Çka dihet deri tani për mutacionin e ri të Covid-19?

Shqetësimi për një variant të ri të koronavirusit është në rritje.

I fundit është versioni më i mutuar i zbuluar deri më tani – dhe ka një listë kaq të gjatë mutacionesh, saqë u përshkrua nga një shkencëtar si “i tmerrshëm”. Ndërsa një tjetër tha se ishte varianti më i keq që ata kishin parë.

Janë ende ditët e para dhe rastet e konfirmuara janë akoma të përqendruara kryesisht në një provincë në Afrikën e Jugut, por ka të dhëna se mund të jetë përhapur më tej. Menjëherë ka pyetje rreth asaj se sa shpejt përhapet varianti i ri, aftësia e tij për të anashkaluar një pjesë të mbrojtjes së dhënë nga vaksinat dhe çfarë duhet bërë për këtë. Ka shumë spekulime, por ka shumë pak përgjigje të qarta.

Pra, çfarë dimë ne?

Varianti quhet B.1.1.529 dhe ka të ngjarë t’i jepet një emër i koduar grek (si variantet Alfa dhe Delta) nga Organizata Botërore e Shëndetësisë sot (e premte).

Është gjithashtu tepër i mutuar. Prof Tulio de Oliveira, drejtori i Qendrës për Reagimin dhe Inovacionin Epidemik në Afrikën e Jugut, tha se kishte një “plejadë të pazakontë mutacionesh” dhe se ishte “shumë i ndryshëm” nga variantet e tjera që kanë qarkulluar.

“Ky variant na befasoi, ka një kërcim të madh në evolucion [dhe] shumë mutacione të tjera që ne prisnim,” tha ai.

Në një konferencë për media, Prof de Oliveira tha se kishte 50 mutacione në përgjithësi dhe më shumë se 30 në proteinën spike, e cila është objektivi i shumicës së vaksinave dhe çelësi që virusi përdor për të zhbllokuar derën në qelizat e trupit tonë. Ai ka 10 mutacione, krahasuar me vetëm 2 për variantin Delta që përfshiu botën.

Ky nivel mutacioni ka shumë të ngjarë të ketë ardhur nga një pacient i vetëm, i cili nuk ishte në gjendje të mposhtte virusin.

Shqetësimi tani është se ky virus është rrënjësisht i ndryshëm nga origjinali që u shfaq në Wuhan, Kinë. Kjo do të thotë se vaksinat, të cilat janë krijuar duke përdorur variantin origjinal, mund të mos jenë aq efektive.

Prof Richard Lessells, nga Universiteti i KwaZulu-Natal në Afrikën e Jugut, tha:

“Ajo që na shqetëson është se ky virus mund të ketë transmetueshmëri të rritur, aftësi të rritur për t’u përhapur nga personi në person, por gjithashtu mund të jetë në gjendje të kapërcejë pjesë të sistemit imunitar.”

Ka pasur shumë shembuj të varianteve që janë dukur të frikshme fillimisht, por nuk kanë qenë ashtu. Varianti Beta ishte më shqetësuesi në fillim të vitit, por në fund ishte Delta me përhapje më të shpejtë dhe ajo që pushtoi botën.

Studimet shkencore në laborator do të japin një pamje më të qartë, por përgjigjet do të vijnë më shpejt nga monitorimi i virusit në botën reale. Është ende herët për të nxjerrë përfundime të qarta, por tashmë ka shenja që po shkaktojnë shqetësim.

Ka pasur 77 raste të konfirmuara plotësisht në provincën Gauteng në Afrikën e Jugut, 4 raste në Botsvana dhe 1 në Hong Kong (i cili është i lidhur drejtpërdrejt me udhëtimet nga Afrika e Jugut).

Megjithatë, ka të dhëna se varianti është përhapur edhe më gjerësisht.

Pra, tani për tani dimë vetëm se kemi të bëjmë me një variant që ngre shqetësime të rëndësishme, pavarësisht nga boshllëqet e mëdha në njohuritë tona. Ai duhet parë nga afër dhe shtron pyetje të thella se çfarë të bëjmë dhe kur.

Por nga pandemia kemi nxjerrë një mësim se nuk mund të presim gjithmonë derisa t’i kemi të gjitha përgjigjet./KutlPlus.com

Çfarë dihet deri tash për variantin Mu?

Organizata Botërore e Shëndetësisë po ndjek një variant të ri të koronavirusit, të quajtur Mu.

I zbuluar për herë të parë në Kolumbi, në fillim të vitit, Mu është raportuar në disa shpërthime sporadike të të infektuarve në pjesë të Amerikës së Jugut dhe Evropës.

Derisa përbën vetëm një pjesë të vogël të rasteve globale, shkencëtarët po studiojnë nëse ai ka karakteristika që e tejkalojnë mbrojtjen e krijuar nga vaksinimi ose infeksioni i kaluar.

Çfarë është varianti Mu?

I njohur edhe si varianti B.1.621, varianti Mu i koronavirusit është zbuluar në Kolumbi në muajin janar dhe tani është listuar si një nga pesë variantet e interesit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Kjo do të thotë se OBSH-ja e konsideron atë të vlefshëm për monitorim të veçantë, por e sheh si problem më të vogël potencial, krahasuar me variantet Delta apo Alfa, të cilat janë etiketuar si variante shqetësuese, për shkak të virulencës së tyre të shtuar.

Mu është varianti i parë i interesit që i shtohet listës qysh në muajin qershor. Atëbotë, në listë është përfshirë varianti Lambda.

Sipas raportit më të ri epidemiologjik të OBSH-së, Mu është renditur si “variant me interes” sepse ka një “grup mutacionesh që tregojnë veti të mundshme të ikjes imune”, që duhet të studiohen më tej.

Paul Griffin, ekspert i sëmundjeve infektive nga Universiteti Kuinsllend në Australi, thotë se ekspertët e shëndetit vazhdimisht i përcjellin “variantet e ikjes imune”, që mund ta kenë më të lehtë të infektojnë njerëz të vaksinuar përmes mutacioneve në proteinën e virusit.

“Nëse kjo proteinë do të ndryshonte ndjeshëm, atëherë sigurisht që ekziston mundësia që vaksinat tona të funksionojnë më pak”, thotë Griffin.

OBSH-ja ka thënë se duhen më shumë kërkime për të kuptuar efektet e variantit Mu, por, sipas dr Griffin, nuk ka ende prova që sugjerojnë se Mu i ik imunitetit.

Sipas OBSH-së, prevalenca e variantit Mu në infeksionet globale me koronavirus ka rënë qëkur është zbuluar për herë të parë, megjithatë “prevalenca në Kolumbi (39 për qind) dhe Ekuador (13 për qind) është rritur vazhdimisht”.

Ai përbën më pak se 0.1 për qind të të gjitha infeksioneve globale, por shpërthime të B.1.621 janë raportuar gjithashtu në pjesë të SHBA-së dhe Evropës.

Raporti i epidemiologjisë i OBSH-së thotë se të dhënat paraprake tregojnë se Mu duket se është më rezistent ndaj antitrupave.

Por, dr Griffin thotë se ato teste laboratorike nuk e japin pamjen e plotë se si funksionon imuniteti njerëzor në botën reale.

“Ato studime neutralizuese janë vërtet të dobishme… sepse janë mjaft të lehta për t’u bërë dhe janë mjaft të shpejta, por ato janë pjesë e rrëfimit dhe jo i gjithë rrëfimi”, thotë ai.

Cilat variante të tjera monitorohen nga OBSH-ja?

Mu është varianti i pestë që renditet nga OBSH-ja si variant interesi, ndërsa janë edhe katër variante të tjera më serioze, që janë etiketuar si variante shqetësuese.

Të nëntë variantet janë emëruar me shkronja të ndryshme të alfabetit grek.

Pesë variantet e interesit janë:

Eta, i zbuluar për herë të parë në shumë vende në dhjetor të vitit 2020;

Iota, i zbuluar për herë të parë në SHBA në nëntor të vitit 2020;

Kapa, i zbuluar për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020;

Lambda, i zbuluar për herë të parë në Peru në dhjetor të vitit 2020;

Mu, i zbuluar për herë të parë në Kolumbi në janar të vitit 2021.

Katër variantet shqetësuese, të cilat konsiderohet se kanë potencial për ta përkeqësuar pandeminë, janë:

Alfa, i zbuluar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit 2020;

Beta, i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut në maj të vitit 2020;

Gama, i zbuluar për herë të parë në Brazil në nëntor të vitit 2020;

Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020.

Numri i varianteve të koronavirusit pritet të ndryshojë me kalimin e kohës, sepse sa më shumë që përhapet virusi, aq më shumë mundësi ka për të pësuar mutacione.

Griffin thotë se mënyra më e mirë për të kufizuar mutacionet e virusit është duke kufizuar përhapjen e tij.

“Sa më shumë njerëz që janë të vaksinuar, virusi ka më pak nikoqirë ku mund të jetojë”, thotë Griffin./KultPlus.com