Promovohet “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës” nga Besa Berberi, një kultivim i trashëgimisë shpirtërore shqiptare

Era Berisha

Gjithsej shtatë ninulla si pjesë e thesarit të këngës popullore erdhën në një formë të librit ku përmes copëzave me dedikime të veçanta, vizatimeve e shpjegimeve, u shpalos një botë e trashëgimisë shpirtërore të Kosovës, e profesoresha Besa Berberi me promovimin e librit “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës” në ambientin e Paper Gallery, vetëm sa ngriti lartë kultivimin e kësaj trashëgimie shqiptare, shkruan KultPlus.

Këngët e djepit apo ndryshe ninullat, shprehin thjeshtësinë e dashurisë dhe dëshirave të prindërve për fëmijët e tyre e kjo më së shumti praktikohet kur nëna i këndon fëmijës. Porsi këto këngë, nisi edhe diskutimi rreth librit nën melodi të cilat ngjasonin me të rrahurat e zemrës të një qenie njerëzore teksa të pranishmit ngadalë po zinin vendin e tyre. E ambienti i ngrohtë solli me vete një afërsi e cila përfaqësonte ndjenjën e njëjtë kur një ninullë këndohet e një rrëfim nis të shpjegohet.

Duke pasur parasysh mungesën në aspektin e dokumentimit, e veçanta e këtij libri është konsideruar jo vetëm dokumentimi i tyre paraprak në formën e audios por edhe dokumentimi i tanishëm notografik për të cilën është përkujdesur shtëpia botuese ‘Magmus’.

“7 Ninulla, 7 Ditë të Javës”, vjen si një ndërlidhje e aspektit narrativ, inicialeve, vizatimeve, ideve të tekstit si dhe CD-së në formën ‘scan code’ që të dërgon direkt në kanalin YouTube për të dëgjuar pikërisht këto ninulla. E këto shpjegime që gjenden brenda secilit tekst kanë ardhur si pasojë e një dedikimi të caktuar, nëpërmjet të cilave Berberi ka vendosur të shpalos aspektin edukativ duke synuar ndikimin e tyre tek gjeneratat e ardhshme. Ajo përmes këtyre ninullave rrëfen një ndjeshmëri që del lehtësisht nga teksti dhe depërton në atmosferën e krijuar të këndimit.

Ndërsa, për të treguar se si erdhi interesimi për ninullat, foli vetë autorja Besa Berberi.

“Ka vite që merrem me ninulla por në vitin 2005 ishte hera e parë që u morra seriozisht me ninulla pasi në një koncert më kërkuan që për nder të 10 vjetorit të Srebrenicës, të këndoja një program. Kështu, gjeta disa ninulla të kompozitorëve klasik dhe i morra dy ninulla boshnjake dhe i këndova ato në koncert pa asnjë prezantim. Pastaj, publiku e kuptoj vetë se ku ishte qëllimi pa pasur nevojë të prezantohet programi”, shpalos Berberi.

Sipas saj, shtatë ninulla vjen si pasojë se janë shtatë fëmijë në familjen e saj por qenësorja ishte vetë numri shtatë dhe përfaqësimi i numrit në mitologji.

“Ishte vështirë përzgjedhja e ninullave dhe ka pasur shumë dilema të mëdha e shumë ninulla ku në një moment mendoja se kisha bërë përzgjedhjen perfekte, pastaj në momentin tjetër filloja nga fillimi, nga zeroja. Por, duke menduar secilin dedikim që vjen nga çdo ninullë, puna filloi të lehtësohej sepse ishte shumë e lehtë përzgjedhja e dedikimit në kuadër të ninullës”, thotë Berberi.

Për Berberin, libri konsiderohet një dedikim për familjen duke filluar nga përshkrimi i personalitetit, rrethanat e angazhimet e ndryshme të tyre.

“Kavalli, violonçela dhe okarina janë instrumentet me të cilat vendosa të prezantohem në këtë libër dhe në fakt tash jam shumë krenare për përzgjedhjen. Ndërsa, ekzistonin mendimet e ndryshme se si duhet të paraqiten këto ninulla, në një frymë popullore, jazz apo klasike. Jam shumë e lumtur sepse këto ninulla erdhën në performancë pastaj edhe si CD”, përfundon Berberi.

Ndërsa, kompozitori dhe muzikanti Liburn Jupolli, foli rreth aspektit se pse ky libër është kaq i rëndësishëm dhe pse ka një peshë kaq të madhe si projekt.

“Ky projekt është me rendësi sepse është pothuajse si një mbikalim në aspektin e qasjes ndaj trashëgimisë në Kosovë. Një qasje e cila është ndryshe për arsye se kur një trashëgimi nis, mos të jetë diçka muzeale por një traditë duke pasur parasysh se trashëgimia mbetet gjithmonë një pjesë e pandashme e jetës tonë të përditshme”, thotë Jupolli.

Për fund, po shkëpusim edhe një ninullë nga “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës”.

“Nani nani, o nani kush të tund
Bukuroshe e nanës, nanës në katund
Nani nani, o çupë e nënës o
Të më rritesh si dritë e hënës o
Punëtore por si bleta
Gojë ëmbël o
Krah lehta
Nani nani o, nani shpirto fli
Të më rritesh ti zemër për malësi”.
/ KultPlus.com

“7 Ninulla, 7 Ditë të javës” nga Besa Berberi, promovohet nesër në Prishtinë

Për të gjitha nënat dhe dashamirësit e ninullave, Besa Berberi sjell librin “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës”.

Libri do të promovohet më 30.7.2021 prej orës 17:00  në “Paper Gallery” në Prishtinë dhe do të jetë i hapur për publikun dashamirës të butësisë së ninullës dhe fuqisë së mesazhit që ajo përçon, shkruan KultPlus.

“Nani nani, o nani kush të tund

Bukuroshe e nanës, nanës në katund

Nani nani, o çupë e nënës o

Të më rritesh si dritë e hënës o

Punëtore por si bleta

Gojë ëmbël o

Krah lehta

Nani nani o, nani shpirto fli

Të më rritesh ti zemër për malësi” – shkëputur nga libri “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës”./ KultPlus.com

Projekti ‘’Gratë janë heroina’ hap thirrje për gratë, burrat e të cilave migruan gjatë viteve ’70 – 90′

“Gratë janë heroina” është projekti i cili po synon që në përmasa të mëdha të bëjë jehon në vendin tonë.

Ky projekt i cili tashmë është në fazën e parë të punës, ka hapur thirrje për gratë, burrat e të cilave u detyruan të migronin jashtë vendit nga vitet e 70-ta deri në vitet e 90-ta.

Do të intervistohen 50 gra nga vende të ndryshme të Kosovës të cilat do të tregojnë për jetën e tyre gjatë asaj periudhe. Përmes këtyre intervistave do të rrëfehet për vështirësitë që kanë hasur këto gra dhe në çfarë sfidash janë përballur ato në përkujdesjen e familjes pa prezencën e burrave.

Pasi të përfundojë intervistimi do të bëhet edhe realizimi i fotoportreteve të grave së bashku me një seri videosh të cilat do të përdoren për realizimin e një dokumentari që do të dëshmojë punën për këtë projekt.

Andaj të gjithë ju që njihni “gra heroina” që kanë kaluar këtë sfidë dhe mund të bëhen pjesë e projektit përmes rrëfimit të tyre, mund të lajmëroheni te Rina Statovci apo te Gaz Ejupi.  / KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Columns’, shpërfaqë librin si ‘ikje’ nga realiteti pandemik

Xhemile Hysenaj

Situata pandemike që tashmë për më shumë se një vit ka kapluar botën, në gjithë tmerrin që gëshetoi brenda vetes, për artista të shumtë u kthye në frymëzim. Kështu ndodhi edhe me artistin italian Stefano Romano, i cili sot hapi ekspozitën ‘Columns’ në ambientet e ‘Paper Gallery’, ku shpalosi pikërisht një nga ‘ikjet’ e secilit prej nesh gjatë kësaj periudhe pandemike. Bëhet fjalë për librin. Libri si mjet udhëtimi dhe largimi nga ky realitet i hidhur, shkruan KultPlus.

Gjatë kësaj situate që ka ndryshuar komplet mënyrën e jetesës në botë, libri ka qenë miku më i mirë i secilit. Përmes personazheve e ngjarjeve që trajtoheshin në libra, disa prej ne shkëputeshin nga realiteti, gjenin veten në mes atyre faqeve, e për disa orë harronin për frikën e infektimit, e për monotoninë që shkaktonte izolimi. Ishte pikërisht ky fakt që pati ndikimin më të madh tek artisti Stefano Romano, i cili librin e shihte si mënyrën më të mirë përmes së cilës njerëzimi ballafaqohej me realitetin e ri në të cilën gjendej bota.

Romano ka theksuar për KultPlus se libri në vete është një objekt i çuditshëm, pasi siç potencon tutje ai, në momentin që secili e lexon librin ai konsiderohet të jetë i yti, mirëpo prapë se prapë në momentin që përfundon së lexuari, është e vështirë të ndahesh nga ai. ‘Unë kërkova nga njerëzit që të ma dhuronin një nga librat që ata kishin në shtëpi ose që e kishin lexuar gjatë pandemisë duke e ditur se të gjitha ato libra do të formonin instalacionin tim’, deklaron tutje Romano.

Librat në ekspozitë janë të vendosura në formë të skulpturës, pasi artisti konsideron skulpturën si diçka monumentale dhe fikse. Ndryshe nga librat, që janë aq delikate, pikërisht si qenia njeri. Kështu, përmes tyre ai ka personifikuar natyrën e butë të njerëzimit.

‘Arti shtron pyetje, nuk gjen përgjigje, prandaj shpresoj që përmes këtij instalacioni, të gjithë mund të kuptojnë se pa marrë parasysh gjendjen në të cilën jemi, jeta do të vazhdojë përsëri dhe do të vijnë gjëra të mira’, përfundon artisti.

Ajo çfarë e bën më të veçantë këtë ekspozitë, është fakti se instalacioni mund të rritet e të ndryshojë, sikurse ndryshon njerëzimi me kohën. Të gjithë ata që dëshirojnë, mund të dhurojnë librat e tyre, duke i bërë pjesë të këtij instalacioni.

Kordinatorja e ‘Paper Gallery’, Rina Statovci, ka potencuar për KultPlus se me Stefano Romanon kanë bashkëpunuar qysh nga viti i kaluar, pasi ky ka qenë një projekt që e kanë menduar për një kohë të gjatë.

Poashtu, Statovci ka deklaruar se kjo ekspozitë e cila është e para për këtë vit, nuk është e rastësishme. ‘Kemi vendosur me hap vitin me një ekspozitë që në të njëjtën kohë është tepër e mirë edhe për artdashësit e Kosovës. Me fillu këtë vit ma mirë se që ka fillu viti që lamë pas’, është shprehur tutje Statovci për KultPlus.

Ndryshe, shumica e librave që do të përdoren në këtë ekspozitë, janë mbledhur në aktivitetin “Gin and Books” nga Paper Gallery, në të cilin pijet nuk mund të bliheshin me para por të shkëmbeheshin me libra.

“Coulmns” do të jetë e hapur për publikun deri më 19 mars 2021. / KultPlus.com

“Kashta e Kumtrit” e Artan Hajrullahut, një ekspozitë mes tradicionales dhe erotikes shqiptare

Medina Pasoma

Përderisa arti në Kosovë shpesh bie ‘pre’ e mentalitetit dhe nuk arrin të jetë fushë tërësisht e lirë shprehëse, disa nga artistët po vazhdojnë t’i sfidojnë këto ‘stagnime’ nëpërmjet krijimtarisë së tyre. I tillë është edhe Artan Hajrullahu, i cili nëpërmjet ekspozitës së tij “Kashta e Kumtrit” në Paper Gallery shfaq dimensione të cilat mbesin nën pluhurin e mbulimeve moralistike, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet pikturave të tij në kartone të vogla, artisti Hajrullahu depërton thellë në shoqërinë shqiptare, veçse duke e sjellur atë me një pamje krejtësisht ndryshe. Përderisa vet krijimi i familjes kalon nëpër procese intime, përbrenda mentalitetit vazhdojnë të ekzistojnë gjykime se nuk duhet të flitet e paraqitet publikisht këto relacione. Mirëpo, Artan Hajrullahu e ka bërë të kundërtën, duke e përdorur artin për të sjellur natyrshmërinë e jetës njerëzore në kombinim me seksualen, të cilën ia sjelli syve të publikut që nga 4 dhjetori në Paper Gallery të Gazmend Ejupit.

Për të marrë më shumë detaje për qëllimin dhe mesazhet e kësaj ekspozite, KultPlus ka realizuar një intervistë me kordinatoren e kësaj Galerie, Rina Statovci.

Për ekspozitën, kurimin e së cilës e kryen Galeria, Rina shprehet se bashkëpunimi me artistin ka qenë tejet i lehtë.

“Gjithë procesi i kurimit të pikturave nuk ka qenë aspak i vështirë dhe me Artanin e kemi një bashkëpunim tejet të mirë. Koncepti e titulli që e kemi vendosur ka ardhur si fryt i këtij bashkëpunimi”, thekson Statovci.

Kordinatorja e Galerisë Paper ekspozitën “Kashta e Kumtrit” përtej si thirrje artistike, e sheh edhe si një ndërlidhje me aktualitetin global.

“Diçka që na ka munguar tepër shumë këtë vit ka qenë intimiteti, prekja e përqafimi me njerëz. Këto piktura shfaqin këtë ndjenjë sepse për shkak të Covidit është pak më e vështirë ti realizojmë këto ndjenja”, thotë ajo.

Në pikturat e varura në muret e Paper Gallery shohim protagonistë tërësisht të zhveshur, të cilët përveç që janë lakuriq fizikisht, kanë edhe lakuriqësi ndaj tabuve shoqërore, duke ardhur si një natyrshmëri artistike e realitetit shqiptar.

“Në disa prej pikturave e sheh një shporet, një grua dhe e ke një burrë të zhveshur. Janë dy pjesë që nuk i kanë menduar se do të lidheshin sidomos në botën e artit në Kosovë”, thotë Statovci.

Ndërlidhjen e nostalgjisë shqiptare me erotizëm ajo e vlerëson si të veçantë, e që sipas saj janë dy tema që nuk përputhen edhe aq shumë në Kosovë. Në anën tjetër, edhe titulli i ekspozitës është tërheqës dhe ka një simbolikë përbrenda saj.

“Këto piktura ta dhurojnë një ndjesi shpirtnore kur i sheh dhe lidhet me temën tradicionale shqiptare, andaj kemi vendosur ta gjejmë një fjalë të vjetër shqiptare që mundet me iu përshtat kësaj ekspozite”, sqaron Rina Statovci.

Tutje ajo thotë se emërtimi në gjuhën angleze e kësaj ekspozitë është “Millky Way” apo “Rruga e Qumështit”, mirëpo mishërimi me traditën shqiptare bëri që këto vepra të kenë vetëm titullin autentik shqip.

 “Kashtra e Kumtrit” me definicion është “Milky Way” dhe për shkak që pikturat janë të vogla dhe galeria është hapësirë pak më e madhe, atëherë këto konsiderohen si yje që i shohim nga Rruga e Qumështit. Kjo ka qenë ideja pse e kemi lënë këtë titull, për shkak se ashtu siç janë yjet të ndritura ashtu edhe i vlerësojmë pikturat e Artanit”, tha Statovci.

Rina e çmon mënyrën e shprehjes artistike të Artan Hajrullahut, për të cilin thotë se arrin të pikturoj në kartone aq të vogla, saqë nuk praktikohet i njëjti stil nga ndonjë artist tjetër në Kosovë.

Ekspozita e cila ishte 18+ pavarësisht mentalitetit të shoqërisë kosovare, u prit tejet mirë nga publiku dhe këtë Statovci e sheh si një shpresë për edukimin e mëtutjeshëm nëpërmjet artit.

“Ne duhet ta edukojmë shoqërinë më shumë përmes artit, të vijnë ta shohin ekspozitën, ta lexojnë konceptin, të dëgjojnë rrëfimin e autorit. Nëpërmjet këtyre ne arrijmë që dalëngadalë të largohet kjo tabu në Kosovë, sidomos që po përfshihen dy tema që nuk ndërlidhen shumë me njëra tjetrën dhe janë të çuditshme, tradicionalja shqiptare me seksin”, thotë kordinatorja e Galerisë Paper.

Në anën tjetër një kombinim tjetër ndërmjet ekspozitës dhe Galerisë erdhi nëpërmjet emrit që ka ky institucion kulturor, “Paper” si dhe përdorimit të letrës nga ana e Artan Hajrullahut për të shprehur pikëpamjet artistike.

“Është përshtatur Paper Gallery me mënyrën e pikturimit “laps në letër” të artistit. Kjo ka qenë diçka që e ka bërë edhe më të veçantë dhe ka sjell më shumë vlerë për neve si galeri”, theksoi Rina.

“Kashta e Kumtrit” do të jetë e hapur për syrin e publikut deri më 4 shkurt, ndërkaq

Paper Gallery do të vazhdoj të hap dyert edhe për ekspozita e instalacione tjera artistike si dhe me performancat e artistëve. / KultPlus.com

”The Ground on Which i Stand” sjell bisedën mes Ejupit dhe Alon-it, shpalosen ngjarje personale mes dy artistëve

Situata pandemike ka ndryshuar shumë gjëra në jetët tona, disa i ka bërë më të lehta e disa shumë më të vështira, ndër këto gjëra mund të përmendim edhe ekspozitat dhe bisedat e ndryshme që zakonisht janë realizuar mes artistëve dhe publikut, shkruan KultPlus.

Në bisedën e sotme të organizuar online nga Paper Gallery, u shpalos ‘The Ground on Which i Stand’, një bisedë në mes të Gazmend Ejupit dhe Nir Alon, udhëhequr nga Michele Robecchi.

Ekspozita ‘The Ground on Which I Stand’ heton mundësinë e ndarjes së artit dhe jetës dhe se si ato mund të ndihmojnë në formimin e përceptimin dhe vizionin tonë për shoqërinë. Titulli bazohet në një fjalim të dhënë nga dramaturgu i njohur, amerikan August ëilson (1945–2005) ne Konferencën Kombëtare të Komunikimeve Teatrore në Neë York në 1996. Tema kryesore e deklaratës ishte për vështirësitë që ai kishte në ndarjen e shqetësimeve të tij me teatrin nga shqetësimet e tij për jetën e tij si Afrikano-Amerikan në atë periudhë.

Artistët Nir Alon dhe Gazmend Ejupi në këtë bisedë folën për shumë gjëra, por fokusi kyq qëndronte mbi formën teatrale si përfaqësim dhe formë të artit, poashtu edhe mbi historitë personale të këtyre dy artistëve që i vendosë ata në një pozitë ku vazhdmisht janë në pyetje për identitetin e tyre.

Të dy artistët kanë pasur vështirësi me definim e fjalës “shtëpi”.

”Isha shumë kurreshtar për Prishtinën pasiqë kisha dëgjuar shumë storje nga familja, ata e kanë përshkruar atë si një vend me njerëz shumë të mirë, pastaj unë kam parë disa fotografi gjatë luftës në ish-Jugosllavi dhe thashë me vete se kjo nuk është Prishtina për të cilën më kanë folur. Vetëm pasi vizitova Prishtinën e pashë që gjithcka është aty, vetëm duhet të shikosh më shumë.”, u shpreh artisti Alon, nëna e të cilit është nga Kosova.

Ndërkaq për Ejupin, Alon potencoi se kur e takoi atë u ndje sikur po e takonte dikë të familjes.

Nir Alon ka lindur në Izrael, ndërkaq jeton dhe vepron në Gjermani. Në anën tjetër, Gazmend Ejupi ka lindur në Kosovë dhe deri dy vite më parë ka jetuar e punuar në Angli.

Kosova, pikërisht ky vend i vogël, ishte lidhja me këtyre dy artistëve, një territor i vogël por shumë i dashur për të dy artistët. Një vend me shumë art e histori, por të dyja këto të fshehura në skutat e secilit vend.

Ndërkaq, Gazmend Ejupi potencoi se ka një lidhje mjaft të qëndrueshme më Prishtinën edhe pse lidhja që e ka me Prishtinën e vjetër është një lidhje më ndryshe, pasiqë edhe ai ka jetuar me storjet e familjarëve të tij mbi atë se cfarë dikur ishte Prishtina.

Të dy janë përcaktuar nga një dikotomi kulturore dhe gjeografike që, edhe nëse nga njëra anë kjo ka pasuruar jetën e tyre, nga ana tjetër paradoksalisht e vendosi individualietin e tyre në një plan dytësor. Kjo çështje nuk është kufizuar vetëm në jetën e tyre. Ajo u shtri edhe në artin e tyre, ku prejardhja e tyre shumë-kulturore shpesh here u vendos në qendër të vëmendjes dhe duke i grupuar ata në një pozitë të tillë ku pikëpamjet personale shpesh anashkalohen në favor të atyre politike. / KultPlus.com

“Paper Gallery”, një mundësi e re për ekspozimin e veprave të artistëve

Jeta Zymberi

E menduar si galeria më e vogël në Evropë, “Paper Gallery” e vendosur në objektin e selisë së vjetër të Radio Prishtinës, vjen si një mundësi e re për ekspozimin e veprave të artistëve, shkruan KultPlus.

Ndonëse një hapësirë e vogël, ajo është konceptuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i ofruar kështu publikut një qasje shumë të mirë. Drejtori i galerisë, Gazmend Ejupi, është kujdesur që ta shfrytëzojë hapësirën në atë formë që vizitorët ta përjetojnë veprën e artit.

Me qëllimin kryesorë që të promovojë sa më shumë artin vizual, “Paper Gallery” vjen me një plan tre vjeçar ku tashmë janë planifikuar të gjithë artistët që do të ekspozojnë gjatë kësaj periudhe kohore.

Processed with VSCO with u3 preset

Koordinatorja e galerisë, njëherit artistja Rina Statovci, ka treguar për KultPlus se çka e veçon këtë galeri nga të tjerat.

“Ajo çka na veçon neve nga galeritë tjera është se ekspozitat që ne i hapim zgjasin 3 muaj. Arsyeja pse e kemi marrë këtë vendim është për shkak që publiku të ketë një periudhë kohore më të gjatë për ta vizituar ekspozitën. Deri më tash gjithçka ka funksionuar shumë mirë”, ka treguar Statovci.

Hapësira e galerisë është një projekt i bazuar në atë mënyrë ku artisti e sheh fillimisht hapësirën dhe reagon në koordinim me të që të ketë mundësi ta shfaq punën e tij në mënyrën më të përshtatshme.

Ndërsa për vitin tjetër, është menduar një tjetër formë.

“Për vitin tjetër kemi marrë kuratorë të cilët e kanë parë hapësirën dhe i kanë zgjedhur artistët që përshtaten për hapësirën tonë”, tregon Rina.

Processed with VSCO with s2 preset

E hapur në muajin shkurt, “Peaper Gallery” ka hapur deri më tash 2 ekspozita. Ekspozita e parë ka qenë nga artisti Gazmend Ejupi. E titulluar “Dead Dogs Walking”, ekspozita që për kuratore ka pasur Penesta Dika, është hapur më 19 shkurt dhe ka shpalosur një seri të pikturave të artistit. Ky projekt ka qenë i përkrahur nga “Help Kosovo”.

Ndërsa muaji korrik, ka mirëpritur ekspozitën e Fatmir Mustafa Karllo (Mosquito Vapor Trails) që për kurator kishte Artrit Bytyçin dhe shfaq disa instalacione të artistit. Kjo ekspozitë vazhdon të jetë e hapur deri më 3 shtator, por për shkak të situatës ë krijuar nga Covid-19, galeria për momentin qëndron e mbyllur.

Si ekspozita të para, publiku i ka mirëprit dhe interesimi i njerëzve ka qenë shumë i madh.

Statovci është shprehur se vizitorët e kanë pëlqyer shumë galerinë e sidomos mënyrën e ekspozimit të veprave.

“Edhe pse është galeria më e vogël në Ballkan, mënyra e ekspozimit është interesante, sepse i përdorim edhe disa hapësira të objektit si pjesë ekspozuese për veprat e artistëve.”

Situata që është krijuar nga Covid-19 i ka detyruar udhëheqësit që të marrim një tjetër vendim që puna e artistëve të jetë sa më afër publikut dhe galeria t’i përmbahet programit të saj.

“Jemi duke punuar për lansimin e platformës online ku njerëzit do të mund t’i shohin punët e artistëve. Gjithashtu jemi duke punuar për të sjellë ‘Online Talks’ me artistë ku mund të flasin më shumë rreth artit”, thotë Rina.

“Paper Gallery” këtë jave do të realizojmë një fotosesion me disa artiste që janë bërë pjesë e një artikulli nga Vice i-D, një nga revistat më të mëdha në botë. Artikulli i titulluar “Meet the Young Creatives of Kosovo” është një artikull në formatin pyetje dhe përgjigje i cili përqendrohet rreth gjashtë njerëzve të rijnë të cilët punojnë dhe krijojnë në Kosovë.

“Ne si galeri po mundohemi të ju bëjmë promovim artistëve të rijnë dhe të ju ofrojmë një platformë ku mund të publikojnë artin e tyre.”

Gjithashtu nëse situata e krijuar nga Covid-19 nuk ndryshon, atëherë të gjitha ekspozitat e planifikuara që të hapen në Galeri, do të hapen online në platformën e cila pritet të lansohet shumë shpejtë.

Kordinatorja e galerisë ka treguar për KultPlus se ekspozita e radhës që pritet të hapet është “Root Rot” nga Burim Berishës e që për uratore ka Nora Weller dhe pas saj është radha për ekspozimin e veprave të Artan Hajrullahut.

Në ekspozitat e planifikuara nga “Peper Gallery” janë përfshirë artistë vendorë, ndërkombëtarë, artistë të rijnë dhe të treguar tashmë.

Ndryshe nga galeritë tjera, galeria më e re në qytetin e Prishtinës nuk do të bëjë hapje zyrtare të ekspozitave. Duke dashur t’i ikin mënyrës së zakonshme që e praktikojnë të gjitha galeritë, “Paper” thjeshtë do të njoftojë përmes rrjeteve sociale për hapjen e ekspozitave dhe më pas publiku është i lirë të shkojë për vizitë çdo ditë të javës, nga e hëna deri të premten. / KultPlus.com