Përmbyllet edicioni i 38-të i “Takimet e Poeteshave Shqiptare” çmimi i parë shkon për Valmira Sylejmanin

Medina Pasoma

38 vjetori i organizimit të Festivalit i cili bën bashkë gratë dhe vajzat të cilat flasin nëpërmjet vargjeve, “Takimet e Poeteshave Shqiptare” përmbylli aktivitetet e saja në qytetin e Vushtrrisë, shkruan KultPlus.

Ndonëse konkursi ishte hapur më parë dhe poete të shumta nga vende të ndryshme përtej kufirit të Kosovës kishin dërguar poezitë e tyre në konkurrim, pandemia bëri që organizimi i festivalit të shtyhej. Mirëpo, 2 dhjetori u bë data kur Vushtrria u bë ombrellë për vargjet e frymëzimet e poeteve shqiptare.

Festivali i cili i kishte rezistuar viteve dhe kishte mbetur një simbol identifikimi kulturor për këtë qytet, këtë vit u organizua pa praninë e publikut dhe në respektim të masave anti-covid.

Ulëset e teatrit të qytetit “Adem Mikullovci” u mbushën me praninë e artdashëseve dhe shkrimtareve nga vende të ndryshme, të cilat gjetën bashkim rreth letërsisë.

Të gjithë u ngritën në këmbë në nderim të himnit kombëtar dhe atij të Kosovës, të cilat shënuan edhe hapjen e edicionit të 38-të të Festivalit “Takimet e Poeteshave Shqiptare”.

Në skenën e teatrit të qytetit antik u shfaq moderatorja Ejonë Hasani, e cila në fillim të festivalit lexoi poezinë fituese të edicionit të kaluar, duke sjellur në kujtesë me nostalgji organizimin e para një viti.

Pas këtij interpretimi, fjalën e morri drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë, Fatmire Cecelia, e cila përshëndeti poetet pjesëmarrëse.

“Takimet e Poeteshave Shqiptare nuk përbëjnë thjesht një tubim të zakonshëm të poeteve a të poezisë, por përbëjnë një takim të veçantë, të vetmin të këtij lloji në mbarë trojet shqiptare, andaj pjesëmarrja në këtë festival, përveç nesh iu bën nder edhe juve”, u shpreh Cecelia.

Pas fjalimit të drejtoreshës radha ishte që skena të zbukurohej me frymëzimet e poeteve dhe fjalët, përmes të cilave ato shprehnin botën e tyre të brendshme. Secila nga to morrën me radhë vendet e tyre në foltore, duke përçuar ndjenja dhe motive prej më të ndryshmeve, mirëpo sërish duke gjetur një të përbashkët secila nga to, të shprehurit nëpërmjet poezisë. Në anën tjetër organizatorët u kujdesën që edhe poetet të cilat nuk patën mundësi të vinin fizikisht në Festival të përfaqësoheshin nëpërmjet leximit të poezive të tyre nga moderatorja Ejonë Hasani.

Teksa ndërroheshin tematikat dhe emocionet nëpërmjet vargjeve, secila nga to kishte kurreshtje të madhe për të ditur fituesit e çmimeve, teksa ky Festival ndante çmimin e parë, të dytë, të tretë si dhe atë të debutantes, e cila iu dhurohej poetes më të re në moshë.

Për të hijeshuar edhe më shumë festivalin që kishte themel fjalën shqipe, nga skena e teatrit “Adem Mikullovci” u dëgjuan dhe u panë talentë të shumtë vushtrrias. Zëri i magjishëm i Elvira Mazhiqit nëpërmjet interpretimit të këngës “Valsi i Lumturisë”, Lejla Nika dhe Laurenta Dobërdoli me emocionin që fal kënga “Pranvera ka nis me ardhë” dhe Ansambli i këngëve dhe valleve “Hasan Prishtina” me vallet e shumta i falën publikut momente të paharrueshme.

Pas këtyre interpretimeve artistike, koha ishte të shpalleshin emrat e jurisë të cilët tanimë veçse kishin bërë vlerësimet e tyre. Nevrije Islami, Merxhan Avdyli dhe Mentor Mani përbënin treshet në duart e së cilës kishin kaluar shumë poezi dhe në fund kishin përzgjedhur 21 më të mirat për të garuar gjerë në finale.

Teksa poetet pritnin me padurim, moderatorja Ejonë Hasani filloi t’i kumtonte emrat e fituesve dhe personat të cilët do të bënin shpërndarjen e çmimeve.

Drejtoresha Fatmire Cecelia si kryeorganizatore e edicionit të 38-të të Takimit të Poeteshave Shqiptare ndau çmimin e parë për Valmira Sylejmanin e cila nuk ishte prezente si dhe çmimin e dytë për poeten Nurimshahe Demalijaj.

Kryetari i Kuvendit Komunal në Vushtrri, Nasuf Aliu kishte marrë vendin e tij në skenë për t’ia dhuruar çmimin e tretë poetes Majlinda Shaqiri.

Ndërkaq, deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, Fjolla Ujkani e cila njëkohësisht vie nga qyteti i Vushtrrisë ndau çmimin debutantja, e cila iu jipej poetes më të re në moshë, e që kësaj radhe rastisi të jetë Elona Fazliu.

Edicioni i 38-të i Festivalit “Takimet e Poeteshave Shqiptare” u përmbyll me një fotografi të përbashkët të poeteve nga vende dhe me frymëzime të ndryshme. / KultPlus.com

Në dhjetor do mbahet edicioni i 38-të i festivalit “Takimet e Poeteshave Shqiptare”

Edicioni i tridhjetë e tetë i Festivalit “Takimet e Poeteshave Shqiptare” do të mbahet me dy dhjetor në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”, në Vushtri, shkruan KultPlus.

Festivali i cili do të mbahet me fillim nga ora 13:00 për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19 do të përmbyllet brenda ditës.

Në këtë festival do të ndahen katër çmime të ndryshme që përfshijnë edhe debutuesen (poeten) më të re në moshë.

Për pjesëmarrje në këtë edicion janë përzgjedhur këto poete:

  1. Antigonë Isufi
  2. Albiona Kalludra
  3. Jehona Hyseni
  4. Emi Krosi
  5. Entela Kasi
  6. Mirvete Kabashi-Leku
  7. Leonora Bruçaj
  8. Filize Pllana
  9. Anila Kodra
  10. Ganimete Dervisholli-Hyseni
  11. Laureta Poteshati
  12. Mirasde Krasniqi
  13. Kaltrinë Uka
  14. Ermira Isufi
  15. Sadete Ternava – Osmani
  16. Nazmije Mema
  17. Blerinë Tërbunja
  18. Medina Pasoma
  19. Majlinda Shaqiri
  20. Nurimshahe Demaliaj
  21. Valmire Sylejmani/ KultPlus.com

Fustani i nanës

Kjo është poezia fituese e ‘Takimet e Poeteshave’ e shkruar nga Arlinda Baftiu.

I butë fustani i nanës si zemra e çikës,
i kuq si turpi që ulet mbi qerpik,
i bukur,
i bukur si pranvera e hershme,
rrej gjerdanit me lule, lule shumë,
vjen tue u ngulfatë shtëngut për kërthizë
ku këputen kordelet e lidhuna nyje për shpirti,
e mbasandaj zvarritet fundit të këmbëve me një dantellë të zbehun që ka marr pluhnin e viteve,
të shkelun me thembra të lodhta….

Nana ka dashtë me ma falë,
e kam veshë kur isha lule pranvere
e rrotullohesha me sy kah qielli
tue i davarit dantellat në ajër bashkë me gazin e fëmisë
Tue u rrit stina, nisa me i njohë aromat e jetës,
fustanit të nanës i vike era kujtime të shkrumosta,
i vike era andrra të djeguna,
shpirt i ngulfatun,
zbehun ish lâ me lot.
Nanë, nuk po më bjen tamam,
asht i ngushtë e i madh për zemrën teme
asht i ftohtë e i lagshtë për ditët e mia
asht i zbehun për dritën që due nanë,
po m’i merr kambët, jam rrxu, jam përgjakë me fjalt’ e plakave,
nanë, un u zhvesha
fustanin e kam palue
në dollapin ku m’i ke lanë ato gjanat që na bajnë ma të forta../ KultPlus.com

Arlinda Baftiu, fituese e edicionit të 35-të në “Takimet e Poeteshave Shqiptare”

Në edicionin e 35-të të poezisë “Takimet e Poeteshave Shqiptare”, ka dalë fituese poetja nga Shkupi, Arlinda Baftiu, shkruan KultPlus.

Sipas organizatorëve, këtë vit ishte një interesim i jashtëzakonshëm për pjesëmarrje, ku konkurruan 163 poete nga qytete të ndryshme si: Tirana, Durrësi, Shkupi, Shkodra, Tetova, Korça, Vlora, Malësia e Madhe, Ulqini, Presheva e shumë qytete nga Kosova e nga diaspora, dhe sipas rregullave të festivalit u përzgjodhën vetëm 21 poezi për t’u lexuar në festival.

Juria e Festivalit në përbërje nga Ibrahim Kadriu, kryetar i jurisë, Flora Brovina dhe Mentor Mani, përpos çmimit të parë që ka ndarë për Arlinda Baftiun, kjo juri ka ndarë çmimin e dytë për Ejonë Hasanin dhe atë të tretë për Rifidje Plaoja./KultPlus.com