Presidentja Vjosa Osmani i bën thirrje Indisë që ta njohë Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin indian “WION” i ka bërë thirrje Indisë që ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, shkruan Wionews.

Osmani ka thënë se fillimisht India duhet të njohë vuajtjet e kosovarëve nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit dhe pastaj të njohë pavarësinë e Kosovës, realitet ky për të cilin presidentja thotë se nuk ka për të ndryshuar.

“Ne i bëjmë edhe një herë thirrje qeverisë së Indisë që para së gjithash të njohë vuajtjen e popullit të Kosovës nga regjimi gjenocidal e Millosheviqit dhe së dyti, ta njohë realitetin e pandryshueshëm në terren”, ka thënë presidentja Osmani në këtë intervistë për redaktoren e WION, Palki Sharma.

Presidentja ka potencuar se është vetëm çështje kohe kur India do t’i bashkohet vendeve demokratike që kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Linku i intervistës është shpërndarë nga këshilltari i presidentes, Artan Murati. / KultPlus.com

21 vjet nga ngritja e aktakuzës për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviqit

Sot janë bërë 21 vjet qëkur Gjykata e OKB-së mbi krimet e luftës në Hagë konfirmoi se ka paditur si kriminel lufte presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviq.

Kjo padi u bë më 27 maj të vitit 1999, ndërsa më 1 prill të vitit 2001, Millosheviqi ishte arrestuar në Beograd.

Ndërsa me urdhrin e qeverisë serbe, më 28 qershor, ekstradohet në Hagë, pasi paraprakisht i ishte bërë publike aktakuza për krime lufte në Kosovë.

Më vonë ai akuzohet për krime edhe në Kroaci dhe gjenocid në Bosnje-Hercegovinë.

Gjykimi kundër Sllobodan Millosheviqit në Hagë filloi më 12 shkurt të vitit 2002.

Nxjerrja e dëshmive për krime në Kosovë e Kroaci dhe për gjenocid në Bosnje – Hercegovinë ka zgjatur deri më 25 shkurt të vitit 2004. Mbrojtja e tij ka filluar në fund të gushtit të atij viti.

Gjykimi kundër Millosheviqit është ndërprerë me dhjetëra herë për shkak të problemeve kardiovaskolare dhe tensionit të lartë të gjakut.

Më 11 mars 2006 rreth orës 9:30, ai gjendet i vdekur në qelinë e tij. / KultPlus.com