”Voyages et Tourisme”: Riviera Shqiptare ndërthurje unike e ujërave të kristalta, plazheve ranore dhe qetësisë

Hiqni dorë nga destinacionet turistike të mbipopulluara, si vendpushimet bregdetare greke dhe italiane, ndër vendet më të prirura për turizëm masiv, shkruan Lilia Zaidi në të përditshmen franceze “Voyages et Tourisme”.

“Unë do të rekomandoja një destinacion më pak të frekuentuar, por shumë më tepër
të përballueshëm, që ndërthur më të mirat e Italisë dhe Greqisë”, sipas një eksperti të udhëtimeve, Gilbert Ott.

Gjithçka që duhet të dini rreth ‘Perlës së Panjohur’, Rivierës Shqiptare:

Ku ndodhet Riviera Shqiptare?

Riviera shqiptare shtrihet pak kilometra nga Korfuzi, në kufi me Greqinë, dhe gjeografikisht është afër Pulias, Itali, si dhe destinacioneve të tjera përgjatë Italisë.

Shqipëria ndodhet në mes të brigjeve më ikonike të Evropës.

Si të shkoni atje?

Nëse dikur ishte e ndërlikuar të planifikoje një udhëtim në Shqipëri, sot nuk është më kështu.

Linjat ajrore të mëdha si Air France, Lufthansa dhe British Airways ofrojnë fluturime direkte për në kryeqytet, Tiranë.

Nga atje, është 4 orë me makinë për të arritur në bregdet.

Çfarë ofron Riviera Shqiptare?

Ky destinacion i jashtëzakonshëm është për udhëtarët që kërkojnë plazhe të bukura, kuzhinë të shijshme dhe trashëgimi të pasur kulturore.

Shpesh në krahasim me Greqinë, Riviera Shqiptare ofron një ndërthurrje unike të ujërave të pastër kristal, plazheve me rërë dhe atmosferës relaksuese.

Zona ofron një përvojë të jashtëzakonshme ku akomodimet kushtojnë rreth 65 euro nata, shumë më pak krahasuar me resortet në Greqi ose Itali, ku tarifat mund të arrijnë në 650 euro nata.

Ku dhe kur të vizitoni bregdetin shqiptar?

Ashtu si fqinjët e saj italianë dhe grekë, koha më e mirë për të vizituar rajonin është nga maji deri në tetor.

Rekomandohet të planifikoni udhëtimin tuaj gjatë muajve të ngrohtë për të shijuar plotësisht plazhet e saj madhështore.

Gjatë kësaj periudhe, temperaturat janë të ngrohta, dhe reshjet janë të pakta.

Saranda është destinacioni kryesor i rajonit, por disa fshatra bregdetare si Ksamili, Dhërmiu dhe Vunoi janë kryesisht më të preferuarat në mesin e pushuesve. /atsh / KultPlus.com

Butrinti, destinacioni i preferuar i turistëve të huaj

Parku Kombëtar i Butrintit, mbetet një prej atraksioneve tërheqëse si për pushuesit vendas dhe për të huaj.

Sipas të dhënave zyrtare janë mbi 2 mijë persona që e vizitojnë ccdo ditë duke u njohur jo vetëm me historinë por edhe me arkitekturën e qytetit antik.  

 “Jam nga Florida, Shqipëria është nje vend shumë i bukur. Njerëzit janë shumë të mirë. Deti është shumë i bukur. Malet shumë të bukura qytetet gjithashtu më pëlqejnë. Tani do vizitojmë Butrintin, është hera e parë që vij këtu” thotë një turist.

“Është një vend arkeologjik i bukur, vizituam kështjellën e cila kishte një pamje të mrekullueshme. Edhe një natyrë të bukur, jam nga Maqedonia e Veriut” thotë një tjetër turist.

Në ditët e pushimit kanë vizituar dhe vende të tjera. Duke u shprehur se do të rikthehen sërish nuk lënë pa përmendur bukuritë por sigurisht edhe mikpritjen e qytetarëve.

“Eshte hera e parë që vij në Shqipëri, shqiptarët janë mikpritës, edhe të gatshëm për të bashkëpunuar edhe për të ndihmuar.”

“Është hera ime e parë në Shqipëri. Më pëlqeu Shqipëria, ishim në Durrës dhe erdhëm edhe këtu për një xhiro të bukur. Është një vend në zhvillim jo si te ne. Ne jemi te mbyllur. Ne jemi mësuar të shohim ndërtesa të vjetra në Itali, edhe kjo bën pjesë në historine tonë romane, ngjan me Venecian Romen, ndihemi gati si në shtëpi. Është një eksperience e bukur me natyrë të bukur edhe vende te bukura.”

Butrintit nuk i mungojnë as shqiptarët e Kosovës të cilët e vlerësojnë për bukuritë dhe veçantinë që ka.

Gjatë vitit të shkuar ku për shkak të pandemisë, monumentet kulturore dhe arkeologjike ishin në krizë vizitorësh dhe Butrinti numëronte një mesatare prej vetëm 200 personash në ditë./oranews/ KultPlus.com

“Flight Network”: Gjiri i Gjipesë mes 50 plazheve më të bukura të botës

Gjiri i Gjipesë është renditur mes 50 plazheve më të bukura të botës për vitin 2018 nga faqja më e madhe kanadeze që u kushtohet udhëtimeve, “Flight Network”, në një listë që është përpiluar duke u bazuar në opinionin e 1 200 gazetarëve, botuesve, blogerëve dhe agjencive të udhëtimeve për të dhënë këndvështrimin e tyre prej eksperti.

“Nëse po kërkoni për një parajsë, ju e keni gjetur atë”, shkruan “Flight Network” për plazhin e Gjirit të Gjipesë.

“Plazhi i Gjipesë duket më shumë si një ishulli i vetmuar përrallor se sa një tjetër plazh në Europë dhe kjo sepse mënyra më e lehtë për të vajtur është me varkë”, lexohet në faqen kushtuar për udhëtimet.

“Shkëmbinj me gura të bardhë, ujëra të kaltra, rëra e bardhë dhe shpellat e rehatshme me hije krijojnë atë që është një prej plazheve më të pastra, por edhe më të pavlerësuara në botë”, shkruhet në këtë klasifikim të 50 plazheve më të bukur të vitit 2018.

“Merr me vete kamerën, shumë krem për diellin dhe mos harroni rrobat e banjës, sepse është e pamundur që t’i rezistosh ujërave kristal të pastra”, e mbyll përshkrimin për plazhin e Gjirit të Gjipesë “Flight Network”, të cilin e ka renditur mes 50 plazheve më të bukur të të gjithë botës./ /G.S/ a.jor. /KultPlus.com