Shatrolli i drejtohet Ahmetit: Në emër të brezit të babait tuaj, kërkojmë të plotësohet trupa rezidente e Teatrit ‘Dodona’

Teatrit “Dodona” tash e njëzet vite i mungon trupa e qëndrueshme rezidente e aktorëve. Numri i aktorëve të punësuar në këtë teatër është shumë i vogël. Tash e një kohë ky teatër funksionon vetëm më pesë aktorë. Mungesa e një trupe rezidente më e madhe në këtë teatër ka ngjallur pakënaqësi në komunitetin e aktorëve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Dramaturgu Naser Shatrolli i ka bërë ftesë publike kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit që të dal në një vendim final, në të mirën e aktorëve dhe teatrit “Dodona”. Ai këtë thirrje e ka bërë edhe në emër të brezit të aktorit të njohur Ali Ahmeti, që njëkohësisht është edhe babai i ndjerë i Kryetarit të Prishtinës.

Sipas tij skena ku Faruk Begolli i dha kuptim jetik teatrit, ishte kumti më i madh për artin në kohën sa ishim të okupuar. Prandaj edhe sot Teatrit Dodona – skenës së Faruk Begollit, i duhen aktorët e rinjë, ngase edhe vet teatri sot identifikohet me të.  

“I dashur Kryetar! Do te ishte feste e madhe nese do te krijohej nje trupë e qendrueshme artistike teatrore per Prishtinën ne teatrin “Dodona”. Andaj, ju beje ftese publike edhe ne emer te brezit te babait tuaj, aktorit tone te njohur, tashme i ndjer, Ali Ahmeti, me te cilin me ka ra shorti qe te luaja me te ne teater dhe te Kafeneja jone. Te lutem merr guximin dhe dil me nje verdiktim final, duke rezonuar pro kerkeses se kesaj trupe dhe ketij komuniteti teatror, qe sot ata i duhen si asnje moment tjeter skenes se Faruk Begollit – Dodona gjersa identifikohet edhe me emrin e tij”, ka reaguar Shatrolli nëpërmjet një postimi në Facebook.

Reagimi i Shatrollit ka ardhur si mbështetje e komitetit të aktorëve të Prishtinës të cilët në mëngjesin e sotëm kanë mbajtur një konferencë për media. Gjatë kësaj konference ata kanë kërkuar që numri i aktorëve të punësuar në Teatrin “Dodona” të rritet minimalisht në 10 ashtu siç ligji e kërkon, dhe jo vetëm në pesë ashtu siç operon tash e sa vite. Gjithashtu gjatë kësaj konference është thënë se do të shqyrtohet edhe mundësia e realizimit të protestave para objektit të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com