Hapet ekspozita ‘Columns’, shpërfaqë librin si ‘ikje’ nga realiteti pandemik

Xhemile Hysenaj

Situata pandemike që tashmë për më shumë se një vit ka kapluar botën, në gjithë tmerrin që gëshetoi brenda vetes, për artista të shumtë u kthye në frymëzim. Kështu ndodhi edhe me artistin italian Stefano Romano, i cili sot hapi ekspozitën ‘Columns’ në ambientet e ‘Paper Gallery’, ku shpalosi pikërisht një nga ‘ikjet’ e secilit prej nesh gjatë kësaj periudhe pandemike. Bëhet fjalë për librin. Libri si mjet udhëtimi dhe largimi nga ky realitet i hidhur, shkruan KultPlus.

Gjatë kësaj situate që ka ndryshuar komplet mënyrën e jetesës në botë, libri ka qenë miku më i mirë i secilit. Përmes personazheve e ngjarjeve që trajtoheshin në libra, disa prej ne shkëputeshin nga realiteti, gjenin veten në mes atyre faqeve, e për disa orë harronin për frikën e infektimit, e për monotoninë që shkaktonte izolimi. Ishte pikërisht ky fakt që pati ndikimin më të madh tek artisti Stefano Romano, i cili librin e shihte si mënyrën më të mirë përmes së cilës njerëzimi ballafaqohej me realitetin e ri në të cilën gjendej bota.

Romano ka theksuar për KultPlus se libri në vete është një objekt i çuditshëm, pasi siç potencon tutje ai, në momentin që secili e lexon librin ai konsiderohet të jetë i yti, mirëpo prapë se prapë në momentin që përfundon së lexuari, është e vështirë të ndahesh nga ai. ‘Unë kërkova nga njerëzit që të ma dhuronin një nga librat që ata kishin në shtëpi ose që e kishin lexuar gjatë pandemisë duke e ditur se të gjitha ato libra do të formonin instalacionin tim’, deklaron tutje Romano.

Librat në ekspozitë janë të vendosura në formë të skulpturës, pasi artisti konsideron skulpturën si diçka monumentale dhe fikse. Ndryshe nga librat, që janë aq delikate, pikërisht si qenia njeri. Kështu, përmes tyre ai ka personifikuar natyrën e butë të njerëzimit.

‘Arti shtron pyetje, nuk gjen përgjigje, prandaj shpresoj që përmes këtij instalacioni, të gjithë mund të kuptojnë se pa marrë parasysh gjendjen në të cilën jemi, jeta do të vazhdojë përsëri dhe do të vijnë gjëra të mira’, përfundon artisti.

Ajo çfarë e bën më të veçantë këtë ekspozitë, është fakti se instalacioni mund të rritet e të ndryshojë, sikurse ndryshon njerëzimi me kohën. Të gjithë ata që dëshirojnë, mund të dhurojnë librat e tyre, duke i bërë pjesë të këtij instalacioni.

Kordinatorja e ‘Paper Gallery’, Rina Statovci, ka potencuar për KultPlus se me Stefano Romanon kanë bashkëpunuar qysh nga viti i kaluar, pasi ky ka qenë një projekt që e kanë menduar për një kohë të gjatë.

Poashtu, Statovci ka deklaruar se kjo ekspozitë e cila është e para për këtë vit, nuk është e rastësishme. ‘Kemi vendosur me hap vitin me një ekspozitë që në të njëjtën kohë është tepër e mirë edhe për artdashësit e Kosovës. Me fillu këtë vit ma mirë se që ka fillu viti që lamë pas’, është shprehur tutje Statovci për KultPlus.

Ndryshe, shumica e librave që do të përdoren në këtë ekspozitë, janë mbledhur në aktivitetin “Gin and Books” nga Paper Gallery, në të cilin pijet nuk mund të bliheshin me para por të shkëmbeheshin me libra.

“Coulmns” do të jetë e hapur për publikun deri më 19 mars 2021. / KultPlus.com