Margariti: Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore me “Tinguj Vere” në Velipojë

Velipoja u ndez mbrëmjen e djeshme nga ritmet e këngëve dhe valleve popullore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau në rrjetet sociale foto nga ky aktivitet, i cili ishte pjesë e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër.

“Artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore zbritën me “Tinguj Vere” në sheshin kryesor të Velipojës, duke kënduar e kërcyer bashkë me publikun shqiptar e të huaj”, tha Margariti.

Pas Velipojës Ansambli do të zhvendoset në bregdetin e Adriatikut, duke sjellë këngët e vallet tradicionale shqiptare për turistët vendas dhe të huaj. Më 12 gusht Ansambli Popullor do të jetë në qytetin e Durrësit, te Vollga në orën 20.00.

Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “Kult Art” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, e cila çon artin dhe kulturën atje ku është publiku./atsh/KultPlus.com

“KultArt” çon Cirkun Kombëtar në Velipojë

Shëtitorja e plazhit të Velipojës, u shndërrua në një arenë argëtuese falë shfaqjes së dhuruar nga akrobatët e talentuar të Cirkut Kombëtar të cilët performuan plot numra akrobacie. Shfaqja u ndoq jo vetëm nga fëmijët por nga të gjithë të pranishmit në shëtitore.

Ky aktivitet është ndalesa e parë e stacionit veror “KultArt”, në Shkodër, mbështetur nga Ministria e Kulturës në koordinim me Bashkinë Shkodër. Ky aktivitet do pasohet nga një sezon turistik plot festivale, koncerte e shfaqje teatrale.

DRTK Shkodër kujtoi se të gjithë, vendas e vizitorë, mund të shkarkojnë aplikacionin TEA për tu bërë pjesë e argëtimit duke zgjedhur turizmin kulturor në Shkodër.

Po në kuadër të “KultArt”, Shëngjini do të presë sot baletin kontemporan “Humus”, të trupës së baletit të TKOB./ atsh / KultPlus.com

Nis festivali i skulpturave të rërës në Velipojë

Në bregdetin e Velipojës nis sot festivali i skulpturave të rërës, “LAS Art Festival”.

Velipoja do të mikpres për herë të parë artistë nga bota, në datat 24-27 gusht.

Kjo është hera e parë që një festival i tillë zhvillohet në vendin tonë. Artistët ndërkombëtarë do të performojnë me krijimin e objekteve me rërë, në plazhin e Velipojës.

Bregdeti i këtij qyteti, si një ndër destinacionet turistike të kësaj vere, është plazhi më i bukur ranor që përkon dhe me shpërfaqjen e magjisë së punëve që do të pasqyrohen nga 6 artistë të mirënjohur që do të kompozojnë e riprodhojnë në rërë detaje të punimeve në skulpturë.

Veprat e artit do të qëndrojnë të ekspozuara për publikun për ditë me radhë gjatë këtij sezoni veror.

“LAS Art Festival” do të mundësohet dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës./ atsh / KultPlus.com