Botohet në Finlandë antologjia e poezisë bashkëkohore shqiptare

Në qytetet finlandeze Tampere dhe Lahti u përurua antologjia më e re e poezisë shqiptare në finlandisht. Titulli i antologjisë është “Na ishte njëherë shpresa”, në gjuhën finlandeze “Olipa kerran toivo”.  Antologjia në fjalë u përkthye nga origjinali nga Silvana Berki dhe u botua nga “Aviador Kustannus”, me asistencën profesionale të shkrimtarit Aleksanteri Kovalainen dhe nën kujdesin në botim të Vesa Tompurit. Ideja e një projekti mbi antologjinë “Olipa kerran toivo” filloi tre vjet më parë. Mësohet se kjo antologji ka bërë bashkë 25 poetë bashkëkohorë shqiptarë, që shkruajnë në gjuhën shqipe, pavarësisht nga vendi në të cilin jetojnë. Për ta përuruar këtë antologji, në veprimtaritë e organizuara me këtë rast, morën pjesë poetja dhe skenaristja Natasha Lako dhe poeti e prozatori Arian Leka.

Në veprimtari, përveç dashamirësve të poezisë morën pjesë edhe emra të shquar të poezisë bashkëkohore finlandeze, si akademikët Kristi Kuuronen, Kari Aaronpuno dhe poete e prozatorë, si Hannu Luntiala ose poetja Saara Metsäranta. Gjatë përurimeve Natasha Lako dhe Arian Leka shkëmbyen mendimet e tyre me lexuesin finlandez, si dhe zhvilluan një bashkëbisedim me prozatorin e njohur finlandez Hannu Salama.

Parathënien e antologjisë, kushtuar kryesisht gjuhës shqipe, historikut të saj dhe poezisë shqipe, e ka shkruar poeti dhe studiuesi Gazmend Krasniqi, i cili zbardh për lexuesin finlandez momente të spikatura në poezinë shqiptare që prej fillimeve të saj e deri në ditët e sotme. Përveç përzgjedhjes mbi kritere profesionale të autorëve dhe të shënimeve shoqëruese për çdo autor, antologjia “Olipa kerran toivo” merr vlerë të veçantë edhe për organizimin e veçantë të lëndës letrare. Kjo pasi në këtë antologji si rrallëherë më parë bota poetike e shqiptarëve vjen e unifikuar në një panoramë të gjerë e gjithëpërfshirëse. Në brendi të saj ka poetë të trevave ku poezia shkruhet shqip, duke filluar nga poezia bashkëkohore që shkruhet në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal i Zi dhe te arbëreshët e Italisë. Një paraqitje të tillë poeti Arian Leka e ka cilësuar si një hartë poetike për të mbërritur në viset e shpirtit shqiptar, por edhe një udhërrëfyes ku përveç peizazhit me lumenj e me dete, me male e me qytete, shfaqen edhe relievet e historisë dhe të shqiptarit.

Emrat e poetëve të përfshirë në të janë: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Mimoza Ahmeti, Suzana Zisi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Sokol Zekaj, Gazmend Krasniqi, Adem Gashi, Ndue Ukaj, Sabri Hamiti, Kujtim Shala, Ramadan Musliu, Selajdin Saliu, Eqrem Basha, Xhevdet Bajraj, Anton Gjojcaj, Marg Shilipa, Zef Skiro di Maxho, Mario Belizzi, Katerina Xukaro, Lindita Ahmeti dhe Lulëzim Haziri. ZERI/ KultPlus.com

Ëndërra që marrin frymë

NA ISHTE NJËHERË SHPRESA- na u kthye në realitet ditën e 13. qershorit 2019, me publikimin e antologjisë së poezisë së shqipfolësve në gjuhën finlandeze. Të ftuar për të prezantuar poezinë shqiptare ishin shkrimtarja dhe poetja Natasha Lako si edhe shkrimtari dhe poeti Arian Leka, të cilët më bënë krenare me profesionalizmin e tyre, transmeton KultPlus.

Në antologji janë të përfshirë edhe 25 poet të tjerë: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Mimoza Ahmeti, Suzana Zisi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Sokol Zekaj, Gazmend Krasniqi. Adem Gashi, Ndue Ukaj, Sabri Hamiti, Kujtim Shala, Ramadan Musliu, Selajdin Saliu, Eqrem Basha, Xhevdet Bajraj, Anton Gjojcaj, Marg Shilipa, Zef Skiro Di Maxho, Mario Belizzi, Katerina Xukaro, Lindita Ahmeti, Lulëzim Haziri.

E vecanta e kësaj antologjie është se në brendi të saj ka përfshirë poet të të gjitha trevave, kudo ndodhen shqipfolës: Shqiperi, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Arbëreshët e Italisë/Sicili. 
”Cfarë ka të vecantë këtu?”- më pyetën gjatë bisedës në një panel me përkthyes: 
Në pamje të parë nuk ka asgjë të vecantë, të gjithë janë shqiptarë me rrënjë, të gjithë flasin gjuhën shqipe. Gjatë përkthimit kuptova që nuk isha vetëm një përkthyese e gjuhës shqip-finlandisht, por edhe shqip-shqip. Kjo për arsye sepse ashtu si jeta edhe gjuha evolon dhe jeton brënda kohës së vet dhe kufijve gjeografik. Nëpërmjet këtyre poezive kupton këto diferenca dhe kulturën e vëndit ku shqipfolësit jetojnë me gëzimet dhe brengat e tyre por edhe pasurinë gjuhësore të këtyre trevave ku dialektiet gjuhësore edhe pse ma bënin përkthimin të vështirë, në të njëjtën kohë më dhanë shumë duke ma pasuruar fjalorin t`im.

Parathënien rreth gjuhës shqipe dhe historikut të saj e ka shkruar poeti dhe studjuesi Gazmend Krasniqi i cili zbardh për lexuesin finlandez poezinë shqiptare prej fillimit të saj deri në ditët e sotme. 

Gjithsesi nuk dua të lë pa përmendur se pikënisja e këtij projekti ka qënë human, nisur kjo edhe prej pozicionit t`im si emigrante por edhe influencuar nga këndvështrimi i shkencave sociale (edukimi im) për të mbështetur kombet e vegjël dhe gjuhët e tyre të përhapen mbarë Europës edhe më tej në rrang global. Kolonializmi gjuhësor si përshëmbull me anë të teknologjisë gjuha angleze, gjermane dhe ajo ruse ka kolonializuar gati të gjithë botën, dhe gjuhët e tjera të kombeve të vogla si shqipja apo finlandishtja janë gati të pafolura në rrang global (përvec shqipfolësve emigrant). Ndaj e falenderoj institucionin KONE SÄÄTIÖ- e cila e mbështeti këtë projekt deri në realizim. Sa shumë nevojë kemi për të tilla institucione që përvec profesionializmit mbështesin edhe humanizmin.

Endërra ndez ëndërrën. Shpresoj që tani kur themelet janë hedhur mund të ecim drejt të panjohurave të bukura duke ju dhënë edhe më shumë frymë.

Faleminderit gjithkënd që ndau me mua këtë punë tre vjecare deri momentet e këtyre ditëve. Ky event katër ditësh ka qënë i shumëllojshëm dhe në disa institucione dhe qytete ku ishin organizuar festivale poetike për të cilat do të rikthehem duke ju informuar mbi temat e tyre së shpejti./KultPlus.com

Me mirënjohje,
Silvana Berki. 
http://runomaraton.fi/…/olipa-kerran-toivo-albanialaista-n…/