Korça mikëpret festivalin ‘Shpirti i Ballkanit”, promovohet folklori dhe traditat e raojnit

Në qytetin e Korçës u zhvillua edicioni i tretë i festivalit “Shpirti i Ballkanit” ku trupa të ndryshme nga vende të rajonit performuan valle dhe muzikë folklorike.

Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, njëkohësisht organizatore e festivalit tha se kjo nismë synon të ruajë folklorin si dhe është mënyra më e mirë për tu rikthyer në normalitet pas më shumë se një viti në pandemi

Ndryshe nga edicioni i parë këtë vit COVID-19 diktoi një formë tjetër organizimi në të cilën morën pjesë vetëm 3 ansamble, Ansambli i Bitolës së Maqedonisë, Ansambli i Skëndërbeut dhe ai i Shqiperisë së Mesme.

Kita tha se “ky festival synon të ruajë traditën e këmbimin e eksperiencave dhe ruajtjen e urave të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit”.

“Ne dëshirojmë që të ruajmë në vazhdimësi vlerat e folklorit tonë dhe prandaj e kemi marrë këtë iniciativë. Vjet u përpoqëm në një formë virtuale që të realizonim disa bashkëpunime me disa nga vendet e Ballkanit, ndërsa sivjet u rikthyem në skenë. Shpresojmë që pandemia do të marrë fund dhe ne vitin tjetër do të kemi një festival edhe më të madh në numrin e trupave pjesëmarrëse”, tha Kita.

Këngët popullore folklorike, vallet dhe muzika instrumentale u duartrokiten nga artdashësit korçarë, por dhe turistët e pranishëm në skenën e Pazarit të Vjetër të Korçës.

Një prej anëtarëve të ansamblit “Skënderbeu”, Ines Sulenjis, rrëfeu emocionet e një shfaqje përpara publikut pas një viti pandemi.

“Ishte një ndjesi e papërshkrueshme pasi gjithë trupat nuk ishin mbledhur kurrë pas kësaj kohe pandemie dhe mezi po prisnim të vinim në skenë”, tha ajo.

Një ndër artistët e ansamblit Bitola të Maqedonisë vlerësoi festivalin dhe uroi që vitin tjetër ai të organizohet më i madh.

“Festivali ka qenë i mrekullueshëm, organizimi gjithashtu. Jemi të lumtur që jemi pjesë e tij dhe shpresojmë që vitin tjetër të jetë më i madh”, tha një ndër artistët e Ansamblit Bitola.

Vitin e ardhshëm ky festival pritet të vijë me një program më të zgjeruar dhe pjesëmarrje më të madhe të shteteve të Ballkanit. /atsh/ KultPlus.com

“Shpirti i Ballkanit”, dy netë festë në Korçë

“Shpirti i Ballkanit” vjen për herë të parë në juglindje të vendit, në “Korca folk fest Balkan”. Festival që ka ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm tek artdashësit e këtij qyteti dhe jo vetëm.

Organizatorët e festivalit kanë menduar që Shpirtin e Ballkanit ta kenë për dy net në qytetin e Korçës. Në natën e parë sipas drejtores së Teatrit, Zamira Kita, folku ballkanik do të ngjitej në skenën e këtij teatri, ndërkohë që në natën e dytë ballkanasit do të performojnë në pazarin e vjetër të qytetit. Atje ku edhe për Kitën, përzjehet fort mirë folku, tradita me vlerat e trashëgimnisë kulturore.

Në natën e parë të “Shpirtit të Ballkanit” janë ngjitur në skenë trupat nga Bullgaria, Greqia, Kosova, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Trupa që sollën në skenë tabanin e valleve të tyre tradicionale. Valle të cilat por edhe muzika, në një pjesë të konsiderueshme ngjanin fort me njëra-tjetrën. Aq shumë sa të dukej se po shikoje valle maqedonase pa çka se në skenë ishin bullgarët apo nga trevat greke. Për muzikologun e njohur Pandi Bello, pak gjëra i ndajnë fqinjët me njëri-tjetrin, edhe në folk. Ndarje që bëhet më e vogël me afërsinë gjeografike të shteteve.

Të gjitha trupat në natën e dytë do të ngjiten në një skenë të madhe në sheshin e pazarit të vjetër. Aty ku do të ndahen edhe çmimet për grupin më të mirë, valltarin më të mirë dhe kostumografinë./KultPlus.com