Përfundojnë xhirimet e filmit “Keep Going” me regji të Valmira Hysenit

Jeta Zymberi

Ditën e djeshme ka përfunduar xhirimet filmi i metrazhit të shkurtër “Keep Going” me regji të Valmira Hysenit, shkruan KultPlus.

Për katër ditë xhirime në Istog dhe rrethinë, regjisorja ka përthekuar materialin e nevojshëm për të sjell një film emocionues dhe frymëzues i cili në qendër ka personazhin të quajtur Hana. Ajo është në përfundim të shkollës së mesme dhe përpiqet t’a arrijë ëndrrën e saj, të luajë futboll profesionist, mirëpo babai i saj, Sherifi, ka një plan tjetër për të, e që është të vazhdojë studimet akademike.

Me një histori të fuqishme dhe interpretim të shkëlqyeshëm, filmit i japin jetë aktorët kryesorë e shumë të talentuar si: Eli Gashi, Luan Jaha, Adriana Matoshi dhe Era Balaj por edhe i gjithë ekipi i përkushtuar në prodhimin e këtij filmi.

Valmira Hyseni, regjisorja e filmit, ka ndihmuar në krijimin e një vizioni unik dhe tërheqës për “Keep Going”. Përgatitja dhe xhirimet e filmit kanë qenë një rrugë jo e lehtë, por ekipi ka punuar me pasion dhe vendosmëri për të sjellë përpara një projekt të veçantë.

Filmi “Keep Going” që për skenaristë ka Valmira Hysenin dhe Zgjim Terziqin, synon të japë mesazhe të rëndësishme për të gjithë ata që përballen me sfida dhe pengesa në rrugën drejt arritjes së qëllimeve të tyre.

Pas përfundimit të xhirimeve, filmin tashmë e presin etapat e mëtejshme të prodhimit, përfshirë montazhin, muzikën dhe efektet e tjera e ku për gjithçka po përkujdeset produksioni Plan Bee Films. Deri atëherë publiku është në pritje të rezultatit të punës së palodhshme të gjithë ekipit. / KultPlus.com

Dokumentari “The 50th and a 1/2 State” fiton dy çmime në Forumin MakeCoProDox

Regjisori Zgjim Terziqi njofton se ka fituar 2 çmime në Forumin MakeCoProDox për filmin e ardhshëm dokumentar “The 50th and a 1/2 State”, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në “Facebook”, Terziqi shprehet shumë i lumtur për këtë arritje.

Postimi i plotë:

“Jemi të lumtur t’ju njoftojmë se fituam 2 çmime në Forumin MakeCoProDox për filmin tonë të ardhshëm dokumentar “The 50th and a 1/2 State”, thuhet në postimin e tij.

Në regji të këtij filmi është edhe Valmira Hyseni. /KultPlus.com

“Ura” e Valmira Hysenit me premierë botërore në Irlandë

Dokumentari i shkurtë “Ura”, me skenar dhe regji të Valmira Hysenit, do të ketë premierën botërore më edicionin e 19-të të Kerry Film Festival, shkruan KultPlus.

Festivali do të fillojë më 17 tetor dhe do të zgjasë deri më 21 tetor në Kerry të Irlandës. Producent I dokumentarit është Zgjim Terziqi dhe Valmira Hyseni. “Ura” është zgjedhur në mesin e më shumë se 2000 aplikacioneve si dhe do jetë garës për filmat e shkurtë të huaj.

Ura / The Bridge trailer 2018 on Vimeo.

Përleshjet paqësore apo të dhunshme, ndodhin gjithnjë në të dy anët e kësaj ure dhe ndonjëherë në vet urën. Një situatë krejtësisht absurde ku njerëz që jetojnë janë armiq, nuk mund të komunikojnë e as të shkelin në anën e kundërshtarit për të mirë apo për keq. Por të vdekurit janë të lirë. Askush nuk i ngacmon ata. Ata mund të lëvizin lirshëm në të dy anët e qytetit armiqësor dhe të ndarë./ KultPlus.com