Nis projekti “Jepi ngjyrë Prishtinës”, trafot shndërrohen në vepra arti

Komuna e Prishtinës ka nisur projektin për të zbukuruar me vizatime të ndryshme hapësirat publike, shkruan KultPlus.

 Projekti “Jepi ngjyrë Prishtinës” kësaj radhe kishte në fokus trafot e rrymës në lagjen Pejton.

Me ngjyra e vizatime plotë jetë, trafot janë shndërruar në vepra arti dhe padyshim që kjo gjë po ju pëlqen edhe qytetarëve të cilët po ndalojnë t’i shohin e bëjnë fotografi.

Drejtori në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha është shprehur se ky projekt në bashkëpunim me KEDS Energy, ndihmon në parandalimin e mbishkrimeve si dhe në rritjen e ambientit estetik të zonave përreth.

Ai tutje ka potencuar se përdorimi i ngjyrave në hapësirë publike nuk është vetëm akt artistik, por një formë e veprimit politik se si e shohim qytetin tonë.

‘’Permes artit, trafot e rrymes ne PEJTON jane mbeshtjelle me ngjyrat me te bukura. Mbeshtjellja e kutive me vepra arti na ndihmon ne parandalimin e mbishkrimeve si dhe ne rritjen e ambientit estetik te zonave perreth. Faleminderit per bashkepunim KEDS Energy dhe te gjithe atyre qe kane kontribu per realizimin e ketij projekti. Perdorimi i ngjyrave ne hapesire publike nuk eshte vetem nje akt artistik, perkundrazi eshte nje forme e veprimit politik se si e shohim qytetin tone”, shkruan Berisha. / KultPlus.com