“Fëmijët nuk duhet t’i mbani rreth e rrotull atij dreq ekrani”

Poezi nga Roald Dahl

Përktheu: Edon Qesari

Kuptuam diçka me shumë rëndësi,

meqë jemi duke folur për fëmijë,

se nuk duhet kurrë, kurrë, t’i mbani

rreth e rrotull atij dreq ekrani.

Edhe më mirë, madje, do të jetë

ta fiknit fare atë aparat të metë.

Rrinë e shohin, shohin e rrinë prap’

derisa mendjen ua bën fare çorap,

derisa ata meken komplet pas tij

derisa i budalleps ai kazani kobzi.

E dimë, e dimë se fre veç ai u vë,

t’i hipin dritares patjetër që s’i lë,

nuk grinden e as bëjnë shamatë

ju lënë juve që të gatuani rehat,

apo enët të lani me ndonjë rast –

Po vallë, jeni ndalur veç për një çast,

ujin në zjarr ndonjëherë a e keni vën’

kolopuçëve tuaj a e dini ç’u bën?

Gjithë ndjesitë e tyre i bën gropë,

përfytyrimin ua çon mish për top!

Trurin ua përdhos, mendjen ua merr,

e trash një fëmijë, vështrimin ia err.

Ai më s’e dallon se ç‘është e vërteta,

se ku soset trilli dhe ku nis vetë jeta.

Porsi djath i prishur, trurin ia tharton,

fuqinë e mendimit krejt ia ngurtëson

Nuk mendon më, ai veç shikon!/ KultPlus.com

Karantina ktheu shikuesit e televizorit

Masat për t’u karantinuar të marra si shkak i pandemisë së COVID-19 sollën një rritje në shikueshmërinë televizive dhe përdorimin e internetit, sipas mbikëqyrësit të mediave Ofcom.

Studimi i përvitshëm në Britani të Madhe rreth mediave paraqiti se të rriturit – shumica të ngujuar në shtëpi – kaluan 40% të kohës, që do ta kalonin duke ecur, para ekranit.

Koha e kaluar para shërbimeve online, gjithashtu, u dyfishua gjatë prillit.

Në kulmin e karantinës, të rriturit kaluan çdo ditë mesatarisht gjashtë orë e 25 minuta para ekraneve.

Njerëzit shikuan shërbime online, të tilla si Netflix, Amazon Prime Video and Disney+, çdo ditë nga një orë e 11 minuta dhe 12 milionë njerëz filluan ta përdorin një shërbim që s’e kishin përdorur më herët, shkruan KOHA.

Shumica e njerëzve u kyçën në Netflix dhe Amazon Prime Video, edhe pse Disney+ mori Now TV si platforma e tretë më e popullarizuara ndër platformat online dhe me pagesë.

Shikuesit e vjetër, të cilët zakonisht shikojnë emisione tradicionale televizive, gjithashtu e shtuan përdorimin e platformave online.

Një e treta e 55-64-vjeçarëve dhe 15% e njerëzve mbi 65 vjeç përdoren shërbime të abonuara në javët e para të karantinës.

Studimi, me titullin Media Nations 2020, pretendoi se kur masat për karantinë u liruan nga fundi i qershorit, ngritja në përdorimin e këtyre shërbimeve ra në – 71% në të njëjtën kohë si vitin e kaluar.

Kjo përfshiu gjithashtu njerëzit që shikonin më shumë përmbajtje jotelevizive në platforma, si “YouTube” dhe faqe lojërash.

Dhe më shumë se gjysma e të rriturve në Britani (55%), me abonimet e reja online, thanë se ata do të vazhdojnë t’i përdorin dhe të kalojnë një pjesë të kohës së tyre duke i ndjekur ato programe edhe në të ardhmen. / KultPlus.com