Publikohen katër episodet e para të sezonit së fundit të “The Crown”

Sezoni i gjashtë i dramës “The Crown” përshkruan ngjarjet e fundit të viteve 1990, duke përfshirë marrëdhënien e Princeshës Diana me Dodi Fayed.

Episodet e reja tregojnë gjithashtu ngjarjet që çuan në vdekjen e Dianës në 1997 dhe pasojat që shkaktoi vdekja e saj.

Megjithatë, publikimi i këtij edicioni është pritur me kritika për pasaktësitë historike.

“Shikuesit shpesh presin një shkallë të caktuar saktësie me shfaqjen sepse cilësia e prodhimit është shumë e lartë, por ne nuk e kuptojmë gjithmonë këtë” tha Kelly Swaby, një historiane mbretërore.

Netflix thotë se shfaqja “është paraqitur gjithmonë si një dramë e bazuar në ngjarje historike”.

Mirëpo sezoni i ri është i ndarë në dy pjesë. Katër episodet e para utransmetuan në Netflix të enjten, ndërsa gjashtë episodet e mbetura do të pasojnë më 14 dhjetor.

Seriali i fundit është shkruar edhe një herë nga Peter Morgan, i cili krijoi shfaqjen jashtëzakonisht të popullarizuar që ka nisur që nga viti 2016.

Në lidhje me vdekjen e Dianës, do të duhej të ishte menduar mirë në portretizimin e saj, sepse “Harry dhe William janë ende të prekur nga vdekja e nënës së tyre dhe tani kjo po kthehet në argëtim./21Media/KultPlus.com

“The Crown” udhëheq me më së shumti nominime për “Critics Choice”

Janë bërë publike nominimet për shpërblimet e përvitshme televizive “Critics Choice”, dhe drama e Netflixit e bazuar në familjen mbretërore britanike, “The Crown”, po e kryeson listën e të nominuarve në gjashtë kategori gjithsej.

Seria e pëlqyer nga publiku “The Crown”, ka arritur të nominohet në kategorinë kryesore të mbrëmjes, “Drama më e mirë”, derisa aktori i këtij projekti Josh O’Connor, i cili e ka portretizuar princin Charles në sezonin e tretë dhe të katërt të saj, ka marrë nominim për çmimin “Aktori më i mirë në dramë”. Në kategorinë “Aktorja më e mirë në dramë”, garojnë dy aktore të kësaj serie televizive, e ato janë Olivia Colman dhe Emma Corrin, të cilat konkurrojnë kokë më kokë për këtë shpërblim. Tobias Menzies, i cili e portretizon Princin Philipe dhe Gillian Anderson, e cila e luan rolin e Margaret Thatcherit, janë në garë për çmimin “Aktori përkatësisht aktorja më e mirë në rol dytësor”.

Në kategori të tjera udhëheq komedia e shumëshpërblyer, “Schitt’s Creek”, e cila i ka marrë gjithsej pesë nominime. Ky projekt interesant televiziv i befasoi kritikët me suksesin që e shënoi qysh në sezonin e parë, derisa i sjell publikut të qeshura të pafundme falë temave që i trajton, por edhe sensit të mrekullueshëm të humorit të aktorëve të përfshirë në seri. “Schitt’s Creek” ka arritur të nominohet në kategoritë: “Seria më e mirë komike”, “Aktori më i mirë në komedi” nominim ky i cili shkon për protagonistin Eugene Levy, “Aktorja më e mirë në komedi”, për Catherine O’Hara dhe “Aktori dhe aktorja më e mirë në rol dytësor”, ku janë nominuar yjet e serisë, Daniel Levy dhe Annie Murphy.

Seria “Normal People” ka fituar nominime në kategoritë “Seria më e mirë e limituar”, dhe “Aktori përkatësisht aktorja më e mirë në seri të limituar”, që shkojnë për yjet e këtij projekti që shënoi rekorde të shikueshmërisë gjatë pandemisë, Paul Mescal dhe Daisy Edgar-Jones.

Paul Mescal në kategorinë për aktorin më të mirë, garon krahas yjeve John Boyega, Hugh Grant, Chris Rock, Mark Ruffalo dhe Morgan Spector, ndërsa Daisy Edgar-Jones përballet me aktoret e njohura të hollywoodit Cate Blanchett, Anya Taylor-Joy dhe Tessa Thompson.

Këngëtarja e shndërruar në prezantuese, Kelly Clarkson, ka arritur të nominohet në kategorinë “Emisioni më i mirë televiziv”, ku garon krahas emisioneve “Late Night with Seth Meyers”, “The Late Show with Stephen Colbert” dhe “Red Table Talk”.

“Jemi të lumtur që do ta festojmë punën e jashtëzakonshme të cilën e kemi krijuar dhe lansuar gjatë këtij sezoni jo të zakonshëm. Në një vit kur nevoja për t’u argëtuar ishte e padiskutueshme, industria e televizionit arriti të ekranizojë seri të mrekullueshme të cilat na kanë kënaqur, edukuar, sfiduar dhe më e rëndësishmja, na kanë bërë bashkë të gjithëve”, citohet të ketë thënë Joey Berlin, kryeshefi ekzekutiv i shoqatës “Critics Choice”, në një prononcim për media.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Critics Choice TV Awards” do të mbahet më 8 mars. / KultPlus.com

Mësohet aktorja e ardhshme që do ta portretizojë Mbretëreshën Elizabeta në serinë “The Crown”

Aktorja britanike, Imelda Staunton, do ta portretizojë Mbretëreshën Elizabeta në moshë të shtyrë, në sezonin e fundit të serisë së shpërblyer me disa çmime “The Crown”. Kështu bëri të ditur krijuesi i projektit të famshëm televiziv.

Seria e platformës “Netflix’ e cila flet për familjen mbretërore britanike, do të përfundoj me sezonin e pestë dhe jo të gjashtë, siç ishte menduar fillimisht, transmeton Koha.net. Lajmin e konfirmoi edhe skenaristi dhe producenti ekzekutiv i serisë, Peter Morgan.

Staunton, më së miri e njohur për portretizimin e zyrtares hakmarrëse të Ministrisë së Magjisë, Dolores Umbridge, në filmat me buxhet të lartë “Harry Potter”, do ta trashëgojë rolin e monarkes angleze nga aktorja, Olivia Colman, e cila e ka interpretuar Elizabetën e Dytë në moshë të mesme, në sezonin e tretë dhe të katërtin të serisë “The Crown”, që pritet të lansohet se shpejti. Ndërsa në dy sezonet e para, roli i mbretëreshës së Anglisë ishte portretizuar në mënyrë të shkëlqyer nga aktorja, Claire Foy.

Në një deklaratë për media, Staunton ka thënë se ndihet e nderuar që do të jetë pjesë e këtij projekti të vlerësuar nga publiku dhe kritika.

Seria “The Crown”, dy sezonet e para të së cilës kanë kushtuar 130 milionë dollar për tu realizuar, i sjellë në formë dramatike disa ngjarje nga jeta e Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, ndryshe e njohur si monarkja me shërbimin më të gjatë në botë.

Claire Foy dhe Olivia Colman, që të dyja e kishin fituar nga një shpërblim “Globi i Artë”, për rolet e tyre në serinë “The Crown”. Pritet të shihet nëse Imelda Staunton, do ta shënojë të njëjtin sukses. / KultPlus.com