27 vite nga krijimi i grupit të këngëve dhe valleve arbëreshe, ‘Shqiponjat’

Sot shënohet 27-vjetori i krijimit të grupit të këngëve dhe valleve popullore arbëreshe “Shqiponjat”. Ky grup u krijuar në prill të vitit 1994, me qëllim që të ruajë traditat etnografike arbërore.

Arbëreshja Angela Iusi nga Shën Sofia e Epirit vendosi të krijojë këtë grup me emrin domethënës “Shqiponjat”, që përfaqëson simbolin tonë kombëtar. Iniciativës së saj iu bashkuan shumë arbëreshë të tjerë, të cilët së bashku me familjet e veta u bënë pjesë e këtij grupi.

Sot ky grup popullor numëron rreth 30 valltarë të moshave të ndryshme, nga 7 deri në 40 vjeç, si dhe një orkestër prej 7 muzikantësh, të cilët me pasion dhe vendosmëri duan të mbajnë gjallë traditat dhe vlerat antike të kulturës arbëreshe.

Shkruan: Dr. Bexhet Asani

Arbëreshët që prej shekujsh e kanë ruajtur gjuhën, historinë, adetet, zakonet, kujtimet për kryeheroin arbëror Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe kulturën arbërore. Mungesa e shkollimit në gjuhën amtare, bëri që ata të përdorin metoda të ndryshme për ruajtjen e vlerave arbërore. Kështu, ata kohët e fundit kanë themeluar shoqata e klube të ndryshme kulturore me qëllim që të ruajnë jo vetëm gjuhën, por edhe veshjen, vallet dhe këngët e tyre arbëreshe. Në këto grupe ata nuk angazhojnë vetëm të rriturit, por edhe fëmijët e tyre me qëllim që t’ i përcjellin traditat e tyre edhe te brezi i ri. Një grup të tillë themeloi, së bashku me shoqet e saj edhe arbëreshja Angela Iusi nga Shën Sofia e Epirit. Ky grup karakteristik ka emrin e bukur “Shqiponjat” simbolin tonë kombëtar arbëror. Grupin e këngëve dhe valleve popullore arbëreshe “Shqiponjat”, unë e kam përcjell nga afër në tetor të vitit 2019, kur ky grup dha koncert në Kenerikë dhe Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për mbresat e mia për grupin “Shqiponjat” mund të lexoni shkrimin “Shqiponjat arbëreshe fluturuan në Amerikë”. Le të njihemi tani me historikun e shkurtër, por tepër të frytshëm të grupit “Shqiponjat” nga kryetarja Angela Iusi.

Ideja e themelimit të grupit ishte e natyrshme, kur ne ishim në moshë të re, merrnim pjesë në grupin e murgeshave, veshur kostumet arbëresh dhe këndonim këngë tradicionale. Në vitin 1994, ne patëm fatin e mirë të takonim koreografen e madhe shqiptare Mimoza Bekteshi e cila ishte zhvendosur nga Tirana në Shën Dhimitër Korone (San Demetrio Corone). Nga zonja Mimoza Bekteshi kërkuam që të na mësonte të kërcenim. Ajo pranoi dhe për këtë i jemi mirënjohës.

Grupi popullor “Shqiponjat” lindi në komunitetin arbëresh të Shën Sofis së Epirit në pranverën e vitit 1994 dhe u bë një shoqatë 10 vjet më vonë. Qëllimi i grupit të valleve dhe këngëve arbëreshe “Shqiponjat” është ruajtja dhe përhapja e trashëgimisë artistike, historike dhe kulturore e arbëreshëve në përgjithësi dhe të arbëresheve të Shën Sofisë në veçanti. Termi arbrëresh tregon bashkësitë shqipfolës dhe ato bashkësi të cilat e kanë humbur gjuhën arbëreshe, e që jetojnë në Itali që nga shekulli XV dhe që është pjesë e pakicave gjuhësore që jo vetëm e ruajnë si gjuhë arkaike arbërishten, por mbajnë të gjallë adetet, zakonet, veshjen, muzikën, vallet, këngët, fenë dhe trashëgiminë tradicionale kulturore kombëtare arbëreshe, e cila është unike në thelb, pa marrë parasysh nuancat që dallojnë nga fshati në fshat apo nga qyteti në qytet në krahinat e Kalabrisë dhe të Sicilisë në Itali..

Mendohet se në Itali jetojnë afër 100,000 arbëreshë, nga të cilët pjesa më e madhe e tyre jetojnë në Kalabri, dhe përbëjnë grupin më të madh, ndër pakicat historike etno – gjuhësore të Italisë. Për të përcaktuar “vendin” e tyre ata përdorin emrin “Arbëri” dhe i jashtëzakonshëm është trashëgimi e tyre gjuhësore, sociale, enogastronomike, kulturore, muzikore, etj.

Shoqata kulturore e grupit popullor “Shqiponjat” numëron, sot, rreth 30 valltarë të moshës midis 7 dhe 40 vjeç dhe një orkestër prej 7 muzikantësh, të cilët me pasion dhe vendosmëri duan të mbajnë gjallë traditat dhe vlerat antike të kulturës arbëreshe. Ajo tregon, në një mënyre origjinale, veçantitë e komunitetit arbëreshë përmes tingujve, fjalëve, objekteve dhe ritualeve tradicionale, të cilat shprehen në shfaqjet me këngë dhe vallja me rroba tradicionale, duke e çuar shikuesin në një udhëtim imagjinar në të kaluarën, midis bregdetëve shqiptare dhe kalabriane. Puna jonë konsiston në përhapjen e kulturës sonë dhe ruajtjen e kujtesës së saj përmes kërkimeve, publikimeve dhe ngjarjeve. Një tipar tjetër i kërkimit tonë është një shikim në atdheun shqiptar: tingujt të Ballkanëve ndikojnë repertorin tonë.

Për 25 vjet rresht, grupi “Shqiponjat” ka pasur shumë aktivitete dhe me dinjitet ka përfaqësuar Arbërinë dhe komunitetet shqipfolëse në disa në festivale të njohura në Itali dhe jashtë vendit. Për shembull, në 2006 dhe 2007 në Vlorë, në Shqipëri, ku u kthye në vitin 2008 për festivalin e mirënjohur të Gjirokastrës; në 2010 në Romë, në ambientin e mrekullueshëm të Villa Celimontana, në 2011 në Wilstedt, Gjermani, dhe në 2018 dy herë përsëri në Shqipëri në Tiranë, Durrës dhe Kep i Rodonit, ku interpretoi mes rrënojave antike të një kështjelle të ndërtuar nga Giorgio Kastriota Skënderbeu, dhe në teatrin historik të Universitetit të Artit në qendër të Tiranës.

Ne kemi një repertor të pasur me valle dhe këngë arbëreshe e shqiptare. Nga këngët arbëreshe mund të përmend “Lule të këtij sheshi”, “Valle valle”, “Kjo është festa më e madh që ka Arbëria”, “Jurendina na martohet” e shumë të tjera. Salvatore Donato kompozoi këngën “Nusja” dhe ne krijuam një koreografi të pazakontë që përshkruan veshjen e nuses arbëreshe.

Puna nga shoqata “Shqiponjat” dëshiron të jetë mbi të gjitha një lloj “trashëgimie shpirtërore”, ose një mënyrë e vlefshme për të gjetur një të kaluar që është akoma te ne, duke forcuar në të njëjtën kohë ndjenjën e përkatësisë në bashkësinë dhe në botën e ndërlidhjes globale në të cilën e gjejmë veten. Në emblemën e grupit ne kemi shqiponjën dykrenare e cila është edhe flamurin shqiptar: duke mbajtur kthetrat të qëndrueshme në të kaluarën me krahët e shtrirë drejt së ardhmes theksoi kryetarja e grupit të këngëve dhe valleve popullore Shqiponjat motra jonë arbëreshe Angela Iusi.

Vlen të theksoj me këtë rast se anëtar më i ri i grupit të këngëve dhe valleve popullore arbëreshe “Shqiponjat” është djaloshi Manuel Capparelli./ProIntegra/ KultPlus.com

“Two Eagles Cafe” gastronomia shqiptare ne Filadelfia

“Two Eagles Cafe” mund të jetë e vendosur thellë në zemrën e Filadelfias Jugore, por Shqiponjat në emër nuk kanë asnjë lidhje me ekipin vendas “Linc”.

Në fakt shqiponjat në emër janë për të nderuar vendin e lindjes ës dy pronarëve të restorantit, Nadire dhe Rudi Karaj, prindër të tre fëmijëve, Eduardi i lindur në Shiqipëri dhe Neta dhe Ina lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përpara se të realizonin ëndrrën e tyre amerikane, pra të kishin një restorant,  Nadire kishte punuar për rrjetin e fast food Wava për 13 vjet, ndërsa Rudi në biznesin e ndërtimit. Gjatë kohës së lirë ai gatuante deri sa një ditë arriti ta shndërrojë pasionin në profesion.

“Na mori ca kohë. Ne kemi blerë ndërtesat ( përfshirë shtëpinë ngjitur) dhe kemi shkuar në punë. Sa herë që kemi diçka shtesë, kemi bërë më shumë punë. Kjo është ëndrra amerikane”, tha për gazetën lokale  “The Philadelphia inquirer”, Rudi Karaj.

Brenda ambienti është e mobiluar lehtë dhe e ajrosur, me një përzierje të mureve me tulla dhe mureve të veshura me dru. Një mur është zbukuruar me pllaka të emrave të qyteteve shqiptare. “

Menuja në “Dy Shqiponjat”, e cila u hap në fillim të këtij muaji ofron specialitete amerikane  dhe shqiptare si qofte, salcë kosi,  fërgese  etj./ KultPlus.com

Sibel Halimi: Shqiponja, mbrapa së cilës fshehim veten, turpin tonë

Takimi i dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë top lajm në të gjitha mediet e Kosovës, atyre të Shqipërisë, por edhe të rajonit, shkruan KultPlus.

Mirëpo, jo vetëm mediet kanë pasë në fokus këtë takim të dy Qeverive të mbajtuar në Pejë, të kryesuara nga kryeministrat: Ramush Haradinaj e Edi Rama, të cilët, bashkë me ministrat kanë realizuar edhe fotografi me shqiponjë.

Ky takim është vën në pah edhe nga shumë qytetarë, të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale kanë shprehë, admirim, ironi, humor…

Sociologia Sibel Halimi, duke aluduar mbi këtë takim, ka shkruar vetëm një status.
“Shqiponja, mbrapa së cilës fshehim veten, turpin tonë!”, ka shkruar Halimi./KultPlus.com

Rusët e ndaluan futjen e flamujve shqiptarë në Kalinigrad, por harruan që shqiponjat vijnë nga lart

U bënë bashkë rus e serb për të vetmin qëllim që ta mundin Zvicrën e shqiptarizuar.

Madje u murr edhe vendimi që të ndalohet futja e flamurit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë Natyrale.

Por si rusët vendas ashtu edhe miqtë e tyre serbët harruan që Shqiponjat vijnë nga lartë.

Xherdani, Graniti, Valoni e Blerimi treguan se kush janë dhe nga vijnë, treguan se dinë të luftojnë për Zvicrën që i dha gjithçka dhe për Kosovën e Shqipërinë që aq shumë e duan.

Edhe pse u ndalua hyrja e flamujve shqiptarë nga tifozët, rusët e serbët kishin harruar që kemi djem shqiptarë në fushë që me krenari e tregojnë prejardhjen e tyre.

Valoni e kishte tatto në krah flamurin e Kosovës dhe atë Kombëtar.

Është e kotë t’i ndaloni shqiptarët, nëse gjithçka mbyllet për herën tjetër mos harroni që SHQIPONJAT vijnë nga lart.