për herë të parë në Kosovë edhe maratonën e madhe evropiane kundër kancerit të gjirit ‘Race for the Cure’.

“Vrapimi në këtë maratonë është mënyra më e mirë se si mund të kontribuojmë të gjithë së bashku në kauzë, duke e blerë maicën ju bëheni pjesë e vrapimit dhe kontribuoni në mbledhjen e fondeve.”, thuhet në postimin e ‘Shliroj Cicat’, ku më tutje festivali njofton se fondet e mbledhura nga shitja e maicave të ‘Race for the Cure’ do të përdoren për t’iu ndihmuar grave me kancer gjiri dhe për të përmirsuar kushtet e trajtimit në Klinikën Onkologjike.

Të gjithë ata që duan t’i bashkohen, maratona do të mbahet më 16 tetor në sheshin ‘Zahir Pajaziti’./ KultPlus.com

‘Shliroj Cicat’, për herë të parë në Prishtinë

Të mërkurën me 13 tetor, duke filluar nga ora 11:30, në kuadër të tetorit si muaji i ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit, do të mbahet organizimi ”Shliroj Cicat”, përcjell KultPlus.

Me po të njejtën moto, organizatorët e kësaj ngjarjeje ftojnë të gjitha gratë e vajzat pa dallim moshe, etnie apo race që të bashkangjiten dhe t’i ”Shlirojnë Cicat” nga ndikimi patriarkal dhe stereotipet shoqërore në trupin e tyre dhe të jenë të lira, përderisa u bëhet thirrje gjitha grave të testohen për kancerin e gjirit.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë nga ”Shliroj Cicat”

Shliroj Cicat

A keni dëgju për mamografinë? Për vetëtestimin për kancerin e gjirit? A e dini se kanceri i gjirit është një nga kanceret më të përhapura në gjithë botën?

Edhe, a jeni lodh prej imponimeve patriarkale n’trupin tuaj? A doni me u shliru prej të qenit e paragjykuar për ‘cicat’ tuaja?

A e dini se:
Në vitin 2020, 2.3 milionë femra janë diagnostifikuar me kancer në gji dhe janë shënuar 685 mijë raste të vdekjes në gjithë botën. Në anën tjetër, në gjithë botën janë 7.8 milionë femra të diagnostifikuara me kancer në 5 vitet e fundit të cilat janë në jetë.

Kështu, kanceri i gjirit, është një nga kanceret më të përhapur në gjithë botën.

Kanceri gjirit mund të jetë vrasës por, jo nëse detektohet në faza të hershme. Rekomandohet që femrat mbi 40 vjeç të bëjnë mamografi (skanim me rreze X) së paku njëherë në vit. Kurse, secila femër, që prej kohës kur fillon ciklin menstrual, duhet të bëjë vetëtestimin çdo muaj pas përfundimit të cilkit.

“NO BRA DAY” apo “DITA PA SYTJENA” është një ditë që shënohet në gjithë botën si formë vetëdijësimi për testim për kancerin e gjirit. Këtë vit, në PRISHTINË po mblidhemi për ta shënuar këtë për herë të parë në Kosovë.

Me moton “SHLIROJ CICAT”, i ftojmë të gjitha gratë/femrat/vajzat pa dallim moshe, etnie apo race që të na bashkangjiten në shesh me datën 13 dhe t’i SHLIROJNË CICAT, të shlirohen nga ndikimi patriarkal dhe stereotipet shoqërore në trupin e tyre dhe të jenë të lira, përderisa u bëjmë thirrje gjitha femrave të testohen për kancerin e gjirit.
Andaj, shënojeni datën: 13 Tetor
Vendi: Sheshi Skenderbeu, Prishtinë,
Ora: 11:30 – 17:00

Në këtë aktivitet, gjitha pjesëmarrëset do t’i heqin sytjenat dhe t’i lënë për riciklim. Sytjenat e mbledhura do të riciklohen në tote bags dhe të shiten. Fondet e mbledhura do të shkojnë për gratë me kancer në gji. / KultPlus.com