Nuk jam burrë po jam grue

Poezi nga Shukrije Gashi

(Shote Galicës)

Hej ju burra çka jeni hutue
Shote Galica me thonë mue
nuk jam burrë po JAM GRUE,
naçallnikun e kam shitue
n’lule t’ballit ia kam numrue
Nanë Kosova m’ka lindë mue
amanetin n’ven e kam çue
krejt Shqpninë pa e çlirue
nuk ka pushkë që me rrxonë mue
Nuk jam burrë po JAM GRUE
N’ katërdhetë akcione kam luftue
N’ FushëKrujë fortë jam ngushtue
kur municioni m’u ka marue
me jetima jam qillue
për Shqipni hej jam flijue
Zogu i Zi koftë mallkue
nje copë bukë s’ma ka dhanë mue
veç jetimat me i pshtue
Nuk jam burrë hej po JAM GRUE
Nuk ka kohë që më vret mue
Veç JU VLLAZËN M’KENI HARRUE
Jam Kosova e larë me gjak
Dy-mijë vjet lule n’bajrak
Nuk jam burrë hej po JAM GRUE
SHOTË GALICA m’ thonë mue
N’ Mitrovicë prap jam msy me shku
Bacën Isë me taku kam do fjalë me ja thanë
dheu mrena nuk do me m’ lanë
pa i ra Ibrit anë për anë
Jam SHQIPNIA E ILIRSË
N’log t’mejdanit i dalë burrnisë
Nuk jam burrë po JAM GRUE me u koritë
nuk jam mësue
me luftue ia kam zanat
jam me MOTRA nuk jam e ngratë… / KultPlus.com

91 vite nga vdekja e Shote Galicës

Sot është 91-vjetori i vdekjes së Qerime Galica (e njohur me emrin Shote, vitet 1895-1927). Luftëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, austro-hungarezë, bullgarë e jugosllavë dhe për bashkimin e saj me shtetin shqiptar, Heroine e Popullit.

Lindi në katundin Radishevë të Drenicës. Mori pjesë në Kryengritjet kundër osmanë në v. 1909-1912 dhe në qëndresën e armatosur kundër Serbëve në vitin 1912-1915. Në vjeshtën e vitit 1915, u rreshtua në çetën e kryengritësve të Drenicës përkrah bashkëshortit A. Galica. Gjate vitit 1916- 1918 mori pjesë në disa aksione kundër forcave pushtuese bullgare e austro-hungareze (në Obrije, mars 1917 dhe në Bajë, korrik 1917). Mori pjesë në luftimet e vjeshtës 1918 për çlirimin e Drenicës, Podgorit dhe Pejës.

Pas Luftës I Botërore e vazhdoi qëndresën kundër politikës serbomadhe të dhunës e shkombëtarizimit në Kosovë. Në prill-qershor 1919 mori pjesë, përkrah Azemit, në Kryengritjen e Rrafshit te Dukagjinit e te Drenicës. Në vitet 1921 – 1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut dhe në vitin 1923-1924 të zonës së lirë të Drenicës, në Arbaninë e Vogël.

Pas vrasjes se A. Galicës mori drejtimin e çetës së bashku me M. Deline dhe F. Beranin. Në ballafaqimet politike në Shqipërinë e vitit 1921-1924, ishte përkrahëse e opozitës demokratike dhe mbështetje e qeverise se F. Nolit. Në dhjetor 1924 mori pjesë në radhët e luftëtarëve të B. Currit, që priten me arme në kufi forcat e Ceno bej Kryeziut dhe të intervencionistëve serbe e ruse (bjellogardiste të gjeneralit Vrangel).

U rikthye në Kosovë, ku mbajti gjallë në popull frymën e qëndresës antiserbe. Më 1926, pas 12 vjetësh luftë, pjesëmarrëse në mbi 40 aksione të rëndësishme, në të cilat humbi 22 anëtare të familjes, e plagosur dhe e sëmure, u kthye ne Shqipëri.

U vendos në Shullaz, pranë Milotit dhe me pas në Derven të Fushë-Krujës. Ndonëse në gjendje të vështire dhe pa burime ekonomike, u kujdes për tre fëmije jetimë të bashkëluftëtareve të vrarë. Vdiq në Fushë-Krujë më 3 korrik./KultPlus.com

Si u la në harresë heroina e kohës Qerime Halili – Shotë Galica

Shkruan Mehmet Bislimi.

(Me rastin e nëntëdhjetë vjetorit të vdekjes së saj)

Qerime Shotë Galica e inspiruar në bëmat e trimëreshave shqiptare e bindur thellë në të drejtën e popullit tonë për të qenë të lirë e vuri pushkën krahut dhe për 12-të vjet me radhë nuk u nda nga burri dhe bashkëluftëtari i saj Azem Galica, dhe nga shokët e tij. Për 12-të vjet me radhë Shote Galica luftoi kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgar.

Shota e Radishevës, ishte motër e gjashtë vëllezërve. Babai i saj Halili, ngase e kishte të vetmen vajzë, nuk e ndau nga djemtë e tij për asnjë çast. E merrte me vete nëpër kuvende e ndeja burrash, ku pati fatin të shohë me sytë e saj trimat e kohës si: Isa Boletinin, Shaqir Smakën, Kamer Loshin, Nak Berishën, Azem Bejtën, Mehmet Deliun, Shak e Ramadan Radishevën, Halit Bajramin, Xhemë Tërnavin, Fazli Baranin, Emin Latin – Mehën, Shaban Mikushnicën, Bajram Zenë Mehën e shumë trima tjerë. Nëpër ato kuvende e ndeja merreshin vendime që të kërciste pushka mbi pushtuesin serb. Aty edhe këndohej kënga e binte çiftelia për trimëritë e trimave tanë. Shota i binte mirë çiftelisë, si edhe çarkut të hutës. Këndonte si zanë mali, sa edhe të tmerronte me zërin e kushtrimit:”Ooo, Prite, prite Azem Galicën, o hejjj”…

Nëpër ato ndeja e kuvende Shota njohu Azem Galicën, me të cilin u martua në vitin 1915. Ajo në vend të rrobave të nusërisë, veshi rrobat e burrave, në vend të pajës vuri armën krahut dhe u bë nuse malesh. Në dasmë të saj ishin 300 krushq me 300 pushkë krahut, binin tridhjetë lodra përnjëherësh, kërcenin 300 malësorë vallen e Kaçakëve të malit… Shota që nga ai çast nuk u nda më nga Azemi dhe nga bashkëluftëtarëve të tij. Dhoma e saj nusërisë u bë Çiçavica, stolitë e saj ishin gjerdani me fishekë rreth belit. Kjo pra ishte Shota – gruaja shqiptare, që nuk u lodh e nuk u hamend kurrë para jetës së vështirë të malit, as para flakës së barotit, as para rënies e plagosjes së luftëtarëve të lirisë, as para masakrave që bënin xhandarët serbë mbi popullatën shqiptare. Përkundrazi morali dhe forca e saj sa vinte e po shtohej e vetëdijshme se liria e vendit nuk arrihet pa u djegur në flakët e luftës! E tillë ishte Shota dhe si e tillë vazhdoi këto rrugë pa u luhatur, as edhe pas vdekjes së burrit e shokut të jetës së saj Azem Galicës.

Ajo merrte edhe vendime me vete. Kjo ndodhte kur ishte larg Azemit, në mungesë të komunikimit për shkaqe gjeografike, sidomos kur Azemi ndodhej në vise të ndryshme të Kosovës, për çështje organizimi ose edhe në Shqipëri, për çështje armatimi e komunikimi me forcat përparimtare e demokratike të kohës si me Hasan Prishtinën, Bajram Currin e të tjerë. Një hap të tillë Shota e kishte marrë për likuidimin e një zyrtari të lartë të Serbisë. Ajo së bashku me Mehmet Deliun dhe me dy tre shokë tjerë, kishin hyrë në zyrë të eprorit serb, mu në qendër të qytetit të Mitrovicës!, dhe me dorë të vet e kishte vrarë atë epror gjakpirës, i cili kishte bërë sa e sa masakra mbi popullatën shqiptare që po përpiqej për lirinë e vet. Ajo i tha Azemit më pas: “E vrava Azem! E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emër të nuseve që i ka lënë pa burra, në emër të motrave që ka lënë pa vëllezër, në emër të lirisë së Kosovës!”… Azemi e shikoj me butësi e dashuri, duke i thënë: “ Mirë ke bërë moj burrnesha e maleve të Kosovës duke e përqafuar dhe duke e uruar për aksionin, atë dhe shokët. Shota, gjatë jetës së saj prej kaçaku të malit, ishte ndeshur dhjetëra herë me pushtuesin serb. Ishin dhjetëra beteja ku kishin luftuar me orë të tëra, në pozicione të ndryshme e shumë herë të pavolitshme e të pabarabarta në armatime. Gati në të gjitha rastet, luftëtarët e lirisë kishin dalë fitimtarë, megjithëse edhe kishin pësuar edhe goditje të rënda me humbjen e shokëve. Kjo përballje e Lëvizjes së Kaçakëve të Kosovës me pushtuesin serb nuk ishte e shkurtër, prandaj për Shotën, Azemin dhe bashkëluftëtarët e saj ishin krijuar mite e legjenda: Ishin përhapur fjalë se Azem Bejta bashkë me gjokun e tij po fluturonte, ose se kur thërret Shota: “Oooo, prite, prite Azem Galicën o heejjj” dëgjohej për tej shtatë malesh e kodrash, ose se Shota me një dorë lufton dhe me tjetrën i bie çiftelisë dhe se plumbat e saj kurrë nuk shkonin huq, mandej thoshin se Azemin dhe Shotën nuk i zë plumbi i shkjaut etj….
Pas vdekjes së Azemit, Shote Galica u priu luftëtarëve të lirisë në sa e sa aksione të rrepta ballë për ballë me armikun. Ajo me zërin e saj si zanë mali, u fuste tmerrin xhandarëve kur jepte kushtrimin: “Ooo prite, prite Azem Galicën, o heej”… Shota edhe u plagos në luftëra, por morali i saj nuk u thye asnjëherë, kështu duke u bërë shembull e krenari për ne. Shota në rolin e nënës nuk pati rastin që të gëzoj ledhatimet e djalit të saj i cili i vdiq shumë shpejt pas lindjes, për shkak të kushteve të malit. Mirëpo Shota nuk ndenji indiferent kundrejt kësaj ndjenje, ajo mori me vete ngado që shkoi fëmijët e shokëve të rënë për liri të Kosovës. Ajo për as një çast, ata nuk i la vetëm, duke u bërë nënë e dytë e tyre deri në çastet e fundit të jetës së saj.

Shote Galica në fundin e dimrit të vitit 1926, të një dimri të ashpër, e lodhur dhe e dërmuar e me zemër të plagosur, shoqëruar nga Mehmet Deliu e me pak shokë të tjerë, kishin mësyrë Shqipërinë, duke e lënë Kosovën nën kthetra të pushtuesit serb, me shpresën së do të ktheheshin me pranverën e parë. Ajo u vendos në katundin Shullaz të Krujës. Me vete kishte edhe disa fëmijë të shokëve të rënë, fëmijë të mbetur jetim të cilët Shota kishte marrë përsipër t’i rritë dhe t’i edukojë me frymën atdhetare. Me shpresën se do të gjente mbështetjen e mbretërisë së Ahmet Zogut ajo u zhgënjye shumë shpejt nga sjelljet e tij mospërfillëse. Si duket, Shota nuk e kishte të qartë se kishin ndryshuar rrethanat, se mbreti Zog ishte borxhli ndaj Krajlit të Serbisë i cili Zogun e kishte strehuar, armatosur dhe kthyer nga hotel Bristoli i Beogradit në karrigen e mbretit të Shqipërisë! Kështu duke e rrëzuar të parën Qeveri demokratike në Ballkan – Qeverinë e Fan Nolit! Në këto rrethana Krajli i Serbisë, pasi që kishte dëmtuar rëndë pas 12 vjet lufte Lëvizjen Kaçake të Kosovës së bashku me prijësin e saj, Azemin, kishte kërkesa shtesë pranë mbretërisë zogolliane që të asgjësoheshin edhe rrënjët e kësaj lëvizje në Shqipëri ku Shotë Galica i kishte nën përkujdesje!…

Shote Galica e përballur me tmerrin e varfërisë, rrethuar nga harresa, varfëria, mjerimi dhe inferioriteti i një regjimi mbretëror zogollian, i shkroi një letër mbretërisë në fjalë: “ Unë jam Shote Galica- gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës , kam dhe katër fëmijë jetim me vete. Janë fëmijët e luftëtarëve të vrarë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrënguar të ju vë në dijeni se jam duke vdekur nga uria së bashku me fëmijët jetim!”…

Shota, po ndeshej me vdekjen dhe vdekja e saj në atë moshë kaq të re, më shumë pati për pasojë moskujdesin njerëzor ndaj saj, ky moskujdes i një regjimi mbretëror antikombëtar kurorëzoi kushtet e një vdekje të parakohshme dhe të pa natyrshme të një gruaje që quhej Shote Galica e cila kishte vetëm 32 vite!…

Shote Galicën, shteti shqiptar e shpalli Heroinë të Popullit, ia ngriti bustin e saj dhe ia rregulloi edhe varrin. Sot në kohën e “demokracisë” varri i saj është në gjendje të mjerueshme siç ishte edhe ajo vet në prag të vdekjes së saj në vitin 1927.

Ndërkaq për bustin e saj nuk ka kurrfarë të dhënash se ku është tretur?! Qeveria e Kosovës, si ajo në nivel qendror, po ashtu edhe kjo në nivel lokal të Vushtrrisë, as kanë vrarë mendjen deri me sot në mënyrë që eshtrat e Shote Galicës t’i kthejnë në vendlindjen e saj, më në fund pas 80 vitesh të prehet edhe ajo e qetë pranë varrit të Azem Galicës, burrit dhe bashkëluftëtarit të saj dhe pranë kullës e cila po ashtu mungon edhe sot!

A thua vallë edhe Qeveria e Kosovës, pandërgjegjshëm po shndërrohet në një Qeveri mospërfillëse e kaq inferiore, për të mos thënë zogolliane përballë Dëshmorëve dhe Heronjve tanë kombëtarë të cilët mbetën harruar e shkapërderdhur baltërave e moçaleve të hapësirave tona gjeografike?!

Qerime Halil Radisheva – Shotë Galica vdiq me 1927. Kush vuajti më shumë se nënat tona, kush i dha lirisë dhe popullit tonë më shumë se ato? Kjo pra ishte Shote Galica – gruaja dhe nëna shqiptare të cilën me pietet do ta kujtojmë përjetë e mot!

Artisti që e pikturoi Shote Galicën (FOTO)

Me pushkën në dorë e vështrimin e humbur në fushën e betejës Shote Galica mbart imazhin e një gruaje të bukur dhe pse në luftë. Portreti i saj në pikturë realizuar nga Ismail Lulani është një nga tablotë më të bukura ku ajo shfaqet.

E realizuar në 1974, kjo është një nga pikturat që sot ruhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Lulani ishte artist që i pëlqente të merrej me karakteret. Kjo shihet dhe në tablonë ku tre ndërtues të hidrocentralit shfaqen pranë njëri tjetrit, realizuar më 1971-shin.

Ismail Lulani ishte një nga piktorët e shquar shqiptarë të shekullit XX-të, ai ishte një nga artistët që ndikuan fuqishëm në modernizimin e artit shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX. Piktori Ismail Lulani kreu studimet e mesme për mjekësi, por shumë shpejt do ti kushtohej plotësisht pasionit të tij të fëmijërisë – pikturës. Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, gjatë viteve 1964 – 1968.

Krijimtaria artistike e piktorit Ismail Lulanit është e shumë e gjerë dhe e larmishme (mbi 30 vjet krijimtari). Ai ishte portretist, peizazhist dhe realizues i tablove kompozicionale me temë historike e sociale. Vepra e tij e parë e ekspozuar në publik ishte peizazhi nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës (1969).

Mund të kujtojmë disa nga tablotë e tij në vite: “Skënderbeu në betejë”, (1968); “Ded Gjo Luli me trimat”, (1969, GKA,Tiranë); “Në hidrocentralin Mao Ce Dun” (GKA, Tiranë), “Peizazh malor”, (GKA, Tiranë) si dhe tabloja “Ndërtuesit e hidrocentralit” (1974, GKA, Tiranë). Tabloja “Ndërtuesit e Hidrocentralit”, 1971, u realizua nga artisti për ekspozitën e 30 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në tablo janë pikturuar imazhet e tri punëtorëve , (portretet e tyre) janë paraqitur në plan të parë.

Në fondin e GKA, Tiranë ndodhen njëzetenëntë vepra të piktorit Ismail Lulani.

Vepra të Lulanit ndodhen dhe në fondin e GA, Shkodër dhe të mjaft koleksionistëve privatë në Shqipëri e jashtë saj. “MEZURAJ MUZE”, në Tiranë ka në fondin e saj një koleksion të rëndësishëm me vepra të piktorit Ismail Lulani. / KultPlus.com

Hashim Thaçi ka themeluar urdhërin “Shotë Galica”

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci, në 90 vjetorin e vdekjes së Shotë Galicës, ka themeluar urdhërin me emrin e kësaj figurë të rëndësishme shqiptare, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, është mbajtur edhe një akademi përkujtimore për Shotë Galicën, kurse sipas vendimit të presidentit Thaçi, ky urdhër tash e tutje do tu ndahet grave dhe burrave të këtij vendi, për trimëri dhe sakrificë./ KultPlus.com

Sot mbahet akademia përkujtimore për Shote Galicën

Heroina e popullit, Shote Galica sot do të përkujtohet në një akademi, ku do të marrë pjesë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Akademia do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare, duke filluar nga ora 11:00.

Shote Galica u lind në vitin 1895 në Drenicë. Ajo ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri. Pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të kanunit luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë.

Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës e të terrorit të regjimit të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare. Më 1919 mori pjesë në kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë. Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës.

Në korrik 1924, pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës në dhjetor të 1924, luftoi kundër ushtrive intervencioniste serbe e bjellogardiste dhe forcave të Ahmet Zogut. Humbi në luftime nga masakrat e serbëve 22 anëtarë të familjes.

Më 3 korrik 1927, Shote Galica u vendos në Shqipëri, ku vdiq në Fushë Krujë, e braktisur nga qeveria e Zogut./ KultPlus.com