Përkujtohet në 61 vjetorin e vdekjes Simon Rrota, një prej piktorëve të parë shqiptarë

Si sot në vitin 1961 vdiq një prej piktorëve të parë shqiptarë, Simon Rrota.

Rrota u lind në vitin 1887 në Shkodër, të cilës i kushtoi një hapësirë e rëndësi qendrore në veprën e tij. Mësimet e para i mori në filloren e françeskanëve dhe më pas iu drejtua shkollës italiane të artizanatit, duke frekuentuar ndërkohë edhe rrethin e pikturës së Kolë Idromenos.

Studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano, prej nga ku u njoh dhe u ndikua nga teknikat e Rafaello-s dhe Caravaggio-s.

Pas kthimit në Shqipëri, do të punonte fillimisht si fotograf në Lushnjë, për t’u profilizuar gjatë gjithë trajektores së tij profesionale deri në daljen në pension, si mësues në gjimnazin shtetëror të vendlindjes së tij.

I pandashëm nga piktura, do të merrte pjesë në disa ekspozita në rang vendi, si dhe në disa aktivitete të kësaj natyre në nivel ndërkombëtar, ku u pohua autenticiteti i krijimtarisë së tij.

Tipikisht, si një artist i periudhës së Rilindjes, vepra e tij karakterizohet nga ndjenjat patriotike. Pas çlirimit nga zgjedha turke, artisti do të mishëronte heroin kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, në përleshje me pushtuesit në tablonë “Beteja e Skënderbeut” (1916), si edhe në kompozimin e njohur “Skënderbeu në shtratin e vdekjes”.

Në koherencë me këtë shtrat ideor, Rrota lëvroi edhe në zhanrin e peizazhit dhe të portretit, duke trajtuar tema etnografike përmes paraqitjes ndër të tjera të shtëpive të moçme, të malësorëve dhe të kostumeve kombëtare.

Mes pikturave të tij, veçohen për popullaritet më të madh punimet “Te Pusi i fshatit” (1934) dhe “Portë në Shkodër” (1936). “Piktor i Merituar” (1961) dhe “Piktor i Popullit” (1999) ishin titujt postumë me të cilët u nderua Rrota./atsh/ KultPlus.com

Simon Rrota: Të marrë e injorant ka gjithkund

Shkruan Ilnisa Agolli.

Është një tablo ditari me penelata sinqeriteti, me gjuhën e sakrificës dhe kulturës që ka shquar shkodranët. Kujtime të një shekulli të shkuar që i lexojmë mes rreshtave të mjeshtrit të madh Simon Rrota, histori që më në fund vijnë të botuara nën logon “Botimet Fishta” falë Pjetër Logorecit.

“Po shkruej për vedi e Shkodrën” është një jetë e tërë e shkruar në avujt e nostalgjisë personale me rrëfime të panjohura gjer më sot. Ditari i nxënësit të Kol Idromenos hedh dritë mbi fillimet e pikturës realiste shqiptare dhe mbi rrugën e vështirësitë që ka kaluar arti dhe vetë piktori mbi “disprimin”, sikundër shkruan ai, për gjendjen në të cilën ndodhej vendi si pasojë e pushtuesit anadollak osman duke folur me imazhe e ngjyra historike nga tabaloja e piktorit tek heshtja e dhomës së shkrimtarit.

Por nëse do të hulumtojmë mbi jetën dhe veprën e çdokujt prej autorëve të veprave të Rilindjes do të mund të perceptojmë gjithë historinë e artit shqiptar ndryshe, jo vetëm për veçoritë e papërsëritshme të formimit artistik por edhe duke u njohur me kohën kur ato u krijuan. Çfarë fshihet pas atyre tablove? Cila është e vërteta që ekspozitat e para të hapura që nga ajo e vitit 1883 me dy pikturat e famshme “Motra Tone” e Kol Idromenos dhe “Skënderbeu” i Jorgji Panaritit të cilat ndryshuan dhe fatin e pikturës duke sjellë një frymë bashkëkohore dhe një mesazh ndryshe? Askush nuk e di me saktësi gjuhën e këtij romantizmi nëse mund ta quajmë kësisoj i cili duket se e ka fituar betejën për forcimin e ndjenjës së identitetit tek popujt.

Është rast i veçantë në historinë e artit figurativ që për të pestë ekspozitat e hapura në harkun kohor të 25 vjetëve nga viti 1920-1945 të paraqiteshin me titullin “E para ekspozitë arti në Shqipëri” në gazetat dhe revistat e kohës, që siduket bojën dhe letrën e paskan patur të përjetshme. Kështu më 1923, ekspozita që u hap në Shkodër ēshtē quajtur më e para në gjithë Shqipërinë. Ku morëm pjesë të gjithë artistët e qytetit, prej tyre dhe Simon Rrota.

Ndërkaq duke shfletuar kujtimet e Rrotës njihemi me zakonet, dasmat shkodrane, vdekjet, lindjet, patriarkalizmin, armiqësitë deri në luftë vëllavrasëse mes dy besimeve fetare. Por ajo që bie në sy është jeta e vështirë dhe peripecitë që kaloi Simon Rrota për të realizuar ëndrrën artistike. Një vend të veçantë në ditar zë miqësia e Simonit me At Gjergj Fishtën, i cili atë kohë drejtonte shkollën françeskane në Shkodër. Frati françeskan e ndihmon piktorin e vogël me materiale, që i duheshin për pikturën që atë kohë gjindeshin me shumë vështirësi dhe me ambiente për të punuar, duke i ofruar edhe shpërblim financiar.

Dishiri qi i paraqita, për kërkesën e materialit, – kujton ai, – e gëzoi shumë fratin, prandaj, pa far voneset më mori për krahut, më prini përpara, tue me çue në dhomën e vizatimit ku unë tre vjetë ma parë kisha mësue vizatim me shokët e shkollës. Aty material kishte mjaft e pa dhimbë. Më dha nji sasi të mirë lapsa, goma, letra vizatimit e modele të ndryshme. Përveç gjanave, i dha urdhën shërbyesit të shkollës, Ndokë Çunit, i cili ishte edhe kepucar e bante sandale për freten, qi, sa herë qi do të më nevojitesh material për vizatime, me ma dhanë pa pengesa. Gzimi kje i madh e kshtu unë pa vonesë ju shtrova punës me dishir për me vizatue elementet e para, e mbasi bana nji sasi të mirë, i çova te Kolë Idromeno për me i korigjue…” shkruan Simon Rrota i cili përshkruan po aq bukur edhe takimin e parë me Fishtën.

“Por me u paraqitë te Padër Gjergji më vinte turp mbasi qi ishte e para herë që do të flitshe me të… Rasa kje e mirë për mue me u takue së bashku, pse, njatë herë ai kishte ndejë në kopësht të Kuvendit, ku sot asht nji bli i madh, ndërsa po vërente punëtorët qi po ndërtojshin Kishën e Françeskanëve…” Piktori Simon Rrota vdiq dhe u “varrue” më Shkodër mē 27 janar 1961. U deshën 57 vjet që në faqet e ditarit të kuptojmë që koha është e njëjta, veç Simonët mungojnë:

“Tue vazhdue kështu, mendojshe se në katund i lir o jo i trazuem si në qytet, por edhe këtu, puna ndrroi pse të marrë e injorante kishte gjithkund. Ishte hapë fjala se unë kam dalë me qëllime tjera: me shkrue shtëpijat, bagëtitë e tjera sende të katundit, për të cilat, ma vonë do të paguejshin taksat. Ashtu kujshojshin katundarët e më shikjojshin me sy të keq, veçanërisht njatëherë kur unë i shikjojshe në fytyrë me u ba skicat; kjo gja i bante me dyshue edhe ma tapër e mu kërcnojshin fort, kështu, ndër katunde qi shkojshe, më qitshin jashtë pse unë, për ‘ta ishe i rrezikshëm. Kësi rasash, ishin të thuejsh përditë; por ajo ma interesante kje ajo kur unë ishe tue vizatue mëshehtas, nji malcuer. Kur i diftuen tjerët, u drejtue nga unë e me kercnim të madh më tha: “unë nuk jam asi burrit qi me hye në letër”. Pra? Falemders, mjeshtër!./ KultPlus.com

“Po shkruej për vedi e Shkodrën”, promovohet në Muzeun Historik Kombëtar

Libri “Po shkruej për vedi e Shkodrën” i autorit Simon Rrota është promovuar ditën e djeshme nga Muzeu Historik Kombëtar dhe botimet “Fishta”, ku kujtimet e piktorit Simon Rrota (1887-1961), të ruajtura me përkujdesje të adhurueshme prej familjarëve, janë kuruar në këtë libër nga Pjetër Logoreci.

Në këtë libër shënohen kujtime nga bashkëpunimi i piktorit dhe mjeshtrit Kolë Idromeno si dhe me poetin kombëtar At Gjergj Fishta për skenografinë e shfaqjeve teatrore që poeti përgatiste në teatrin e sapothemeluar prej tij në Kuvendin françeskan në Gjuhadol.

Në këtë libër përcillen edhe kujtime nga jeta e përditshme qytetare e Shkodrës të fillimit të gjysmës së parë të shekullit të XX.
Këtë aktivitet e përshëndeti edhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, i cili vlerësoi figurën dhe artin e Simon Rrotës në një kohë kur Shqipëria kishte më së shumti nevojë për art për të vazhduar më tej luftën për pavarësinë e vendit.
Folën rreth botimit të librit “Po shkruej për vedi e Shkodrën” të autorit Simon Rrota, edhe Pjetër Logoreci, kuratori i librit dhe botuesi Frano Kulli. /ata

Botohet “Po shkruej per vedi e Shkodrën”, ditari i piktorit shqiptar Simon Rrota

Këto ditë doli nga shtypi libri “Po shkruej per vedi e Shkodrën”. Vepra si e tillë është ditari i mbajtur nga piktori i njohur shqiptar Simon Rrota, i cili fillon me shënime e ngjarje emocionuese që nga viti 1902, kur vendi ndodhej nën pushtimin osman, përcjellë KultPlus.

Studiuesi Pjetër Logoreci tregon se ky libër përmban momente interesante që autori ka përjetuar me kolosin At Gjergj Fishta, mjeshtrin Kolë Idromeno, veprat e tyre si dhe anektoda nga kontaktet me to. Ai shton se mjeshtri i penelit Simon Rrota, përshkruan me hollësi çdo cep të Pazarit të famshëm të Shkodrës si dhe personazhet e njohur e tregtarët e tij, me emra dhe aktivitetet që ushtronin.

“Me ngjyra të gjalla, ai, përshkruan tërmetin që tronditi Shkodrën në vitin 1905 si dhe pjesë nga sakrificat e shkodranëve gjatë rrethimit të qytetit nga malazezët. Përveç momenteve historike që ka kaluar qyteti, Rrota, tregon edhe jetën sociale apo arsimore të Shkodrës si dhe përshkruan bukuritë, artet, ndërtimin e shtëpive karakteristike, këngët popullore, zakonet dhe traditat, veshjet e kohës, si festoheshin festat kombëtare dhe fetare apo si zunë fillë ndërtimi i Katedrales së Shkodrës e objekteve të tjera të rëndësishme të qytetit”, tregon Logoreci.

Ai tutje shton se autori me anë të këtij libri tregon për viset e ndryshme shqiptare në jug dhe veri të vendit ku ai punoj si përkthyes i ushtarakëve italianë dhe austrohungarezë në luftën e parë botërore. Libri ka 209 faqe dhe përmban shumë fotografi familjare dhe personale të autori dhe është botuar nga shtëpia botuese Fishta./ KultPlus.com