Margariti: Restaurohet Ura e Kurçajt në Nikël, thesar i trashëgimisë kulturore

Ura e Kurçajt në Nikël, ka dalë në dritë pas restaurimit si pjesë e programit Eu4Culture.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau pamje nga ky thesar i trashëgimisë kulturore mes një peizazhi të mrekullueshëm.

E ndërtuar në shek. XVIII si pjesë e rrugës së karvaneve që lidhte Krujën me Tiranën, tashmë ajo është një pikë lidhjeje me të shkuarën, theksoi Margariti.

Kthimi në jetë i urës së Kurçajt është një nga punët e mira të Ministrisë së Kulturës për vitin 2023, u shpreh ministrja Margariti./atsh/KultPlus.com

“Beautiful Albania”, Rama publikon foto të urës së Goricës, në Berat

Berati, qyteti i një mbi një dritareve, po mirëpret një numër gjithnjë e më të lartë turistësh, në të gjitha stinët e vitit, ndërsa qeveria po investon në disa vepra infrastrukturore në këtë zonë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të një prej urave më të bukura të periudhës së perandorisë osmane në Shqipëri, e ndërtuar në shek. XVIII, asaj të Goricës që lidh qytetin me lagjen e të njëjtit emër.

Ajo harkohet në mes me një elegancë të theksuar, me këmbët e saj të cilat zbresin nga 10 metra lartësi mbi dy anët e shtratit të lumit Osum. Shtatë harqe, parmakë prej druri, e “dritare” të vogla, të cilat shpeshherë duken si fytyra njerëzish, i japin kësaj ure një pamje të rrallë.

Berati, tashmë qytet i UNESCO-s, të ofron ndër të tjera plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum.,

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.

Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit./atsh/KultPlus.com

Ura e Brarit, strukturë e rëndësishme arkitekturore

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore solli në vëmendje një nga monumentet e kulturës që gjenden pranë Tiranës e që fare mirë mund të vizitohen në fundjavë.

E vendosur nën fshatin Brar, që përshkon lumin e Tiranës, “Ura e Brarit” është një strukturë e rëndësishme arkitekturore e klasifikuar tipologjikisht si një urë me qemer rrethor.

Kjo urë guri karakterizohet nga një hark rrethor dhe është ndërtuar në dy faza. Në fazën fillestare, në fillim të shekullit të 18-të, kalldrëmi i urës kishte një pjerrësi më të madhe. Megjithatë, kjo prirje u zbut më vonë me shtimin e mureve në të dy anët.

Historikisht, Ura e Brarit shërbeu si një lidhje jetike midis fshatit Brar dhe Tiranës, si dhe rruga e karvanit Tiranë-Dibër, e cila kalonte përmes fshatit të afërt të Tujanit.

Kjo urë zë një pozicion të spikatur në trashëgiminë kulturore dhe klasifikohet si monument kulture i Kategorisë së parë (I), duke treguar vlerën e saj të jashtëzakonshme për trashëgiminë kulturore./atsh/KultPlus.com

Ura që mahniti botën

Në qershor të 2018-ës është inauguruar në Vietnam ura ”Golden Bridge”, afër qytetit të Da Nang-ut.

Ura mbahet nga dy duar dhe është me një gjatësi rreth 150 metra.

Ura e Artë është jo më pak se një mrekulli arkitekturore ikonike që parashikon rrugën e ngjashme me brezin nëpër qiell, me gjatësi prej 150 metra e gjatë në Kopshtin Parajsë, kjo urë konsiderohet si një ndalesë e posaçme tranziti për të dërguar vizitorë nga rrëzë malit ose Fshatit Francez në Kopshtet La Jardin D’Amour.

Duart janë 24 metra me 13. Një gisht ka diametrin 2 metra dhe është e arritshme nëpërmjet një teleferiku, i cili është më i gjati në botë pa ndalesa, plot 5.801 metra./ KultPlus.com

Ura më e gjatë prej xhami në botë (FOTO)

Institutit Kinez i Arkitekturës dhe Projektimit UAD në Universitetin Zhejiang ka realizuar një vepër të mahnitshme.

Është ndërtuar një urë me gjatësi 526.14 metra e shtruar me tre shtresa xhami të kalitur me trashësi 4,5 cm, me një transparencë të jashtëzakonshme, gjë që e bën strukturën pothuajse plotësisht transparente deri në një nivel prej 99,15%, si dhe shumë rezistuese ndaj dëmtimeve, gërvishtjeve dhe thyerjeve.

Kjo zonë e Hongyagut, në kontenë Pingshan, Hebei, e vendosur në juglindje të Kinës, shpesh goditet nga tajfunet gjatë verës, kështu që dizajni i urës kërkonte fleksibilitet dhe rezistencë të madhe ndaj erërave të forta.

Ekipi i projektit zhvilloi prova në një imitues dhe projektoi kabllo mbështetëse të zhdrejta për të rritur stabilitetin e urës.

Ura prej xhami është projektuar të mbajë deri në 3 mijë persona. Për të garantuar sigurinë e turistëve, pranohen vetëm 600 në radhë.

Kalimi mbi urën prej qelqi sigurisht që nuk është për ata me zemër të dobët, sepse vetë pamja e shkëmbinjve dhe lumit që rrjedh 201 metra më poshtë, mund t’ju zhvendosë vëmendjen nga ajo arritje.

Sidoqoftë, atraksioni i ri botëror tashmë ka tërhequr një numër të madh të adhuruesve të adrenalinës dhe ka inkurajuar zhvillimin e turizmit./ KultPlus.com

“Ura”, si simbolikë për luftën mes jetës dhe vdekjes

Medina Pasoma

Shtigjet mes jetës dhe vdekjes e çështjet e luftës dhe pasluftës u paraqitën mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës nëpërmjet roleve të aktorëve në shfaqjen premierë “Ura” të regjisorit Astrit Bytyqi, shkruan KultPlus.

Skena e errët u ndriçua dhe filloi të krijohej një “lojë” dritash, aktorët filluan të thellohen në personazhet të cilat e përbënin rrëfimin, ndërkaq audienca priste me padurim çdo pjesë të dramës.

Aktorët Avni Dalipi dhe Afrim Muçaj kishin marrë vendet e tyre, për të shfaqur personazhe krejtësisht të kundërta, mirëpo që kanë tejet shumë pika të përafërta. “Ura” nuk mbeti vetëm emërtim shfaqjeje por, ajo u kthye në simbolikë të personazheve, tentim vrasje dhe rikthim shprese por, mbi të gjitha në gjetjen e kuptueshmërisë së jetës.

Shfaqja, skenarin e së cilës e shkroi profesoresha Seadet Beqiri, trajtoj tema të ndryshme. Individi portretizohej si mjet përfaqësues i shoqërisë dhe si qenie ndryshimi. Doni, një luftëtar i lirisë së Kosovës, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare i kishte shpëtuar vdekjes dy herë radhazi nga okupatori. Mirëpo, paslufta do të ishte ajo që do ta bënte shpirtin e tij “të vdiste”, kur humb gruan dhe vajzën.

Në anën tjetër, Rroni i cili kishte gjithçka në dorë, i ngrit duart kundër jetës, mirëpo duket se dikush tjetër ia ndërroi rrjedhën vendimit të tij.

Për shfaqjen ku dy protagonistë takohen te ura dhe thellohen në idenë nëse jeta ka kuptim apo jo, na foli regjisori Astrit Bytyqi, i cili për KultPlus theksoi se për të kishte qenë kënaqësi regjisura e tekstit të ish-profesoreshës së tij, Seadet Beqirit.

“Momentin që jam ballafaquar me tekstin kam parë se ai trajton shumë çështje, ngjarje dhe tema brenda vetes. Mirëpo e gjitha ajo që unë kam dashur ta krijoj ka qenë një koncept, që u pa nga publiku përmes aktorëve dhe punës së tyre”, nisi regjisori rrëfimin e tij.

“Ura” kishte pasur një periudhë provash prej 2 muajsh me të gjitha vështirësitë, të mirat dhe sfidat që i kanë dal përballë gjatë rrugëtimit.

“Si vepër kur e kam marrë kam dashur mbi të gjitha ta vlerësoj luftën, mënyrën se si kanë luftuar të parët tanë dhe se si na kanë sjell në këtë ditë që ne të jemi të lirë, të punojmë e të veprojmë. Gjithë fokusin e shfaqjes e kam dërguar në atë kahje që ta shohim edhe anën tjetër, të gjithë ata që kanë luftuar dhe vepruar në vendin tonë e kanë pasur një arsye të caktuar, e ajo ka qenë liria jonë”, shprehet Astrit Bytyqi.

Kjo shfaqje kishte mesazhe të shumta dhe të papritura, të cilat bënin që të shfaqeshin kthesa emocionale përbrenda saj. Mirëpo ajo që veçon Bytyqi në këtë rast është ballafaqimi i ushtarit me luftën dhe shpëtimi nga vdekja, ndërkohë që pasluftës ai humb të dashurit e tij.

‘’Vjen një moment kur ushtari humb vajzën edhe gruan e tij, e gjitha kjo bëhet bashkë me dhimbjen e tij, që e shtynë të ndërroj lokacion, të lë shtëpinë e të gjej strehim te një urë. Aty ballafaqohet me personazhin tjetër, e që ushtari ia jap vetes një mision, që çdokush që vjen aty t’iu bëhet mbështetës, ta rikthej kuptimin e jetës për të”, tha regjisori Bytyqi.

Aktori Avni Dalipi, në këtë shfaqje ka luajtur një rol jo të lehtë, atë të ushtarit. Ai shprehet se personazhi që i dha jetë, Doni, nuk kishte guxim të rikthehej në jetën e tij të dikurshme, andaj ia caktoi vetes një mision të veçantë.

“Qëllimi i tij ishte që t’i largoj nga rruga e gabuar të tjerët, t’i tregoj të gjithë njerëzve se sado që je i ngarkuar, të ballafaqohesh me realitetin është më mirë sesa të largohesh nga ai”, shpjegoi Dalipi.

Avniu tutje sqaron se jo vetëm si aktor por edhe si njeri, ky rol ka qenë më emotiv dhe se shpesh në jetën e përditshme na ndodh të jemi një “Don” dhe të bëhemi një urë mes vdekjes e jetës, duke i ndihmuar njerëzve të kalojnë nga e zeza në të bardhën.

“Brenda neve, në zemrat e shpirtrat tanë kemi vragë të natyrave të ndryshme nëpër këto periudha që kemi kaluar. Ditëve të fundit po ballafaqohemi me gjykimin në Hagë, dashtë e pa dashtë kjo na kthen në kujtimet e mëhershme dhe përjetimet që kemi pasur, e që kjo mund të na lëndojnë shumë në jetë”, ndërlidh Dalipi shfaqjen me aktualitetin.

Në mes të përpjekjeve jetë-vdekje, ekziston një mes, në të cilën aktorët gjallërohen duke e kënduar këngën “Sytë e zi”. Deri në atë moment, Avniu thotë se shfaqja ka pamjen e një klinike psikologjike, ku njëri e këshillon tjetrin duke e ngacmuar.

“Një nga momentet që përbëjnë kthesën emocionale është kur Doni i thotë Rronit ‘’këmbën tjetër, e jo atë’’ dhe ky e sheh që dikush po e pengon poshtë dhe në atë moment kur personi që dëshiron të bën vetëvrasje e sheh tjetrin, tërhiqet”, thotë aktori Dalipi.

Pjesa e këngës përveç që do të mbetet në mendjen e shikuesve, ajo ka lënë një vend të veçantë edhe te aktori Avni Dalipi. Kjo pjesë për të vlerësohet si ndërruese e rrjedhës së ngjarjeve, ku pas këndimit të përbashkët, personazhi të cilin e luajti ai fillon të mos jetë vetëm dëgjues i ndodhive të tjetrit, por edhe rrëfyes për jetën e tij.

“Përmes kësaj shfaqje kemi tentuar t’iu themi njerëzve që pavarësisht këtyre gjërave ne duhet të tentojmë që problemet t’i shndërrojmë në mundësi, e jo në shkatërrime e mbyllje për ne, sa të na humbasin edhe kuptimin e jetës”, tha për fund aktori Dalipi.

Shfaqja artistike “Ura” u duartrokit fuqishëm nga audienca dhe zuri vend në historinë dhe aktualitetin kosovar. / KultPlus.com

Rama: Ura e Shën Prodhromit e restauruar, vlerë e vërtetë e trashëgimisë kulturore

Kryeministri i ShqipërisëEdi Rama deklaroi sot se “trashëgimia kulturore ka njohur gjatë qeverisjes sonë të vetmen periudhë vëmendjeje, përkujdesje, rimëkëmbjeje, në 30 vitet e fundit”.

Kreu i qeverisë shqiptare publikoi sot një video nga Ura e Shën Prodhromit në Voskopojë, e cila është restauruar vitin e kaluar, ndërsa theksoi se “ky është një tjetër nga shumë shembujt kuptimplotë të angazhimit tonë për vlerat e vërteta të kësaj trashëgimie”.

“Trashëgimia kulturore ka njohur gjatë qeverisjes sonë të vetmen periudhë vëmendjeje, përkujdesje, rimëkëmbjeje, në 30 vitet e fundit dhe ky është vetëm një tjetër nga shumë shembujt kuptimplotë të angazhimit tonë për vlerat e vërteta të kësaj trashëgimie, ku nuk ka bërë kurrë pjesë, në asnjë dokument zyrtar të asnjë faze të pasluftës karakatina e shembur pak kohë më parë në kryeqytet”, – tha Rama.

Ura e Shën Prodhromit është një prej veprave inxhinierike ndërtuar gati 300 vjet më parë, e cila shërbente si nyje lidhëse e Voskopojës me manastirin e Shën Prodhromit. Kjo urë është monument i kategorisë I dhe përbëhet nga dy harqe prej guri të skalitur mirë dhe është ndërtuar në të njëjtën periudhë me fshatin me 24 kisha dhe Akademi. Pjesa e sipërme e urës është kalldrëm. Kjo urë me harqe vlerësohet e rrallë për sa i përket anës arkitektonike. Ajo është një prej urave më të vjetra në vend. /KultPlus.com

Hapet “Ura Tibetiane” në Rugovë

Grykës së Rugovës i është shtuar një nga urat më të veçanta në Ballkan.

Nga sot vizitorët do të kenë edhe një arsye më shumë për t’i parë atraksionet në këto vende.

“Ura Tibetiane” e cila është e gjatë 41 metra është e vendosur në lartësi prej 60 metrash.

Në inaugurimin e kësaj ure mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Pejës, Xhenet Syka.

Ajo e konsideroi këtë urë inovacion të jashtëzakoshëm.

“Jeni dëshmitarë në promovimin e një inovacioni të jashtëzakonshëm, i cili sipas normave dhe strukturës është produkti më unik në Pejë dhe rajon quhet ‘Ura Tibetiane’, ku duhet të kalohen 80 shkallë për t’u hapur pista dhe vendkalimi për Via Ferratën më të re, e cila gjithashtu promovohet sot është Via Ferrata ‘Marimangat’”.

“Kjo e begaton pakon e integruar të turizmit aventurier dhe e rrit potencialin turistik në komunën tonë”, tha ajo. / KultPlus.com

Ndërtohet ura për të vizituar kështjellën që legjendat e ndërlidhin me mbretin Artur

Pas më shumë se 500 vjetësh, është inauguruar në Cornwall një urë e re për të shkuar në kështjellën e Tintagelit, që thuhet se ishte e mbretit mitik anglez, Artur.

The English Heritage – enti publik britanik që merret me trashëgiminë kulturore kombëtare – ka mbledhur pesë milion stërlina për të realizuar këtë vepër që do të lidhë dy pjesët e kështjellës që ndahen mes tyre nga një grykë dhe që i jep mundësinë turistëve të arrijnë në këtë zonë më me lehtësi.
Ura e vjetër e ndërtuar në shekullin XIII u shemb më 1500 dhe që atëherë nuk u ndërtua më. Ura e re e ndërtuar prej hekuri dhe druri është ndërtuar në lartësinë e 60 metrave. /telegrafi/ KultPlus.com

“Ura” e Valmira Hysenit me premierë botërore në Irlandë

Dokumentari i shkurtë “Ura”, me skenar dhe regji të Valmira Hysenit, do të ketë premierën botërore më edicionin e 19-të të Kerry Film Festival, shkruan KultPlus.

Festivali do të fillojë më 17 tetor dhe do të zgjasë deri më 21 tetor në Kerry të Irlandës. Producent I dokumentarit është Zgjim Terziqi dhe Valmira Hyseni. “Ura” është zgjedhur në mesin e më shumë se 2000 aplikacioneve si dhe do jetë garës për filmat e shkurtë të huaj.

Ura / The Bridge trailer 2018 on Vimeo.

Përleshjet paqësore apo të dhunshme, ndodhin gjithnjë në të dy anët e kësaj ure dhe ndonjëherë në vet urën. Një situatë krejtësisht absurde ku njerëz që jetojnë janë armiq, nuk mund të komunikojnë e as të shkelin në anën e kundërshtarit për të mirë apo për keq. Por të vdekurit janë të lirë. Askush nuk i ngacmon ata. Ata mund të lëvizin lirshëm në të dy anët e qytetit armiqësor dhe të ndarë./ KultPlus.com

Ura e Nivanit afër Gjirokstrës, monument me një histori të pasur

Ura e Nivanit, monument kulture i kategorisë I, e ndodhur mbi lumin e Zagorisë, në Nivan, Gjirokastër, është një monument me histori të pasur dhe arkitekturë të veçantë.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se një tjetër kantier i shtohet Ministrisë së Kulturës. “Pas miratimit të projektit në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, në fshatin Nivan ka nisur puna për restaurimin e urës”, thekson IMK-ja.

Projekti i hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës parashikon ndërhyrje konsoliduese dhe restauruese në monument.

Ura e Nivanit përfaqëson një strukturë komplekse me 2 harqe guri dhe një hapësirë dritë rreth 20 m. Ura është e mbuluar me kalldrëm përkatësisht 28 m dhe 40 m të gjatë.

Kjo urë i dha jetë në fillim të shek.XIX komunikimit jo vetëm tregtar, por edhe shpirtëror mes Gjirokastrës dhe Përmetit. Karvanet që vinin nga Gjirokastra kalonin mbi urën e Nivanit ndaleshin më pas në Manastirin e Nivanit ndërtim i vitit 1777, vijonte në Nivan, Sheper në Qafën e Dhëmbelit e më pas në Përmet.

Sot, kjo urë përveç funksionit rajonal për kalimin e kafshëve dhe të njerëzve, është kthyer në objekt të vizitueshëm për historinë, kuriozitetin dhe arkitekturën e veçantë të saj./ KultPlus.com