30 vjet nga zgjedhjet e para kur Ibrahim Rugova u votua për president

24 Maji i vitit 1992 është një datë e shënuar në historinë e lëvizjes politike dhe të rezistencës së Kosovës drejt pavarësisë së saj. Atë ditë janë organizuar zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale. Zgjedhjet u organizuan duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar me 7 Shtator 1990 dhe në Ligjin mbi Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale në Republikën e Kosovës.

Zgjedhjet i përcollën vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia.  Këto zgjedhje, përkundër gjithë pengesave nga pushteti serb, ishin mbuluar shumë mirë nga mediat. Zgjedhjet i kanë përcjellë 82 ekipe, apo gazetarë nga vende të ndryshme. Në këto zgjedhje me votë plebishitare për President të Republikës së Kosovës ishte zgjedhur Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova u zgjodh katër herë President i Kosovës: dy herë me votë të drejtpërdrejtë popullore (1992, 1998), dy herë në Kuvend (2002, 2004). Më 24 maj 2004, kur 24 maji u shpall Dita e Presidentit, duke njohur rëndësinë e zgjedhjeve të 24 majit të vitit 1992, kur për herë të parë Presidenti i Kosovës u zgjodh me votë të drejtpërdrejtë, Presidenti Rugova ka thënë: Këto zgjedhje janë përkrahur nga i gjithë populli i Kosovës, me përkrahje të gjerë e masive.

Po ashtu në formë demokratike qytetarët shprehën vullnetin e tyre politik për Presidentin dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Këto zgjedhje kanë hyrë në analet e historisë më të re të Kosovës si ditë e rëndësishme dhe e shënuar, ndërsa janë regjistruar në të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare dhe në publikimet e ndryshme enciklopedike për funksionimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës. / KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani i bën thirrje Indisë që ta njohë Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin indian “WION” i ka bërë thirrje Indisë që ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, shkruan Wionews.

Osmani ka thënë se fillimisht India duhet të njohë vuajtjet e kosovarëve nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit dhe pastaj të njohë pavarësinë e Kosovës, realitet ky për të cilin presidentja thotë se nuk ka për të ndryshuar.

“Ne i bëjmë edhe një herë thirrje qeverisë së Indisë që para së gjithash të njohë vuajtjen e popullit të Kosovës nga regjimi gjenocidal e Millosheviqit dhe së dyti, ta njohë realitetin e pandryshueshëm në terren”, ka thënë presidentja Osmani në këtë intervistë për redaktoren e WION, Palki Sharma.

Presidentja ka potencuar se është vetëm çështje kohe kur India do t’i bashkohet vendeve demokratike që kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Linku i intervistës është shpërndarë nga këshilltari i presidentes, Artan Murati. / KultPlus.com

Historia e Himnit të Kosovës (VIDEO)

Më 12 Mars 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës vendosi të hapë një konkurs publik për përzgjedhjen e himnit shtetëror të Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Rezultat i këtij konkursit të organizuar ishte përzgjedhja e krijimit “Evropa”, si himni zyrtar shtetëror i Republikës së Kosovës i kompozuar nga Mendi Mengjiqi.

Vendosja e simboleve shumë etnike për Republikën e Kosovës, ishte paraparë qysh në dokumentin e quajtur “Propozimi gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, i datës 2 shkurt 2007, ose siç njihet ndryshme “Pakoja e Ahtisarit”.

Ndër krijimet pjesëmarrëse ishte edhe himni alternativ “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” i kompozuar nga kompozitori Rauf Dhomi, krijim i parapëlqyer i ish-Presidentit Ibrahim Rugova (1944-2006) për të qenë himn shtetëror i Dardanisë-Kosovës. Një tjetër krijim pjesëmarrës në konkurs ishte himni “Kosova diell” me muzikë të Sami Pirraj dhe fjalë të poetit Skënder Zogaj si dhe himni “Kosova jonë”, pa fjalë, me muzikë të Vasil S. Toles.

Mirëpo edhe himni sikurse edhe emblemat e tjera shtetërore duke përfshirë flamurin, monumentin “NEWBORN”, kanë pasur disa kufizime.
Në 10-të vjetorin e himnit, autori Mendi Mengjiqi, kishte dhënë të drejtën që të sjellet himni i plotë siç ai e kishte menduar dhe i pakushtëzuar. Himni i cili ishte menduar në fillim kishte edhe këtë tekst:

O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë
Çerdhe e dashurisë
N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë
Vend i të parëve tonë
Ti qofsh bekue për jetë e mot
O nënë e jonë
Ne të dalim zot
O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë
Çerdhe e dashurisë.
/KultPlus.com

Sot 10-vjetori i Kushtetutës

Dhjetë vjet më parë, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend, e cila hyri në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj Kushtetute rrjedh nga plani i ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë (neni 8). Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë./ KultPlus.com